VOAL

VOAL

Nikolla Gruevski dënohet me dy vite burg

May 23, 2018
1 Comments
  • author avatar
    Ramiz Bajraktari 8 years ago Reply

    Korrupcioni dhe agresioni jane pra te denueshme dhe uroj te mbahen

Komentet

“Artemis II” kthehet në Tokë pas misionit historik përreth Hënës

Misioni Artemis II, që solli rreth Hënës për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh astronautët Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen, u kthye në Tokë.

Pas një udhëtimi historik, msioni përfundoi me zbarkimin e kapsulës “Orion”, të quajtur “Integrity”, në orën 20:07, në Oqeanin Paqësor pranë San Diegos.

 

Ndërsa në Shqipëri kjo korrespondoi rreth orës 02:10 të mëngjesit të kësaj të shtune, 11 prill.

Astronautët e këtij misioni të konsideruar historik janë në gjendje të mirë shëndetësore.bw

BIRN: Kontradikta shqiptare me rritjen e parasë në qarkullim dhe inflacionin

Treguesi i Masës Monetare M3, u rrit me ritëm shumë të shpejtë gjatë pjesës së dytë të vitit 2025 si dhe në dy muajt e parë të këtij viti, duke sinjalizuar rrezikun për inflacion të lartë. Por inflacioni, së paku sa i përket Indeksit të Çmimeve të Konsumit të matur nga INSTAT, nuk shfaqet ende në nivele shqetësuese. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë mbi treguesit monetarë të vendit si dhe të dhënat e Institutit të Statistikave për ecurinë e çmimeve të mallrave të konsumit bien në këtë mënyrë në një kontradiktë të pashpjegueshme me teorinë kryesore të ekonomiksit, e cila ka udhëhequr politikat ekonomike anembanë globit që prej pothuajse gjashtë dekadash.

Dyfish kundrejt rritjes ekonomike

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, Masa Monetare M3 u rrit në terma vjetorë me 10.2% në dhjetor 2025. Në të njëjtën periudhë, Indeksi i Çmimit të Konsumit u rrit me 2.2% ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto, në terma nominalë, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave u rrit me 4.95%. Në teorinë monetariste, të hartuar pesë dekada më parë nga Milton Friedman, një rritje e masës monetare në nivelin 10%, kundrejt rritjes ekonomike 5%, do të kishte shkaktuar rritje të inflacionit. Kjo, për aq sa i takon statistikave zyrtare, rezulton një teori e gabuar. Ndërsa paraja në qarkullim rritet me dyfishin e normës së rritjes ekonomike, kjo para shtesë në qarkullim sipas INSTAT, nuk shkakton inflacion.

Inflacion asetesh apo ekonomia e të pasurve
Qytetarët dhe disa politikanë po ankohen këto ditë për çmimin e domateve dhe çmime të tjera të mallrave të domosdoshme. Ankesat e tyre duket se janë të pambështetura, nëse shohim se inflacioni i mallrave të matura nga INSTAT, nuk jep kurrfarë të dhëne për të shkaktuar alarm. Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni mesatar gjatë vitit të kaluar ishte 2.2%. Inflacioni i zarzavateve, për të cilat dëgjohen edhe ankesat më të mëdha, është zyrtarisht 2.5%. Kjo do të thotë që, ose INSTAT e ka matur gabim inflacionin e zarzavateve, ose ankesat janë të pambështetura në arsye reale.

Reputacioni i INSTAT si institucion profesional nuk është i fortë. Si çdo institucion nën qeverisjen aktuale, edhe imazhi i institucionit në fjalë dëmtohet nga praktika e partitizimit tërësor të shtetit dhe përdorimit të punësimeve në shtet për mbledhje votash. Por fakti është që, sido që të mund të hamendësohet, nuk ka një alternativë ndaj INSTAT. Nuk ka një institucion tjetër në gjendje për të bërë një matje alternative të inflacionit.

Anomalia mbetet e pazgjidhur në këtë drejtim. Shqipëria është vendi ku paraja në qarkullim është rritur shumë më shpejt se sa ekonomia dhe kjo nuk ka shkaktuar, siç mund të pritet nga çdo ekonomist, inflacion.

Masa Monetare M3 është treguesi statistikor që përmbledh të gjithë paranë në qarkullim, përfshirë paranë fizike në monedha dhe kartëmonedha që mban  në xhep çdo qytetar, paranë në depozita bankare në lekë apo në monedha të tjera, si dhe paranë të mbajtur në tituj borxhi, qofshin këto të qeverisë apo të korporatave private. Sipas të dhënave të BSH, M3 në dhjetor 2025 ishte afërisht 1.97 trilionë lekë ose rreth 20 miliardë euro. Në krahasim me dhjetorin e vitit 2024, M3 është rritur me 137 miliardë lekë ose 10.2%. Gjatë të njëjtës periudhë, Prodhimi i Brendshëm Bruto, ose sasia e vlerës së shtuar që puna e çdo shqiptari ka krijuar, arriti në 2.64 trilionë lekë, me një rritje vjetore prej më pak se 5%.

Paraja në ekonominë kombëtare është diçka e ndryshme nga paraja në jetën qytetarëve. Në ekonominë kombëtare është një mjet, i cili prodhohet pothuajse pa kosto nga banka qendrore dhe vihet në dispozicion të ekonomisë. Ndërsa në jetën e qytetarëve paraja është diferenca mes të qenit i pasur dhe të qenit i varfër. Sasia e parasë së prodhuar nga autoriteti që e emeton monedhën varet nga madhësia e ekonomisë. BSH nuk mundet të prodhojë para për t’i bërë të gjithë qytetarët e pasur sepse, në këtë rast, paraja thjeshtë  do të bëhej një letër pa vlerë. Rrjedhimisht, kur ekonomia rritet me 5% në terma nominalë, masa monetare, pra paraja që i shërben kësaj ekonomie, mundet të rritet me të njëjtën masë.

Në fakt ka një shpjegim për këtë anomali dhe ky shpjegim është inflacionimi i aseteve dhe ekonomia e të pasurve. Por para se të mbërrijmë këtu duhet të vërejmë një anomali tjetër, gjithashtu shumë të fortë, që ekonomia ka shfaqur gjatë vitit 2025.

