VOAL

VOAL

NEWBORN një porosi nga Kosova për botën

February 17, 2021
blank

Komentet

blank

Drejtësia e dirigjuar – Kulisat e arrestimit/ Prangat për Vangjush Dakon, një kalkulim politik

 

Drejtësia e komanduar si me regji ka bërë sot një rokadë në majë të pushtetit socialist, pasi ka liruar nga burgu ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri duke plasur në qeli Vangjush Dakon. Prej disa ditësh në media, SPAK-ut, një institucioni të ngritur për të mos i dalë sekretet, i kishin rrjedhur fjalët se Dakos po i afrohej burgu. Thashethemet u vërtetuan sot pas mesditës kur ia behu edhe urdhri i arrestimit. Zyrtarisht Dako akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me një pallat të ndërtuar në qendër të qytetit të Durrësit, godinë e cila pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i vitit 2019. Banorët kanë bërë kallëzim për zotin Dako dhe ish-zyrtarë të tjerë për vrasje masive të mbetur në tentativë.

Gjithashtu mësohet se hetimi i SPAK ka hetuar edhe për një abuzim të supozuar për një tender për Dakon dhe është shtrirë edhe në verifikimin e pasurisë duke kërkuar verifikime nga institucione të ndryshme.

Fjalët për Dakon u përhapën menjëherë pasi u lirua Saimir Tahiri, një nga dy njerëzit që së bashku me ish-kryebashkiakun e Durrësit konsideroheshin si krahët më të afërt të Edi Ramës gjatë mandatit të parë të qeverisjes së rilindjes. Kur Tahiri fitoi lirinë, ambasadorja amerikane Yuri Kim reagoi publikisht duke e quajtur vendimin zhgënjyes. “Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirant të BE dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. SHBA e konsideron korrupsionin kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare. Ata që janë të përfshirë në bërjen ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miq të fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja”, tha ajo.

Që nga ky moment, kanale diplomatike shtuan presionin për një kompesin për ndëshkim në radhët e hierarkëve socialistë. Fabula e goditjes së Dakos i shkonte për shtat amerikanëve edhe për një arsye tjetër. Ai është i pari person i shpallur non grata nga SHBA, që kapërcen pragun e burgut si rezultat i drejtësisisë që ka pjellë reforma e drejtësisë.

Por i çuditshëm është edhe një përkim tjetër. Kush e mban mend rastin e një ish-kryebashkiaku tjetër të Durrësit, Lefter Kokës, e mban mend se ai ra në burg menjëherë pasi hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe pasi kishte ndihmuar PS (tek e cila kishte kaluar së fundi) për të arritur fitoren në qytetin bregdetar. Me Dakon fabula u përsërit pikë për presje. Ai u aktivizua fort në fushatën e Emirjana Sakos, dhe sapo u sigurua fitorja iu vunë prabgat për një pallat të shembur katër vite më parë.

Pra, qoftë si rokadë me Tahirin, qoftë si presion diplomatik i amerikanëve, qoftë si kalkulim politik për të mos penguar fushatën e PS-së, arrestimi i Dakos është simboli i një drejtësie të dirigjuar./LAPSI

blank

Artan Hoxha: Xhuxhi di shumë gjëra për ata lart, nëse pendohet mund të bëjë atë që…

Gazetari Artan Hoxha ka reaguar pas urdhër-arrestit nga SPAK për Vangjush Dakon. Ai thotë se e kishte paralajmëruar “xhuxhin”, por ai nuk ë dëgjoi. Hoxha thotë se Dako është “peshk i madh” dhe se di shumë për “ata lart”, e për këtë duhet të mbahet mirë.

“Nëse pendohet, do bej atë që nuk po e bëjmë dot me zgjedhje, rotacionin politik në qeverisjen e vendit…”, shprehet ai.

“Dhe e paralajmerova “Xhuxhin”, por nuk me degjoi… Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, ishte zyrtari i pari i larte qe u shpall “non grata” nga SHBA, ne shkurt 2019. Por sapo doli denimi me burg per te, u arratis dhe ndodhet ne gjendje te lire ne Itali, ne pritje te ekstradimit qe duket se nuk do te behet kurre…

Pese muaj me vone, ne 30 korrik 2019, Vangjush Dako dhe familja e tij, u shpallen “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit… Me ne fund, pas 5 vitesh, u vendos qe “Xhuxhi” te paraqitet aty ku te pyesin, “emri nenes, emri babes”… Gjithsesi beni kujdes. “Xhuxhi” di shume gjera per ATA larte.

