VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ngrihen zyrtarisht akuza për korrupsion kundër kryeministrit Netanyahu

By | November 21, 2019

Komentet

Aeroplani i kompanisë Air India ndahet në dysh

Një aeroplan i kompanisë, India Express, me 191 persona në bord, është rrëzuar në një aeroport në shtetin jugor, Kerala, kanë thënë zyrtarët.

Aeroplani, që ishte në rrugë nga Dubai, është rrëzuar jashtë pistës dhe është ndarë në dysh në aeroportin Calicut, ka thënë Autoriteti i Aviacionit në Indi.

Operacionet e shpëtimit janë në rrugë e sipër, derisa atje kanë arritur shërbimet e emergjencës.

Sipas BBC-së, të paktën dy persona, përfshirë pilotin, kanë vdekur si pasojë e aksidentit.

Një zëdhënës i linjës ajrore indiane ka thënë se shumë persona janë plagosur.

Në aeroplan është thënë të kenë qenë 184 pasagjerë, duke përfshirë 10 fëmijë dhe gjashtë anëtarë të bordit.

Ky incident ka ndodhur në kohën e reshjeve të mëdha të shiut në këtë rajon.

Kohën e fundit është raportuar për vërshimeve të mëdha dhe rrëshqitje të tokës, ndërkohë që sezona e shirave të rrëmbyeshëm në këtë vend po arrin pikun.

Në maj të vitit 2010, 158 persona kanë vdekur kur një aeroplan i kompanisë, Air India Express, ka tejkaluar pistën e aeroportit Mangalore dhe është rrëzuar.

Presidenti i Libanit: Shkaqet e shpërthimit masiv ende nën hetim

Anchal Vohra

Presidenti i Libanit tha të premten se një hetim mbi shpërthimin e së martës, më i madhi në historinë e Bejrutit, do të përcaktojë nëse ai ishte shkaktuar nga një bombë apo ndonjë ndërhyrje tjetër e jashtme.

Kërkimet për të zhdukurit janë intensifikuar, ndërkohë që ekipet e shpëtimit vazhdojnë gërmojnë nën rrënoja, me shpresën për të gjetur të mbijetuar pas shpërthimit që la pas 154 të vdekur dhe shkatërroi një pjesë të madhe të qytetit.

Shkaku nuk është përcaktuar ende. Ekziston një mundësi e ndërhyrjes së jashtme me ndonjë raketë apo bombë ose ndonjë akt tjetër”, tha Presidenti Michel Aoun në komentet e së premtes.

Sipas tij po shqyrtohet edhe mundësia që shpërthimi të ketë ndodhur nga pakujdesia apo si pasojë e ndonjë aksidenti.

Përpjekjet për rimëkëmbje pas shpërthimit masiv

Çernobili i Libanit, kështu po përshkruhet nga disa njërëz shpërthimi masiv që tronditi Bejrutin. Treqind mijë njerëz humbën shtëpitë e tyre dhe një numër spitalesh gjithashtu u goditën rëndë. Një nga shenjat e mbështetjes ndërkombëtare ishte një vizitë nga Presidenti Francez Emmanual Macron, i cili i shkoi nga afër lagjet më të dëmtuara të kryeqytetit libanez.

Bejruti, dikur i njohur si Parisi i lindjes, përsëri duket si një zonë lufte, i shkatërruar nga një shpërthim që është përshkruar si gati-bërthamor për nga intensiteti i tij.

Të rinjtë kanë filluar të pastrojnë rrugët nga copëzat e xhamave të thyera të dritareve, për të lehtësuar udhëtimin e njerezve drejt shtëpive të tyre dhe përpjekjet për të gjetur personat që akoma janë në listën e të zhdukurve. Dhjetra njerëz thuhet se janë akoma nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Deri tani, mbi 130 njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 5000 të tjerë janë plagosur.

“Ne tashmë kishim shumë probleme, ekonomia ishte në gjendje të rëndë, lira libaneze kishte rënë shumë ndaj dollarit, koronavirusi dhe tani këto shpërthime”, tha studentja Dalia.

Të plagosurit u dërguan me shpejtësi në spitale, por edhe ato u dëmtuan rëndë. Spitali universitar i Shën Xhorxhit, një nga spitalet më të mëdha të qytetit, evakuoi qindra pacientë. Disa nuk mund të shpëtoheshin. Disa vdiqën, përfshirë një numër infermierësh.

Spitali tashmë është duke apeluar për ndihmë për rindërtim dhe rifillim të punës.

“Ne kemi nevojë për gjithçka. Ne kemi dhënë detaje se si mund të na gjeni në internet. Çdokush mund të ndihmojë”, tha George Saad, Menaxher i Spitalit të Shën Xhorxhit.

Ndërsa shenjat tregojnë për një shpërthim të shkaktuar nga një sasi e madhe e nitrat amonit të ruajtur në mënyrë të papërshtatshme në një depo, pavarësisht paralajmërimeve kundër këtij veprimi, aktivistët po bëjnë thirrje për një hetim të pavarur.

Pas muajve të demonstratave antiqeveritare, mosbesimi ndaj udhëheqjes së vendit vazhdon të jetë i pranishëm. Presidenti i Francës të enjten u prit nga thirrje të kritikëve kundër politikanëve të Libanit.

Presidenti francez Emmanuel Macron ofroi ndihmë dhe i bëri thirrje elitës qeverisëse të Libanit që menjëherë të fillojë zbatimin e reformave të mirëfillta.

“Unë dua të jem në gjendje t’ju dëgjoj, kuptoj dhe të ndihmojë në organizimin e ndihmës dhe mbështetjes ndërkombëtare për Bejrutin dhe popullin e Libanit.”

Nga sulmet izraelite deri tek trupat tokësore siriane dhe lufta civile e viteve 1980, libanezët kanë përjetuar katastrofa më shumë se një herë.