Depozitat rriten më shpejt se sa PBB

Gjatë vitit 2025, depozitat e qytetarëve dhe të bizneseve në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri arritën në afërsisht 1.9 trilionë lekë. Rritja në krahasim me vitin  2024 ishte në masën 8.5% ose 148 miliardë lekë. Përveç faktit që rritja e depozitave është më e madhe se sa rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vlerë nominale, pra që do të thotë që një pjesë e konsiderueshme e rritjes së depozitave ka ardhur nga jashtë ekonomisë formale, fakti është që disa banka të mesme janë përfitueset kryesore të rritjes së depozitave. FIBank, ABI Bank dhe Tirana Bank udhëheqin tregun sa i përket rritjes së depozitave. Këto banka kanë njohur rritje të depozitave me 20, 17 dhe 18% në terma vjetorë. Ndërsa bankat tradicionalisht të njohura për shërbime për popullsinë e gjerë, si IntesaSanpalolo, Raiffeisen apo BKT, janë që të gjitha të kufizuara te shtimi i depozitave në ritmin e 4, 5 apo 7 për qind.

Fakti që depozitat e bankave që kanë numër relativisht të kufizuar klientësh janë rritur me ritëm të lartë, ndërsa ato me numër të lartë klientësh, janë rritur me ritëm normal, sugjeron se depozitat shtesë i përkasin një numri të vogël klientësh. Dhe nëse është kështu, (Shqipëria nuk grumbullon dhe analizon të dhëna për të matur probleme të tilla si pabarazia kështu që ne mundemi vetëm të hamendësojmë mbi të dhëna të raportuara për qëllime të tjera), atëherë shtesa e depozitave dhe shtesa e masës monetare M3, nuk ka pse të shkaktojë inflacion te Indeksi i Çmimeve të Konsumit, sepse kjo shtesë nuk i përket popullsisë së gjerë. Kjo mundet të shpjegojë gjithashtu se pse çmimet e aseteve, të cilat nuk maten nga INSTAT, të tilla si pronat e patundshme, janë shtrenjtuar me ritëm shumë më të shpejtë se sa rritja ekonomike tashmë prej shumë vitesh.

Gjithsesi, gjasat janë që kanalizimi i parasë shtesë te pronat e patundshme dhe inflacionimi i çmimeve të këtyre aseteve është vetëm një rrugë indirekte para se paratë shtesë të kalojnë te inflacioni i përgjithshëm.

Rritja e masës monetare M3 gjatë vitit të kaluar përkon në një masë të madhe me kalendarin e blerjes së valutës nga Banka e Shqipërisë për të shmangur forcimin e lekut. Banka e Shqipërisë bleu 729 milionë euro në treg “për frenimin e forcimit të lekut” gjatë vitit 2025, por 435 milionë nga këto u blenë në korrik dhe gusht. Rrjedhimisht, ritmi i rritjes së M3, kërciti nga 6-7% që ishte në pjesën e parë të vitit, në mbi 10% në muajt pasues.

Dukshëm, një shumë e madhe parash që hyn në ekonominë shqiptare përmes kanaleve jo të identifikuara konkretisht dhe që nga shumë dyshohet se vijnë nga aktivitetet kriminale të shqiptarëve jashtë vendit, po hyjnë në ekonomi, po hyjnë me forcë dhe po shkaktojnë inflacion. Fillimisht inflacion të aseteve dhe pastaj, inflacion të mallrave të konsumit. Nuk është e vështirë të dallosh një lidhje jo fort të tërthortë mes parave të drogës dhe çmimit të domateve./Reporter.al

Artemis përgatitet për rikthimin në Tokë

Pas misionit spektakolar që i solli katër astronautët e saj përsëri në një pamje nga afër të Hënës, kapsula Orion është planifikuar të bjerë në Paqësor të premten në mbrëmje pranë brigjeve të Kalifornisë.

 

VOAL- Pas një fluturimi rreth Hënës të mbushur me momente domethënëse dhe simbolike, katër astronautët e Artemis II do të kalojnë përsëri atmosferën e Tokës dhe do të zhyten në ujë të premten në mbrëmje pranë brigjeve të Kalifornisë: një moment i fundit dhe vendimtar për NASA-n. “Mund të fillojmë të festojmë kur ekuipazhi të jetë i sigurt” në bordin e anijes përgjegjëse për rikuperimin e tyre, theksoi Zëvendës Administratori i NASA-s Amit Kshatriya gjatë një konference për shtyp të enjten. “Atëherë mund t’i lëmë emocionet tona të egra dhe të fillojmë të flasim për suksesin.” Pasi ka udhëtuar më shumë se 406,000 kilometra larg nesh, më larg se çdo kapsulë tjetër para tyre, kapsula Orion që mbante amerikanët Christina Koch, Victor Glover dhe Reid Wiseman, si dhe kanadezin Jeremy Hansen, pritet të bjerë në brigjet e San Diegos rreth orës 17:07 sipas orës lokale (2:07 të mëngjesit në Zvicër të shtunën). Zbritja duhet të përfundojë këtë mision dhjetëditor, i cili deri tani ka shkuar pa probleme. Një kthim i sigurt do t’i jepte NASA-s lehtësimin e dërgimit me sukses të astronautëve përsëri në hapësirën e thellë për herë të parë që nga fundi i programit Apollo në vitin 1972, pas vitesh vonesash dhe dyshimesh. Ky sukses kërkon që mburoja e nxehtësisë së Orionit t’i rezistojë 2 700 gradë Celsius të gjeneruar nga fërkimi atmosferik pas rihyrjes në atmosferë. Agjencitë

“Tigrat” e Vlorës prodhuan vetëm 1% të energjisë neto, por marrin miliona euro qira

Kur kriza e energjisë në fund të vitit 2021 u duk qartë në horizont qeveria shqiptare shpalli garën për të marrë me qira asete termike për të prodhuar një pjesë të energjisë me naftë.

Kjo procedurë rezultoi me “Dy Tigra” (termocentrale lundrues ne anije) që u vendosën në Vlorë në vjeshtën e vitit 2022.

Në fakt në atë kohë ende kjo blerje justifikohej me çmimet e larta të energjisë që në gusht 2022 arritën nivel rekord. Por teksa vitet kaluan dhe kriza u zbeh, dy termocentralet lundrues nuk u vunë asnjëherë në punë në formë të plotë për të justifikuar koston e tyre miliona euroshe dhe që asnjëherë nuk është bërë zyrtarisht e qartë.

Por të dhënat e fundit të Entit Rregullator të Energjisë tregojnë se në vitin 2025 dy termoncetralet prodhuan 77 mijë MWh energji. Kjo sasi përfaqëson vetëm 1 për qind të prodhimit neto vendas që ishte 7.44 milionë MWh.

Këto termocentrale raportohen si një nga asetet nën varësinë e KESH i cili zotëron gjithashtu tre hidrocentrale të Kaskadës së Lumit Drin, Termocentralin e Vlorës, si dhe impiantin fotovoltaik “Qyrsaq.

