Hyrje
Parashqevi Simaku është një nga emrat kryesorë të muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Zhanri i muzikës së lehtë ka hyrë në fondin e artë sepse është krijuar nga kompozitorët më të shquar shqiptarë. Këngët e këtij zhanri i përkasin edhe muzikës masive por edhe krijimeve elitare me vlerë artistike, si krijime të artistëve profesionistë mbështetur nga institucionet e kulturës, që diktatura i mbante gjithmonë nën vëzhgim, censurë, persekutim, burgosje. Por artistët e vërtetë, ata më fatlumët, arrinin të mbijetonin dhe arti i tyre të hynte në trashëgiminë e kulturës shqiptare.
Parashqevi Simaku filloi karierën si këngëtare që fëmijë në qytetin e saj të lindjes, në Kavajë. Iu ra menjëherë në sy dy personaliteteve të Kavajës që mbulonin jetën kulturore të qytetit. Daljet e para i ka bërë në skenën e qytetit të lindjes, ndërsa kompeticioni i saj i parë kombëtar ka qenë pjesëmarrja në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër ku u vlerësua me çmimin e dytë. Në Festivalin e Këngës u shfaq më 1982, në moshën 16 vjeçare dhe çmimin e parë po në këtë festival e mori në moshën 19 vjeçare. Parashqevi Simaku kishte arritur majat e suksesit në gjurmët e Vaçe Zelës, Justina Aliajt. Ajo zgjodhi sikur Vaçe dhe Justina të vazhdonte Artin Dramatik. Të tre yjet e muzikës së lehtë shqiptare nuk morën atë që meritonin, megjithëse Parashqevi Simaku ka shans të ringjitet në vendin që i takon.
Padyshim që Parashqevi Simakun e priste një karierë e madhe nëse Shqipëria do të ishte një vend normal, e megjithatë ajo pati ambicje të larta edhe kur emigroi në SHBA në vitin 1991, në moshën 25 vjeçare. Në vitin 2006 Parashqevi Simaku do të nënshkruante një kontratë me të famshmet Sony dhe BMG për albumin e saj në gjuhën shqipe me dhjetë këngë titulluar Echoes from Iliria (Jehonë nga Iliria), shtëpi diskografike të këngëtarëve më të famshëm të botës si Frank Sinatra, Bob Dylan, Michael Jackson, Mariah Carey, Jennifer Lopez etj.etj.
Jemi në shkurt të 2010 dhe sipas një kronike të Zërit të Amerikës, “Këngëtarja shqiptare Parashqevi Simaku vuri në qakullim javët e fundit një album në CD të titulluar “Jehonë nga Iliria”, me 10 këngë në gjuhën shqipe. Albumi në CD me producent kitaristin Robert Nolfe dhe vetë Simakun, sjell edhe tema të tjera mjaft të dashura për këngëtaren, e cila krijoi një stil lehtësisht të dallueshëm qysh në Shqipëri para se të imigronte në Shtetet e Bashkuara. E veçanta është se albumi i ri nxirret në shitje në disa nga rrjetet prestigjoze të dyqaneve amerikane.” Më tutje Zëri i Amerikës shton: “Albumi i ri vazhdon të sponsorizohet nga rrjetet e specializuara të shitjeve muzikore. Sony/BMG dhe rrjeti i librarive Borders janë dy gjigandët amerikanë që kanë marrë përsipër reklamimin e Jehonës nga Iliria. Ditët e fundit, Parashqevi Simaku interpretoi në një superlibrari Borders në Manhatan si dhe nënshkroi autografe.”
E shihni, pra, sa aktive ka qenë Parashqevi Simaku në SHBA.
Fakt tjetër për tu shënuar është se Parashqevi Simaku nuk hyri në SHBA si një artiste e panjohur, përkundrazi arti i saj ishte përhapur e kishte krijuar simpatizantë brënda dhe jashtë vendit. Dhe, ajo sapo vuri këmbën në SHBA, u mirëprit menjëherë nga ajka e komunitetit Shqiptaro-Amerikan.
********
Shkak për këtë shkrim u bë intervista e Parashqevi Simakut dhe Elton Ilirjanit tek Opinion i Blendi Fevziut.