Por asnjë përvojë nuk mund të kishte përgatitur njerëzit për këtë.

Përsëri, banorët e këtij qyteti po përpiqen të rimëkëmben. zëri i amerikës

Libani i shkatërruar, dikur krahasohej me Zvicrën

Qytetarët e Bejrutit kanë shprehur pakënaqësi me zyrtarët libanezë, të cilët e pranuan se shpërthimi i fuqishëm, që ndodhi më 4 gusht, ka qenë i parashikueshëm dhe që zyrtarët e portit ishin paralajmëruar në disa raste se duhet të ruajnë në mënyrë të sigurtë ngarkesën me kimikatin: nitrat të amonit, që gjendej aty.

Nga shpërthimi kanë humbur jetën së paku 135 njerëz, janë plagosur mbi 4 mijë të tjerë dhe rreth 300.000 kanë mbetur të pastrehë.

Kërkimi i të zhdukurve që kanë mbetur nën rrënoja, ende po vazhdon. Ndërkohë autoritetet po përpiqen të normalizojnë jetën, edhe përmes ndihmave të premtuara nga vendet të ndryshme në botë.

Tragjedia që ndodhi në Bejrut, është e fundit në listën e gjatë të problemeve që ka Libani, pasi kriza politike dhe ekonomike e ka tronditur vendin për vite me rradhë.

Drejtori i Portit: E dinim për rrezikun, por jo si të tillë

Pasi u njoftuan detaje të hetimit, organet e drejtësisë urdhëruan arrest shtëpiak për zyrtarët e portit, të cilët kishin njohuri se materiali i rrezikshëm ishte ruajtur për gjashtë vjet, pa masat e duhura të sigurisë.

Presidenti i Libanit, Michel Aoun tha se arsyeja e shpërthimit ishin 2,750 tonë nitrat amoni, të ruajtura në mënyrë jo adekuate në depo.

Nitrati i amonit u shkarkua në port, më 2013 pasi mbërriti atje nga një anije ruse që kishte probleme teknike.

Kreu i portit të Bejrutit dhe shefi i administratës doganore iu tha mediave se ata disa herë u kanë shkruar organeve të drejtësisë, duke kërkuar që kimikatet të eksportohen, ose shiten, sepse porti nuk është i sigurt me një ngarkesë të tillë.

Drejtori i Përgjithshëm i Portit, Hassan Korajtem, tha se ata ishin të vetëdijshëm se materiali ishte i rrezikshëm “por jo në atë masë”.

Këshilli i Lartë i Mbrojtjes i Libanit insiston të shqiptohen “dënime maksimale” për ata që janë përgjegjës.

Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International dhe Human Rights Watch (HRW) po kërkojnë që të zhvillohet një hetim i pavarur.

HRW tha se ekzistojnë “shqetësime serioze për aftësinë e gjyqësorit libanez për të kryer një hetim të besueshëm dhe transparent”.

Administrata libaneze shpalli një gjendje të jashtëzakonshme dy-javore në Bejrut, duke ia dorëzuar ushtrisë, kontrollin e sigurisë në kryeqytet.

Numri i vdekjeve ende nuk është përfundimtar.

“Sigurisht ka më shumë (viktima) nën rrënoja dhe ne po pranojmë dhjetëra informacione për njerëz të zhdukur”, tha ministri i Shëndetësisë Hamad Hassan.

Gati 300,000 njerëz mbetën të pastrehë, pasi shtëpitë e tyre ishin të dëmtuara nga shpërthimi.

Deri në tre miliardë dollarë vlerësohet të jetë shkaktuar dëmi në Bejrut dhe në një zonë më të gjerë.

Mungesë e pajisjeve mjekësore, ushqimit dhe strehimit

Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hasani tha se në spitale nuk ka shtretër të mjaftueshëm dhe pajisje mjekësore. Guvernatori i Bejrutit, Marwan Abud, i tha BBC-së se vendi kishte nevojë për ushqim dhe shumë gjëra tjera.

“Bejrutit i duhen rroba, shtëpi, materiale për të rindërtuar shtëpitë. Bejrutit i duhen hapësirë për refugjatët, për banorët e tij”, shtoi Abud.

Shumë organizata ndërkombëtare, dhe vende, kanë ofruar ndihmë humanitare.

Tre aeroplanë francezë me 55 anëtarë të ekipeve të shpëtimit, pajisje mjekësore dhe një spital të lëvizshëm ku mund të mjekohen 550 pacientë, kanë arritur në Bejrut.

Presidenti Francez, Emanuel Macron, ishte udhëheqësi i parë botëror që arriti në Liban.

Libani ka qenë koloni franceze.

BE-ja, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Katari, Tunizia, Turqia, Irani, dhe shumë vende të tjera gjithashtu po dërgojnë ndihma.

Shtyhet aktvendimi për vdekjen e ish-kryeministrit Hariri

Shpërthimi ndodhi afër vendit, ku më 2005, nga një makinë bombë u vra kryeministri i atëhershëm i Libanit. Rafik Hariri. Gjykata e përkrahur nga Kombet e Bashkuara, kishte planifikuar të publikonte ditën e premte vendimin për katër persona që akuzohen për vdekjen e Haririt. Por, Tribunali Special për Libanin ka njoftuar se ka shtyrë për 18 gusht vendimin.

Më 2005, shumë besuan se Siria ishte prapa këtij atentati, sepse Hariri, si një politikan suni, kërkoi tërheqjen e forcave siriane, të stacionuara në Liban që nga viti 1976.

Pas vrasjes, pati protesta masive, rënie të qeverisë libaneze pro-siriane dhe Damasku vendosi që pas gati 30 vjetësh të largojë trupat.

