Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar të vrarët e 3 dhe 4 shkurtit në 25-vjetorin e ngjarjes së tmerrshme në veri të Mitrovicës, teksa ka kërkuar që autorët e këtij krimi të ndëshkohen.
Osmani ka përkujtuar 10 qytetarët e pafajshëm që u vranë mizorisht nga bandat kriminale të nxitura nga Serbia, teksa ka përmendur edhe të shpërngulurit me forcë nga shtëpitë e tyre.
“Në këtë sulm brutal u plagosën edhe 24 qytetarë, të cilët janë dëshmi e barbarisë së atyre dy netëve. Dëshmi e dhimbshme janë edhe 1,564 familje, me gjithsej 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre, duke dëshmuar qartë përpjekjet për spastrim etnik në këtë pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka shtuar se këto ditë janë kujtesë e rezistencës dhe përpjekjes për të qëndruar në shtëpitë e tyre, por edhe të nevojës për ta mbrojtur lirinë e arritur me sakrificë.
“Drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i autorëve të këtyre krimeve mbeten një domosdoshmëri për paqen e qëndrueshme. Qoftë i paharrueshëm kujtimi për civilët e vrarë me 3-4 shkurt”, ka thënë Osmani. sn