Nuk eshte “peshk i vogel”, prandaj mbajeni mire… Nese pendohet, do bej ate qe nuk po e bejme dot me zgjedhje, rotacionin politik ne qeverisjen e vendit…”, shkruan Hoxha.bw

blank

VIDEO- Vangjush Dako dorëzohet në Policinë e Tiranës

 

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK ka lëshuar ditën e sotme 10 urdhër-arreste për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Durrësit.

Në krye të fletë-arresteve të lëshuar nga SPAK, mësohet se është emri i Vangjush Dakos, kryebashkiak i Durrësit për 12 vite.

Burime kanë bërë të ditur për SYRI-n se Vangjush Dako është dorëzuar në drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Burimet bëjnë me dije se Dako do mbahet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës deri sa te dal në gjyq për masën e sigurisë.

Ai ka qenë i shoqëruar nga avokati i tij.

Ndaj Vangjush Dakos është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, në lidhje me një pallat pa leje.

Në mars 2023 ish kryebashkiaku i Durrësit u thirr në SPAK për tu marrë në pyetje lidhur me dosjen e hapur për dhënien e lejes së ndërtimit të 11 viteve më përpara, për një pallat i cili u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019.

Atëherë Dako u mor në pyetje për gati 3 orë pikërisht për këtë çështje.

AMBIENTET E POLICISE SE TIRANES, PASDITEN E SOTME:

blank

Vijon operacioni për arrestimin e Vangjush Dakos, ja ku gjendej ish-kreu i bashkisë së Durrësit kur u lëshua urdhër-arresti nga SPAK

SPAK ka urdhëruar sot arrestimin e ish-kreut të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar për News24 se nga burime jo zyrtare mësohet se zoti Dako ka qenë në kryeqytet në momentin kur për të është lëshuar urdhër-arresti, ndërkohë që në Durrës forcat operacionale vijojnë punën për arrestimin e tij dhe të të paktën 5 ish-zyrtarëve të Urbanistikës të kësaj bashkie.

“Po vijon puna e forcave operacionale për arrestimin e Vangjush Dakos dhe 5 ish-zyrtarëve të bashkisë Durrës.

Ka zëra që Dako ishte në kryeqytet në momentin që është kërkuar urdhër-arresti ndaj tij.

Mbetet për tu parë nëse ai do të vetë-dorëzohet”, ka deklaruar Lala.bw

blank

Genc Burimi: Kosova nuk ka garanci se pas pranimit të Asociacionit, nuk do të përsëritet Bosnja

Analisti Genc Burimi përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka komentuar situatën në veri të Kosovës dhe tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas tij Serbia ka mbajtur “kartën e Asociacionit” për ta përdorur atë në rast presioni nga Perëndimi, ndërsa u shpreh se ka pasur një pakt të heshtur për veriun pasi asnjë lider kosovar para Albin Kurtit nuk kishte shkuar në Mitrovicë për të vendosur autoritet.

Ai u shpreh më tej se SHBA sot po përdor kartën e presionit ndaj Kurtit për të pranuar Asociacionin, si edhe të hartojë tekstin për zhvillimin e tij.

Burimi deklaroi se Kosova nuk ka garanci se pas pranimit të Asociacionit serbët do largohen nga veriu, pasi kanë bërë të njëjtën gjë në Bosnje pas krijimit të Republika Srpska.

 

Ai shtoi se në këtë moment Vuçiç dhe Serbia kërkojnë të fitojnë kohë duke pritur edhe shumë vite, nëse “NATO ndoshta shpërbëhet dhe Kosova mund të kthehet në një objektiv që merret me luftë”.

