Gjykata Kushtetuese ka vendosur t’i heqë mandatin deputetit socialist Koço Kokëdhima. Lajmi është bërë i ditur në media mesditën e së hënës.
Ky vendim i Kushtetues vjen vetëm 48 orë pasi Berisha njoftoi se disa anëtarë të kësaj gjykate ishin nën presionin e qeverisë për të votuar në favor të Kokëdhimës.
Beteja ligjore e Kokëdhimës është dy vjeçare. Loja nisi kur Partia Demokratike zbuloi disa prokurime publike të fituara nga kompanitë e Kokëdhimës gjatë kohës që ai ishte mandatuar si deputet.
Duhet thënë se prokurimet nuk përfaqësonin ndonjë implikim të rëndësishëm financiar. Bëhej fjalë për shoqërinë e tij ‘Abissnet’ e cila ofron shërbime interneti dhe kishte lidhur kontrata me disa komuna në kohën që Kokëdhima porsa kishte marrë zyrtarisht mandatin.
Partia Demokratike kërkoi të hetonte këto tendera nëpërmjet një mekanizmi parlamentar por nisma e saj u rrëzua me votat e koalicionit në pushtet.
Më pas PD-ja e atakoi këtë vendim në Kushtetuese dhe në vitin 2015 Kushtetuesja i dha të drejtë PD-së e cila më pas e kishte rrugën e lirë të përgatiste dosjen për Kokëdhimën, të cilën e dërgoi sërish në Kushtetuese por kësaj here shoqëruar me kërkesën për t’i hequr atij mandatin.
Kushtetuesja i dha sërish të drejtë demokratëve dhe nga sot, Kokëdhima nuk do të jetë më deputet i Shqipërisë.
Por ndonëse Kokëdhimës i digjet një vit nga mandati i plotë deri në vitin 2017, pozitat e tij mbeten të forta.
Që prej ardhjes së qeverisë rilindëse në pushtet, ai ka fuqizuar dominancën në disa sektorë të rëndësishëm ekonomikë dhe administrativë.
Kokëdhima kontrollon nëpërmjet operatorit të tij Endri Puka, ndërrmarjen më të fuqishme shtetërore, Albpetrolin.
Endri Puka, drejtor i Albpetrolit
Nga ana tjetër ai ka vendosur hegjemoninë në bashkitë e jugut. Bashkitë e Fierit, Vlorës, Himarës, Sarandës janë të drejtuara nga persona të kontrolluar dhe të ndikuar nga Kokëdhima.
Deputeti socialist kontrollon politikat e punësimit në pjesën dërrmuese të institucioneve shtetërore në jugun e vendit dhe po njësoj ai kontrollon ndërhyrjet dhe projektet në vijën bregdetare.
Koço Kokëdhima ka aktualisht një bashkëpunim të ngushtë me Benet Becin, drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ky Fond nëpërmjet kredive të buta që siguron nga institucione ndërkombëtare ka parashikuar një fushatë intensive investimesh në disa bashki të jugut, projektet dhe vendet e piketuara për investim; si dhe kompanitë nënkontraktore që do kryejnë punimet janë të ndikuara nga Kokëdhima.
Një tjetër pikë e fortë e Kokëdhimës mbetet investimi që ai bëri në zgjedhjet që paraprinë Kongresin e Partisë Socialiste të zhvilluar një muaj më parë.
Komentet