Bari, Itali – Papa Françesku sfidoi liderët e demokracive të pasura të botës që të mbajnë dinjitetin njerëzor të parin në radhë, para zhvillimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar se një teknologji e tillë e fuqishme rrezikon t’i kthejë vetë marrëdhëniet njerëzore në algoritme të thjeshta.
Françesku solli autoritetin e tij moral në Grupin e të Shtatëve, i ftuar nga Italia pritëse, për të folur në një sesion të posaçëm në samitin e tyre vjetor mbi rreziqet dhe premtimet e Inteligjencës Artificiale. Duke vepruar kështu, ai u bë Papa i parë që mori pjesë në një takim të G7, duke ofruar një qëndrim etik për një çështje që është gjithnjë e më shumë në axhendën e samiteve ndërkombëtare, politikave qeveritare dhe bordeve të korporatave.
Françesku tha se politikanët duhet të marrin drejtimin për t’u siguruar që Inteligjenca Artificiale të mbetet në qendër të njeriut, në mënyrë që vendimet se kur të përdoren armët apo edhe mjetet më pak vdekjeprurëse të merren gjithmonë nga njerëzit dhe jo nga makineritë.
“Ne do ta dënonim njerëzimin për një të ardhme pa shpresë, nëse do t’u hiqnim njerëzve aftësinë për të marrë vendime për veten dhe jetën e tyre, duke i dënuar ata të varen nga zgjedhjet e makinerive,” tha ai. “Ne duhet të sigurojmë dhe të ruajmë një hapësirë për kontrollin e duhur njerëzor mbi zgjedhjet e bëra nga programet e Inteligjencës Artificiale: Vetë dinjiteti njerëzor varet nga kjo.” sn