1.
Një Damask i ri
Siria e riardhur, postruse, njohu Republikën e Kosovës.
Është njohje që shkon përtej një numri të thjeshtë, shtuar në listën e kombeve që iu gëzuan lirisë së saj
Madje, peshë e këtij akti ka rëndesë më të madhe se mbërritja e vonë e një njohjeje pas zbraztisë së gjatë.
Presidenti sirian Al-Scharaa, qëndroi para dy javësh në Moskë. E, Kremlini sakrifikonte azilantin Asad në pragun e shpresës së një rikthimi strategjik në bazat e braktisura detare të Sirisë.
Kishte dhe një pëshpërimë pajtimi të heshtur në Damask. Dhe rikthesa u festua si një ngadhnjim tjetër i Putinit mbi hemisferën atllantike.
Si ndodhi, prandaj, ky rrotullim i papritur? I kundërt me lojën e fshehtë ruse?
A ishte i mjaftë ndërmjetsimi i Princit të kurorës së Saudëve, Muhamed bin Salman? Mbështetja turke? Apo trysnia e padukshme amerikane..?
Por, në gjithë përzierjen e kartave, Kosova del e lartëfituar. E, pra, një disfatë e rëndë, e dhimbshme e rusoserbëve të hallakatur. Aq më tepër kur vendnjohës është Siria, Sham-i i vjetër i Levantit (që dmth. i “vendit mëngjesor”) ku përthyhen nyjëtisht interesa të mëdhenj bote.
(Midisshkrim
Konica, vërtet, njëjtësonte levantizmin me njëlloj përulje ndaj të huajve.
Studiuesi arabo-brit Albert Hourani këshillonte Sirinë e Libanin, vitet 1940-të, që, në trajektoren zhvillimore, të mos bëheshin lustër sipëfaqësore levantine.
Ndërkaq, kemalistët e Turkisë pasotomane, më herët, do të gdhinin
poashtu levantinë ose perëndimorë, por thoshin të mos jenë aq kozmopolitë…
Por, sërish, njeriu i “vend-agut” ishte prorë më perëndimori i orientalëve. Ashtu si sot, në atdhe apo kudo që janë.)
Ndaj dhe, pjesë vitale e këtij klubi interesash, krahu fitimtar i tyre, rezultoi të jetë Kosova, shteti i një populli të vogël në hartë, por të madh në histori.
E, poaq, kyç në gjeopolitikën e re amerikane kësaj ane të rruzullimit..!
2.
Muzgu i autokratëve
Zyra ovale lëviz tani më prerë e shpejtë se ç’priste durimi i të keqes.
Oda e thesarit hoqi sanksionet ndaj katër bashkëpunëtorëve të Dodikut serb. Kurse ai vetë sikur i ka kthyer krahët sundtarit të tronditur në Belgrad.
Do të përvijohej dhe lajmi se Entiteti serb, tashmë, do të shpall interesin për t’iu kthyer burimisht Dejtonit dhe aderimit në Nato dhe Europë.
Përveç dy despotëve serbianë, në Europë e, sidomos në Ballkan, prishin tymin dhe dy të tjerë: njëri, kryeneç, në Budapest dhe tjetri më i vocërr në Tiranë.
A do të shkojë fshesa amerikane deri atje, apo gjeoplitikisht parë, dy serbët e Putinit janë votra e vetme e së keqes në Ballkan?
Por, mos, vallë, radhë e gabuar?
Për të rënë komunizimi në Ballkan, duhej më parë t’i pritej koka në Kremlin. Dhe shkokëzimi do t’i vinte nga “lufta e yjëve” e Ronald Reganit legjendar. Një radhë e tillë lëvizjesh, që këtej, do të ishte më e shpejtë dhe logjike.
Por, për paradoks, Amerika e Trump-it ka zgjedhur shteg tjetër.
Në fakt, kohët nuk përsërisin përherë kumtin e vet. Një ndryshim mes tyre vjen njëj konteksti tjetër rrethanor. Është Kina dhe aleanca e tiranive aziatike kundër botës botës së lirë që, mbase, ngjyros brishtësinë ndaj Putinit.
Po prapë, Premieri brit i viteve 30-të nga shekulli i ikur, Chamberlane-i
besimlehtë, kthehet
si një emanacion i mallkuar historie, në figurën e Trump-it dhe në formën më fatkeqe për Europën.
Paqe përmes tregtisë me territore, ishte strategjia e tij e huqur. E kishte takuar disaherë Führerin e ariozofisë dhe i besonte fjalët e tij. Së fundmi, Mynih 1938, do t’i dhuronte Landin e Sudetëve në këmbim të paqes. Por në vend të kurorës së saj, merrte shpërblim luftën më të tmerrshme në historinë e Europës.
Pastaj, si një paracaktim fati, do vinte Çlirimtari i madh Çërçill që do t’u tregonte, jo ledhkën e fjalëve, por forcën e armëve pushtuesëve të Europës nga vetë bijët e saj.
3.
Humbja e shpirtit…
Mirëpo, pos ngjashmërisë fatkeqe dhe titajve të saj, ka dhe një dallim të thellë ekzistencial.
Ndërsa Kryqi i thyer po shkelte tokën çeke, Otto Klapka, prefekt i Pragës do të thoshte fjalinë lapidare. Të saktë dhe tragjike.
Ajo pikturonte aq bukur pejsazhin e trishtimit që tejkalonte helmetat, tanket dhe avionët armiqë.
E, kishte thënë: me gjermanët si okupatorë ne humbim lirinë, kurse me rusët pushtues ne humbim shpirtin.
A nuk është krejt i thjeshtë zbërthimi i saj?
Nëse, pra, liria mund të fitohet përsëri, shpirti i humbur kurrë më. Vdes e tretet përgjithmonë!
Ndaj dhe sprapsja e Putinit përtej hapsirës jetike të Europës, sa më larg saj, nuk është vetëm betejë për të mbrojtur lirinë, por përtej akoma: për të ruajtur shpirtin e saj!
Dhe arsyeja është thellësisht legjitime: Europa e re sllave, ngjan e thyeshme në ligështinë e saj. Një tis i hollë Rusie, madje, është i palosur thellë edhe në shpirtin gjermanolindor. Këtë pohojnë me dhimbje vetë elitat kulturore gjermane…
I shpëtuar njëherë nga ndotja dhe mneri i shfytyrimit, behja e
sërishme e trafikantëve të shpirtit, do të ishte fatale.
Një gurëvarri mbi kujtimin e tij…
R.