Nonda Kajno: “Kurban për Korçën u bëra unë”
U linda në Korçë në një familje me tradita në fushën e muzikës, – rrëfen nonda Kajno, këngëtar dhe kompozitor i talentuar, – babai im, Xhuvi, ishte tregtar nga më të njohurit e kohës, kreu regjistrimin në pllaka gramafoni të sazexhinjve më të njohur të trevës së Korçës, përfshi edhe këngëtaren virtuoze të këngëve popullore në vitet ’30, Qerimenë. Nëna ime Izmini, vinte nga një familje e hershme korçare, njohëse e mirë e tri gjuhëve të huaja (anglisht, frëngjsht dhe greqisht), kishte kryer shkollën e vashave, në të njëjtën bankë me Tefta Tashkon, sepse ishin shoqe të ngushta, gjithashtu luante në violinë dhe merrte mësime private në pikturë nga Piktori i Popullit Vangjush Mio. U rrita mes dashamirësve të muzikës, më pas, në vitet e para të shkollës së mesme, nisa të kompozoj. Gjatë viteve të komunnizmt, megjithëse familja ime u godit nga regjimi, munda që me talentin tim të isha kantautori më i suksesshëm i qytetit të Korçës. Në vitet 1965 formova të parën orkestër ritmike në Shqipëri me tre kitara elektrike dhe një bateri (dy vjet më vonë një orkstër e tillë u ngrit në Tiranë).
Ëndrra ime për këngën nisi kur isha në gjimnaz, në vitet 60-70. Në atë kohë nuk kishte televizione edhe radiot ishin të pakta, serenada mbetej ëndrra më e bukur e të rinjve të Korçës. Ndieja që edhe unë mund të isha një serenadist i mirë, – më përvëlonte kjo ëndërr, – ndaj nisa të gjendesha gjithnjë aty ku këndoheshin serenada. I dëgjoja me ëndje, kënaqësia ime ishte e pafundme. Serenadistët mblidheshin në shtëpitë e njëri-tjetrit, kalonin rrugicave duke kënduar, u këndonin vajzave, ëndërronin të bëheshin këngëtarë të njohur. Pa e kuptuar as vetë, nisa të këndoja edhe unë bashkë me ta. “Je një nga zërat më të bukur të grupit!”, – më thanë. Vlerësimi i tyre më bëri me krahë. Kisha nisur të këndoja me serenadistët më të mëdhenj në moshë: me Ligoraq Qanon, Sotiraq Mitren, Dhimitër Hreshovën (Taqkë Karmenin) dhe më vonë, me vëllezërit Ilia, Pandi dhe Gjergj Peleshi, Nasi Kondili etj.
(Si krijues të parë të serenadave, me sa di unë, janë: Loni Llogori, Mihal Ciko, Kristaq Antoniu, Thoma Nashi, Kol Rodhe etj). Konkurenca ishte e fortë, vazhdimisht krijoheshin grupe të reja; dikush rezistonte, dikush dilte nga gara, por përpjekjet ishin të përhershme. Grupet e serenadistëve quheshin “Pare-ra”. Pasioni për krijimin e shoqërive muzikore buronte edhe si rezultat i emigracionit në vendet e evropiane. Emigrantët sillnin prej andej melodi dhe vargje të bukura. Malli për familjen, për të dashurën, për vendlindjen i kishte shndërruar në krijues të vërtetë. Kështu po ndodhte edhe me mua: krijoja tekste, kompozoja këngë dhe këndoja.
