Një forcë e heshtur po merr kontrollin e qyteteve juglindore të Siçilisë: mafia shqiptare. Në Vittoria dhe Ragusa, Luzim Ndreu, i njohur si “Giulio u testuni”, dhe familja Tosku po shndërrojnë qytetin në një nyjë kyçe të trafikut të drogës, gjobave dhe mashtrimeve të sofistikuara.
Ky është një alarm i ri për autoritetet dhe komunitetin: shqiptarët nuk veprojnë më si pjesëmarrës të thjeshtë. Ata kanë pushtet të sofistikuar dhe strategjik, duke diktuar tregjet, bizneset dhe marrëdhëniet midis klaneve. Ndreu është truri, Tosku dhe aleatët e tij janë krahu i armatosur, dhe bashkë ata krijojnë një rrjet që shtrihet nga Tirana deri në Sicili.
Ky është një alarm i paprecedentë: fuqia e mafias shqiptare është e sofistikuar, e organizuar dhe në rritje.
Shqiptarët nuk janë më thjesht krahu i zgjatur i mafies siciliane, por aktorë të parë në ridizajnimin e hartës kriminale të Vittoria-s. Figura si Luzim Ndreu dhe familja Tosku kanë shndërruar qytetin në një nyje strategjike të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke e lidhur drejtpërdrejt me Fierin, Rrogozhinën dhe Tiranën. Ata sjellin jo vetëm forcë ushtarake dhe disiplinë të hekurt, por edhe kapacitet për të menaxhuar flukset e kokainës nga Amerika Latine dhe për t’i shkrirë me ekonominë lokale bujqësore. Kjo prani shqiptare nuk është më një fenomen i kufizuar: është zemra e një modeli të ri kriminal, ku dhuna, paratë dhe aleancat shumë-etnike kanë zëvendësuar format klasike të mafies italiane. Në këtë mënyrë, Vittoria bëhet shembull i një realiteti të ri: një mafie pa kufij, ku shqiptarët janë katalizatori kryesor
Gjithcka nisi me një sekuestrim
Një 17-vjeçar, djali i një familjeje sipërmarrësish frutash, u rrëmbye të enjten e shkuar në qytetin e Vittorias, në Ragusa të Sicilisë. Rrëmbimi i shpejtë, i kryer para syve të shokëve të tij e në më pak se 24 orë u la i lirë. Kjo ngjare nuk është një episod i izoluar. Veprimi i sekuestrimit, skena e dhunshme demostrative në publik dhe mungesa e do kërkese për shpërblim e bëjnë të qartë një mesazh për qytetin: “Këtu komandojmë ne”.
Këtë interpretim e mbështet analiza e gazetarit antimafia Giuseppe Bascietto, i cili ka rindërtuar gjeografinë e re kriminale të Raguzës. Sipas tij, pak ditë më parë, në dy zona të izoluara të Vittorias, u zhvillua një takim sekret mes klaneve shqiptare dhe familjeve mafioze lokale, me përjashtim të Venturës. Nga ai pakt doli që shqiptarët, të fuqishëm nga ana e logjistikës dhe armëve, imponojnë Gianfranco Stracquadanin si regjent të trafikut të drogës, ndërsa familjet Greco dhe sipërmarrës të tjerë të lidhur me krimin mbajnë në duar menaxhimin ekonomik dhe lidhjet me jashtë provincës.
Kështu ridizenjohet zinxhiri i pushtetit: nga njëra anë krahu i armatosur i klaneve shqiptare, nga ana tjetër borgjezia mafioze që investon, pastron para dhe hap terren të ri. Projekti për një “konsorcium” përgjatë rrugës së Arceritos është vetëm shenja e parë konkrete e këtij kontrolli të ri kriminal.
Rrëmbimi i 17-vjeçarit nuk është thjesht një akt kriminal. Ai është një shfaqje dhune për të mbjellë frikë dhe për të treguar se kush ka sot kontrollin mbi fshatrat, serat dhe ekonominë e errët të Vittorias. Një sfidë e hapur ndaj shtetit dhe komunitetit lokal, që thekson forcën e rrjetit mafioz dhe nevojën për vëmendje dhe veprim të menjëhershëm nga autoritetet.
