VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Paris: Muzeu Louvre mbyllet për shkak të protestave

By | January 17, 2020

Komentet

Italia konfirmon 610 viktima të reja nga COVID-19, vazhdon trendi i stabilizimit

Romë

Italia sot konfirmoi 610 vdekje të tjera nga koronavirus i ri (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 18.279, shifra më e lartë në mbarë globin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ekspertët konfirmuan një trend të stabilizimit gjatë javëve të fundit, duke i mbështetur shpresat e qeverisë për arritjen e kulmit.

Ndërkaq, numri i rasteve aktive me COVID-19 u rrit me 1,7 përqind nga dita e djeshme për të shkuar në 96.877, ndërsa një ditë më parë kjo rritje ishte 1,3 për qind.

Numri i personave të shëruar ka vazhduar të rritet, duke arritur në 28.470, kurse ai i pacientëve nën kujdes intensiv ka rënë për të gjashtën ditë radhazi, për 88.

Epiqendra e pandemisë në Itali mbetet rajoni verior i Lombardisë, i cili tani numëron mbi 10 mijë viktima.

Në betejën e saj të vazhdueshme për të frenuar sëmundjen, qeveria italiane ka vazhduar bllokimin gati total, i cili ndalon shumicën e prodhimit dhe veprimtarive të biznesit në Itali, të paktën deri më 13 prill.

Në ndërkohë, janë rritur presionet që qeveria të fillojë të heqë disa nga masat e rrepta të bllokimit, të paktën për bizneset kryesore, përpara të ashtuquajturës “faza-2” e pandemisë.

Megjithatë, qeveria vazhdon të bëjë paralajmërime, duke u kërkuar njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin aktivitetet në natyrë, veçanërisht gjatë festës së Pashkëve.

Sipas raportimeve në mediat italiane, kabineti qeveritar do të jetë i gatshëm të nxjerrë një dekret të ri emergjence, duke e zgjatur bllokimin deri në muajin maj. Dekreti gjithashtu pritet të heqë gradualisht disa kufizime të aplikuara aktualisht për bizneset jothelbësore për të parandaluar një recesion ekonomik.

Gjermani, mbi 50 mijë të shëruar nga COVID-19

Berlin

Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn, tha se 50 mijë njerëz janë shëruar nga koronavirusi i ri (COVID-19) në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për shtyp në Berlin, Spahn tha se masat që kanë ndikuar seriozisht në jetën e përditshme në Gjermani janë marrë për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

“Masat e marra po tregojnë efekt. Ne shohim sukses. Sipas të dhënave të Institutit Robert Koch, në vend ka rreth 110 mijë raste. Po ashtu, më shumë se 50 mijë njerëz janë shëruar. Rastet e reja janë në rënie”, tha Spahn.

Duke rikujtuar se periudha e festës së Pashkëve në vend do të fillojë nga nesër, Spahn u bëri thirrje qytetarëve të zbatojnë masat në këtë periudhë, në mënyrë që të mos vënë në rrezik këtë sukses.

Spahn theksoi se synojnë kthimin e normalitetit duke hequr hap pas hapi masat, por shtoi se kjo është ende shumë larg.

Duke deklaruar se sistemi shëndetësor gjerman ka një themel të mirë, Spahn tha se afro 3 mijë njerëz janë nën kujdes intensiv për shkak të COVID-19 dhe më shumë se 10 mijë shtretër në repartet e kujdesit intensiv janë boshe.

Dyshimet për COVID-19, aeroplanmbajtësja franceze kthehet në shtëpi

Paris

Aeroplanmbajtësja franceze “Charles De Gualle”, për shkak të dyshimeve se një pjesë e ekuipazhit është infektuar me koronavirsin e ri (COVID-19), do të kthehet në vend me 23 prill, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria franceze e Mbrojtjes në një njoftim theksoi se për shkak të dyshimit për infektim me koronavirus janë izoluar rreth 40 anëtarë të ekuipazhit që ndodhet në Oqeanin Atlantik.

Më tej thuhet se anija do të kthehet në port më 23 prill, më herët se sa ishte planifikuar.

