N`flakë të mallit kënga tisk,
piskama e saj dridhi malet,
Ajkuna thonë se ka pre gërshetin,
Omeri ka dridh malin e bardhë,
ka hedh dheun përtej kufirit t`kohës,
dërrasat e varrit shalë t`gjogut bardhë,
koha ndalon,
dielli u nxi me lotin e dadave,
kulla heshtë, nxjerr emrin bosh,
kali hingëllin e këput frenin,
armët hedh sa andej këtej,
fjala s`ka më kurrë mejdan,
hana thonë se nuk lind kurrë,
unazë s`bëhet për çika as dhënderr,
bjeshkët janë bërë mbiemër,
krushqit tash mbetë n`gur,
rradhën e kanë qyqet,
shqipet marrin me vete emrin,
atje, kah Tropoja shenojnë kufijt e fjalës,
n`Kasaj thonë se s’ka më diell,
gjeli mëngjesin nuk e thotë.
Tupanat janë kthyer në dru,
S’ka kurrë më fjalë prej tyre,
zani i zanave është shtue,
dragojt po grithen në vaj burrash,
gjaku i tyre pluhur që ndan horizontet,
bjeshka ka ndal blerimin,
Drini hesht,
Valbona kjan,
ka shtue lotin,
unë gdhend lapsin për kohën pa ty.
Jo nuk vdes fjala e Hamit Alisë
Tiranë me 07 Mars 2023