Analiza e gazetarit Giuseppe Bascietto
Vittoria (RG) – Harta e re e pushtetit. Nga Shqipëria në Vittoria: si u zhvendosën ekuilibrat kriminalë në zemër të Ragusanos
Ekuilibrat kriminalë të Vittorias, një qytet me mbi 70 mijë banorë në juglindje të Sicilisë, nuk janë më ata të dikurshmit. Shahu i pushtetit është ridizenjuar, dhe lëvizjet e reja vijnë shumë më larg nga sa mund të lënë të mendohet rrugicat e qytetit.
Fronti shqiptar
Në qendër të skenës është Luzim Ndreu, i njohur si Giulio u testuni. Është ai që cakton kohën, që përcakton kush duhet të komandojë e kush duhet të bindet. Me të veprojnë Gaetano Abbate, i dënuar më parë për drogë, Pandeli Prifti dhe Kujtim Rapushi, gurë të çmuar në menaxhimin e trafikut. Përreth tyre lëviz familja Tosku: Giorgio, Dashor dhe tre vëllezër të tjerë. Një bllok i lidhur nga gjaku, gati t’i rezistojë çdo goditjeje, i frikshëm për tregtarët dhe parkuesit.
Fronti vittories
Nëse zemra e sistemit gjendet mes shqiptarëve, qendra vittoriese mban emrin Gianfranco Stracquadaini, i quajtur “fytyra e engjëllit”. I emëruar regjent në një mbledhje të shtatorit, megjithëse ishte në arrati për më shumë se një vit pas tentativës për vrasjen e Roberto Di Martino (u cuzzularu), është ai që dikton rregullat. Të gjithë zbatojnë, përfshi shqiptarët. Sepse, pavarësisht forcës së tyre ushtarake dhe ekonomike, ata kanë nevojë për Stracqudainin dhe të tjerët nga Vittoria për të mbajtur marrëdhënie me familjet mafioze të provincave siciliane. Përkrah tij, në një pozicion të tërhequr por aspak dytësor, qëndron Massimo Leggio, figurë urë mes të shkuarës dhe së tashmes, kujdestar i lidhjeve që ende vlejnë.
Mozaiku ndërprovincial
Zemra e lojës nuk luhet vetëm në Vittoria. Lidhjet e jashtme kalojnë nga Elio Greco, sipërmarrës me rrënjë në Gela dhe degëzime deri në Catania e Francofonte, dhe nga Roberto Salerno, një tjetër nyje thelbësore e mozaikut ndërprovincial.
Për të mbështetur sistemin janë sipërmarrësit e krimit: Pino Gueli, i Pack Art, dhe Giacomo e Michael Consalvo, njerëz që dinë të mbajnë një këmbë në ligj dhe tjetrën në hije. Me ta, bijtë e Elio Greco – Alberto, Nuçio dhe Saro – trashëgimtarë të një pushteti që ndërlidh ambalazhimet, serrat dhe gjakun. Degëzimet shtrihen deri në bregdet: Casuzze dhe Santa Croce Camerina, me figura si Ismet Totraku dhe Elis Rustami, pararojë shqiptare larg dritave të reflektorëve por afër rrjedhave të parave dhe drogës.
Krahu i armatosur i Toskuve
Nëse Ndreu është truri, vëllezërit Tosku janë krahu. Sipas hetuesve që i arrestuan në vitin 2016 për trafik dhe shpërndarje, më të frikshmit janë Giulio dhe Dashor: të dhunshëm dhe të gatshëm të mos ndalen para asgjëje. Pas rrëmbimit të shkurtër që trazoi qytetin, ata u kthyen menjëherë aktivë, duke imponuar ligjin e tyre në treg për llogari të Ndreut dhe Stracqudaini-t.