Pakënaqësia e qytetarëve ka ekzistuar edhe para shpërthimit

Qytetarët e Libanit akuzojnë autoritetet për korrupsion, neglizhencë dhe keqmenaxhim jo vetëm për shkak të kësaj tragjedie, por edhe krizës që ka tronditur Libanin për shumë vite.

Kjo është arsyeja pse pati një zënkë në qendër të Bejrutit, midis një grupi demonstruesish dhe truprojave të ish-kryeministrit Saad Hariri, i cili, siç shkruan “Guardian”, ilustron zemërimin që ndiejnë qytetarët ndaj politikanëve.

Shpërthimi ndodhi në një moment shumë të ndjeshëm në Liban. Numri i personave të sëmurë me COVID-19 po rritet, kështu që spitalet ishin të mbingarkuara edhe para kësaj tragjedie. Në të njëjtën kohë, vendi po kalon krizën më të keqe ekonomike që nga lufta civile 15-vjeçare që përfundoi në 1990.

Në periudhën e fundit ka pasur protesta masive të qytetarëve kundër korrupsionit dhe varfërisë. Në qytetet e Libanit, ka mungesë të shpeshtë të energjisë elektrike gjatë ditës, ujit të pijshëm, ndërsa shërbimet shëndetësore publike janë të kufizuara.

Pjesën më të madhe të produkteve ushqimore, Libani i importon, kështu që shumë njerëz janë të shqetësuar se do të ketë mungesë të ushqimit pasi një sasi e madhe grurit ishte ruajtur në port, i cili u shkatërrua gjatë shpërthimit.

Depoja kryesore, e cila mund të mbajë 85% të drithërave të vendit, është shkatërruar. Është i pasigurtë fati i portit të shkatërruar, i cili është shumë i rëndësishëm për ekonominë.

Përkatësisht, Libani importon 80 për qind të mallrave që konsumon. Nga kjo, 60 për qind zakonisht kanë kaluar nëpër portin e Bejrutit.

Presidenti, Michelle Aun, njoftoi se Qeveria do të ndihmojë drejtpërdrejt me 66 milionë dollarë, por vlerësohet se pasojat ekonomike të kësaj tragjedie do të jenë afatgjata.

Borgji Publik, i treti më i larti në botë

Borxhi publik i Libanit në raport me prodhimin e brendshëm bruto është i treti më i madh në botë. Papunësia është 25 për qind, dhe gati një e treta e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë. Qytetarët akuzojnë elitën qeverisëse, e cila ka mbizotëruar prej vitesh, për grumbullimin e pasurisë së madhe për veten e tyre, pa bërë ndryshimet e nevojshme për të zgjidhur problemet.

Sipas The Washington Post, miliarderët libanezë zotërojnë 20 për qind të të ardhurave të vendit, që është dy herë më shumë sesa në Shtetet e Bashkuara.

Tarifa ndaj WhatsApp, nxiti protestat

Në fillim të tetorit të vitit 2019, për shkak të mungesës së valutave të huaja, monedha libaneze filloi të humbiste vlerën. Importuesit e grurit dhe karburantit kërkuan të paguheshin në dollarë, që do të thoshte një rritje të çmimeve të këtyre produkteve. Në këtë situatë sindikatat bënë thirrje për grevë.

Ndërkohë zjarret kapluan malet në perëndim të vendit, duke shpërfaqur mungesën e investimeve në shërbimin e zjarrëfikësve. Në mes të tetorit, qeveria propozoi tarifa të reja për duhanin, karburantin, dhe madje edhe aplikacionin WhatsApp. Sidoqoftë, vendimi për këto masa u tërhoq, për shkak të protestave të qytetarëve.

Këto protesta mblodhën qytetarët pavarësisht vijave tradicionale ndarëse sektare, për herë të parë që nga lufta civile. Kryeministri i sapoemëruar, Hassan Diab tha se për herë të parë në histori, Libani do të pezullojë shlyerjen e borxheve të huaja, sepse rezervat e këmbimit valutor kanë arritur një nivel “kritik dhe të rrezikshëm, kështu që paratë duhet të kursehen për të paguar mallrat e nevojshme të importuara”, shkruan BBC.

Pandemia nxori në pah sistemin e dobët

Më paraqitjen e pandemisë së koronavirusit, demonstratat u pezulluan. Pandemia e përkeqësoi situatën ekonomike dhe tregoi ndjeshmërinë e sistemit shëndetësor. Shumë qytetarë humbën vendet e tyre të punës.

Pastaj, u zgjerua hendeku midis kursit zyrtar të këmbimit dhe vlerës së tij në tregun e zi dhe bankat shtrënguan kontrollin mbi kapitalin e tyre.

Për pasojë, filluan rritjet e çmimeve, duke e bërë më të vështirë për shumë familje edhe blerjen e gjërave themelore. Kriza e ekonomike çoi në protesta të reja.

Qeveria, ndërkohë, ka miratuar një plan të rimëkëmbjes dhe pret të marrë 10 miliardë dollarë ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në momentin kur kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë filluan të lehtësohen në muajin maj, çmimet e disa produkteve ushqimore u rritën pothuajse dyfish. Kryeministri paralajmëroi për rrezikun e thellimit të krizës.

“Shumë libanezë tashmë kanë ndaluar blerjen e mishit, frutave dhe perimeve, dhe së shpejti mund të jetë e vështirë të sigurojnë edhe bukën”, shkroi Diab në Washington Post.

Ndarjet mes sekteve dhe ato politike

Ndarjet sektare konsiderohet si një arsye kryesore pse Libani nuk mund të dalë nga kriza. Vendi ka zyrtarisht 18 bashkësi fetare – katër myslimane, 12 të krishtera, druze dhe hebreje.