Kapaciteti total i instaluar në zotërim nga KESH sh.a. arrin në rreth 1,563 MW, nga të cilat kapaciteti i instaluar i HEC-ve në Kaskadën e Lumit Drin është 1,350 MW, TEC-i i Vlorës 98 MW, termocentralet lundruese Tigri 1 & Tigri 3 me kapacitet 110 MW, si dhe ai i impiantit.

Kostoja e lartë e prodhimit të energjisë

Prodhimi i energjisë nga gjeneruesit termikë ka rezultuar gjithmonë i shtrenjtë në raport më format e tjera duke e zhvlerësuar leverdishmërinë e një hapi të tillë.

Në një skenar për situatën energjetike gjatë 2023 të dhënat zyrtare tregonin se prodhimi i energjisë nga këto njësi do të kushtonte 165 milionë euro. Gjeneruesit parashikohej të prodhonin 884 GWh me një kosto prodhimi prej 185 euro/MWh diçka që nuk u materializua asnjëherë.

Vlera e gjeneruesve termikë vlerësohet 15 milionë euro teksa qiraja për një periudhë 2 vjeçare llogaritej në 46 milionë dollarë por kjo tashmë është rritur ndjeshëm duke pasur parasysh që afati që gjeneruesit mbeten të ankoruar në Vlorë është tejkaluar./monitor/

Shqipëria, sërish e humbur në garën e pagave, rajoni i kishte 30-50% më të larta edhe më 2025

Prej të paktën tre vitesh, Shqipëria po e humb me sukses garën rajonale për rritjen e pagave duke i mbetur të “mburret” vetëm me rritjen ekonomike, që realisht ka ardhur më shumë nga administrata publike e taksat neto, sesa nga sektorët realë (më përjashtim të ndërtimit e pasurive të paluajtshme që janë flamurtar!).

Strategjia e qeverisë për të nxitur rritjen e pagës mesatare përmes administratës publike nuk duket të ketë funksionuar, teksa rajoni po ecën më shpejt në përmirësimin e të ardhurave nga punësimit të qytetarëve të tyre.

Edhe në 2025-n, paga mesatare mujore bruto, që marrin punonjësit Serbi, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Bosnjë Hercegovinë ishte 30-50% më e lartë sesa e atyre shqiptarë, sipas të dhënave që u përpunuan nga “Monitor”, bazuar në statistikat e vendeve përkatëse. Përjashtim bën vetëm Kosova, që ka ende një pagë më të ulët sesa Shqipëria, ndonëse ajo nuk i ka publikuar ende të dhënat për vitin 2025.

Sipas INSTAT, në vitin 2025, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 84 mijë lekë, me një rritje prej 10.3% në krahasim me mesataren e 2024-s. E konvertuar në euro, paga mesatare mujore në 2025-n ishte rreth 860 euro. Me gjithë “ndihmën”, që i ka dhënë kursi, paga në vend mbetet më e ulëta në rajon, përjashtuar Kosovën.

Paga më e lartë në rajon në 2025-n ishte në Serbi, me rreth 151 mijë dinarë serbë, ose 1290 euro bruto në muaj, sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave të Serbisë. Serbia ka marrë kryesimin e rajonit, nga e treta që ishte një vit më parë, pasi ka shënuar rritjen më të madhe me 21.7%. Pagat në Serbi janë 430 euro më të larta se në Shqipëri, ose 50% më shumë.

Në vend të dytë ka zbritur Bosnjë Hercegocina, që ishte e para në 2024-n. Paga mesatare mujore bruto që morën qytetarët e këtij vendi në 2025-n ishte 2437 marka, ose 1245 euro, me rritje 13.2%, sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave të Bosnjë-Hercegovinës. Një i punësuar boshnjak merr mesatarisht 345 euro më tepër në muaj sesa ai shqiptar, ose 45% më shumë.

Në Mal të Zi, paga mesatare mujore bruto arriti në 1206 euro, me rritje 11.4%, sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave i këtij shteti. Punonjësit në Mal të Zi marrin mesatarisht 346 euro më tepër se ata shqiptarë, ose 40% më shumë.

Maqedonia e Veriut i pagoi punonjësit mesatarisht 68 mijë dinarë bruto në 2025-n, ose rreth 1100 euro, me rritje prej 10%, më e ulëta në gjithë rajonin dhe me shumë pak diferencë me Shqipërinë (+10.3%). Megjithatë, një i punësuar maqedonas merr bruto 240 euro më tepër se ai shqiptar, ose 28% më shumë.

Instituti i Statistikave të Kosovës i publikon me vonesë të dhënat e pagave. Të dhënat e fundit të disponueshme janë për vitin 2024, ku paga mesatare mujore bruto ishte 639 euro, më e ulëta në rajon.

Ndonëse Shqipëria ka shfaqur shifra të qëndrueshme makroekonomike dhe një rritje ekonomike të kënaqshme në letër, kjo rritje nuk ka ardhur nga shtimi i produktivitetit dhe as nga sektorë që krijojnë vlerë të shtuar të qëndrueshme në afat të gjatë. Ajo është mbështetur kryesisht te zgjerimi i pagave në administratën publike, si dhe te ndërtimi e pasuritë e paluajtshme, që japin efekt të menjëhershëm në tregues, por jo domosdoshmërisht rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe as i japin vlerë të shuar asaj.

Rezultati është një model i brishtë, ku qytetarët përballen me ushqimet më të shtrenjta në rajon, ndërsa vijojnë të kenë ndër të ardhurat më të ulëta, duke i shtyrë jo pak shqiptarë të bëjnë turizëm rajonal për blerje, si për naftën që është intensifikuar së fundmi, ashtu dhe për ushqime e produkte të tjera.

Kjo do të thotë më pak konsum brenda vendit, më pak xhiro për bizneset vendase dhe të ardhura të munguara për buxhetin nga taksat, duke e futur vendin në një rreth vicioz ku rritja ekonomike nuk përkthehet në mirëqenie më të lartë për qytetarët. Përkundrazi, ajo thellon hendekun mes treguesve pozitivë në letër dhe realitetit të përditshëm të familjeve, që paguajnë më shtrenjtë për mallrat bazë, por vazhdojnë të kenë fuqi blerëse të kufizuar.