BE miraton bashkëpunimin e prodhuesve të ilaçeve

Bruksel

Bashkimi Evropian (BE), për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), pezulloi disa rregulla të konkurrencës dhe lejoi kryerjen e bashkëpunimit të kufizuar për prodhuesit e ilaçeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komisioni i BE-së nëpërmjet një deklarate njoftoi se për shkak të COVID-19, ka marrë masa të reja të përkohshme lidhur me rregullat e konkurencës.

Në deklaratë thuhet se pandemia e koronavisurit ka prishur zinxhirin furnizues dhe ka dëmtuar seriozisht kërkesën për shërbime dhe produkte të caktuara në sektorin shëndetësor.

Në deklaratë, ku tërhiqet vëmendja se kjo situatë mund të shkaktojë mangësi kryesisht në pajisjet mjekësore dhe ilaçet që përdoren për trajtimin e të sëmurëve me COVID-19, thuhet se në një situatë të jashtëzakonshme siç është COVID-19, kompanitë farmaceutike mund të bashkëpunojnë në çështjen e stoqeve të prodhimit dhe të shpërdarjes në dobi të qytetarëve.

Gjithashtu theksohet se bashkëpunim mund të kryhet edhe mes prodhuesve të barazvlefshëm të ilaçeve.

Duke theksuar se bashkëpunimi në fjalë në kushtet normale është në kundërshtim me rregullat e BE-së për konkurrencën, Komisioni Evropian nënvizoi se masat e marra në pandeminë COVID-19 do të sigurojnë dobi për qytetarët.

Jep dorëheqje shkencëtari kryesor i BE-së, kritikon përgjigjen ndaj koronavirusit

Shkencëtari kryesor i Bashkimit Evropian dha dorëheqje, duke dënuar, siç tha, përgjigjen “zhgënjyese” të Brukselit ndaj pandemisë së koronavirusit.

Mauro Ferrari, president i Këshillit Evropian të Kërkimeve, e kritikoi BE-në për refuzimin e propozimit të tij për të krijuar një program shkencor, të shkallës së gjerë, për luftimin e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Në një deklaratë të publikuar në gazetën Financial Times, Ferrari po ashtu tha se shtetet anëtare kanë dështuar të koordinohen për politikën e kujdesit shëndetësor.

Komisioni Evropian nuk e ka komentuar ende dorëheqjen e Ferrarit.

Italia dhe Spanja – të dyja vende anëtare të Bashkimit Evropian – kanë numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në botë: 17,127, përkatësisht 14,045.

Mbi 10,000 viktima ka edhe Franca.

Gjermani, rastet me COVID-19 tejkalojnë shifrën 100.000 veta

Berlin

Rastet e konfirmuara të koronavirusit të ri(COVID-19) në Gjermani të hënën kanë tejkaluar 100,000, sipas shifrave të lëshuara nga autoritetet lokale, raporton Anadolu Agency (AA).

Firma e analizës së të dhënave Risklayer dhe Instituti i Teknologjisë Karlsruhe, e cila përpiloi shifrat në kohë reale nga afër 400 autoritete lokale shëndetësore, të hënën në mëngjes raportoi 4,024 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar totalin në 100.132.

Autoritetet regjistruan 138 vdekje më shumë nga koronavirus në 24 orët e fundit, duke rritur numrin e vdekjeve në 1.584.

Gjermania aktualisht ka numrin e katërt më të lartë të rasteve nga koronavirusi në botë, pas SHBA-ve, Spanjës dhe Italisë, por numri i të vdekurve mbetet shumë më i ulët se tre vendet më të goditura.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Itali të dielën tejkaloi 15.800, më i larti në nivel global. Spanja ka regjistruar 12.418 vdekje deri më tani. Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri të dielën arritën shifrën e vdekjeve në 8,503.

Pasi u shfaq për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën dhe bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me bazë në SHBA numri i të vdekurve nga ky virus është mbi 67 mijë, ndërsa numri i të infektuarve mbi 1.2 milionë.

Franca merr ‘frymë’, numri i viktimave pëson ulje pas 2 ditëve tronditëse

Franca ka shënuar një shifër të ulët në krahasim me dy ditët e kaluara që kalua shifrat e viktimave mbi 1 mijë .