Sipas marrëveshjes së vitit 1943, kur Libani fitoi pavarësinë, tre funksione kryesore – kreu i shtetit, presidenti i parlamentit dhe kryeministri – u ndanë midis tre bashkësive më të mëdha: të krishterët , myslimanët shiitë dhe sunitë.

Të krishterët përbëjnë 41 për qind të popullsisë dhe myslimanët 54 për qind.
Ekzistojnë gjithashtu 128 vende në parlament për të krishterët dhe muslimanët, përfshirë pakicën druze. Kjo strukturë komplekse shpesh çon në bllokada politike dhe lejon ndërhyrjen e aktorëve të huaj, siç është Irani, i cili mbështet Hezbollahun shiit, i cili konsiderohet grupi më i fortë ushtarak dhe politik në Liban.

Korrupsioni në shkallë të gjerë

Që nga përfundimi i luftës civile, të gjithë liderët politikë janë përpjekur të ruajnë pushtetin përmes grupeve të interesit në përpjekje për të ruajtur interesat e komunitetit që ata përfaqësojnë, ndërsa në këmbim kanë ofruar stimuj financiarë. Kjo është arsyeja pse në raportin e Transparency International për vitin 2019, Libani u rendit në vendin e 137 nga 180 vendet.

Sipas Washington Post, në 30 vitet e fundit, Libani është përpjekur me çdo kusht të ruajë një sistem ekonomik absurd, i cili më së miri mund të përshkruhet si një “përzierje toksike” e sektarizmit, territorializmit dhe kapitalizmit të tregut.

“Prandaj, sektori i tij i madh i madh publik po përdoret si një mekanizëm për të blerë besnikëri dhe vota politike, pa investime të konsiderueshme në shëndetin publik, arsim dhe programe të tjera të nevojshme”, shkruan gazeta.

Shkëlqimi i zbehtë i ‘ish-Parisit të Lindjes së Mesme’

Libani ka qenë mëse 400 vite nën sundimin e Perandorisë Osmane. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Libani ishte nën sundimin francez dhe pavarësinë e fitoi më 1943.

Vendi ishte mjaft i përparuar, me një ekonomi shumë të zhvilluar, përfshirë turizmin, sistemin bankar, tregtinë dhe bujqësinë.

Për shkak të fuqisë së tij financiar dhe stabilitetit gjatë viteve 1950 dhe 1960, Libani u quajt “Zvicra në Lindje” dhe Bejruti “Paris i Lindjes së Mesme”.

Sidoqoftë, në 45 vitet e fundit, vendi është zhytur nga kriza në krizë.

Libani u bë sinonim i shkatërrimit dhe kaosit për shkak të luftës civile në vitet 1980. Megjithatë, kryeqyteti Bejrut u ringjall gjatë viteve të 90-ta, duke rifituar, sipas The New York Times, reputacionin e tij si një vend tërheqës për të pasurit dhe një strehë për intrigat politike të Lindjes së Mesme.

Edhe pse shumë ndërtesa kanë mbetur me vrima plumbash nga lufta, nuk ka furnizim të rregullt me energji, dhe ndarjet politike nuk janë tejkaluar, Libani për tre dekada ka arritur të tërheqë investime nga rajoni dhe të marrë miliona dollarë nga diaspora.

“Kjo garë duket se ka përfunduar në vitin 2020, kur u dëshmua se vendi ishte i ngarkuar me kredi që nuk mund të shlyente. Neglizhenca dhe burokracia – që u kushtoi me jetë shumë libanezëve – kontribuan në një nga fatkeqësitë më të këqija në historinë moderne të vendit”, shkruan New York Times.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

OBSH: Avioni me 20 tonë furnizime shëndetësore zbarkon në Bejrut

Një aeroplan që transportonte 20 tonë furnizime shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka zbarkuar në Bejrut për të mbështetur trajtimin e pacientëve të plagosur nga shpërthimi masiv që tronditi kryeqytetin libanez, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Pajisjet do të mbulojnë 1 mijë ndërhyrje të traumës dhe 1 mijë ndërhyrje kirurgjikale për njerëz që vuajnë nga lëndime dhe djegie si pasojë e shpërthimit”, tha OBSH.

Në përgjigje të urgjencës shëndetësore, qendra logjistike e OBSH-së në Dubai organizoi dhe përcolli dërgesën.

“Po punojmë nga afër me autoritetit kombëtare të shëndetësisë, partnerët shëndetësorë dhe spitalet që trajtojnë të plagosurit për të identifikuar nevojat shtesë dhe për të siguruar mbështetje të menjëhershme”, citohet të ketë theksuar Dr. Iman Shankiti, përfaqësuesi i OBSH-së në Liban.

Për shkak të shpërthimit, OBSH tha se tre spitale në Bejrut aktualisht janë jo funksionale, ndërsa dy janë dëmtuar pjesërisht. Sipas OBSH-së, kjo vendos një “hendek kritik” në kapacitetin e shtretërve spitalor.

Pacientët e lënduar po transferohen në spitale në mbarë vendin nga qyteti jugor Saida deri në atë verior Tripoli.

OBSH njoftoi se furnizimet do t’i shpërndajë në spitalet prioritare të Libanit që pranojnë dhe trajtojnë pacientë të plagosur.

“Kjo urgjencë e fundit vjen në kontekstin e trazirave civile, në një krizë të madhe ekonomike, në shpërthimin e virusit COVID-19 dhe në barrën e madhe të refugjatëve”, tha OBSH, duke përmendur “rezistencën legjendare të popullit libanez”.

Të martën, Bejruti dhe rrethina e saj u tronditën nga një shpërthim masiv, që la të vdekur të paktën 135 persona dhe rreth 5 mijë të tjerë të plagosur.

Kryeministri Hassan Diab të mërkurën e shpalli “ditë zie kombëtare”.