Ishin dy të intervistuar të shkëlqyer, për aq sa thanë, kur kihet parasysh koha televizive. Parashqevi Simaku shkëlqeu sikur të interpretonte një rol dramatik. Por ajo tregonte jetën e saj të vërtetë, ishte heroina e mbetur gjallë, me dëshirën e zjarrtë për të jetuar një jetë të denjë.
Unë e kam takuar Parashqevinë dy herë, në New York në vitin 1993 dhe pas luftës në Kosovë rreth 2000-2001 në Zvicër. Në të dyja herët kam patur përballë një femër shumë të kultivuar dhe inteligjente, përveç se një artiste të madhe. Të njëjtën përshtypje më bëri edhe gjatë intervistës. Një grua me një jetë të tillë traumatike, ku secili prej nesh mund të përfundonte në një çmendinë, ajo demonstroi një personalitet stoik. Ne pamë kujtesën e saj brilante që secilin prej nesh kujtesa mund të na linte në klasë. Në kohën që pati në dispozicion ajo tregoi atë që deshi të tregonte në mënyrë të sinqertë e me zemër në dorë. Secili prej nesh pyet veten duke parë gurin ku flinte Parashqevi Simaku, nën qiell të hapur në Time Square, ku kaloi më tepër se një vit e sa të jetës, e si është e mundur, e si ka mundur ta përballonte një jetë të tillë, të pamundur me dinjitet deri sa do ta kapte me rastin e Krishtlindjeve të 2024 kronika e televizionit WABC 7 News si një e pastrehë e cila tregonte mirënjohje për ndihmat që i jepeshin.
Pas shfaqjes së asaj kronike u duk sikur Bota e fjetur Shqiptare u zgjua nga gjumi, sikur u trondit dhe vu në lëvizje.
Sot Parashqevi Simaku është strehuar në një apartament të paguar nga biznesmeni Kadri Morina dhe nën kujdesin e Elton Ilirjanit, i cili në intervistën tek Opinion vuri alarmin se Artistja Shqiptare ka nevojë për asistencë psikologjike, morale, duke i bërë thirrje edhe shtetit shqiptar.
Ndërsa shteti shqiptar që përfaqësohet nga kryeministri hipokrit i vendit as që e prish terezinë, sepse Edi Rama e ka perparesi të vendosë veten në qendër të vemendjes, i shfaqur në fotografi e kronika duke flirtuar e duke iu gjunjëzuar Giorgia Melonit.
Të dy intervistat, edhe e Parashqevi Simakut, edhe e Elton Ilirjanit ia arritën qëllimit, të dy sensibilizuan opinionin shqiptar.
Ndërkohë nuk jam dakord aspak me disa qendrime që mund t’i rendis si skandaloze të Bledi Fevziut.
Skandali i parë i Fevziut ishte paraqitja cinike që i bëri Simakut si një grua të moshuar, kur të dy janë moshatarë. Fevziu e shihte karierën e Simakut të mbyllur, megjithë ndërhyrjet e disa herëta të Elton Ilirjanit, se artistët e vërtetë performojnë deri në fundin e jetës, pra për ta nuk kanë plakje.
Skandali i dytë i Fevziut kur sugjeroi se Parashqevi mund të kthehej në Shqipëri në një shtëpi për të moshuar. Nga guri i Time Square në një shtëpi pleqsh, merreni me mend se çfarë fantazie mjerane ka ky Fevziu.
Skandali i tretë i Fevziut kur pa si zgjidhje kthimin e Parashqevisë në Shqipëri. Ajo ka tashmë 34 vjet që jeton në SHBA aty ku ka djalin e saj. Në Shqipëri ajo mund të vijë për të dhënë koncerte.
Kryeministri Edi Rama për të shitur mend tregon nëpër intervista se ai ka ftuar për koncert në Shqipëri Carla Brunin me bashkëshortin e saj, ish Presidentin e Francës Nicolas Sarkozy, (por nuk tregon se sa ka kushtuar koncerti i Carla Brunit) dhe se si i shoqëronte me helikopter për të parë atraksionet natyrore të Shqipërisë. Parashqevi Simaku është një gur i çmuar dhe atraksion i kulturës shqiptare. Territori i Shqipërisë pa rrënjët njerëzore, të traditës e kulturës dhe pa banorët e saj është shkretëtirë pa identitet. Të mos flasim pastaj për milionat që shteti shqiptar harxhon për dekulturimin e shqiptarëve përmes artit tallava organizuar institucionalisht.
