VOAL- Kandidati i pavarur për kryetar bashkie të Beratit, Pavlo Shkarpa, iu bën ftesë për një përballje të hapur publike kandidatit socialist Ervin Ceca dhe ish kryetarit socialist të bashkisë tani ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, për të ndarë me publikun vizionin, idetë dhe programet tona për të ardhmen e Beratit:
Në frymën e transparencës, respektit të ndërsjellë dhe shërbimit ndaj qytetarëve të Beratit, ftoj në një përballje të hapur publike kandidatin e Partisë Socialiste për Bashkinë e Beratit, z. Ervin Ceca,
dhe ish-Kryetarin e Bashkisë, aktualisht Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, për të ndarë me publikun vizionin, idetë dhe programet tona për të ardhmen e qytetit tonë.
Kjo ftesë vjen me bindjen se qytetarët e Beratit meritojnë të informohen drejtpërdrejt nga përfaqësuesit dhe pretendentët për drejtimin e Bashkisë në një debat civil, të respektueshëm dhe të ndërtuar mbi ide konkrete për zhvillimin e qytetit.
Të ftuarit kanë lirinë të zgjedhin ditën, orën dhe televizionin lokal apo kombëtar ku dëshirojnë ta zhvillojnë këtë përballje.
Ne jemi të hapur për çdo propozim dhe të gatshëm të kontribuojmë që ajo të realizohet në mënyrë të paanshme, profesionale dhe dinjitoze.
Le të jetë kjo përballje një shembull i kulturës demokratike, i respektit ndaj qytetarëve dhe i dashurisë për Beratin tonë.