Shpërthimi tronditi Libanin përderisa vendi po përjeton krizën e saj më të keqe ekonomike, së bashku me rënien dramatike të vlerës së paundit libanez ndaj dollarit amerikan.

COVID-19, numri i rasteve në mbarë botën tejkalon 19 milionë

Numri i të prekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 19 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë, deri tani në mbarë botën janë regjistruar gjithsej 19.614.000 raste të koronavirusit.

Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në SHBA, me gjithsej 4.973.741 raste deri tani.

Pas SHBA-së renditen Brazili (2.862.761), India (1.967.700), Rusia (871.894), Afrika e Jugut (529.877), Meksika (456.100), Peru (447.624), Kili (364.723), Spanja (352.847), Kolumbia (345.714), Irani (317.483), Britania (307.184), Arabia Saudite (282.824), Pakistani (281.863), Bangladeshi (249.863) dhe Italia (248.803).

Ndërkaq, në Turqi, numri i të diagnostikuarve me COVID-19 ka arritur në 236.112.

Vendet e tjera me mbi 100 mijë të infektuar janë Argjentina (220.682), Gjermania (214.104), Franca (194.029), Iraku (137.556), Filipinet (119.460), Indonezia (118.753), Kanada (118.187) dhe Katari (111.805).

Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa deri tani jetën e kanë humbur 711.622 persona. Ndërkaq, 12.188.295 milionë njerëz janë shëruar nga virusi, ndërsa ende vazhdojnë trajtimin 6.100.493 raste aktive.

Japonia përkujton 75-vjetorin e bombardimit të Hiroshimas

Pamje nga Parku i Paqes në Hiroshima.

Të enjten në Hiroshima janë dëgjuar këmbanat teksa ky vend ka shënuar 75-vjetorin e bombardimit të parë atomik në botë, ndonëse ceremonitë janë organizuar për më pak njerëz për shkak të pandemisë me koronavirus.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe ka qenë pjesë e ceremonisë, mirëpo vizitorët e huaj kanë qenë të paktë.

Hyrja në Parkun e Paqes në këtë qytet është kufizuar dhe pothuajse vetëm të mbijetuarit dhe familjet e tyre kanë mundur të jenë pjesë e ceremonisë përkujtimore.

Kryetari i qytetit, Kazumi Matsui ka thënë se rëndësia e bombardimit që ka lënë të vdekur 140,000 persona, i ka shtyrë ata të mbajnë ceremoninë pavarësisht pandemisë.

“Më 6 gusht të vitit 1945, një bombë e vetme atomike ka shkatërruar qytetin tonë. Në mesin e thashethemeve që kanë qarkulluar atë kohë kanë qenë dhe ato se ‘asgjë nuk do të rritet këtu për 75 vjet’”, ka thënë Matsiu.

“Por prapë, Hiroshima është ringjalluar dhe është kthyer në symbol të paqes”.

Në orën 8:15 të 6 gushtit të vitit 1945, një aeroplan ushtarak amerikan ka hedhur në qytetin japonez bombën e ashtuquajtuar “Djaloshi i Vogël”, duke shkatërruar qytetin me një popullsi prej rreth 350,000 banorëve.

Mijëra persona kanë vdekur më vonë për shkak të plagëve dhe sëmundjeve të lidhura me rrezatim.

Bombardimi i Hiroshimas është përcjellur tri ditë më vonë nga hedhja e bombës në Nagasaki, duke lënë të vdekur 75,000 persona.

Japonia ishte dorëzuar gjashtë ditë më vonë, duke i dhënë kështu fund Luftës së Dytë Botërore.

Porti i Bejrutit, burimi kryesor i ekonomisë libaneze që u shkatërrua nga shpërthimi

Një ndër portet më të mëdha të Detit Mesdhe, Porti i Bejrutit në Liban që u shkatërrua si rezultat i një shpërthimi masiv, ishte burimi kryesor i ekonomisë libaneze, shkruan Anadolu Agency (AA).

Dje fillimisht shpërtheu një zjarr në depon numër 12 ku gjendeshin lëndë shpërthyese në Portin e Bejrutit, porti kryesor tregtar i Libanit.

Pas zjarrit, ndodhu një shpërthim masiv që tronditi gjithë Bejrutin dhe si rezultat i kësaj humbën jetën dhjetëra persona, ndërsa mijëra u plagosën.

Zyrtarët libanezë njoftuan se 2.750 tonë nitrat amoni që mbahej 6 vite në një depo ka shpërthyer përderisa po dërgohej në Afrikë. Pas shpërthimit Porti i Bejrutit, u shndërrua në një rrënojë të madhe.

Porti i Bejrutit gjendet në veri të kryeqytetit në bregun e Mesdheut. Porti i cili gjendet në rrëzë të Maleve Libaneze, ka një rol të rëndësishëm në ekonominë e Libanit një ndër portet më të mëdha dhe më të ngarkuar të Mesdheut Lindor.

Prej cilës datë shërben Porti i Bejrutit?

Porti i Bejrutit, që nga periudha e Perandorisë Romake e deri tani është një port tregtar rajonal dhe lidhje e rëndësishme ekonomike mes Lindjes dhe Perëndimit, në rajonin e Levantit që përfshinë Libanin dhe Sirinë.

Kjo rëndësi buron nga fakti se porti gjendet në një pikë strategjike që lidh Mesdheun me Lindjen e Mesme si dhe të pikës së kryqëzimit të kontinenteve të Azisë dhe Afrikës.

Porti u hap në periudhën osmane duke u zgjeruar në vitin 1894, ndërsa në vitin 1925 një kohë mbeti në duart e francezëve. Porti i Bejrutit në 1960 kaloi në duart e libanezëve.

Porti pësoi dëme të mëdha gjatë luftë së brendshme në Liban që filloi në vitin 1974, ndërsa që nga viti 1990 kur përfundoi lufta hyri në periudhën e ristrukturimit dhe zgjerimit.

