Një legjendë e bukur e indianëve të Amerikës
2014
SI LINDI YLBERI …
Një ditë, Toka mëmë dhe babai Diell erdhën për të vizituar një djalë të vetmuar që quhej Atsos Bagani. «Ti duhet të martohesh» i tha Toka.
«Do të shkosh të kërkosh grua në një rrugë të panjohur nga njerëzit», shtoi Dielli. «Ti do të martohesh me motrën më të madhe të Dobedekladit, me atë që nuk – e ndriçon dielli. Ato jetojnë në një fshat. Zogjtë i kanë burgosur vajzat në errësirë duke i pasur zili për bukurinë e tyre; vetëm ti mund t’i nxjerrësh ato nga errësira.

Për të të ndihmuar, unë do të ndërtoj për ty një rrugëkalim midis kasolles tënde dhe fshatit edhe, vajzat edhe ty, do t’ju shndërroj aq shumë sa zogjtë të mos ju njohin dot dhe të mos ju mbysin duke ju çukitur me sqep. Dhe u shfaq ndërkaq nga toka një hark gjigant i formuar nga shirita me ngjyra të ndritshme që ngjitej shumë lart në qiell dhe zbriste përtej mbi tokë. Kur Atsos Bagani eci mbi urë, ai u shndërrua në flutur, ngjyrat e së cilës trazoheshin me ngjyrat e ylberit. Zogjtë nuk e dalluan, dhe njeriu flutur arriti mbi çatinë e një shtëpie të madhe dhe zbriti nëpër një brimë të errët. Në gjysmerrësirë njeriu flutur, pa dy motrat që po thurnin një qilim me ngjyra të bukura si të ylberit, motivet e të cilit të kujtonin lumenjtë dhe malet. «Shiko motër- i tha motra e madhe shiko një flutur në ballë të shkallës.» Motra e vogël, shumë e emocionuar, nxitoi drejt shkallëve, ndërkaq një rreze dielli e fshiku atë, motra e madhe u përpoq shumë për ta shpëtuar, por të dyja motrat u prapsën nga forca magjike e rrezeve të diellit. Mbi çati, flutura u bë njeri i ri. «Dielli më dërgoi t’ju kërkoja. Të dyja do të jeni gratë e mia dhe motrat e mia».
Ndërkaq zogjtë i panë tri motrat dhe u turrën mbi to me klithma cicërimash; por dielli vigjëlent i ktheu ato në flutura delikate, zogjtë nuk arritën t’i gjenin të arratisurat. Atsos Bagani u kthye në kasollen e tij dhe Dielli dhe Toka morën pjesë në dasmë. I riu vazhdoi të gjuante, ndërsa dy motrat vazhdonin të thurnin qilimin e bukur. Në kasollen e vogël të ndriçuar nga dielli, megjithatë, dy vajzat kishin mall për shtëpinë e tyre të vjetër dhe të zymtë. Duke i parë vajzat të trishtuara, Dielli u tha: «Nëse keni kaq shumë dëshirë që të shihni shtëpinë tuaj, ju mund të shkoni ta shikoni atë, veçse tani zogjtë s’kanë më besim te ju, prandaj ju, duhet ta mbroni veten tuaj prej tyre. «Po para se t’i kthente vajzat në flutura, Dielli u dha atyre nga dy kokrra të mëdha breshëri secilës.

Kur zogjtë sulmuan vajzat, motra e madhe hodhi kundër tyre kokrrën e parë të breshërit e cila u kthye në një re të madhe e të zezë që i mbështolli gjithë zogjtë. Vajzat-flutura vazhduan fluturimin, por prapë zogjtë i arritën; iu desh të lëshonin kundër zogjve kokrrën e dytë të breshërit e cila u shndërrua në një shi me rrebesh, pastaj ato hodhën kokrrën e tretë që u thyen në mijëra kokrriza të vogla breshëri. Breshëri pushoi dhe zogjtë vazhduan t’i ndiqnin, fshati ishte afër, por fluturat nuk fluturonin aq shpejt sa duhej. U desh të hidhnin kokrrën e fundit të breshrit e cila e ndezi dhe e përflaku qiellin me vetëtima, rrufe dhe bubullima.

Zogjtë ikën të tmerruar dhe vajzat shpëtuan shëndosh e mirë.
Motrat u kthyen përsëri tek Atsos Bagani, por sa herë që ndjenin mall për shtëpinë e tyre, ato shkonin dhe e vizitonin kasollen e tyre të vjetër.
Pra, pas çdo stuhie, kur në qiell formohet një ylber midis fshatit dhe shtëpisë së motrave, në këtë mënyrë ato pajtojnë botën e errësirës me mbretërinë e Diellit.
