Aktivisti Andi Tepelana ka folur për protestën, e cila prej tre muajsh kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
I ftuar në News24, ai tha se shqiptarët sot protestojnë kundër modelit qeverisës dhe keqqeverisjes, ndërsa theksoi se një qeveri normale në një vend perëndimor do të kishte dhënë dorëheqjen.
Ai deklaroi se nevoja për ndryshim në Shqipëri është po aq i rëndësishëm sa edhe në vitin 1990.
“Një qeveri që nuk pyet për qytetarin, nuk e vë në qendër interesin qytetar, por interesin e një grupi të caktuar njerëzish që kanë treguar se skandal pas skandali nuk kanë reflektuar. Një qeveri normale në një vend demokrat do kishte dhënë dorëheqje me tunelin e Llogarasë, më rrugët e florinjta, me Portin e Durrësit, dmth skandale të tmerrshme. Një qeveri që nuk reflekton se çfarë po ndodh me shoqërinë , kjo tregon që cdo qeverisje duhet të kishte reflektuar dhe reagimi është i natyrshëm si cdo vend normal”, tha Tepelena.
I pyetur për mundësinë e kthimit të kësaj lëvizje në një projekt, Tepelena tha se “Projekti është për një Shqipëri normale”.
“Shqipëria nuk është në një situatë normale. Çdo fëmijë që lind sot lind me një borxh prej 5400 euro. Do të thotë që ne jemi një shoqëri e mbytur nga borxhet. Kjo protestë po ngjall shpresën, që gjërat mund të ndryshojnë nëse ka njerëz që reagojnë ndaj keqqeverisjes. Shpresa më e madhe janë të rinjtë”, tha aktivisti, duke theksuar se “ndryshimi politik është shumë afër dhe po vjen”.