Cila është infrastruktura e Portit dhe mundësitë që i posedon?

Porti i Bejrutit përfshin një tokë me sipërfaqe prej 1,2 milionë metra katrorë ku gjenden edhe terminale të pasagjerëve edhe të kargos.

Porti përbëhet nga 12 depo ndërsa në të gjendet edhe hambar gruri me kapacitet prej 120.000 tonë. Porti gjithashtu ka një kapacitet prej 1.200.000 konteiner në vit.

Sipërfaqja e përgjithshme e pellgut ujor të portit është 1 milion e 2 mijë metra katrorë, ndërsa gjatësia totale e dokut është 5.655 metra. Porti, për shkak të lokacionit strategjik dhe mundësive që posedon, përdoret nga kompanitë më të mëdha të transportit detar në botë si një qendër transferimi.

Nga kjo pikë gjithashtu me një përqindje të madhe bëjnë hyrje në vend produktet e importuara.

Cila është rëndësia strategjike e Portit të Bejrutit?

Porti i Bejrutit është një ndër portet më të rëndësishme të Mesdheut Lindor dhe pothuajse porta e Libanit që i hapet botës nëpërmjet rrugës detare.

Në raportin e Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD) në vitin 2018, Porti i Bejrutit me performancën e shfaqur u rendit i 38-ti në mesin e 171 porteve në mbarë botën.

Në nivel rajonal, porti në mesin e vendeve me porte në Lindjen e Mesme, sipas raportit të njëjtë është në vendin e 6-të. Raporti tërheq vëmendjen në rëndësinë e Portit të Bejrutit qoftë në nivel rajonal e qoftë atë ndërkombëtar.

Porti për shkak të pozicionit gjeostrategjik kryen lidhjen e Jordanisë Arabisë Saudite, Irakut dhe vendeve tjera të Gjirit me Mesdheun.

Çfarë kontributi ka Porti për ekonominë e Libanit?

Sipas uebfaqes “portdebeyrouth” ku publikohen të dhëna rreth portit, që nga viti 2005 të ardhurat që porti i ka sjellë vendit janë rritur gradualisht.

Sipas këtyre të dhënave të ardhurat totale të Portit të Bejrutit në vitin 2005 është 89 milionë dollarë, kurse në vitin 2017 kjo shifër rritet në 313 milionë dollarë.

Fitimi neto në qeverinë e Libanit në vitin 2005 ka qenë afër 14 milionë dollarë, ndërsa në 2017 është rritur në 124 milionë dollarë.

Në port në vitin 2002 punonin 1.029 persona, më pas në vitin 2017 ky numër është zvogëluar deri në 281 me zhvillimin e infrastrukturës teknologjike.

Libani në vitin 2002 fitoi të ardhura neto prej 3,2 dollarë për tonë të transportuar nga porti, ndërsa në 2017 është rritur në 15 dollarë për tonë.

Guvernatori i Bejrutit: Gjysma e qytetit është rrënuar

Bejrut

Guvernatori i Bejrutit, Mervan Abbud, tha se qindra mijëra persona që doemos duhej të braktisnin shtëpitë pas shpërthimit të djeshëm në Portin e Bejrutit, nuk do të mund të kthehen para dy ose tre muajve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Abbud në konferencën për mediat deklaroi se ende nuk ka informacione për numrin e të zhdukurve.

“Bejruti është shndërruar në një vend katastrofe. Gjysma e qytetit është shembur. Qindra mijëra persona që doemos duhej të braktisnin shtëpitë nuk do të mund të kthehen para dy ose tre muajve”, tha Abbud.

Abbud më herët theksoi se dëmi nga shpërthimi në port në këtë qytet libanez arrin mes tre dhe pesë miliardë dollarë.

Shpërthimi ndodhi dje diçka pas orës 18:00 në Portin e Bejrutit. Siç raportuan mediat, në një nga depot fillimisht shpërtheu zjarr, e më pas pasoi shpërthimi që u dëgjua edhe në periferi. Në rrjetet sociale u publikuan video në të cilat mund të shihet se bëhet fjalë për një shpërthim shumë të fuqishëm.

Sipas të dhënave të fundit që i shpalosi Kryqi i Kuq i Libanit, gjatë shpërthimit humbën jetën së paku 100 persona, ndërsa rreth 4.000 të tjerë u plagosën.

Ky është rusi që i ishte konfiskuar nitrati i amonit në Bejrut, besohet se ndodhet në Qipro

Pak të dhëna dihen për pronarin e anijes së mallrave “Rhosus”, e cila ishte konfiskuar në Bejrut në vitin 2014 me 2,750 tonë nitrat të amonit. Kapiteni i anijes kishte thënë se ky mall ishte si një bombë që noton.

Besohet se nitrati i amonit i ka dhënë fuqi shpërthimit nga i cili vidqën më shumë se 100 persona në kryeqytetin e Libanit të martën, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Ish-anëtarët e ekuipazhit të kësaj anijeje thanë se ajo ishte në pronësi të rusit Igor Grechushkin, i cili besohet se tash për tash ndodhet në Qipro, ku mund të ketë leje për banim apo shtetësi të atij vendi.

Grechushkin është me prejardhje nga qyteti i lindjes së largët ruse, Khabarovsk, dhe raportohet se e ka menaxhuar kompaninë “Teto Shipping”, që e kishte në pronësi anijen “Rhosus”.

Anija kishte arritur në Bejrut në vitin 2013 përderisa lundronte nga Gjeorgjia në Mozambik. Asaj i ishte ndaluar largimi nga porti i Bejrutit në vitin 2014 për një mosmarrëveshje që nuk është theksuar, por arsyeja mund të ketë qenë gjendja teknike e anijes apo mospagesa e taksave nga pronari.