Ata qarkullojnë me një lloj “çmimoreje”: nga dy mijë në pesë mijë euro për parkuesit, shifra më të larta për bizneset, të llogaritura sipas xhiros apo parametrave të tjerë. Nuk mjaftohen me gjobat tradicionale. Kanë përsosur metodën e mashtrim-gjobës: blejnë mall bujqësor, e rishesin, fitojnë dhe pastaj nuk paguajnë. Tregtari e di, e merr parasysh, hesht. Kështu çdo marrëveshje bëhet një imponim. Dhe kur bëhet fjalë për borxhe ndaj klaneve, janë ata që trokitin: përmbaruesit e sistemit.
Arrestimi i Ndreu, Prifti dhe Rapushi nga policia në shkurt 2019
Emrat e Ndreu, Prifti dhe Rapushi nuk shfaqen vetëm në procesverbale mbledhjesh apo kronika lagjesh. Karriera e tyre kriminale është e shënuar tashmë nga hetime gjyqësore. Në një operacion të policisë, tre u arrestuan me 57 kg hashash, 2,5 kg kokainë dhe 330 kg marijuanë.
Një ngarkesë që nuk lindi në Sicili, por me rrënjë në Tiranë, prej nga droga ishte organizuar dhe dërguar. Një sekuestrim që portretizon profilin e Ndreut: jo një ndërmjetës i thjeshtë, por një njeri i aftë të menaxhojë njëherësh disa lloje substancash dhe disa rrjedha, në linjë me klanet shqiptare më moderne.
Përtej Adriatikut: origjina
Për të kuptuar Vittorian duhet parë përtej Adriatikut, në komunat Fier dhe Rrogozhinë, në prefekturën e Tiranës. Prej andej vijnë Ndreu dhe Tosku. Trafikantë dhe shpërndarës që gjetën terren pjellor në Vittoria, Santa Croce, Casuzze, Marina di Ragusa dhe Scicli. Gjeografia, këtu, nuk është detaj folklorik: është çelësi për të deshifruar lidhjet dhe aleancat që kanë rishtypur raportet e forcës.
Në fillim të viteve 2000 shfaqet Kompania Bello, e konsideruar gjatë si organizata më e fuqishme shqiptare dhe një nga rrjetet më të sofistikuara të narkotrafikut në Evropë. Nuk mjaftohej me rolin e ndërmjetësit: kontrollonte gjithë zinxhirin e kokainës, dhe falë marrëveshjeve me kartelët e drogës në Amerikën e Jugut, kontrabandës detare e tokësore, shpërndante drogën në Itali, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Forca e Kompanisë ishte tek teknikat e sofistikuara: komunikime të koduara, ndarje sekrete në mjete, pastrim parash përmes sistemit klandestin kinez të transfertave fei ch’ien, i aftë të lëvizte miliona pa lënë gjurmë. Prej andej nis depërtimi shqiptar në Itali.
Aleanca që dikton ligjin
Fraksione të bandave më të ashpra e të egra të Durrësit dhe Tiranës kanë marrë përsipër drejtpërdrejt fazën më të rrezikshme të trafikut – transportin – shpesh në dobi të mafieve tradicionale. Me kalimin e kohës, klanet shqiptare kanë lidhur aleanca me kartelët kolumbianë, bolivianë dhe meksikanë, deri sa kanë zbehur supremacinë e ‘Ndrangheta-s kalabreze.
Sot hetimet vërtetojnë se organizatat shqiptare kanë fituar një peshë të tillë sa të lënë në pozita të dorës së dytë edhe grupet italiane që bashkëpunojnë me to. Madje Cosa Nostra, ‘Ndrangheta dhe Camorra, dikur mbretëreshat e narkotrafikut, shpesh shfaqen thjesht si klientë.
DIA, në analizat më të fundit, flet për një model të ri: një bashkim mes mafieve vendase dhe organizatave të huaja, fillimisht rastësor, sot gjithnjë e më i strukturuar. Ndër të gjitha, konsorciumet shqiptare dallohen për aftësinë për të favorizuar qasje multietnike dhe për të konsoliduar bashkëpunime operative.