Në një ekonomi ku konsumi po zhvendoset jashtë kufijve për shkak të çmimeve të larta dhe të ardhurave të ulëta, humbjet nuk janë vetëm për biznesin vendas, por për gjithë zinxhirin ekonomik, nga tregtia te të ardhurat fiskale dhe mundësia për të krijuar vende pune më cilësore në të ardhmen, dhe me paga më të larta, çka na bën të humbur në garën rajonale./ Monitor

UGSHPD: RAMA ME SFIDËN E SFIDAVE (Mesazhi në një gjini të re lajmi)

I rëndësishëm mbetet komunikimi.
Edhe pse në krizë integriteti anëtarët e PS, ajo që duhet të mbahet mend nga përsëritja e mesazhit të kryetarit rilindës Rama është mënyra e vetëmbrojtjes.

E përmbledhur me një gjini rep-i, mbledhja e GPS e kryesuar nga Rama e cila në faqet e propagandës zyrtare të Rilindjes Socialiste ATSH-s gjindet nën titullin:- Shqipëria 2030 në BE  sfida e sfidave” ose në disa televizione kombëtare që e përcjellin lajmin me togfjalëshin “një video e shpërndarë nga PS” edhe këtu sikurse me ATSH-në kuptohet mungesa e lirisë dhe e integritetit ku profesionalizmi në media i është nënshtruar propagandës.

Sfida e sfidave, deri në 2030, pra pas 4 vitesh është tallja më e madhe.
Të sfidosh veten?
 Për Ramën ndoshta po sepse kërkon një rekord të thyer brenda të tijve, por me popullin shqiptar kjo e tejkalon përgjegjshmërinë e politikës dhe mbetet vërtetë një tallje(!).
A është ky kuptimi i sfidës?
Kanë harruar socialistët atë që kanë mbështetur 12 muaj më parë kur Rama dhe Noizy çelën fushatën për Zgjedhjet e 11 Majit, 2025 “Shqipëria në BE 2030, Vetëm me Edin dhe PS”, ku u premtua një pasaportë?!
Lajmi i takimit me dyer të mbyllura të së Martës është ai më tipiku, ku askush nuk ka forcë të japë një mesazh transparent për publikun, veç atij njoftimi zyrtar, trakt-komunikate që një forcë politike autoritare hedh në përdorim.
Edhe kështu siç u prodhua si gjini e re lajmi, ku kryetari i partisë është ai që vendos fjalën, qeth personazhet, i vë ritmin në refrenin e rep-it, “Tungjatjeta” remix, Rama arrin t’u imponojë shijen e vet. Dhe pa dyshim mes rilindësve në mediat sociale do të kalojë si gjetje bashkë me mesazhin e rekrutimit.
Shumë kush që mendon për  punën e përditshme, çmimet e tregut, shërbimet nga taksat pa shkuar tek çmimi i naftës më i larti në rajon, mbase ja hedh vetëm një sy lajmit. 
Ka të tjerë që do ta rishohin dhe do ta bëjnë ‘share’ postimin në rrjetin mes militantëve.
Ka po ashtu me shumicë të tjerë aktivistë politikë që me siguri paguhen dhe janë të detyruar jo vetëm ta dëgjojnë me zor lajmin-muzikor, por që atyre ju duhet t’i ngulitet mirë në mendje ky mesazh i “sfida e sfidave” janë pikërisht ata 83 anëtarët e GPS në presionin e “dyerve të mbyllura”.
Kohë më për teori dhe mendim filozofik nuk ka! 
Nuk ka Akademi Politike të PS, pasi janë tashmë 83 kartonë të komanduar që prej Shtatorit 2025 të cilët rrallë i sheh dhe kryetari i tyre në Kuvend.
Ndaj nga GPS-Grupi Parlamentar Socialist, mesazhi politik do të shkojë ashtu siç thotë dhe kënga “Tungjatjeta”, ashtu si ajo çeli Fushatën Zgjedhore të 2025-ës, por tani bëhet gati për vendoret e 2027-ës. 
Remix-i i Ramës “sfida e sfidave” është energjizimi që pas një viti vjen ndryshe. 
Vjen ndryshe jo kur zyrtarisht u çel në Sheshin Skënderbej* me kandidatët dhe kandidatet brenda dhe jashtë listave, por të Martën e 7 Prillit, 2026 në ‘dhomën e jehonës’*. 
Aty ku kumbon zëri i njëshit, ku filtrohet vetëm zëri i autokratit dhe ku të gjithë pjesëmarrësit, janë ajo shumica politike e 83 të heshturve përpara Ramës  që duken të kuruar në veshje, të ushqyer dhe të mirëmbajtur po aq sa edhe të lexueshëm në portretet e rrëshqitur, të pajetë  e pa humor po aq sa edhe të ndëshkuar imponimi i marrjes së energjive të reja (detyrave).
A e shohin veten këta të “zgjedhur të popullit” se me këtë heshtje nuk mbrojnë dot ata/ato brenda dhe jashtë Shqipërisë që i votuan dhe që i përfaqësojnë?
Po media apo televizionet nuk u lejuan për transmetimin e zhvillimit të takimit në GPS, të së Martës, 7 Prill, 2026 me çfarë kriteresh profesionalizmi pranuan sfidën e njoftimeve partiake?
Duke e dëgjuar lajmin-muzikor që shpërndan propaganda kupton përzierjen e mesazhit me refrenin e këngës “Tungjatjeta”.
Lajmi muzikor është një remix i tillë dhe i përpunuar si mesazh nga Rama pa patur nevojë praninë e gazetarisë.
 
Tungjatjeta 
T’gjithë së bashku do ja dalim, për një qëllim
Sa shumë sfida ke kalu ti, o vëndi im
Ne jemi, ne jemi, gjithmonë ne k’tu do jemi
Sa t’ketë hënë e sa t’ketë diell
Sa t’ketë tokë e sa t’ketë qiell
Më ka bërë përshtypje angazhimi dhe dëshira për të dëgjuar në çdo Asamble faktikisht
T’gjithë së bashku do ja dalim
 për “Punët e Shqipërisë”. Ndryshe nga më parë, kur flet për ekonominë, ndjen nga atmosfera në sallë se ka një pranim të faktit që ekonomia ka hyrë në një rrugë që i jep të gjithëve shpresë dhe që ka vetëm përmirësim. Kur flet për pagat, është shumë e qartë që njerëzit mund të bëjnë menjëherë verifikimin tek vetja dhe tek të tjerët përreth.
Tungjatjeta 
(Shqipëria 2030 në BE)
T’gjithë së bashku do ja dalim
Kjo është sfida e sfidave jo për ne, por është sfida e sfidave për një forcë politike që gjendet me fatin e vendit në duar që ne të mbyllim një varg kapitujsh të historisë, duke vulosur përkatësinë europiane të Shqipërisë dhe duke siguruar anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Tungjatjeta 
(Zhgjedhjet në PS)
T’gjithë së bashku do ja dalim
Ne kemi hyrë në këtë proces në radhë të parë për të energjizuar komplet PS-në në funksion të zgjedhjeve vendore. Se përballë ne kemi vetëm veten, sfidën që kemi për të realizuar misionin tonë
Shiko, si jemi bo, ku jemi sot
Shqipni, moj nona jonë, ma e mira n’botë…
 