Thuhet se më pas Grechushkin ishte larguar nga anija, duke i refuzuar thirrjet dhe negociatat me autoritetet e portit për lirimin e marinarëve, transmeton Gazeta Express.

Në ankesat që i kishin dorëzuar në medie në vitin 2014, ish-anëtarët e ekuipazhit kishin thënë se janë lënë të braktisur në Bejrut dhe nuk u janë dhënë pagat për gati një vit. “Pronari e ka braktisur anijen dhe ekuipazhin. Pagat nuk janë dhënë, furnizimet nuk janë blerë. Pronari i anijes e ka refuzuar atë”, kishte shkruar ish-kapiteni.

Ekuipazhi i anijes, që përbëhej kryesisht nga ukrainasit, ishte mbajtur në të për gati një vit para se të lirohej. Nitrati i amonit ishte konfiskuar dhe ishte mbajtur në një depo të portit.

Kimikatet që shpërthyen në Bejrut ishin konfiskuar nga anija e një biznesmeni rus

Mediat raportojnë se kimikatet që shpërthyen në një depo në Bejrut, duke shkaktuar së paku 100 viktima, janë dërguar atje vite më parë nga një anije mallrash, që ishte konfiskuar, dhe e cila ishte në pronësi të biznesmenit rus, Igor Grechushkin.

Ai është një biznesmen nga qyteti siberian i Khabarovsk, por aktualisht jeton në Qipro.

Ministri i Brendshëm i Libanit, Mohamed Fahmi, i tha një stacioni televiziv lokal se incidenti që vrau më shumë se 100 njerëz dhe plagosi mijëra të tjerë, u shkaktua nga shpërthimi i më shumë se 2,700 tonë nitrat i amonit.

Fahmi tha se kimikatet ishin ruajtur në depo, pasi ishin konfiskuar nga një anije mallrash më 2014.

Materiali ishte ruajtur pa masa të sigurisë.

 

Shkatërrim në Bejrut pas shpërthimit të fuqishëm

Së paku 100 persona janë vrarë dhe mbi 4 mijë të tjerë janë plagosur pas shpërthimit masiv në zonën e portit në kryeqytetin e Libanit, Bejrut. Shpërthimi masiv ka shkaktuar dëme të shumta materiale në këtë qytet. Ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin.

Anija “MV Rhosus” ishte konfiskuar nga autoritetet libaneze, me një urdhër nga inspektorët lokalë në Bejrut, pasi ajo kishte hyrë në port, për shkak të problemeve teknike.

Associated Press raporton se MV Rhosus po transportonte nitrat amoni nga porti i Gjeorgjisë në Detin e Zi në Mozambik dhe rrugës kishte probleme teknike që e detyruan atë të ndalet në Bejrut.

Raportet e mediave në Rusi dhe Moldavi më 5 gusht thanë që MV Rhosus kishte lundruar nën flamurin e Moldavisë kur arriti në Bejrut.

Shpërthimi vjen në një kohë të ndjeshme për Libanin. Vendi po përballet me një krizë ekonomike, pandeminë e koronavirusit dhe demostrata masive kundër varfërisë. Tensionet janë gjithashtu të larta pasi të premten, një gjykatë e Kombeve të Bashkuara, pritet të nxjerrë aktgjykimin e saj ndaj katër të dyshuarve për vrasjen me makinë bombë të ish-kryeministrit, Rafik Hariri.

Ai ishte vrarë më 2005.

Të katër të dyshuarit janë anëtarë të grupit Hezbollah, që ka mbështetjen e Iranit, i cili vazhdimisht ka mohuar çdo rol në vdekjen e Haririt. rel

Shpërthimi në Portin e Bejrutit shkaktoi dëme deri në 5 miliardë dollarë

Bejrut
Guvernatori i Bejrutit tha se shpërthimi në Portin e Bejrutit shkaktoi dëme në vlerë prej 3 deri në 5 miliardë dollarë.

Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Libanit, George Kettaneh, në një deklaratë për televizionin LBC të Libanit, tha se nga shpërthimi në Portin e Bejrutit kanë humbur jetën 100 persona, ndërsa janë plagosur 4.000 të tjerë.

Ai tha se ende gjenden persona nën rrënoja, duke shtuar se kapaciteti i spitaleve në Bejrut është mbushur.

Kryeministri Hassan Diab për shkak të shpërthimit ditën e mërkurë e shpalli “ditë zie kombëtare”.

– Vendet e rajonit ofrojnë ndihmë

Shumë vende fqinje dhe rajonale i ofruan ndihmë Libanit pas shpërthimit masiv në kryeqytetin Bejrut.

Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, realizoi një bisedë telefonike me presidenti libanez, Michel Aoun, të cilit i shprehu ngushëllime. Al Thani po ashtu udhëzoi autoritetet e Katarit që të dërgojnë spitale të përkohshme në Liban.

Në një deklaratë, po ashtu edhe kryeministri i Irakut, Mustafa al-Kazimi, shprehu ngushëllimet e tij dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

Ndërsa udhëheqësi i Qeverisë Rajonale Kurde (KRG) të Irakut, Nechirvan Barzani, në rrjetet sociale shkroi se ata qëndrojnë me popullin libanez.

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi, po ashtu shprehu ngushëllime për popullin libanez dhe qeverinë e këtij vendi.

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Mohammad Javad Zarif, në rrjetet sociale shkroi se vendi i tij “është plotësisht i përgatitur të japë ndihmë në çfarëdo mënyre të nevojshme”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Jordanisë, Ayman Safadi, tha se vendi i tij është gati të dërgojë çdo lloj ndihme të nevojshme në Liban për këtë shpërthim.

Nga ana tjetër, edhe ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz dhe ministri i Punëve të Jashtme, Gabi Ashkenazi, ofruan ndihmë dhe thanë se ata janë të gatshëm të dërgojnë ndihmë mjekësore dhe humanitare përmes ndërmjetësve ndërkombëtar.