Harta e pushtetit nuk lexohet më vetëm në rrugicat e Vittorias apo në fushat e Ragusanos. Ajo vizatohet nga vija te padukshme që lidhin Tiranën me Sicilinë, Fierin me Scoglittin, Rrogozhinën me Vittorian, portet e Amerikës së Jugut me tregjet e frutave e perimeve. Një rrjet që nuk njeh kufij dhe që mban një vulë të qartë: atë të aleancës mes klaneve siciliane dhe shqiptare.
Dhe është kjo aleancë, e egër dhe e heshtur, që sot ritmon jetën dhe vdekjen.
Interviste me gazetarin Giuseppe Bascietto
Në një intervistë për Syri Tv, gazetari investigativ sicilian Giuseppe Bascietto zbërthen një rrjet kriminal ndërkombëtar që po ndryshon hartën e mafies në Evropë. Mafia shqiptare, dikur thjesht furnizuese, tani është fuqi drejtuese: kontrollon tregun e frutave e perimeve të qytetit siçilian Vittoria, përdor kompanitë e fruta perimeve dhe ato bujqësore për të fshehur kokainën nga Amerika Latine, dhe klanet italiane janë klientët e saj.
Ky rrjet i sofistikuar përfshin Cosa Nostrën, ’Ndranghetën dhe Sacra Corona Unita, dhe hap rrugën për një “esperanto të krimit të organizuar”, siç paralajmëroi Giovanni Falcone. Mafia nuk është më thjesht dhunë dhe drogë – është ekonomi paralele, pastrim parash dhe frikë e organizuar, që sfidon ligjin dhe shtetin.
Bascietto paralajmëron: Italia po humb hapësirën që dikur kontrollonte Cosa Nostra – dhe mafia shqiptare po mbush boshllëkun.
Alba Kepi: Faleminderit Giuseppe Bascietto, gazetar investigativ nga Sicilia, i cili kohët e fundit ka shkruar shumë artikuj për mafien shqiptare. Ka një zhvillim të ri — për të cilin e përmenda edhe javën e kaluar — por ti vazhdon ta ndjekësh: mafia shqiptare, thuhet, po kontrollon tregun e dytë më të madh të frutave dhe perimeve në Itali, atë të Vittorias në Sicili. Çfarë po ndodh?
Giuseppe Bascietto: Po ndodh diçka që disa vite më parë do të ishte e paimagjinueshme: një aleancë hibride mes një mafie të huaj, si ajo shqiptare, dhe klaneve lokale siciliane.
Kjo aleancë ka sjellë një kontroll jo vetëm mbi territorin, por edhe mbi aktivitetet ekonomike, përfshirë tregun e frutave e perimeve dhe operatorët që punojnë aty. Përmes frikës, kërcënimeve dhe reputacionit të tyre për brutalitet në nivel ndërkombëtar, shqiptarët i frikësojnë njerëzit, duke i detyruar shumë operatorë të paguajnë ose të bëjnë marrëveshje me kompani në pronësi shqiptare.
Alba Kepi: Çfarë lloj kompanish janë këto?
Giuseppe Bascietto: Janë kompani që tregtojnë produkte bujqësore — shpesh me cilësi të mirë, më thonë — por formalisht janë në emër të personave pa precedentë penalë. Pas këtyre fasadave, megjithatë, fshihen drejtuesit e mafies shqiptare lokale: L. N., K. R., L. D., E. L, emra tashmë të njohur për forcat e rendit dhe të arrestuar disa herë, ashtu si edhe D. L.
Krahu i tyre operativ përbëhet nga shqiptarë të tjerë, në veçanti vëllezërit T., të konsideruar ndër kriminelët më të dhunshëm aktualisht aktivë në Vittoria.
Alba Kepi: A përdoren këto kompani edhe për trafikun e kokainës?
Giuseppe Bascietto: Është shumë e mundshme. Kur mbërrin kokaina, shpesh fshihet pikërisht në këto ndërmarrje bujqësore, të cilat ndodhen në zona të vështira për t’u arritur edhe nga forcat e rendit. Vittoria ka një territor prej 182 kilometrash katrorë, me zona të paarritshme madje edhe për vetë banorët.