Pasioni im për këngën nuk ishte rastësi, vija nga dy prindër me shpirt artisti. Nëna ime, Izmini, ishte pasardhëse e familjes së njohur me artisten e madhe Tefta Tashko Koço, ishin në një klasë, madje në një bankë, mike të njëra-tjetrës, ëndrrat e tyre për artin dhe këngën, ishin miqësia reale e tyre. Gjithashtu nëna ime merrte mësime edhe nga Piktori i Popullit Vangjush Mio, miqësinë me vajzën e tij, Rozeta Mion e ruan edhe sot kësaj dite. Kurse babai, Xhuvi Kajno, ishte po aq tregtar sa edhe artist, gjithnjë i gatshëm t’u gjendej pranë njerëzve të artit. Financoi me një dëshirë tejet të dukshme incizimin në pllaka gramafoni me sazexhinjtë e Korçës dhe Qerimenë, e vetmja këngëtare femër në atë kohë. Ndaj edhe tek unë kishte zënë vend pasioni për këngën. Nuk i harroj dot emocionet e kompozimit të këngës së parë, ia kushtova një vajze simpatike me emrin “Dadajka”. Nuk kam provuar gjë më të bukur se kompozimin e asaj kënge; edhe tekstin e kisha të bukur. Megjithatë, në kompozimet e mia të para, nuk i kushtoja rëndësi tekstit, por ndërsa e këndonim, dikush rregullonte një varg, dikush një tjetër, deri sa teksti i këngës bëhej po aq i bukur sa melodia. Shpesh mblidheshim dhe këndonim te shtëpia e një personazhi të njohur, Taqo Babuçi.
Ai banonte pranë shtëpisë sime, kishte shtëpi me oborr të madh. Ne mblidheshim në oborrin mbrapa shtëpisë së tij ku kishte ndërtuar një barakë sepse punonte si marangoz. Ishte edhe qejfli i pëllumbave. Në shtëpinë e tij, vinte edhe shkrimtari Teodor Laço, i cili e bëri personazh filmi, me emrin “Platon Burbuqi”. Unë luaja në kitarë, ishte vegla e parë muzikore që mësova, me të nisa të kompozoj. Më pas mësova edhe pianon. Megjithatë, në një pjesë të konsiderueshme të kompozimeve të mia, në orkestracionet e tyre kisha angazhuar kitaristë profesionistë si Edison Miso, i cili orkestroi disa prej kompozimeve të mia, si: “Korça, qyteti i ëndrrave”, “Serenatë për qytetin e serenatave”, “Zemrën peng ma more”, Lermë të të puth”, “Ditë karnavalesh”, “Pa ty”, “Kam një brengë në zemër” etj.
Mirëpo tashmë po gjendesha në një çast të vështirë. Autoritetet më të larta të Korçës kishin thirrur një mbledhje të posaçme; në qendër të ciklonit do të isha unë. Nuk e merrja dot me mend çfarë mund të ndodhte, thjesht ndihesha i tmerruar. Prisja në ankth, ç’drejtim do të merrte jeta ime… Dhe ndërsa isha duke i kujtuar të gjitha këto, dikush erdhi e më tha: “Mbledhja e posaçme” që do të bëhet do të vendosë në qendër të sulmeve. Nuk mbaj mend të jem ndier ndonjëherë tjetër më keq se atë ditë. Dhe të gjitha këto po më ndodhnin kur unë si kantautor gjendesha në më të mirën time. Për herë të parë ndieva keqardhje për gjithë përpjekjet e mia sepse gjithnjë kisha dashur që Korça të kishte një festival serenadash. Madje deri atë çast nuk dija të kisha bërë ndonjë gjë të keqe me këngën; në kompozimet e mia nuk kishte asgjë keqdashëse, asgjë të qëllimshme përveç asaj që më dilte prej shpirtit.
Por nga ato që më thanë, kuptova se disa prej pjesëmarrësve në mbledhje synonin të më sulmonin djallëzisht. Do të akuzohesha për liberalizëm, që do të thoshte mohim i luftës së klasave. Sipas tyre, unë kërkoja “liri absolute”, “degjenerim të rinisë”, “përpjekje për të sjellë muzikën perëndimore” etj, etj. Tashmë për ta unë isha veçse “një mikroborgjez”. Dhe të gjitha këto po ndodhnin kur mbledhja ishte ende në fillim, çfarë do të thuhej në mbyllje të saj, askush nuk e dinte. Kur mendoja se mund ta kaloja gjithë jetën në burg, dridhesha i tëri. Por asgjë s’varej nga unë. Përpiqesha të gjeja ku kisha gabuar.