Kreu i Këshillit të Lartë i Shtetit të Libisë, Khalid al-Mishri, në rrjetet sociale shprehu “ngushëllimet e tij më të thella” dhe uroi shërim të shpejtë për të gjithë ata që u plagosën.

Një zjarr në një depo që përmbante eksploziv në portin e Bejrutit çoi në shpërthimin që shkatërroi një ndërtesë tre-katëshe dhe u dëgjua në të gjithë kryeqytetin dhe periferitë e tij.

Libani në zi pas shpërthimit masiv që la mbi 100 të vrarë

Së paku 100 të vrarë dhe më shumë se 4.000 të plagosur është bilanci i shpërthimit që ndodhi në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, më 4 gusht.

I gjithë qyteti u trondit nga shpërthimi, i cili ndodhi në pjesën ku ndodhet porti.

Incidenti shkaktoi dëme të shumta materiale, duke e bërë qytetin e Lindjes së Mesme të ngjante me një zonë të luftës. Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hassani tha se numri i viktimave pritet të rritet.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin.

Presidenti i Libanit, Michel Aoun, tha se 2,750 ton kimikate bujqësore ishin ruajtur në mënyrë të pa sigurtë në një depo për gjashtë vjet.

Së paku 100 persona janë vrarë dhe mbi 4 mijë të tjerë janë plagosur pas shpërthimit masiv në zonën e portit në kryeqytetin e Libanit, Bejrut. Shpërthimi masiv ka shkaktuar dëme të shumta materiale në këtë qytet. Ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin.

Ai caktoi një takim urgjent të kabinetit për të mërkurën, duke thënë se duhet të shpallet një gjendje e jashtëzakonshme dy-javore.

Zyrtarët thanë të martën se kanë filluar një hetim për të gjetur shkakun e saktë të shpërthimit. Këshilli i Lartë i Mbrojtjes në Liban tha se ata që janë përgjegjës do të përballen me “dënimin maksimal” të mundshëm.

Vendi do të jetë në zi kombëtare për tre ditë. “Ajo që ne po shohim është një katastrofë e madhe”, tha kreu i Kryqit të Kuq të Libanit George Kettani për mediat lokale.

Në rrjetin social Twitter, qytetarët kanë postuar pamje të momentit të shpërthimit.

Shpërthimi vjen në një kohë të ndjeshme për Libanin. Vendi po përballet me një krizë ekonomike, pandeminë e koronavirusit dhe demostrata masive kundër varfërisë. Tensionet janë gjithashtu të larta pasi të premten, një gjykatë e Kombeve të Bashkuara, pritet të nxjerrë aktgjykimin e saj ndaj katër të dyshuarve për vrasjen me makinë bombë të ish-kryeministrit, Rafik Hariri.

Ai ishte vrarë më 2005.

Të katër të dyshuarit janë anëtarë të grupit Hezbollah, që ka mbështetjen e Iranit, i cili vazhdimisht ka mohuar çdo rol në vdekjen e Haririt.
Reagime pas incidentit

Në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump, hodhi dyshime mbi të gjithë situatën, duke thënë se ai besonte se shpërthimi mund të ketë qenë një sulm.

“Unë u takova me disa nga gjeneralët tanë të shkëlqyeshëm. Ata dukej sikur mendonin se ishte një sulm”, tha Trump.

Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se SHBA-ja po e monitoron gjendjen në Liban.

“Unë u shprehë ngushëllimet e mia për të gjithë ata që janë prekur nga shpërthimi masiv në portin e Bejrutit më 4 gusht. Ne po vëzhgojmë gjendjen dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë popullin e Libanit”, ka thënë Pompeo në një postim në Twitter.

Ministri i Jashtëm izraelit Gabi Ashkenazi, mohoi spekulimet për përfshirje të Izraelit, duke thënë se shpërthimi ishte një aksident.

“Unë sugjeroj për kujdes me spekulime – nuk shoh ndonjë arsye për të mos i besuar raporteve nga Bejruti”, tha ai, duke iu referuar komenteve nga zyrtarët libanezë.

Izraeli dhe Libani nuk kanë marrëdhënie dhe shpërthimi i Bejrutit vjen në mes të tensioneve në rritje midis dy vendeve dhe grupit militant Hezbollah përgjatë kufirit jugor të Libanit dhe në Siri.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Farhan Haq u tha gazetarëve se nuk ishte menjëherë e qartë se cili ishte shkaku dhe se nuk kishte asnjë indikacion për ndonjë dëmtim të ndonjë personelit të OKB-së.

Edhe Bashkimi Evropian reagoi pas incidentit, duke u ofruar mbështetje popullit dhe autoriteteve të Libanit.

Franca tha që do të dërgojë menjëherë ndihma në Liban. Zyra e presidenti, Emmanuel Macron, tha se ai bisedoi me homologun e tij libanez, Michel Aoun, dhe e njoftoi për dërgimin e ndihmës franceze në Liban.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka shprehur tronditje pas pamjeve të shpërthimit në Liban, ka thënë zëdhënësi, Sebastian Fischer.

“Qeveria gjermane është e tronditur nga raportimet dhe pamjet e incidentit. Mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit. Ne do t’i ofrojmë mbështetje Libanit”, citohet të ketë thënë Merkel.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha përmes një postimi në rrjetin social Twitter se Kosova qëndron pranë Libanit në këtë kohë të vështirë.

Libani po ballafaqohet me krizë të thellë ekonomike. Shumë libanezë, që varen nga kursimet, tani janë duke u përballur me varfëri.

Koronavirusi i ri konsiderohet se ka përkeqësuar edhe më shumë situatën ekonomike në këtë shtet. rel