Përveç kësaj, ata përdorin edhe kompani logjistike për transportin e kokainës, që mbërrin nga Amerika Latine.
Alba Kepi: Pra, nga Amerika Latine?
Giuseppe Bascietto: Po. Nga Shqipëria, droga më pas shkon në Puglia, ku Sacra Corona Unita vepron si një “agjenci shërbimi”: e shoqëron drogën deri në kufirin me Kalabrinë, ku merret në dorë nga njerëzit e ’Ndranghetës. Këta, që janë klientë të klaneve shqiptare, e transportojnë deri në kufirin me Sicilinë, ku hyn në lojë logjistika e drejtuar nga Lulzim Ndreu dhe të tjerë, që e çojnë deri në Vittoria. Prej andej shpërndahet në të gjithë provincën dhe më gjerë.
Ekziston edhe një rrugë detare: skafe të shpejtë që vijnë direkt nga Shqipëria dhe zbarkojnë në brigjet e Raguzës, të gjata dhe pjesërisht të pakontrolluara.
Alba Kepi: Në artikujt e tu ke përmendur edhe lidhjen Vittoria–Durrës–Fier–Vlorë–Kalabri. Mund ta shpjegosh më mirë?
Giuseppe Bascietto: Sigurisht. Nga hetimet e mia kam vërejtur se shumë persona të përfshirë vijnë nga një zonë e caktuar e Shqipërisë, që përfshin Durrësin, Tiranën dhe Vlorën — pra edhe Korçën dhe Fiersin.
Deri në vitet 2020–2021, ajo zonë ishte nën kontrollin e Kompanisë Bello, organizata më e madhe e trafikut të drogës në botë, e cila furnizonte Kamorrën, ’Ndranghetën dhe Cosa Nostrën.
Mafia shqiptare ka marrë nga mafiet italiane disa karakteristika: horizontalitetin nga Kamorra, pamëshirshmërinë nga ’Ndrangheta dhe organizimin nga Cosa Nostra. Duke i bashkuar këto, ka krijuar një organizatë shpërthyese, brutale, të pamëshirshme dhe pa skrupuj.
Alba Kepi: Pra, klanet siciliane kanë vendosur të bashkëpunojnë me ta?
Giuseppe Bascietto: Pikërisht. Ata e kuptuan se kishin nevojë për këtë “krah të armatosur” për të riafirmuar kontrollin mbi territorin.
Alba Kepi: Kokaina vjen në Shqipëri dhe pastaj kalon në Sicili. Por si ndodhi që Cosa Nostra, dikur aq e fuqishme, ua la hapësirën shqiptarëve?
Giuseppe Bascietto: Cosa Nostra dukej shumë e fuqishme, por Totò Riina e izoloi nga pjesa tjetër e botës. Ky izolim e dobësoi në nivel ndërkombëtar. Në vitet ’80, Cosa Nostra kontrollonte rreth 90% të trafikut të drogës në Evropë; pas luftës së brendshme të nisur nga Riina dhe Provenzano, arriti të kontrollonte vetëm 3%. Pjesa tjetër kaloi te ’Ndrangheta, e cila ndërkohë kishte krijuar marrëveshje me kartelet e Amerikës së Jugut.
Sot, për shkak të atij dobësimi, klanet shqiptare janë vendosur pikërisht aty ku kriminaliteti sicilian është më i brishtë.
Alba Kepi: Në artikujt e tu ke thënë se sot ’Ndrangheta është kliente e mafies shqiptare. Është e vërtetë?
Giuseppe Bascietto: Po. Dikur ishte e kundërta, por sot ’Ndrangheta blen drogën nga shqiptarët dhe merret kryesisht me pastrimin e parave. Në këtë mënyrë ekspozohet më pak dhe shmang akuzat për trafik ndërkombëtar. Mafia shqiptare merret me “punën e pistë” ndërsa mafiet italiane janë klientë dhe pastrues të parave.
