Tashmë jemi duke pritur mysafirët për festimin madhështor që ndodh në Dardhën turistike në Korçë (1624-2024), – rrëfen kryetari i shoqërisë Dardhare “Shpresa”, Niko Balli. Më 16 gusht Ditën e festës së Shën Marisë do të jenë të gjithë këtu. Mysafirët vijnë nga shumë vende të botës, edhe emigrantët tanë, kudo që të ndodhen, do t’i kemi të pranishëm. Festa, si gjithnjë, do të duket sikur s’ka funnd. Historia e Dardhës ëshë një libër i madh, shpalosja e tij duket sikur nuk ka fund. Pjesë të historisë së saj mahnitin gjithëkënd. Shumëkush mëson gjëra të reja që deri më sot nuk i kishte ditur. Dardha mbetet për Korçën fshat mikpritës me histori të madhe, e prirur për arsim dhe dije. Gjithçka që sheh aty të magjeps mbetet e paharrueshme, brezat e rinj dëshirojnë të mësojnë mbi vlerat e banorëve të Dardhës, vendlindjes së tyre; 16 gushti shndërrohet në madhështi, festë e gëzim.
Dardha e adhuruara e të gjithëve
16 gushti është dita e themelimit të fshatit turistik të Dardhës, tashmë s’ka mbetur edhe shumë kohë, vendas dhe të huaj nga shumë vende të botës do të mbërrijnë në fshatin më të bukur turistik të kësaj zone dhe më gjerë sepse dardha vijon të mbetet e adhuruara e të gjithëve. Deri më sot është bërë shumë për këtë fshat të bukur me njerëz të mençur dhe punëtorë, të cilët që nga zanafilla e deri më sot kanë mbetur dhe do të vijojnë të mbeten mikëpritës, patriotë dhe njerëz të dashur. Dera e shtëpisë së dardharëve është e hapur në çdo kohë. Ajo u themelua më 16 gusht 1624, ndodhet vetëm 20 km në juglindje të Korçës, në lartësinë 1,344 metra mbi nivelin e detit, mes kodrave të Shën Pjetrit, Shkëmbit të Vjeshtës dhe kodrave të tjera që të mahnisin. Klima është ideale, ajri i pastër, i pasur me oksigjen, bukuria madhështore mahnit këdo. Gjatë dimrit mund të ushtrohesh në sportin e skive, ndërsa në verë mund të soditësh bukuri përrallore. Mikpritja e dardharëve është dinjitoze. Nuk gjen autoritet lokal, apo ministwr qw tw mos interesohet pwr Dardhwn. i tillw wshtw zwvwndwsministri Niko Pleshi
Dardha, gjithnjë mikpritëse
Festa e Dardhës është e madhe, e bukur, e pafund, mahnit gjithkënd, befas të zbulon gjëra të reja. është gjithnjë mikpritëse, ka histori të madhe priret drejt arsimit, kulturës dhe dijes. Kryetarit të shoqatës dardhare “Shpresa”, e kryesuar nga Niko Balli nuk i ka munguar kurrë ndihma e Bashkisë Korçë, dhe kjo bëhet e mundur fal ndihmës së ofuar nga zëvëndëskryeministri Niko Peleshi; (banor I qytetit të Korçës), nga kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo nga personalitete të Këshillit të Qarkut, të Prefekturës dhe të institucioneve të tjera Dardha shfaqet magjiplotë në çdo kohë, në dimër e në verë pranvera e mbulon me blerim, vjeshta me ngjyra të larmishme, puhizat me freski, ylberi me bukuri, dielli me shkëlqim, aq sa i ngjason një margaritari, njihet dhe çmohet nga gjithë banorët e Shqipërisë të cilët vijnë nga të gjitha anët e vendit, nga zona ë afërta dhe të largëta. Tashmë Dardha mbush 400 vjet jetë, ajo u themelua prej të ikurve, prej njerëzve që përndiqeshin nga qeveria osmane sepse nuk donin të ndryshonin fenë.
Dardha me shkollë që nga viti 1768
Në vitin 1768 në Dardhë u çel shkolla e parë, në vitin 1800 nisi të përmendej për përpunimin e drurit, shajakut dhe kostumeve të bukura, spikati përgjatë viteve 1913-1916; në këtë kohë Dardha kishte mbërritur në 500 shtëpi, kishte 3 kisha: të Shën Thanasit, të Shën Gjergjit dhe të Shën Pjetrit. Në ditëfestat e Shën Marisë dhe Shën Pjetrit në Dardhë vijnë mysafirë nga ana e anës; Shën Maria festohet më 16 gusht, e Shën Pjetri në kishën e Shën Pjetrit, e cila ngrihet mbi një shkëmb, mes një pylli të bukur, ku ndizet vallja tradicionale. Dardharët me kostumet e tyre tradicionale kuq e zi dhe brez argjendi i japin hijeshi festës, e bëjnë atë të jetë e paharrueshme. Ushqimet dhe gatesat janë të shumëllojshme, nuk mungojnë turshitë, rakia e kumbullës së egër me shije të veçantë e zjerë dy herë.