“Serbët pas asaj që ndodhi me targat bojkotuan zgjedhjet. Në prill Escobar u bën thirrje serbëve të votojnë, përndryshe SHBA do i njohë zgjedhjet. Zgjedhjet mbarojnë pas asaj krizës ku nuk shkuan serbët. Del në skenë pas kësaj Macron me Scholz dhe thonë komplet të kundërtën duke u shprehur se Kurti ka fajin sepse nuk duhet t’i mbante zgjedhjet. Çështja është se serbët duan asociacionin e komunave që të shkojnë në zgjedhje.

Serbia ka bërë një pakt të heshtur duke mbajtur xholin e Asociacionit për ta përdorur në rast presioni të madh nga Perëndimi. Që prej pavarësisë së Kosovës asnjë lider kosovar nuk kishte shkuar në veri për të vendosur autoritet. Kurti tashmë duhet të pranojë asociacionin dhe të sjellë një tekst projekt ku Kosova të thotë se nuk e do veriun. Escobar nuk e mohon rrezikun.
Escobar thotë se nëse Kosova nuk do një republikë si në Bosnje duhet të thotë si e do Asociacionin. I kërkohen dy gjëra Kosovës. Edhe të pranojë Asociacionin, edhe të sjellë tekstin. Është shumë e komplikuar dhe e pandershme ajo që po i bëhet Kurtit.

SHBA sot po përdor kartën e presionit ndaj Kurtit. Nuk funksionon kështu, ka një demokraci. Kurti e çoi topin te Vuçiçi i cili u mbrojt me Asociacionin. Tani Kurti duhet të lërë topin te Perëndimi, të cilët duhet të propozojnë tekstin e tyre për Asociacionin. Sot serbët janë instaluar në veri të Kosovës, ndërsa Perëndimorët gabohen se ata do largohen nga veriu me Asociacionin. Nuk mund të ndodhë kjo pasi Vuçiç do e kishte bërë dhe në Bosnje nëse do ishte e vërtetë. Vuçiç ka në dorë një armë të fortë, Rusinë. Ai kërkon të fitojë kohë, 10-15 vite ndoshta. Ndoshta pas 15 vitesh NATO nuk ekziston dhe Serbia mund të marrë Kosovën me luftë”, u shpreh ai. bw

blank

SPAK urdhëroi arrestimin e Vangjush Dakos, gazetarja zbulon detaje të reja: Gjithçka nisi nga një pallat i dëmtuar nga tërmeti

Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar për News24 në lidhje me urdhër-arrestet e lëshuara nga SPAK për ish-zyrtarë të bashkisë së Durrësit, mes të cilëve edhe për ish-kryetarin e kësaj bashkie, Vangjush Dako.

Ajo ka zbuluar se Dako akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me një pallat të ndërtuar në qendër të qytetit të Durrësit, godinë e cila pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i 2019-ës.

Lala u shpreh gjithashtu se hetimi i SPAK për zotin Dako është shtrirë edhe në verifikimin e pasurisë duke kërkuar verifikime nga institucione të ndryshme

“SPAK ka firmosur urdhërarrest për zotin Dako që dyshohet për veprën penale shpërdorim detyre. Ditët e fundit është folur shumë për një arrestim të mundshëm të zotit Dako, në këto momentet autoritetet janë në banesën e zotit Dako. Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse ai është gjetur në ambientet e shtëpisë, por forcat operacionale janë duke vijuar operacionin për arrestimin e të paktën edhe 5 ish -zyrtarëve të tjerë.

Gjithçka lidhjet me një denoncim mbi një pallat të ndërtuar 12 vite më parë, godinë me dy leje ndërtimi në kohë të ndryshme. Në tërmetin e 26 nëntori 2019, sipas hetimeve të SPAK pallati ka pësuar dëmtime të rënda, dhe banorët kanë bërë kallëzim për zotin Dako dhe ish zyrtarë të tjerë për vrasje masive të mbetur në tentativë.

Gjatë kohës së hetimit janë marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, përfshirë këtue dhe zotin Dako.
Hetimi është shtirë edhe për pasurinë e zotit Dako, ka pasur kontrolle e verifikime nga institucione të ndryshme.

Emri i Dakos bëri bujë në përgjimin për grupin Abdylaj, grup kriminal i dënuar për vepra të ndryshme si trafik droge.