Kush ka frymë dhe e mban nga 83 anëtarët GPS ritmin e këngës “Tungjatjeta” nuk ka nevojë të ndjekë qorrazi fushatën partiake të PS në çdo degë. Ka një vit kohë dhe sikurse “Tungjatjeta” e Noizy-t, ajo ndërtesë është dëshmitare e një  tjetër kënge të kënduar bindshëm, “Enver Hoxha Tungjatjeta!”, refreni i të cilës fliste për shpata të mprehura nga udhëheqësi që u rrinte mbi kokë të gjithë armiqve vetëm e vetëm që ta nxirrte në dritë vendin.
Kjo përshtatje e tekstit dhe e përmbajtjes së një kënge bëhet e qëllimshme pasi brezi i ri e ka të fshirë historinë dhe rolin e diktatorëve në prapambetjen e vendit. Një pjesë e prindërve dhe e gjyshërve të këtij brezi që njohin rep-in, Tungjatjetën e diktatorit Hoxha e përjetojnë ende si traumë në një kohë kur propaganda gjen mënyra dhe forma të reja për të indoktrinuar me modernen dhe “nostalgjinë” e disave aq sa për t’i afruar tek kutia e votimit për zgjedhjet vendore që së shpejti po vijnë. Në të vërtetë edhe tek elita e rilindësve socialistë mbajtja e pushtetit ushqehet me të njëjtën formë. Ushqehet jo vetëm përmes korrupsionit, por edhe me ideologjinë e rijetësimit dhe rienrgjizimit të asaj të shkuare që faktikisht janë nostalgjia i prek në atë masë sa mund t’ju merret vullnetarisht vota.
 
 
7 Prill, 2026
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

“Stop importit, bojkotoni firmat serbe!” Fermerët kundër skemës kombëtare 2026, protestë para Ministrisë së Bujqësisë: Duam subvencion nafte si jahtet!

Shoqata “Blegtorët Prodhues të Qumështit” janë hedhur sot në protestë para Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa kundërshtojnë skemën kombëtare 2026. Me pankarta në duar me mesazhe si; “Stop importit të qumështit”, “Formalizoni tregun e bulmetit”, “Bojkotoni firmat serbe”, fermerët kanë hedhur akuza në drejtim të qeverisë sa i takon kësaj skeme.

“Skema nuk na mbështet, kostot janë të larta. Skema 2026 nuk ishte ajo që u diskutua me ne. Të na subvencionohet nafta si jahtet. Të rritet mbështetja për blegtorinë, të bllokohet importi që na konkurron”, tha një prej protestuesve.

Ata mes të tjerash kërkuan subvencione nga shteti. “Kërkojmë subvencione si gjithë rajoni. Kemi 7-8 herë më pak subvencione sesa rajoni. Me kë duhet të konkurrojmë ne? Kërkojmë naftë pa taksa për fermerët ose të bëjë një rregullim qeveria për taksën e qarkullimit”, pohoi një tjetër.

Fermerët kërkojnë subvencione pasi pretendojnë se kostot e ushqimit të bagëtive dhe karburanti janë rritur. Ndërkohë, protestuesit kërkojnë një takim me ministrin e Bujqësisë dhe atë të Financave. bw

  • foto galeri

 

  • foto galeri

 

  • foto galeri

 

  • foto galeri

 

  • foto galeri

 

  • foto galeri

 

 

 

 

 

Artemis II fillon udhëtimin e kthimit në Tokë

 

Katër astronautët kanë thyer rekordin për distancën më të gjatë të përshkuar ndonjëherë nga një njeri në hapësirë ​​- Trump: “Keni bërë histori. Shihemi në Zyrën Ovale” – Në Hënë në vitin 2028?

 

VOAL- Katër astronautët në bordin e anijes kozmike Artemis II të NASA-s bënë histori duke arritur një distancë rekord prej 248,655 miljesh (400,171.4323 kilometrash) nga Toka, sipas NASA-s. Ata tejkaluan rekordin për distancën më të gjatë të përshkuar nga njeriu, të vendosur më parë nga Apollo 13 në vitin 1970. Rekordi i ri u arrit në orën 1:56 të mëngjesit (EDT) të hënën, më 6 prill. Të hënën, më 6 prill, në orën 7:02 pasdite (EDT), katër astronautët në bordin e misionit Artemis II, sipas NASA-s, arritën një distancë prej 252,756 miljesh, ose afërsisht 406,000 kilometrash, nga Toka. Ky moment historik do të thotë që ekuipazhi i Artemis II tani ka arritur një distancë prej 4,111 miljesh nga Toka krahasuar me misionin Apollo 13 në vitin 1970. Në orën 3:20 të mëngjesit (ora zvicerane), vëzhgimet e sipërfaqes hënore kanë përfunduar dhe në orën 8:25 të mëngjesit (ora zvicerane), Orion do të dalë nga fusha gravitacionale hënore, duke filluar udhëtimin e tij të kthimit në Tokë. Ekuipazhi i Artemis II është planifikuar të zbresë në brigjet e San Diegos afërsisht në orën 8:07 të mbrëmjes (ora lokale) të premten, më 10 prill. Katër astronautët në bordin e anijes kozmike të NASA-s Artemis II kanë bërë histori duke arritur një distancë rekord prej 248,655 miljesh (400,171.4323 kilometra) nga Toka, sipas NASA-s. Ata thyen rekordin për distancën më të gjatë të fluturuar ndonjëherë nga njeriu, të vendosur më parë nga Apollo 13 në vitin 1970. Rekordi i ri u arrit në orën 1:56 të mëngjesit të hënën, më 6 prill (EDT). “Do të kthehemi”, tha Christina Koch, një eksploruese me përvojë që do të hyjë në histori si gruaja e parë që fluturoi pranë Hënës, duke shtuar: “Ne do të jemi një frymëzim, por gjithmonë do të zgjedhim Tokën”.

