Qe kryeministër pas 1997 dhe e lëshoi pa frena gojën. Çfarë nuk nxirrte! Tallej me të vetët, shpifte për opozitën, premtonte qiqra në hell. E pikërisht në ato ditë, nga zemërata që më mbiu në tru, nga pështirosja që ndjeja për një qeveritar të tillë, shkrojta një editorial te “Koha Jonë” me titull “Pirdh, o Nano, pirdh”. Sa e dërgova në redaksi më morën në celular e më kërkuan të zbusja titullin.
-Jo,-u thashë.-Kam emrin tim te shkrimi e mbaj unë përgjegjësi.
Të nesërmen u botua me atë titull. Normal që pati jehonë se atë mot gazeta “KJ” lexohej si fb sot. I pari më telefonoi Rama:
-Ti je i çmendur,-më tha dhe qeshte.
Për çudi, pas tij më telefonoi vetë Nano:
-O shkërdhatë,-filloi. -Do të të hedh në gjyq!
-Përse?-e pyeta.
Heshti pak se siç duket nuk dinte si ta formulonte akuzën. Pirdh nuk është shpifje.
-Për fyerje,-e saktësoi.
Nisa të qesh.
-Çfarë ke që zgërdhihesh?
-Se nuk më çon dot në gjyq,-i thashë.
-Pse, mos kam frikë nga ti?-u tall.
-Frikë jo, po do tallesh më keq. Se pasi të nisë gjyqi do shkruajnë gazetat dhe do flasin televizionet “Po bëhet gjyqi për shkrimin pirdh, o Nano, pirdh” Në se shtyhet do thonë sërish,”U shty gjyqi pirdh, o Nano, pirdh”. Ndaj lere kaq se më tej publicitet për mua është.
Nga ana tjetër e celularit buçiste e qeshura.
-Hajde pimë kafe ndonjë ditë e pjerdhim të dy,-më tha.
M’u duk racionale, pranova.