Dako sipas përgjimeve të dosjes 339 rezultonte se kishte lidhje me pjesëtarët e grupit. Në atë kohë, ai u thirr për tu marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda”, raporton Lala. bw

blank

Escobar: Kemi sfida në raportet dypalëshe me Kurtin

Radio Evropa e Lirë

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por shtoi se nuk mbështet një individ që “nuk ka instinkt bashkëpunimi” – duke aluduar te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne – ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam ta rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha Escobar gjatë një takimi me gazetarë në Ambasadën amerikane në Prishtinë.

Vizita e tij në Kosovë, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, vjen në kohën e tensioneve të larta në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Situata e sigurisë atje është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë këta kryetarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Protestat që vazhdojnë në veri, kanë kulmuar në përleshje të dhunshme mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në Zveçan, më 29 maj.

Me gjithë thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për të tërhequr policinë dhe kryetarët shqiptarë nga komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – Qeveria e Kosovës, me në krye Albin Kurtin, nuk ka marrë ndonjë hap në atë drejtim.

Escobar dhe Lajçak takuan Kurtin dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë, ndërsa do të vazhdojnë vizitën e tyre në Beograd.

Kurti dhe Osmani kanë fajësuar “bandat kriminale”, të dirigjuara nga Serbia, për trazirat në veri, ndërsa Beogradi zyrtar e ka hedhur fajin te Qeveria e Kosovës.

I pyetur nëse raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së janë dëmtuar, Escobar tha se “nuk bëhet fjalë vetëm për SHBA-në – është i tërë komuniteti transatlantik”.

“Ne i shohim gjërat njësoj, ne jemi mbështetës… Dhe, po, mund të ketë një ndikim afatgjatë”, tha Escobar.

Ai theksoi se raportet mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës janë të forta dhe se “nuk do të ndryshojnë”, por Uashingtoni, shtoi ai, ka “disa sfida” në raportet dypalëshe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësi juaj më i fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar”, tha Escobar.

Zyrtari i lartë amerikan tha se, pavarësisht sfidave në raportet me kryeministrin Kurti, “shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se vështirësitë tona të tanishme që kemi me kryeministrin, nuk do ta prekin këtë sentiment”.

Ai theksoi se moskoordinimi me SHBA-në për çështjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri, do të ketë pasoja për Kosovën.

“Ne kemi thënë që të mos ndizen situatat që janë delikate dhe ka pasur këmbëngulje, duke përdorur forcën për të futur kryetarët e rinj në ndërtesat [komunale]. Jam në Qeverinë amerikane prej se kam qenë 19 vjeç, kam parë shumë qeveri amerikane që janë larguar nga ndërtesat për shkak të vërshimeve, zjarreve, uraganeve, COVID-it, por edhe protestave, dhe nuk kam parë që dikush ka vënë në pikëpyetje autoritetin e Qeverisë amerikane”.

“Prandaj, pse këto ndërtesa, pse nën këto kushte, pse pasi ne kemi kërkuar nga ta koordinim? Edhe pse ne qëndrojmë pas tyre, ata nuk pranojnë të koordinohen. Kjo na lë ne të kuptojmë se si na shohin ata neve si partnerë dhe kjo duhet të ketë pasoja”, tha Escobar.

Javën e kaluar, Kosova u përjashtua nga një stërvitje ndërkombëtare ushtarake, e udhëhequr nga SHBA-ja, për, siç u tha, moskoordinim me SHBA-në për dërgimin e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale në veri.

I pyetur për masa të tjera eventuale, që mund të ndërmerren kundër Kosovës, Escobar tha se “ne nuk mund të planifikojmë asgjë, por do të shohim se si do të veprojmë”.

“Do të jem shumë i sinqertë, SHBA-ja ka qenë mbështetësja juaj më e madhe dhe më dhemb të shoh që njerëzit mendojnë se ne, disi, po e drejtojmë raportin dhe angazhimin tonë me Kosovën për përfitime të Serbisë”, tha Escobar.

“Dua t’ua rikujtoj njerëzve: Serbia ishte kundër pavarësisë suaj më 2008 dhe ne vazhduam përpara. Ata [zyrtarët serbë], me vite të tëra, ishin kundër fushatës sonë për njohje [të Kosovës] dhe ne vazhduam përpara. Ishin kundër zgjedhjeve dhe ne i pamë ato si legjitime”, kujtoi Escobar.