Trump: “Ju keni bërë histori”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i telefonoi dhe i përgëzoi astronautët e Artemis që rrotullohen rreth Hënës për bërjen e “historisë”, duke u thënë atyre se ata “e kanë bërë të gjithë Amerikën vërtet krenare, tepër krenare”, sipas AFP-së. “Ju jeni vërtet pionierë të kohërave moderne, të gjithë ju”, tha Trump, përpara se të fillonte një lloj interviste me tre amerikanët dhe kanadezin, të angazhuar në një mision historik 10-ditor rreth satelitit natyror të Tokës. “Ju keni shumë guxim duke bërë atë që po bëni”, tha Trump, duke lavdëruar fluturimin e parë hënor të NASA-s në mbi 50 vjet. “Amerika do të jetë e pakrahasueshme në hapësirë ​​dhe në gjithçka që bëjmë, dhe ne do të vazhdojmë të udhëheqim të gjithë udhëtimin drejt yjeve, këtë udhëtim të pabesueshëm drejt yjeve”, tha Trump. Pasi i përgëzoi astronautët e Artemis II, Trump u bëri atyre një sërë pyetjesh, sipas AFP-së. Konkretisht, ai pyeti se si ishte ana e largët e Hënës dhe si ndihej humbja e komunikimit me Tokën gjatë asaj pjese të fluturimit hapësinor. “Bëra një lutje të vogël, por pastaj më duhej të vazhdoja,” u përgjigj komandanti i Artemis, Victor Glover. “Në fakt po regjistroja vëzhgime shkencore të anës së largët të Hënës.” Presidenti shtoi se kishte folur me udhëheqësin kanadez dhe legjendën e hokejit Wayne Gretzky rreth përfshirjes “të ngushtë” të vendit në misionin hapësinor. Astronauti i Agjencisë Hapësinore Kanadeze, Jeremy Hansen, falënderoi Trump për “udhëheqjen hapësinore” të Amerikës dhe e quajti iniciativën një “qëllim të dobishëm reciprokisht”. “Një komb që udhëheq si Shtetet e Bashkuara dhe krijon e vendos qëllime të mëdha për njerëzimin që përfshijnë vende të tjera është vërtet i pabesueshëm,” tha Hansen, duke shtuar, “Kanadezët janë shumë krenarë që janë pjesë e këtij programi.” Trump e përfundoi telefonatën duke i ftuar astronautët në Shtëpinë e Bardhë. “Urime të gjithëve. Shihemi në Zyrën Ovale,” tha ai.

Për në Hënë: Objektivi i vendosur për vitin 2028

Rekordi i ri i distancës njerëzore, 406,771 km, e tejkalon rekordin e vitit 1970 vetëm me 6,000 km, por u festua nga NASA dhe Trump si provë e rigjallërimit të programit hapësinor amerikan, me presidentin që madje premtoi se një ditë do të arrinte në Mars. “Ne zgjedhim këtë moment për të sfiduar brezin tonë dhe atë të ardhshëm, për të siguruar që ky rekord të jetë jetëshkurtër”, tha Jeremy Hansen menjëherë pas rekordit. Nëse ky mision dhe ai i radhës vitin tjetër shkojnë mirë, agjencia hapësinore amerikane planifikon të zbarkojë astronautë në Hënë në vitin 2028. Agjencitë

Artemis II thyen rekordin e Apollo 13

 

Astronautët Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen Arrijnë Distancën Më të Largët nga Toka

VOAL- Pas 56 vitesh, astronautët e misionit Artemis II kanë thyer rekordin për distancën më të largët nga Toka, të mbajtur më parë nga ekuipazhi i misionit Apollo 13 në vitin 1970. Në anijen kozmike Orion, astronautët Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen arritën distancën prej 400,171 kilometrash të arritur nga Apollo 13 gjatë kthimit të tij emergjent në Tokë. Orari i fluturimit parashikon që Orion të largohet më tej në orën 1:02 të mëngjesit (ora jonë), duke arritur 406,777 kilometra nga Toka, distanca më e largët nga planeti ynë ndonjëherë nga një mision hapësinor i drejtuar nga njerëz. Sot, katër astronautët u bënë njerëzit që kanë udhëtuar më larg nga Toka, duke u përgatitur të vëzhgojnë zona të Hënës që nuk janë parë kurrë më parë me sy të lirë, si pjesë e fluturimit historik hënor të NASA-s. Përgatitjet në fakt filluan shumë herët, rreth orës 7:00 të mëngjesit sipas kohës sonë, kur motori i Modulit të Shërbimit Evropian (ESM) u ndez për të rregulluar trajektoren e Orionit drejt Hënës. “Përshëndetje, Artemis 2, ky është astronauti i Apollos, Jim Lovell. Mirë se vini në atë që dikur ishte poligoni im i shtëpisë”, ishte mesazhi që i zgjoi astronautët, i regjistruar nga piloti i Apollo 8 në vitin 2025, pak para vdekjes së tij. “Kjo është një ditë historike dhe e di sa i zënë duhet të jeni, por mos harroni të shijoni pamjen.”

Astronautët kryen gjithashtu një provë të re të kostumeve të presionit të prodhuara me porosi të quajtura OCS (Sistemi i Mbijetesës së Ekuipazhit Orion), të afta të sigurojnë mbijetesë deri në gjashtë ditë. Ato janë thelbësore gjatë fazave dinamike të fluturimit, siç është lëshimi dhe rihyrja, si dhe në rast të çpresurizimit të kabinës dhe pas spërkatjes. Astronautët i veshën ato për të testuar si vulën e tyre ashtu edhe lirinë e lëvizjes, siç është kur ulen në sediljen e anijes dhe kur hanë dhe pinë. Dita vazhdoi me përgatitjet për vëzhgimin e sipërfaqes hënore, të cilat do t’i mbajnë të zënë për afërsisht shtatë orë: nga ora 20:45 deri në orën 3:20 të mëngjesit. Ka 35 pika për t’u studiuar dhe fotografuar, duke përfshirë vendet e uljes së misioneve Apollo 12 dhe Apollo 14. Ekziston gjithashtu Mare Orientale, një krater me një diametër prej mbi 900 kilometrash i vendosur në kufirin midis anës së afërt dhe të largët të Hënës, i cili do të ndriçohet plotësisht kur të kalojë Orioni. Në anën e largët të Hënës, astronautët do të duhet të vëzhgojnë gjithashtu, në veçanti, kraterin Hertzsprung, me një diametër prej afërsisht 600 kilometrash. Është gjatë kësaj periudhe, saktësisht në orën 1:02 të mëngjesit, që Orioni është planifikuar të bëjë afrimin e tij më të afërt me sipërfaqen hënore, në 6,550 kilometra, dhe pesë minuta më vonë anija kozmike pritet të vendosë një rekord të ri për afrimin më të afërt me Tokën. Kur Orioni të largohet nga ana e largët e Hënës, astronautët do të shohin lindjen e Tokës dhe komunikimet do të rivendosen. Menjëherë pas kësaj, në orën 2:35 të mëngjesit, ata do të dëshmojnë një eklips ndërsa Hëna errëson Diellin. Në orën 3:20 të mëngjesit, vëzhgimet e sipërfaqes hënore do të përfundojnë dhe në orën 8:25 të mëngjesit, Orioni do të dalë nga fusha gravitacionale hënore: kjo do të shënojë fillimin e udhëtimit të tij të kthimit në Tokë.