Kundër meje, edhe mësuesja ruse
Nuk e mbaj mend mirë, duhet të kem qenë në vit të parë ose të dytë në gjimnaz, kishim edhe një mësuese ruse, gjatë orës së mësimit unë kisha thënë diçka për Rusinë, por çfarë konketisht tashmë nuk më kujtohet. Mësuesja ruse u revoltua dhe befas më tha: “Nonda, dil jashtë!” Që nga ajo ditë e në vijim, mësuesja ruse sapo hynte në klasë më thoshte: “Nonda dil jashtë!” – dhe këtë gjë vijoi ta bënte pa hqur dorë nga këmbëngulja e saj. Nuk kisha rrugë tjetër, hapja derën dhe dilja nga klasa. Të gjithë e dinin që mësuesja ruse nuk më pranonte të hyja në mësim në orën saj, por askush nuk i thoshte gjë, as drejtori i shkollës. Nuk e kuptoja ku e gjente gjithë atë fuqi ajo, por kisha vënë re që mësueset ruse ishin të privilegjuara në sjelljet tyre, kishin liri të plotë të silleshin si të dëshironin, fjala e tyre nuk bëhej dysh.
Serenada simbol i qytetit të Korçës
Këngët e Serenadës Korçare janë simbol i qytetit të Korçës, ”shpirti” dhe “zemra” e tij. Fillesat e kësaj dukurie datojnë para një shekulli e gjysëm, diku rreth fundit të shekullit të XIX dhe fillimisht ishin përshtatje ose imitime të serenadave të huaja, kryesisht nga Qefalonia e Greqisë, Italia, Spanja, apo edhe deri tek Argjentina e largët. Ato u përshtatën dhe u pasuruan gjatë praktikimit nga artistët korçarë. Serenada është në vetvete shprehja e një ndjenje përmes këngës, por jo vetëm. Atë, herë pas here e shohim në formën e një spektakli, një mizanskenë ku djali i këndon vajzës që poshtë dritares. Melodia e këtyre këngëve është monodike (një zë) ose dy, dhe në disa raste merr formë korale (deri katër zëra). Kemi këtu shembullin e korit “Lira”.Tematika e tyre është e larmishme. Në përshtatje me periudhat kur është lëvruar, ka dhe tematika sociale (këngët “Dua mëngjeset e Majit”, “S’kam ç’e dua pasurinë” apo këngët humoristike që godisnin veset apo fenomene të papërshtatëshme për kohën, etj.).
Tekstet e këngëve të serenadës i kanë shkruar kryesisht krijuesit e melodive (po përmendim vetëm disa prej tyre, sepse janë të shumtë) si: Petro Dula, motrat Olga, Dhimitra Maliqari, Vasilika Bimbli, Ligoraq Qano, Petrika dhe Naum Tërova etj. Tekste serenadash kanë shkruar edhe poetë apo intelektualë të kohës si: Asdreni, Kristaq Cepa, etj. Edhe muzika ka profesionistët e vet që e kompozuan, si: Thoma Nasi, Kristo Kono e më vonë Abaz Hajro, Mihallaq Andrea, etj. Serenadën e kanë kënduar kryesisht djemtë (burrat). Përmendim këtu grupet e ndryshme si: Qirinxhinjtë, Zabunët, Bimbllarët, Peleshët e plot grupe të tjera. Por kemi edhe shembuj të praktikimit nga femrat (motrat Olga dhe Dhimitra Maliqari, Spanja Pipa, etj).