Ai tha se mënyra për të lëvizur përpara, përkatësisht për të shtensionuar situatën në veri, është propozimi i BE-së që kryetarët e rinj shqiptarë të mos punojnë nga objektet komunale në kohën kur tensionet janë të larta, të mbahen zgjedhjet e reja lokale në këtë zonë dhe të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia e kanë arritur më herët gjatë këtij viti.

“Kjo do të thotë se ne duhet të shohim përpjekje reale nga Kosova që angazhohet për Asociacionin [e komunave me shumicë serbe]. Ne, po ashtu, duhet ta shohim Serbinë duke ndërmarrë hapa. Kjo duhet të bëhet tani. Ne duhet të pajtohemi për këtë sot dhe nesër, sepse të premten unë dhe Lajçak do të raportojmë te shefat tanë respektivë nëse kemi qenë të suksesshëm apo jo”, tha Escobar.

Nëse këto përpjekje dështojnë, “kjo do të dërgojë një sinjal të fuqishëm që Kosova nuk është e interesuar të koordinohet me ne. Mendoj se kjo do të ishte fatkeqe. Jo Kosova, por kryeministri”.

“Dua ta bëj shumë të qartë se ne shohim se kjo do të ketë ndikim në raporte, në terma afatgjatë. Por, veprimet e marra apo të pandërmarra mund të kenë disa pasoja që do të mund të ndikojnë në pjesë të raportit tonë. Por, për këtë pjesë nuk dua të flas”, tha Escobar.

Escobar tha se SHBA-ja është në koordinim me partnerët evropianë për të punuar që serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e mundshme të reja në veri.

Ai tha se këtë mesazh do ta japë edhe në Beograd, ku bashkë me Lajçakun do të qëndrojnë mbrëmjen e së martës.

Escobar tha, po ashtu, se Rusia po përfiton nga kjo situatë në Kosovë, por theksoi se Rusia nuk është duke e drejtuar atë.

“Ky është dështim i lidershipit politik të të dyja palëve për të lëvizur përpara drejt pajtimit ndëretnik. Pikë”, u shpreh Escobar.

Asociacioni, “e vetmja zgjidhje për Kosovën”

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Escobar tha se “nëse e ktheni prapa këtë marrëveshje, ktheheni vetë, duke marrë përsipër të gjitha pasojat që vijnë me këtë veprim”.

“Shpresojmë që të mos arrijmë te kjo, sepse përfitimet [nga zbatimi i Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit] janë shumë të mëdha”, tha Escobar.

Zyrtari i lartë amerikan u pyet nëse Asociacioni duhet të krijohet para ose pas zgjedhjeve eventuale në veri, por ai tha se pjesën e zbatimit ia lë BE-së, e cila ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Qëndrimi ynë është që marrëveshja duhet të zbatohet menjëherë. Për Kosovën, e vetmja zgjidhje është Asociacioni. Do të ndodhë, por pyetja është se me kë dhe për sa kohë do të duhet të presim? Ne e dimë se si do të duhej të dukej Asociacioni, ne e dimë se si nuk do të duhej të dukej. Ne mund ta kemi statutin [e Asociacionit] për një ditë, nëse duam. Prandaj, nuk e kuptoj këtë vonesë”, tha ai.

Kosova ka refuzuar ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin – të arritur me Serbinë në vitin 2013 – me arsyetimin se kompetencat e tij do të ndikonin negativisht në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Por, sipas Escobarit, kur të themelohet Asociacioni, ai mund të shkojë te shtetet evropiane dhe t’iu thotë: “Ata [Kosova] kanë bërë gjithçka që kemi kërkuar, prandaj ne duhet të vazhdojmë përpara me përfitime më të mëdha për Kosovën. Tani, këtë nuk mund ta bëj, nëse Kosova nuk zbaton pjesën e vet të marrëveshjes”.

Sipas Escobarit, Asociacioni është një mënyrë “për ta çliruar veriun nga kontrolli i Serbisë dhe për ta vendosur atë pjesë nën kontrollin e Kosovës”.

Escobar tha se Kosova menjëherë duhet ta paraqesë draftin e ligjit që do të mundësonte jetësimin e Asociacionit.