Misioni

Rruga e fluturimit të Artemis II do të formojë një figurë tetë rreth Tokës dhe Hënës. Deri në fund të misionit, katër astronautët do të kenë udhëtuar gjithsej mbi 2.3 milion kilometra. Agjencitë

“Ligji në letër, diskriminim në praktikë” Protestë për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, studentët mbushin sheshin kryesor (PAMJET)

SHKUP- Studentët shqiptarë janë mbledhur sot në Shkup për një protestë madhështore në mbrojtje të gjuhës shqipe, e cila pritet të fillojë në çdo moment. Atmosfera është elektrizuese, ndërsa studentët kanë dalë me pankarta dhe mesazhe të forta.

Në mesin e pankartave që po shihen në protestë janë edhe mesazhet: “Mos e mohoni një të drejtë të fituar”, “Ligji për gjuhët është Lex Specialis!” si dhe shumë pankarta të tjera në mbrojtje të të drejtave gjuhësore.

Protesta e sotme konsiderohet si një nga reagimet më të mëdha studentore në periudhën e fundit, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për protestë paqësore dhe dinjitoze./Dosja.al

Osman Stafa: Thirrje publike për Ministren e Shëndetësisë, Evis Sala

Znj. Ministre,
Një grua, një nënë, me inicialet V.Ç., prej më shumë se dy vitesh pret një vendim që lidhet drejtpërdrejt me jetën e saj.
Ajo është diagnostikuar me aneurizëm. Një diagnozë që nuk pret dhe që kërkon trajtim të specializuar. (embolizim)
Ky trajtim nuk realizohet aktualisht në sistemin publik, për shkak se pajisja e nevojshme (angiografia/DSA) nuk është funksionale.
Për këtë arsye, zonja ka ndjekur procedurat për t’u trajtuar jashtë vendit, në Turqi. Ka dorëzuar dokumentet pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe ka pritur. Ka pritur gjatë.
Në fillim të vitit 2026, pas një periudhe të gjatë pritjeje, asaj i është kërkuar të riaplikojë, pasi dokumentacioni kishte skaduar.
Ndërkohë, gjendja e saj mbetet e njëjtë: një rrezik real dhe i vazhdueshëm për jetën. Kjo diagnozë njihet ndryshe eshte si “minë me sahat”. E keqja mund të ndodhë në çdo moment.
Znj. Ministre,
Burokracia e ministrisë suaj, po mban në fije të perit jetën e një nëne. Ky rast është urgjent.
Nëse ky trajtim nuk mund të ofrohet në Shqipëri, atëherë duhet të garantohet menjëherë trajtimi jashtë vendit. A mund të presë një aneurizëm dy vite?
Vendimi është në dorën tuaj.
Znj. Ministre, nëse asaj zonje i ndodh gjë, a do e mbani në ndërgjegjen tuaj, që patët në dorë shpëtimin e jetës së saj dhe nuk e bëtë?

Monitor: “Shkërmoqja” e rrugëve dhe pagesa dyfishe nga taksapaguesit shqiptarë

Ligjërisht, të gjitha palët e përfshira në ndërtimin e rrugëve duhet të sigurohen për përgjegjësitë e tyre. Por, në praktikë, kjo ndodh shumë rrallë dhe dëmtimet apo rrëshqitjet e rrugëve, shpesh edhe pak kohë pas ndërtimit të tyre, paguhen për së dyti nga taksapaguesit.

Në muajt e fundit, Shqipëria është përballur me një fenomen në rritje të dëmtimit të rrugëve, të lidhura sidomos me rrëshqitjet e dheut. Fenomene të tilla janë vërejtur në disa rrugë kombëtare, ku ajo me përmasa më shqetësuese ndodhi në aksin Librazhd – Përrenjas dhe solli madje paralizimin e plotë të qarkullimit në aksin kryesor që lidh Shqipërinë Juglindore me pjesën tjetër të vendit.

Përtej diskutimeve të lidhura me shkaqet e këtyre rrëshqitjeve dhe me përgjegjësitë e palëve të ndryshme të përfshira, një aspekt i rëndësishëm është sigurimi i dëmit ekonomik në ndërtimin e veprave publike, duke përfshirë rrugët.

Që pas tërmetit të vitit 2019, është fakt përgjithësisht i njohur ekzistenca e detyrimit për sigurimin e përgjegjësive të ndërtuesit për ngritjen e ndërtesave. Por, një detyrim i njëjtë ekziston edhe për ndërtimin e veprave inxhinierike, duke përfshirë rrugët.

Ashtu siç ndërtuesi është i detyruar të sigurojë përgjegjësitë e tij kur ndërton një pallat, duke përfshirë dhe me fokus sidomos rrëshqitjen e tokës, ky detyrim duhet të zbatohet edhe për ndërtimin e rrugëve.

Nëse një rrugë shembet brenda 10 viteve nga ndërtimi i saj, për shembull, përfituesi, në këtë rast shteti, duhet të dëmshpërblehet nga kompania e sigurimeve.

Madje, shembuj të dëmtimeve të rrugëve shumë shpejt pas ndërtimit edhe kanë ndodhur, siç ishte, për shembull, rasti i Unazës së Burrelit. Por, sipas siguruesve, ky detyrim ligjor i firmave të rrugëve nuk zbatohet pothuajse asnjëherë.

Ligji detyron për sigurim projektues, zhvillues dhe ndërtues

Në dhjetor të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për përcaktimin e kushteve dhe elementeve të përgjithshme të sigurimit të përgjegjësisë profesionale të projektuesit, të grupit të projektimit dhe të zbatuesit të punimeve, si dhe rregullat dhe elementet e sigurimit, të

përgjegjësisë së zhvilluesit për të gjitha ndërtimet me vlerë mbi 100 milionë lekë.

Projektuesi i licencuar është i detyruar të lidhë një kontratë të sigurimit të përgjegjësisë profesionale. Kontrata e sigurimit të përgjegjësisë profesionale mbulon çdo dëm që mund të shkaktohet si pasojë e veprimtarisë së tij gjatë procesit të ndërtimit të objektit.

