Gazetari investigativ Artan Hoxha ka zbuluar detaje nga ndalimi i tij në pikën kufitare me Greqinë dy ditë më parë dhe u shpall non-grata, ku tregoi se oficerët kufitarë, pasi kontrolluan pasaportën në sistem, i kërkuan t’i jepte gjurmët e gishtave dhe skanimin e retinës.
Hoxha tha se e refuzoi procedurën, duke theksuar se nuk kishte asnjë problem penal në shtetin grek.
“Oficeri më kërkoi të lija gjurmët e gishtave dhe retinën e syrit. I thashë që nuk jam kriminel dhe nuk kam asnjë çështje penale në Greqi që të më merren gjurmët”, tregoi ai, ndërsa shtoi se oficeri iu drejtua duke i thënë “pse ke patur këtë qëndrim ndaj Greqisë”.
Gazetari shpjegoi se shpallja non-grata lidhet me qëndrimet e tij për çështjen e Fredi Belerit.
“Kur Beleri hyri në politikën e brendshme greke dhe shpalli kandidaturën, mediat opozitare greke më furnizuan me materiale. Mesa duket ky ekspozim krijoi probleme. Kam treguar se si drejtësia greke ka ndihmuar kriminelë të shmangin ekstradimin në Shqipëri”, u shpreh Hoxha.
Ai shtoi se ka pasur procese gjyqësore me Belerin dhe se njerëz pranë tij i kanë ofruar bisedime dhe favore, por që ai ka refuzuar gjithmonë.
“Kur po kaloja kufirin, më ndaluan në vijën e parë. Pasi kontrolluan pasaportën time në sistem, më thanë se kishte një problem. Më folën shqip, ndërsa unë iu drejtova greqisht në fillim. Nuk ma kthyen pasaportën dhe më dërguan në vijën e dytë, në zonën ku ndodhet stacioni policor. Oficeri më kërkoi të lija gjurmët e gishtave dhe retinën e syrit. I thashë që nuk jam kriminel dhe nuk kam asnjë çështje penale në Greqi që të më merren gjurmët. Ai më tha se ishte procedurë e detyrueshme nëse doja të merrja pasaportën time. Më tha pse ke patur këtë qëndrim ndaj Greqisë. U shtanga. I thashë se nuk di të kem fobi ndaj Greqisë. Madje kam qenë aktiv gjatë fushatës së vitit të kaluar për zgjedhjet e Parlamentit Europian.
Kur Beleri u bë pjesë e politikës së brendshme greke dhe shpalli kandidaturën, mediat opozitare greke kishin materialet e tyre ndaj tij, madje më furnizuan edhe mua. Mesa duket ky ekspozim i së kaluarës së tij krijoi probleme, duke treguar edhe rolin e drejtësisë greke që ka ndihmuar kriminelë t’i shpëtojnë ekstradimit në Shqipëri.
Unë kam pasur procese gjyqësore me Belerin, njerëz të tij të afërt kanë kërkuar të bisedomë, më kanë ofruar edhe favore, unë nuk kam pasur gjë personale, kam raportuar ngjarje konkrete duke filluar me masakrën e Peshkëpisë që në prill të 1994 dhe në vijimësi. Ngjarjet e viteve 2003 kur u dënua për dhunim të simboleve tona kombëtare, rikthimi dhe kandidimi i tij në Himarë. Pastaj u rishfaq sërish. Unë nuk kam prishur interesat e Greqisë, kam mbrojtur interesat e Shqipërisë”, tha ai. Panorama