“Është një ligj. Ata, thjesht, nuk e paraqesin”, tha zyrtari i lartë amerikan.

blank

Ekspertja ligjore Spadaro, shpërthimi i digës në Ukrainë mund të jetë krim lufte

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Shkatërrimi i një dige të madhe të një hidrocentrali në Ukrainë mund të përbëjë krim lufte vlerëson ekspertja ligjore Alessandra Spadaro nga Universiteti i Utrechtit, pasi kjo vë në shënjestër civilët. Kievi dhe Moska kanë shkëmbyer akuza kundër njëra tjetrës se kush urdhëroi shkatërrimin e digës në jug të Ukrainës, pjesë e një zone që kontrollohet nga forcat ruse. Ndërsa Moska thotë se diga u shkatërrua nga Kievi pasi kundërofensiva e filluar para dy ditësh po dështon, Kievi dhe perëndimi kanë akuzuar Moskën, duke thënë se kjo konfirmon brutalitetin e agresionit rus kundër Ukrainës.

Muri i një dige të madhe në jug të Ukrainës, që kontrollohet nga Moska u shemb pas një shpërthimi të martën. Veç rrezikut për mijëra banorë që jetojnë pranë saj, janë paralajmëruar dëme të mëdha ekologjike, ndërsa zyrtarët nga të dyja palët në luftë urdhëruan banorët të evakuoheshin.

Diga ndodhet në rajonin e Khersonit të kontrolluar nga forcat ruse.

Moska dhe Kievi kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella.

“Fizikisht është e pamundur të hidhet në erë nga jashtë. Diga ishte minuar dhe u hodh në erë nga pushtuesit rusë. Kjo tregon edhe një herë cinizmin me të cilin Rusia i trajton njerëzit tokën e të cilëve ka pushtuar. Kjo është fatkeqësia më e madhe e shkaktuar nga njeriu në Evropë në dekada”, tha presidenti ukrainas përmes një video lidhjeje në takimin e NATO-s të vendeve të Evropës Lindore.

“Është e qartë se ky akt sabotimi synonte ndërprerjen e furnizimit me ujë në Krime. Niveli i ujit në rezervuar po bie ndjeshëm. Me sa duket, ky akt sabotimi lidhet me faktin se një sulm në shkallë të gjerë i nisur nga ushtria ukrainase dy ditë më parë nuk i ka arritur qëllimet e tij”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i presidencës ruse.

Sekretari i Përgjigjshëm I NATO-s, po ashtu fajësoi Moskën për shkatërrimin e digës..

“Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë. Shkatërrimi i digës Kakhovka vë mijëra civilë në rrezik dhe shkakton dëme të mëdha mjedisore. Ky është një veprim i rëndë që tregon edhe një herë brutalitetin e Rusisë ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon”, tha zoti Stoltenberg.

Bashkimi Evropian gjithashtu fajësoi Moskën.

“Shkatërrimi i digës Kakhovka vë në shënjestër infrastrukturën civile dhe civilët në Ukrainë në një nivel të ri të paprecedentë. Bashkimi Evropian dënon fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm dhe barbar kundër një pjese kaq të rëndësishme të infrastrukturës me pasoja të tmerrshme humanitare dhe mjedisore. Është e qartë se kjo po ndodh në kuadër të agresionit të paligjshëm rus, brenda të cilit Putini nuk hezitoi të përdorë urinë si armë, energjinë si armë, madje e ka shfrytëzuar edhe të ftohtin e dimrit si armë. Kjo është një shenjë e re e përshkallëzimit, duke e çuar natyrën e tmerrshme dhe barbare të agresionit rus kundër Ukrainës në nivele të paprecedentë”, tha Peter Stano, zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel.

Shkatërrimi i digës të epokës sovjetike Kakhovka në jug të Ukrainës mund të përbëjë një krim lufte, për shkak të rregullave që mbrojnë civilët, thotë ekspertja ligjore Alessandara Spadaro nga Universiteti i Utrechtit.

“Ky sulm mund të jetë përgjegjësi e një individi për krim lufte. Sido që të jetë, autori, Ukraina apo Rusia, duhet të mbajë përgjegjësi, pasi ekzistojnë rregulla që mbrojnë në mënyrë të veçantë objektet civile dhe në veçanti digat gjatë konfliktit”, tha zonja Spadaro.