Alba Kepi: Përmende Kompaninë Bello, një nga operacionet më të mëdha ndërkombëtare antimafia, ku për herë të parë klanet shqiptare u përcaktuan si kartelet e narkotrafikut. A është shkatërruar ajo?
Giuseppe Bascietto: Po, por vetëm formalisht. Shqiptarët janë kriminelë shumë të lëvizshëm, si qeliza terroriste: shpërbëhen dhe ribashkohen menjëherë.
Pas shkatërrimit të Kompanisë Bello, u krijua një tjetër me një emër të ndryshëm, por me të njëjtët kontakte dhe territore: Fier, Durrës, Vlorë.
Alba Kepi: Pra, një narkotrafikant mund të bëhet lehtësisht sipërmarrës?
Giuseppe Bascietto: Po, dhe kjo ndodh shpesh. Në Itali, procedurat për të verifikuar origjinën e paligjshme të kapitalit janë të gjata dhe të ndara nga proceset penale. Kështu, narkotrafikantët arrijnë të pastrojnë paratë, edhe duke humbur 40% të tyre, për t’i reinvestuar më pas në veprimtari të ligjshme.
Kjo ndot ekonominë dhe krijon një sistem paralel. Do të duhej një skuadër ndërinstitucionale — policia, karabinieria, garda e financës — nën drejtimin e Drejtorisë Kombëtare Antimafia, për të goditur edhe kompanitë “të pastra” pas të cilave fshihet paraja e drogës.
Siç mëson antimafia: ndiq paranë (follow the money).
Alba Kepi: Në shkrimet e tua ke botuar edhe foto sinjalistike të mafiozëve shqiptarë, që tregojnë dosjen e tyre penale, por që janë të lirë. Pse ndodh kjo?
Giuseppe Bascietto: Sepse shpesh akuzohen vetëm për vepra të vogla, si shpërndarje droge apo shfrytëzim pune. Forcat e rendit i mbajnë nën vëzhgim, por mungon një analizë më e gjerë e fenomenit.
Në katër vitet e fundit, në të cilat shumë prej tyre janë kthyer të lirë, ata kanë ndërtuar një sistem ekonomik të infiltruar në ekonominë legale të Vittorias, duke krijuar aleanca dhe imponuar rregulla të reja.
Problemi është se nuk është “shikuar përtej”, siç do të thoshte Saviano: jemi ndalur te pluhuri i kokainës, pa parë botën që fshihet pas saj. Sot mafia është hibride, e ndryshuar.
Alba Kepi: Si mund ta përkufizojmë, pra, risinë e kësaj hetimi tënd?
Giuseppe Bascietto: Risia është depërtimi i klaneve shqiptare në një territor tradicionalisht të mbyllur si Sicilia.
E dyta është aftësia e mafies shqiptare për të krijuar aleanca multietnike. Falcone, para se të vritej, kishte frikë pikërisht nga kjo: lindja e një “esperanto të krimit të organizuar”. Sot kjo po bëhet realitet.
Mafia ndryshon lëkurë, dhe ne duhet të jemi një hap përpara: të analizojmë jo vetëm territorin, por edhe atë që fshihet pas tij.
Alba Kepi: Pyetja e fundit: jemi mësuar të analizojmë aleancat për trafikun e kokainës midis klaneve shqiptare dhe ’Ndranghetës kalabreze. Risia është se mafia shqiptare ka krijuar aleanca edhe me Cosa Nostran për kokainën?
Giuseppe Bascietto: Sigurisht. Pas vdekjes së Riina, Provenzano dhe Messina Denaro, familjet mafioze amerikane kanë rilidhur kontaktet me Cosa Nostran siciliane.
Ka pasur një luftë të heshtur mes organizatave italiane dhe atyre të Amerikës së Veriut — nga Quebecu deri në Amerikën e Jugut — por sot gjithçka ka ndryshuar: kanë kuptuar se është më mirë të jesh klient i mafies shqiptare sesa armik i saj.
Alba Kepi: Faleminderit, Giuseppe.
Giuseppe Bascietto: Faleminderit juve.