Sot Franca shënoi 357 viktima teksa numri total ka shkuar në 8 mijë. 5 mijë e 889 persona vdiqën në ambiente spitalore kurse 2 mijë e 189 të tjerë në kushte shtëpiake.

Franca ka 70 mijë të infektuar dhe 16 mijë të shëruar teksa mban vendin e 6-të për të infektuar në gjithë botën por për viktima mban vendin e katërt, pas Italisë, Spanjës apo SHBA-së

Italia njofton për numrin më të ulët ditore të viktimave që prej javësh

Italia raportoi të shtunën shifrën më të ulët ditore të vdekjeve si pasojë e COVID-19 pas rreth dy javësh dhe tha se numri i pacientëve në kujdes intensiv kishte rënë për herë të parë. Zyrtarët i kërkuan popullatës të mos shpërfillë masat e rrepta të izolimit, për të cilat ata thanë se kishin filluar të jepnin rezultate.

Autoritetet njoftuan të shtunën 681 vdekje, që e ka çuar totalin e përgjithshëm në mbi 15 mijë.  Ndërsa të dielën kjo shifër bie në 525. Kjo konsiderohet si shifra më e ulët ditore e vdekjeve që nga 23 Marsi.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara u rrit në mbi 124 mijë.

Kreu i autoritetitit të Mbrojtjes Civile Angelo Borelli e konsideroi këtë zhvillim një lajm të rëndësishëm për vendin pasi siç tha ai, u jep mundësi spitaleve të marrin frymë. Zyrtarët italianë kanë thënë se rrritja e qëndrueshme në numrin e rasteve sugjeron se pandemia ka arritur në pikën më të lartë të saj dhe se shifrat me gjasë do të bien nëse respektohen masat e rrepta të izolimit. zëri i amerikës

Spanja shënon rënie të vdekjeve nga COVID-19 për ditën e dytë radhazi

Oviedo

Për të dytën ditë me radhë, Spanja regjistroi rënie të konsiderueshme të numrit ditor të vdekjeve nga koronavirusi (COVID-19), duke raportuar 674 viktima të reja sot, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në përgjithësi, 12.418 njerëz kanë vdekur nga virusi në vend, me gjithsej 130.759 raste të konfirmuara.

Zyrtarët spanjollë kanë sugjeruar kohët e fundit se vendi është në prag të arritjes së kulmit të infeksioneve të reja, por vazhdojnë shqetësimet për një valë të re të fatkeqësive.

Të dhënat e lëshuara nga qeveria spanjolle llogarisin njerëzit që kanë vdekur pasi janë diagnostikuar me sëmundjen, por shifrat aktuale mund të jenë shumë më të larta, pasi që qindra apo edhe mijëra të tjerë vdesin të padiagnostikuar në shtëpitë e pleqve.

Të dhënat e qeverisë të lëshuara dje tregojnë se gati 87 për qind e të gjitha vdekjeve kanë ndodhur te personat e moshës 70 vjeç. Gjithashtu, vdekshmëria e meshkujve ka qenë më e lartë (1.73) sesa te gratë.

Mbi 57.600 njerëz janë shtruar në Spanjë për ndërlikime që lidhen me virusin.

Të shtunën, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njoftoi se qeveria do të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme të vendit të paktën deri më 25 prill. Spanja ka qenë nën kufizime të rrepta që nga 14 marsi.

Spanja dhe Italia përbëjnë aktualisht rreth 43 për qind të vdekjeve globale nga COVID-19.

Belgjikë, mbi 19 mijë të infektuar dhe 1.447 të vdekur nga COVID-19

Bruksel

Numri i të infektuarve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Belgjikë është rritur në 19.691, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 1.447, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qendra belge e Krizave deklaroi se në 24 orët e fundit, numri i pacientëve të shtruar në spital është rritur në 5.735, përfshirë 1.261 në kujdes intensiv.

Në 24 orët e fundit, numri i vdekjeve është rritur për 164, kurse i të infektuarve me 1.260.

Numri i përgjithshëm i personave të konfirmuara me koronavirus në vend aktualisht është 19.691.

Gjithashtu theksoi se nga 15 marsi 3,751 persona ishin shëruar.