Dardha vizitohej edhe nga princesha Mazhide Zogu
Gjatë vizitës së saj në Dardhë, ndër të tjera, princesha Maxhide Zogu tha: “Ju çfaq kënaqsinë t’Eme për inisjativën e Shoqërisë “Shpresa”, e cila po fillon me anë botimesh t’ilustroj bukuritë e katundit Dardhë. Kjo inisjativë duhet të jetë shëmbull, sidomos për Bashkitë e ndryshme të Mbretnisë, të cilat vetëm duke krijuar një lëvizje turistike të mbrendshme mund të pasurohen dhe mund të zhvillojnë industritë e ndryshme, të cilat influencojnë ardhjen e të huejve në vendin t’onë. Dardha për virtytet e saja klimaterike, për bukuritë që natyra i ka dhuruar me bujari të plotë, për kostumet e saja sugjestive, meriton të bëhet një qendër verimi me randësi. Jam e sigurtë se inisjativa e juej do të kurorëzohet prej suksesit të dëshiruem dhe një sasi e madhe të shqiptarëve, të cilët shkojnë për të veruar ne vendet e hueja, do të mësojnë se në Atdheun t’onë gjinden vise shumë ma të bukura”. Në deklarimin e princeshës Mazhide bie në sy shprehja: “Kjo inisjativë duhet të jetë shëmbull, sidomos për Bashkitë e ndryshme të Mbretnisë”, sepse Dardha ishte një shembull i shkëlqyer.
Dardhës i këndoi Lasgush Poradeci dhe Asdreni
Për Dardhën shkruajtën me përkushtim Lasgush Poradeci dhe Asdreni; shkruajtën edhe për klimën, natyrën, bukurinë, vlerat turistike dhe curative. Tashmë në Dardhë funksionojnë dy hotele me restorantet ku gatuhen gjellë karakteristike, ndërsa pritet edhe ndërtimi i një hoteli të tretë modern, mjaft i pëlqyer mbetet edhe hoteli i Pandi Batellit, shumëkush e shijon si hotel të parë. Dardharët ishin të prirur për dije. Në vitin 1888, ishte fshati më i madh i krahinës së Korçës me 1454 banorë; numri i shtëpive të fshatit mbërriti në 400. Drejt Dardhës mësynë edhe banorë të Sulit, (nga krahina e famshme e Marko Boçarit), nga Voskopoja e djegur, nga Bozdoveci e Linotopi, nga Lerishta, Qinami etj. Më pas mësynë edhe njerëz të tjerë me synimin për të qenë të lire
Veshja e grave dardhare, unikale
Gratë dardhare çdo të kremte mbanin xibunin, veshjen tradicionale të fshatit (edhe në pajë merrnin një të tillë), kurse ditën e martesës visheshin me fustan të bardhë, gjithashtu kishin edhe rrobat që ua sillnin nga mërgimi, por xibuni ishte veshja e preferuar e tyre. . . Xibuni qepej në Dardhë, përdorej nga pak edhe në fshatrat Sinicë dhe Qytezë. Sipas Sotir Laços dhe Sotir Panit koleksionistë të vjetër, xibuni kishte nisur të preferohej që para shekullit XIX. Ishte veshja e mirënjohur e vendit. Vallja dardhare nuk mund të kërcehej prej grave pa u veshur me xibun, kurse burrat parapëlqejnë veshjen evropiane. Gratë dardhare me xibun u fotografuan nga Thimi Raci me një kujdes të veçantë artistik. Për herë të parë në vitin 1931, fotografuan 10 çifte. Ata që u fotografuan nga Amerika, të cilët ishin fotografuar edhe në studio prestigjioze. Për realizimin e fotografimit ishte bërë prerja (caktimi) i ditës, përzgjedhja e vendit caktimi i orës, por caktimi i veshjeve ishte më i vështiri sepse “ata të Amerikës”, parapëlqejnë kostumet evropiane, kurse fshati i tyre kishte veshjen e tij karakteristike për meshkujt, që quhej “mandio”. edhe vallet kërceheshin nga valltaret e veshura me xibun, veshjet tradicionale të fshatit, ndonjë ditën e martesës e ndërronin me fustanin e bardhë.