Këngët e serenadës shoqërohen nga një formacion orkestral, kryesisht i përbërë nga instrumenta me tela (kitara, mandolina), por edhe instrumenta të tjera si: flauti, violina, fizarmonika, etj. Në ditët e sotme Serenada korçare ka evoluar në përputhje me kërkesat e kohës. Tani ajo është ngritur në stadin e muzikës që interpretohet në skenë dhe ambiente të tjera dhe si rezultat i kësaj, edhe mënyra e trajtimit vokal dhe instrumental është pasuruar.
Këngët janë të pranishme në gëzimet dhe festimet familjare dhe shoqërore dhe praktikohen kudo, në skena, lokale dhe ambiente të tjera argëtuese. Serenada Korçare sot është një vlerë e pazëvendësueshme e Korçës, në “simbiozë” me emrin e saj.
Ftesë nga regjisori i Estradës
Në vitin 1970, kur në art dhe kulturë nisi të ndihej një farë liberalizmi, unë ngrita një orkestër me 3 kitara elektrike. Falë suksesit që kisha patur deri atëherë me këngët e mia në estradat amatore të qytetit të Korçës, regjisori i Estradës profesioniste, z. Thimi Filipi më ftoi të këndoja si këngëtar në estradë. Ftesën e prita me shumë kënaqësi, nisa të këndoja këngët e mia, suksesi ishte i madh, u pritën mirë nga të gjitha moshat, të rinjtë i përjetonin me ngazëllim të veçantë dhe ishte kjo arsyeja që Todi Lubonja, sekretar i dytë i Komitetit të Partisë në rreth më propozoi të ngrija një grup ritmik vetëm me kitara elektrike dhe bateri. Grupin e formova shumë shpejt: në kitarë luaja unë, Vojo Memeli dhe Ylli Çekrezi, kurse në bateri, Agimi i Velës, bateristi i Estradës. Në grup kishim edhe tri vajza, të veshura sipas modës që po hynte, me pantallona kauboise. Todi Lubonja vinte në prova pothuajse çdo mbrëmje dhe na inkurajonte për suksesin që merrnim nga spektatori. Përpiqeshim të krahasoheshim me grupet perëndimore të asaj kohe. Grupi ynë u bë i famshëm, patëm sukses, jo vetëm në Korçë, por kudo që shkonim edhe në qytetë të tjera të vendit. Ishte hera e parë që në Shqipëri kishte një grup të përmasave perëndimore. Salla mbushej plot e përplot çdo natë, altoparlantët gjëmonin. Unë kompozoja vazhdimisht këngë të reja ritmike për të rinjtë. Mendoja se kishte ardhur koha që Korça të kishte një festival serenadash, kështu vazhduam deri ditën që u thirr mbledhja e posçme për të marrë vendim, nëse unë duhej të shkoja në burg ose jo, sepse sipas tyre, i kisha kaluar kufijtë. Prisja në ankth çfarë do të ndodhte.
Kurban për Korçën u bëra unë
Nga ato që dëgjoja rreth e rrotull, nisa të kuptoja se nuk do të kisha një fund të mirë. Edhe kur shihja se salla vijonte të mbushej çdo natë plot e përplot dhe altoparlantët gjëmonin, sërish e ndjeja që fundi im do të ishte i keq. Megjithatë vazhdoja të punoja, kompozoja vazhdimisht këngë të reja ritmike për të rinjtë, por e gjithë kjo mbeti si një ëndërr e bukur, sepse gjithnjë e më shumë po kuptohej, se pas Festivalit të 11- të këngës në Radio-Televizion, ashtu si në gjithë Shqipërinë do të fillonin reprezaljet edhe në Korçë. Kurban për Korçën u bëra unë. Në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit Korçë, u thirr një mbledhje e posaçme. Gjithë furtuna ra mbi mua. Sipas tyre unë kisha qenë liberal. kisha sjellë ritmet dhe muzikën perëndimore, kisha koncepte mikroborgjeze, desha të degjeneroja rininë etj.