Ministri belg i Buxhetit, David Clarival, tha se autoritet kanë për qëllim rritjen e kapaciteteve ditore të testimit prej 40-50 mijë.

Clarinval tha se vendi është duke planifikuar që “gradualisht” t’i kthehet procesit të normalizimit, duke shtuar se ndikimi ekonomik do të jetë shumë më serioz se kriza financiare e vitit 2008.

Bie numri i pacientëve me gjendje kritike në Itali

Ekzaminim mjekësor ndaj një personi në Itali (foto arkiv).

Numri i pacientëve në kujdes intensiv në Itali ka rënë për herë të parë, thotë kreu i departamentit të mbrojtjes civile të vendit, Angelo Borrelli, raporton BBC.

Italia konfirmoi 681 vdekje të tjera të shtunën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 15,362.

Por Borrelli tha se numri i pacientëve me gjendje kritike ka rënë nga 4,068 sa ishte të premten në 3,994, të shtunën.

“Kjo është një pikë shumë e rëndësishme për shkak se shifra është duke u zvogëluar për herë të parë”, tha Borrelli.

“Është e rëndësishme sepse kjo lejon që spitalet tona të marrin frymë. Kjo është hera e parë që kjo shifër ka rënë që nga fillimi i menaxhimit të urgjencës”, tha ai.

Numri i rasteve të regjistruara si të infektuar më 4 prill ka qenë 2,886.

Banorëve në rajonin verior të Lombardisë tani do t’u kërkohet të mbajnë maska mbrojtëse ose të mbulojnë fytyrat kur të dalin jashtë.

Masa e re hyn në fuqi të dielën dhe do të zgjasë deri më 13 Prill.

E gjithë Italia është në izolim, por Lombardia – epiqendra e virusit në Evropë – ka pasur kufizime më të ashpra në lëvizje dhe biznes. rel

Korea e Jugut, si e ndaloi gjenerali amerikan përhapjen e COVID-19

“Vepro herët, me të gjithë forcën”, kjo është këshilla që jep Gjenerali Robert Abrams për të luftuar koronavirusin. Ai është gjenerali më i lartë amerikan në Korenë e Jugut.

“Do të duket si reagim i tepruar, por një javë më pas, komuniteti yt do ta kuptojë, njësia juaj do ta kuptojë.”

Gjenerali Abrams, i cili foli njëherësh për Zërin e Amerikës dhe rrjetin televiziv CNN, komandon 28 mijë trupa amerikane të stacionuara në Korenë e Jugut.

Ishte komuniteti i parë amerikan në linjat e para të frontit kundër koronavirusit. Përpjekjet e trupave amerikane në Korenë e Jugut për të frenuar shpërthimin e epidemisë ofrojnë të mësime të rëndësishme në luftën globale kundër COVID-19.

Reagimi i shpejtë

Mësimi më i rëndësishëm, sipas zotit Abrams, është veprimi i menjëhershëm dhe i vendosur.

“Duhet vepruar me shpejtësi dhe fuqishëm që nga fillimi. Virusi ka ritme shumë të larta infektimi.”

Në Korenë e Jugut kjo është më e qartë se kudo tjetër. Ai vend njoftoi rastin e parë më 20 janar. Rastet mbetën relativisht të ulëta për disa javë, deri sa një grua 61 vjeçare, rasti i 31-të i konfirmuar në atë vend, mori pjesë në një grumbullim fetar pasi ishte infektuar me koronavirus.

Brenda një jave në Korenë e Jugut u rregjistruan mijëra raste me mbi gjysmën të lidhura me grupin fetar.

“Mjafton një njeri”, tha zoti Abrams, duke theksuar këtë rast, të ashtuquajturin pacientin 31 të Koresë së Jugut.

Koreja e Jugut ishte në gjendje të shuante infeksionin në grup, falë fushatës së saj për testime të vrullshme të koronavirusit, hetimeve për të përcaktuar prejardhjen e infeksionit dhe izolimin e individëve të përfshirë.

Deri tani, ushtria amerikane në Korenë e Jugut e ka shmangur “super përhapjen”. Deri të premten, vetëm 17 individë të lidhur me forcat amerikane në Korenë e Jugut, përfshirë dy pjestarë në uniformë, kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Lufta me vetëkënaqësinë

Ndërsa është shtuar numri i të infektuarve që kanë lidhje me ushtrinë amerikane gjatë javës së kaluar, zoti Abrams vuri në zbatim masa të reja të rrepta.