Sipas hidrologut gjerman Arnd Hartlieb, shkatërrimi i digës Kakhovka solli një shkarkim katastrofik të ujit.

“Së pari mendoj për njerëzit në zonën e poshtme. Ata duhet të shpëtohen. Shpresoj se mund t’i shpëtojnë dhe përmbytja nuk është aq e shpejtë. Më pas mendoj për rindërtimin e strukturës. Mendoj se është vërtet një punë e vështirë dhe ndoshta është e mundur vetëm kur të përfundojë lufta. Do të jetë një sfidë vërtet e madhe për ta bërë këtë”, tha hidrologu nga Universiteti i Mynihut, Arnd Hartlieb.

Një tjetër rrezik nga shkatërrimi i digës është dhe ulja e nivelit të ujit në rrjedhën e sipërme, që përdoret për ftohjen e termocentralit më të madh bërthamor të Evropës, Zaporizhia. Tani për tani sipas operatorit bërthamor të Ukrainës ‘Energoatom’ situata është “e kontrollueshme”.

blank

Ilir Yzeiri -‘Njeriu i Sigurimit’/ Kush është analisti i Ramës që sulmon Kosovën nga ekrani i RTSH

Në televizionin publik ka ndodhur një skandal i përmasave kombëtare.

Në emisionin e drejtuar nga gazetari Ilir Yzeiri i titulluar “ADN” është trajtuar situate në veriun e Kosovës. I formuar si editorial, ky emision ka si synim të trajtojë çështjet e ngjarjet në një këndvështrim specifik.

Por ajo që ka ndodhur në serinë kushtuar tensioneve në veri është mbi të gjitha një keqtrajtim i gjithë vuajtjeve dhe sakfrificës së vëllezërve kosovarë. Nën titullin “Kosova e tradhëtoi Klintonin- Në vend të paqes zgjodhi luftën”, gazetari dhe vetë RTSH ka mbajtur një qëndrim identik me palën e pushtetit në Serbi dhe mediat atje.

Askush deri më tani, madje as ndërkombëtarët që kanë qenë kritik me Kurtin, nuk kanë treguar gishtin vetëm te një palë në konfliktin në veri.

Në mënyrë skandaloze televizioni kombëtar i një shteti që e ka në Kushtetutë mbrojtjen e Kosovës, e cilëson këtë shtet si luftënxitës. RTSH dhe vetë gazetari duhet të kërkojnë urgjentisht falje për këtë trajtim mediokër dhe skandaloz të ngjarjeve në veri të Kosovës.

Po çfarë mund te presësh tjetër nga një dëshmitar në gjyqet e diktaturës, një ish-bashkëpunëtor i Sigurimit famëkeq të Shtetit. Kujtojmë se Ilir Yzeiri njihet si analist i Edi Ramës dhe punon në mediat më të zjarrta pro-pushtetit autokratik.

blank

 

blank

Doktrinë e re franceze..? (Mbi Europën që zvogëlohet)- Nga REX KASUMAJ

Qershor, 2023

 

1.
Rikthim lavdie…

Një hije deshpërimi kishte rënë mbi Paris. Vezullia venitej dhe një brejë inferiore gërryente gjithandej.

Ishte vitet, sepse epokë ai s’bënte dot, e Fransoa Hollandit, njeriut impersonal të Shanz Elizesë. Franca e tij, ky shtet i lavdisë interkontinentale, kishte bjerrë peshën influente. Përballë tij, andej Rinit, pati një zonjë që akoma s’kishte shterruar energjie dhe idesh. Zonjën natyralshëm karizmatike, Merkel, që thoshte përherë, si një verdikt suprem, fjalën e fundme në Europë.

Por kohët, ashtu si ata vetë, tani janë pas nesh.

Në Pallatin presidencial do hynte një student i lartëgatitur i Rotschilldëve. Plot elan e vizion të ri. Dhe desh të ndryshonte furishëm e shpejtësisht Europën. Veçse ai, në fakt, njëjtësonte rihovzimin e Francës me rigjallërimin e Europës. Por, e asaj t’vjetrës, ku vendi i tij, e vetmja fuqi bërthamore, duhej të ishte, si ëndërronte De Goli, në krye të kolonës së kombeve të lirë.