Eva Millona, bijë e Dardhës
Dardharja, Eva Millona, gruaja e parë shqiptare në administratën amerikane
Që nga dita e përhapjes së këtij lajmi, mbërritjen e Eva Millonait – vijon rrëfimin e vet, Niko Balli, – kryetar i shoqatës së mirënjohur dardhare “Shpresa” nuk po mbetet banor i Dardhës pa i dërguar, Eva Millonait urimet më të mira dhe përshëndetjet më të ngrohta. Tashmë ata dinë gjithçka për këtë dardhare të shquar. Kontributi i Eva Millonait mbetet i mirënjohur edhe në Komisionin Amerikan për të Drejtat Civile, Këshillin Këshillmor të Guvernatorit të Masaçusetit për Refugjatët dhe Emigrantët, Këshillin e Prokurorit të Përgjithshëm për Amerikanët e Ri dhe Bordin Këshilldhënës për Zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Bostonit për Avancimin e Imigrantëve. Shumëkush prej dardharëve, kujton çmimet e shumta të bijës së tyre për avokatinë dhe udhëheqjen e saj, përfshirë çmimin prestigjioz 2009 Outstanding American by Choice nga Shërbimet e Shtetësisë dhe imigracionit të SH.B.A., dhe Çmimin e Drejtësisë Sociale të Bankës Wainëright 2010
Dardha me 100 burime, shtëpitë me lule
Shtëpitë e Dardhës janë karakteristike, të bukura, mbuluar me plloça guri të hirta, portat me motive artistike, oborret me lule, rrugët me kalldrem; nuk mungojnë hotelet bashkëkohore, as muzeu ku shpaloset historia e këtij fshati të dëgjuar në mbarë vendin, dhe as shtëpitë e reja e të bukura me kushte të mira të cilat tërheqin vizitorë të shumtë, nuk mungojnë as restorantet; ekziston edhe shtëpia e dikurshme e pushimit, tashmë si hotel dhe restorant. Në Dardhë gjen edhe dy komplekse të mëdha turistike moderne me kapacitete të mjaftueshme akomoduese; njeri prej tyre ndodhet në hyrje të luginës ose në hyrje të fshatit; tjetri në qendër të Dardhës. Por hoteli që tërheq vëmendje është “Hotel Alpin Dardha”, ndërtuar sipas strukturës alpine. Dikur në këtë fshat numëroheshin 100 burime, banorët i kishin shndërruar në çezma që udhëtarët e lodhur nga rruga të gjenin freski, të shuanin etjen dhe të çlodheshin pranë tyre; banorët e Dardhës si shpërblim merrnin bekimin prej tyre.
Turistët vijnë në Dardhë edhe dy herë në vit
Nëse mbërrin në Dardhë mund të akomodohesh në shtëpinë që ty të pëlqen më shumë, sepse të gjitha janë të bukura, me kushte komode dhe mundësi përzgjedhjeje. Gatimet janë të shumëllojshme, si: kërnackat, oshmaret, mishi i pjekur, produktet e zgarës etj, kurse gjatë stinës së dimrit të apasionuarit pas skive mund të përmbushin kënaqësitë e tyre sportive. Skipista e Dardhës është 1.5 km e gjatë, 70 m e gjerë dhe funksionim të plotë. Vijon të mbetet një ndër aspektet më tërheqëse të Dardhës. Për të gjitha këto ka vizitore që vijnë në Dardhë edhe dy herë në vit, sepse Dardha është e bukur në çdo stinë. Ay mund të përjetosh shushurimën e pyllit, këngën e zogjve, freskinë e pranverës, ansamblin e luleve, ngjyrat ekzaltuese të Gurit të Vjeshtës, geshtenjat e pjekura etj, etj.
Respekti për të vdekurit, siguri për të gjallët
Një histori tjetër e veçantë për fshatin Dardhë vjen prej vitit 1913 nga koloneli Lodeëijk Thomson (1869-1914), i cili bashkë me një oficer tjetër të lartë, të përzgjedhur nga Mbretëria e Hollandës për një mision 3-vjeçar në Shqipëri, zbritën në Vlorë më 10 nëntor 1913, dhe ditë më pas, ndërsa ishin duke kaluar përmes fshatit Dardhë bashkë me 17 ushtarë për të përcaktuar kufijtë e shtetit të atëhershëm shqiptar, ndaluan tek “Çezma e Vishnjës”. Në këtë çast i pari i tyre nisi t’i vështronte i habitur varrezat e fshatit; ato kishin një rregullsi dhe bukuri mbresëlënëse në sistemin e tyre; një prej vartësve të tij iu afrua dhe i tha: “Zotëri, po afron mbrëmja dhe rrugët janë jo të sigurta, duhet të arrijmë Korçën, dhe na duhen 3 orë”. Koloneli Thomson e pa vartësin e tij dhe i bëri shenjë drejt varrezave: “Këta njerëz që respektojnë kaq shumë të vdekurit e tyre, do të dinë të na respektojnë dhe ne të gjallëve. Sonte do të kalojmë natën këtu”. Varrezat e hershme të fshatit ndodheshin pranë kishës së Shën Gjergjit që nga viti 1624. Transferimi i tyre në një vend tjetër ndodhi në vitin 1938, por te vorreza e parë mbetën shumë prej eshtrave të të parëve të dardharëve. Shkëlqimi i Dardhës u zbulua gjatë viteve ’30. Jeta e gruas dardhare ishte e gjallë, ajo ishte zonjë në kuptimin e vërtetë të fjalës, diskriminimi i saj ishte i papranueshëm.