Në kampin “Humpreys”, baza më e madhe amerikane në Korenë e Jugut, jeta ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Palestrat janë mbyllur, ndërsa janë pezulluar shërbimet me taksi dhe autobusë.

Në disa raste formohen rradhë jashtë dyqanit, pasi në të lejohen vetëm 100 njerëz njëherësh. Javën e kaluar, zoti Abrams deklaroi emergjencën e shëndetit publik, që i dha atij kompetenca më të larta për të vënë kufizime mes punonjësve civilë, kontraktorëve dhe familjeve të ushtarakëve. Ky veprim erdhi pasi një kontraktor amerikan u infektua me virus pasi kishte ngrënë në një restorant lokal, në kundërshtim me rregulloren.

“Beteja tani është në të vërtetë me vetëkënaqësinë për të garantuar që çdo individ të jetë vigjilent. Është e vështirë brenda një komuniteti, por ajo që njerëzit duhet të kuptojnë rreth këtij armiku është se mjafton që një personi vetëm të mos ndjekë udhëzimet. Kjo vë në rrezik shëndetin e të gjithë të tjerëve, që do të ishte pothuajse i menjëhershëm”, tha Gjenerali Abrams.

Gatishmëria ushtarake

Aktivitetet e lidhura me misionin kanë ndryshuar. Mekanikët e mjeteve ajrore, për shembull, janë ndarë në ekipe.

“Nëse një individ brenda një skuadre sëmuret, të gjithë mekanikët e tjerë nuk do të ndikohen.”

Gjenerali thotë se kështu është vepruar edhe për pilotët të cilët janë grupuar në vend të ndryshimit të orareve, duke e bërë më të lehtë zbulimin e rrugëve të infeksionit, nëse lind nevoja.

Këto masa mund të ndikojnë tek gatishmëria ushtarake, kryesisht nëse ato zgjasin për një kohë të gjatë, thotë zoti Abrams. Ai shpreh besimin se mund të gjendet ekuilibri mes gatishmërisë luftarake dhe sigurisë shëndetësore.

“Ende po kryejmë fluturime për zbulimin, përgjimin dhe mbledhjen e informacioneve. Helikopterët tanë ende fluturojnë dhe po zhvillojmë trajnime rutinë. Na është dashur të bëjmë disa përshtatje por jemi të gjithë të aftë të bëjmë detyrën.”

Ushtria amerikane duhet të përballet me koronavirusin dhe në të njëjtën kohë të mbajë nën vëzhgim Korenë e Veriut. Ky kërcënim u theksua muajin e kaluar kur Koreja e Veriut testoi një numër rekord raketash me rreze të shkurtër veprimi.

Sfidat e tjera

Situata në terren është ndërlikuar edhe më tej këtë javë pasi ushtria amerikane liroi përkohësisht 4 mijë punonjës civilë jugkoreanë, në mes të

negociatave të bllokuara ushtarake për ndarjen e kostos mes Uashingtonit dhe Seulit.

“Kam bërë telefonata dhe komunikuar në email me Uashingtonin gjatë gjithë kohës”, tha zoti Abrams lidhur me bisedimet për ndarjen e kostos të udhëhequra nga Departamenti i Shtetit për palën amerikane.

I pyetur nëse ushtria është në gjendje të përballojë lirimin e përkohëshëm nga puna të punonjësve civilë lokalë, duke patur parasysh edhe situatën me koronavirusin, zoti Abrams u përgjigj: “Nuk kam rrugë tjetër. Kjo është pjesë e detyrave dhe përgjegjësive tona.”

Drejt së ardhmes

Kur kanë kaluar afro dy muaj nga shpërthimi i koronavirusit në Korenë e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e mirë e botës tani po nxjerrin të njëjtat mësime si ato në Korenë e Jugut.

Një mësim i rendësishëm është se edhe kur duket se virusi është frenuar, beteja nuk ka marrë fund. “Nuk jam për të ulur kurbën, por për ta sheshuar plotësisht atë”, tha Gjeneral Abrams.