Skandali i katërt i Fevziut ish kur tha se shteti shqiptar mund t’i paguajë Parashqevi Simakut pension per vitet që ajo ka punuar në Shqipëri. Sipas kësaj llogaritje Parashqevisë do t’i takonin 70-80 dollarë në muaj, kur Fevziu e di shumë mirë se shteti shqiptar jep pensione dinjitoze për shqiptarët me kontribute, aq më tepër Artistja shqiptare që nuk e ka mbushur ende moshën për të dalë në pension, por edhe kur ta mbushë, ajo për kontributin e saj meriton një përkujdesje dinjitoze financiare nga shteti.
Skandali i pestë i Fevziut kur duke iu referuar veprimtarisë së Artistes së madhe shqiptare, vuri në dukje se Parashqevia ishte ndihmuar nga komuniteti. Kjo nuk është e vërtetë, Parashqevi Simaku sapo ka vënë këmbën në SHBA ka filluar punën si këngëtare në lokalet e Shqiptaro-Amerikanëve, aty ku e takuam edhe ne në vitin 1993 duke performuar këngët shqiptare nën tingujt e orkestres së shkëlqyer me fizarmonikën magjike të Agim Krajkës me kolegë.
Edhe kronika e Zerit të Amerikës e vitit 2010 hedh dritë për karierën në ngjitje të Parashqevi Simakut, kur Shtëpi Muzikore me famë botërore si Sony/BMG dhe rrjeti i librarive Borders sponsorizonin dhe reklamonin Albumin e saj titulluar Jehon nga Iliria, ku ajo me zërin e saj të bukur i bën jehonë kulturës e historisë shqiptare.
E vërtetë intervistuesi sensibilizoi, hyri në një komunikim korrekt si me Parashqevinë ashtu edhe me Ilirjanin, por tha ato që kishte vendosur t’i thoshte përpara se të takohej me ta. Në ndërhyrjet e tij dukej si profan, pa marrë informacione të plota për karierën e Parashqevisë në SHBA dhe profilit të cilin e kishte përballë.
Parashqevi Simaku është një artiste e formatit më të lartë të interpretimit të muzikës së lehtë dhe folk, emri i saj ka hyrë në fondin e artë të kulturës shqiptare, por ajo ka kaluar një traumë shumë të thellë nën qiellin e hapur të Time Square, një veprim vetsakrifikues, por që nuk ia ka cënuar dinjitetin.
Elton Ilirjani tregoi se jetën e Parashqevisë, familjen dhe karierën e kanë shkatërruar njerëz që kanë emër dhe mbiemër, vetë ajo u mjaftua të flasë vetëm për figura që kishin ndikuar për të mirë në jetën e saj artistike si artiste.
Parashqevi Simaku ëndërronte Hollywood-in, një ëndërr që e ushqyen Artistët e famshëm Shqiptaro-Amerikanë në SHBA, por jeta e saj është një skenar i gjallë shqiptaro-hollywood-ian.
Parashqevi Simaku me talentin e saj arriti në Amerikë majat e suksesit kur nënshkroi me Sony/BMG një nga shtëpitë diskografike më të famshme një kontratë. E si është e mundur që Artistja Parashqevi Simaku nga majat e suksesit të përfundonte si e pastrehë, sikur thotë vetë ajo “from the stars to the streets” – “nga yjet në rrugët” nën qiellin me diell, rreshje shiu e bore të New Yorkut.
Mendoj se tani urgjente mbetet të shpëtohet Artistja Parashqevi Simaku, si njeri dhe artiste. Shpresoj shumë që shqiptarët të mos vazhdojnë të bjerrin kohën në rrjetet sociale duke marrë rolin e prokurorëve.
Ndërsa Fevziut një këshillë: të dalë në pension, se kjo do të jetë mënyra e vetme që mund të heqë dorë nga pangopësia për të mbuluar gjithçka ai, politikë, politikanë, kryeministra, kulturë, gastronomi, modë, multimilionerë. Keshtu t’iu krijohet spacio edhe të tjerëve dhe opinioni publik të mos ndeshet vetëm me këndvështrimin e ngushtë të vetëm një njeriu.