Që nga numri i parë i gazetës “ExLibris” dhe deri më sot s`ka ndodhur, të mos e kem lexuar numër për numër, duke ditur dhe faktin, që kjo gazetë me kaq shumë emër mbahet falë vullnetit të themeluesit dhe kryeredaktorit të saj, Bujar Hudhri i mbështetur nga vajza e tij, Enxhi. Kur jam në Shqipëri e blej rregullisht, ngaqë më pëlqen ta lexoj të printuar. (Nuk di pse m`u kujtua një i njohur, i cili do më thoshte kohë më parë: “Dikur s`lija gazetë “Drita” pa blerë, ndonëse s`botova asnjëherë në të. Në një kohë dhe moshë të papërshtatshme botoi një libër me parat e veta, aq i gëzuar, sa nuk linte njeri pa ia treguar, por shpejt i doli nga qejfi. Kuptoi se ishte i vonuar.) Në numrin e sotëm në krye të ballinës më tërhoqi vëmendje titulli në vlerën e një sihariqi, ku shpallej një mision i përmbushur:
“Vepra e plotë e Martin Camajt përjetë në Bibliotekën Kombëtare Shqiptare.”
Botuesi Bujar Hudhri po i gëzohej edhe punës së tij. Bardhyl Demiraj, vazhdues i Camajt në katedrën e shqipes në Universitetin i Munihut, vite më parë, i lutej B. Hudhrit të botonte veprën e plotë të Martin Camajt pasi kishte dalë duarbosh nga të tjerët. I habitur nga gatishmëria dhe bujaria e Hudhrit i shpreh dhe arsyen e ngurrimit, lënë si shpresë e fundit. Arsyeja na qënkish thashethemi se Kadare s`e paska dashur Camajn. (Ndoshta i këtij mendimi duhet të ketë qenë dhe Ben Blushi, i cili para se të trokiste tek “Onufri”, sikurse e tregon vetë, qënkish refuzuar nga botues të tjerë.) Pengesat fiktive ngjisin vetëm në një atmosferë të helmuar. “Një prej tyre, që e dëgjova në një mbledhje publike me shqiptarët e Amerikës, e shpjegonte ndalimin e Fishtës si rrjedhojë e vendimit të një komisioni prej tre vetash, të përbërë nga Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe Ismail Kadare. Ishte e lehtë për mua t’i jepja përgjigje këtij mashtrimi: kur Fishta dhe gjithë të tjerët u ndaluan, kur unë isha nëntë vjeç. Gjithë salla qeshi dhe unë bashkë me ta. Por nuk ishte për të qeshur. Fara që la pas ai regjim, vezët e gjarprit vazhdojnë të helmojnë atmosferën.” Ky lloji helmuesi vazhdon të jetë aktiv kudo. Në një komunikim me Ben Blushin do më shkruante për klimën e terrorit që është krijuar padrejtësisht ndaj librit “Jam mysliman” dhe se në komente ka shumë helm. Ky helm i ka kaluar kuotat e lejuara, duke ndotur mjedisin artistik. “Ka një ironi hyjnore dhe një drejtësi historike në këtë promovim: Dikur në skedat e Bibilotekës Kombëtare, emri i Martin Camajt mungonte krejtësisht…Kjo finale në Bibliotekën Kombëtare është nderimi më i lartë që mund t`i bëhej atij malsori sqimatar që e deshi gjuhën shqipe më shumë se vetveten.”-shkruan botuesi i Kadaresë dhe tani i Martin Camajt. Po sikur pasuesi i Camajt të mbetej peng i thashethemit dhe botuesi i “Onufrit” të mos i përgjigjej pozitivisht, a do ishte vepra e plotë e tij në Bibliotekën Kombëtare? “Në arkivat e “Vatrës” në Boston kam ndeshur në vitin 1992 edhe dhjetëra arka me libra të pashitur e të pashpërndarë të Camajt.”-shkruan Ardian Klosi. Mirë Shqipëria komuniste e mbante në bodrum, po shqiptarët e Amerikës, pse kaq shpërfillës? Autorët duhen vetëm për politikë, ndërsa krijimtaria trajtohet si mall pa zot.
“Në tetorin e vitit 1981, një nga stinët më të zymta të tiranisë shqiptare, rrethanat e sollën të takoj Martin Camajn. Isha i ftuar në Panairin ndërkombëtar të librit në Frankfurt, kur, në mbarim të një konference shtypi, m’u afrua një burrë i gjatë e i hijshëm që, me njëfarë mëdyshjeje, më foli shqip: quhem Martin Camaj, a mund t’ju flas? E kisha dëgjuar emrin e tij, madje diçka kisha lexuar prej tij në revistën “Shejzat” të Koliqit, që botohej në Romë e gjendej me vështirësi në Tiranë. I thashë, natyrisht, që mund të flisnim dhe ai shtoi se kishte ardhur enkas nga Munihu për të më dëgjuar.” Për këtë takim, Helena, kujton në librin e saj: “Disa ditë pas kthimit nga Frankfurti, Ismailin e thirrën në Komitetin Qendror, për t`i hequr vërejtje për takimin me Martin Camajn. Is nuk kërkoi t`i bënte bisht asaj që kishte ndodhur. Në pyetjen e parë të Sofo Lazrit: “Është e vërtetë se në Frankfurt ke takuar Martin Camajn, shkrimtar armik apo jo?” Is i qe përgjigjur pa mëdyshje: “Është e vërtetë.” Mbrojtja e tij ishte e thjeshtë: takimi ka qenë i rastësishëm. Veç kësaj, nuk e kam ditur që merret me veprimtari armiqësore.”
Botimi i plotë i Camajt shoqërohet me një parathënie brilante të Kadaresë, ku për esenë m`u dukën të përshtatshme këto vlerësime: “Martin Camaj nuk ia lejoj vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi të shkruante kundër sivëllezërve të tij në Shqipëri.” Sikurse i vë në dukje: “kthjelltësinë e fisme mbi pasionet politike, e sidomos mbi mllefet, pa të cilat ishte e vështirë të përftohej bota shqiptare.” Nga e njohu Kadare Martin Camajn, kur e takoi në këmbë dhe shkëmbeu me të vetëm fjalë përshëndetëse? Askund tjetër, veçse nga botimet e “Onufrit”, duke i shoqëruar me një parathënie, që do të mbetet, sikurse introduktet e Nolit. (Meqë në gazetë unë botova një ese për romanin e Ben Blushit “Jam mysliman”, gjej rast të them: lexojeni romanin dhe mos u nisni nga komentet e atyre, që helmojnë mjedisin letrar. E them këtë si njohës i krijimtarisë së plotë të Ben Blushit. Nuk na nderon sehirllëku, kur njeri prej kolegëve tanë bëhet tagër i llumëhanes.)
Fatbardh Amursi