Shuma e sigurimit llogaritet duke mbuluar çdo shpenzim të nevojshëm e të domosdoshëm të projektimit të ri, si dhe shpenzimet shtesë të kryera nga zhvilluesi ose organet e administratës publike, që kanë rrjedhur si pasojë e gabimeve në projektim, si dhe kostot shtesë që mund të lindin për zhvilluesin, si pasojë e gabimeve në projektim gjatë zbatimit të projektit.

Gjithashtu, zbatuesi i punimeve si person juridik, i licencuar, është i detyruar të lidhë një kontratë të sigurimit të përgjegjësisë profesionale. Kontrata e sigurimit të përgjegjësisë profesionale mbulon çdo dëm që mund të shkaktohet si pasojë e veprimtarisë së tij gjatë procesit të ndërtimit të objektit.

Shuma e sigurimit llogaritet duke mbuluar të paktën çdo shpenzim të nevojshëm e të domosdoshëm për kryerjen e punimeve të reja, si dhe shpenzimet shtesë të kryera nga zhvilluesi ose organet e administratës publike, që kanë rrjedhur si pasojë e zbatimit të punimeve në kundërshtim me kontratën përkatëse për zbatimin e punimeve të ndërtimit, me dokumentet e planifikimit dhe zhvillimit, si dhe me legjislacionin në fuqi, që rregullon veprimtarinë e ndërtimit.

Zhvilluesi, si person fizik apo juridik, është i detyruar të lidhë një kontratë të sigurimit të përgjegjësisë profesionale për të gjitha ndërtimet me vlerë mbi 100 milionë lekë. Kontrata e sigurimit të përgjegjësisë profesionale mbulon çdo dëm që mund të shkaktohet nga rreziqet gjatë procesit të zhvillimit kundrejt palëve të treta.

Shuma e sigurimit llogaritet në përqindje ndaj preventivit të punimeve të zbatimit për kostot e llogaritshme, pa vlerën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Kjo vlerë do të jetë jo më shumë se 15% e vlerës së preventivuar të punimeve.

Detyrimi ligjor për t’u siguruar nuk zbatohet

Ogert Shkrepa, kryetar i Komitetit të Produkteve të Reja në Shoqatën Shqiptare të Siguruesve, thotë se investimet publike janë të ekspozuara karshi rreziqeve natyrore dhe është e rëndësishme që veprat të japin garanci për të ardhmen.

“Zakonisht, dëmet që lindin si pasojë e defekteve të fshehura, pasi mbaron projekti, lindin në 10-vjeçarin e parë. Ka një VKM që përcakton se gjatë certifikimit të objektit, marrjes në dorëzim nga ana e autoritetit që e ka ndërtuar veprën, duhet të marrë një garanci 10-vjeçare.

Kjo garanci nuk përdoret vetëm në Shqipëri, por është një produkt europian, në mënyrë që të mbrojë buxhetin e shtetit dhe që e njëjta vepër të mos paguhet për së dyti me paratë e taksapaguesve.

Kjo zakonisht ka gjetur zbatim vetëm për pjesën e ndërtimeve të pallateve, në momentin që ndërtesat certifikohen nga bashkitë. Ndërsa, për sa u përket veprave publike, detyrimi nuk ka gjetur zbatim. Edhe pse është detyrim ligjor që të sigurohen edhe gjatë ndërtimit të veprës, në shumë pak raste kjo ndodh në realitet”, thotë z. Shkrepa.

Sipas tij, në momentin e parë që një firmë ndërtimi merr projektin apo lidh kontratën, ajo duhet të bëjë sigurimin e rreziqeve në ndërtim dhe përgjegjësive ndaj palëve të treta. Çdo dëm që mund të lindë gjatë fazës së punimeve paguhet nga kompania e sigurimit.

“Në momentin që marrin përsipër një rrezik të tillë, kompanitë e sigurimit kanë inxhinierët e vet të ndërtimit që shkojnë dhe vlerësojnë rrezikun, vlerësojnë raportin gjeologjik të tokës, vlerësojnë zonën ku po ndërtohet ajo vepër, kanë të dhënat historike për ngjarjet e ndodhura më parë në atë zonë.

Kjo mundëson vlerësimin e përshtatshëm të rrezikut të zonës përkatëse, duke përcaktuar edhe primin e sigurimit. Ndërkohë, siguruesi mund të japë edhe rekomandime për ndërtuesin, bazuar në rreziqet e konstatuara”, – thotë z. Shkrepa.

Ai thotë se nevojitet rishikimi dhe ngritja e kapaciteteve edhe te punonjësit publikë, që të mos jenë inspektorë të thjeshtë, por të kenë kapacitete për ta vlerësuar rrezikun dhe për ta bërë atë punë saktë. Përtej detyrimit ligjor, që edhe ai nuk zbatohet plotësisht, ai vëren se kultura e sigurimit vullnetar është shumë e dobët edhe në këtë segment.

“Këtë praktikë e zbatojnë kryesisht kompanitë e huaja, sepse ato kanë një kulturë tjetër sigurimi. Në disa raste, kompanitë e huaja detyrojnë edhe nënkontraktorë shqiptarë që të kryejnë sigurimet përkatëse të përgjegjësive”, shprehet ai.

Shifrat e sigurimit, të vogla

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se sigurimi i përgjegjësive civile, ku përfshihen edhe sigurimet e përgjegjësive të ndërtuesve, ngelet në shifra modeste. Për vitin 2025, primet e shkruara bruto në sigurimin e përgjegjësive civile të përgjithshme kishin vlerën e 945 milionë lekëve, ose rreth 10 milionë eurove.

Ky produkt sjell më pak se 4% të primeve të shkruara bruto në sigurimet e jo-jetës. Numri i kontratave të lidhura gjatë vitit 2025 ishte pak më shumë se 20 mijë. Megjithëse numri i kontratave mund të duket i rëndësishëm, përfaqësuesit e shoqërive të sigurimeve shpjegojnë se, në pjesën më të madhe, ato u takojnë sigurimit të apartamenteve të reja të shitura gjatë vitit, me detyrimin për sigurimin e përgjegjësisë së ndërtuesit mbi to.

Dëmet e paguara në këtë segment kishin vlerën modeste të 9.5 milionë lekëve.

Specifikisht, primet e shkruara bruto në sigurimin e përgjegjësive në ndërtim kishin vlerën e 360 milionë lekëve, ku besohet se pjesën më të madhe e përbëjnë sigurimet e detyrueshme të ndërtuesve për ndërtimin e pallateve.

Sigurimi i përgjegjësive të ndërtuesve përbënte më pak se 1.5% të primeve të shkruara bruto në sigurimet e jo-jetës për vitin 2025./Monitor


Send this to a friend