Pikërisht në Aachen, kur mori çmimin e Karlit të madh, anipse një çast i përndertë, do shpaloste nismërisht ringritjen e Fuqisë.

E kjo do t’më kujtonte pak Obamën( viti…) dhe çmimin Nobel të paqes që mori paraprakisht, ende pa erëmuar as frymën e Zyrës ovale. Dhe e mori jo për atë që kishte bërë, por për atë që duhej ai do frymëzohej të bënte.

Ndaj dhe, ngjashëm, Macroni do laurohej, jo pse ishte rravgues i madh vitesh komunitare, por për t’u fokusuar brenda shtegut që rrëfente çmimi i Karlit të vrânët. Mirëpo ai, po aty, nuk ngurroi të dilte nga korniza e ngushtë e simbolikës së tij.

Pastaj ndër mote,
rivalizonte Gjermaninë, pëbuzte Naton, i largqëndronte Amerikës, partneronte në hije me Kinën, refuzonte Europën e dytë mbetur tek portë e pritjes, bllokonte integrimin e Shqipërisë apo liberalizimin e vizave për Kosovën dhe, disi, rikthente dinakërisht në skenë gjeopolitikën e vjetër.

Llogaritë, ndërkaq, siç do vërehej në vonë, nuk do i dilnin kurrëqysh. Berlini mbeti i ftohtë dhe, pa të, asnjë Ushtri Europe nuk mund të hidhte shtat. Një armatë që, si përskajohej prej tij, do provonte aventurat e para në Afrikë, ku gjallon prorë interesi kolonial francez, s’pati fat. Do vdiste pa u ngjizur fetusi i saj.

Dhe ky, që këtej, ishte boshti përgjithsor i vizionit të tij për Europën. Larg Amerikës dhe pa Europën e rrezes së dikurshme otomane.

Por ka disa ditë a një kohë, që Parisi, papritur, është zgjuar ftyrëtjetër. I kthjellët, paneuropjan dhe njëj alarmi të arsyeshëm për të gardhuar Votrën e përbashkët: tashmë të vjetër, e të re!

2.
Fillë doktrine…

Kryediplomatja franceze,
Catherine Colonna, do përgjigjej shkurt. Njëj lakonizmi që nënkuptonte gjithçka.

Dhe atmosfera e Osllos ku mbahej takimi i lartë i Natos (një qershor i sivjemë) i jepte gjithë sharmin dhe hirin e madhështisë franceze! Së paku, kujtesën e saj.

E pyetur për objektivat orientimorë të vendit të saj ajo tha: dëgjuat dje Kuvendimin e Presidentit tim?

Në fakt, pas Brexit-it britanik, do nismëtohej vrullshëm në shtator, viti 2016, procesi politik i Bratisllavës.

Dhe, njëmend, fjala e tij një ditë më parë në metropolin sllovak, synonte të bëj histori. Dhe, po doli të ketë konzistencë reale, do të prejë e vulosë rëndshëm harkun e saj.

Mirëkuptim i Lindjes kontinentale, përbashkimi i vendeve në perëndim të Rusisë dhe distancë gjeopolitike prej saj, siguri e vetëmohim solidar për t’i dalë zot Ukrainës, ngut i madh për integrimin e ballkanasve në kufi të një zhgënjimi t’pakthim,
fjalëmirë, krejt beftas, për Amerikën dhe…tjetër? A nuk mjaftonte kjo panoramë për të konstatuar fillin e një doktrine të re strategjike?

Ç’të ketë ndodhur që mendimi shtetëror francez të ndryshojë premisat kaq papritur, tejpamshëm e njëj aftësie flijimi për Europën e të gjithëve?

3.
Betejë e vështirë

Marine Le Pen ngrihej agimeve parisiene me një ëndërr marroke në sy. Madje, e shihte dhe zgjuar. Admirimi i radikalëve djathtistë dhe paratë e Putinit i përkundnin shpresën e Fuqisë politike që priste.

Ndaj dhe kur Merkel, viti 2015, do u hapte kufijtë afro një milion sirianëve, thoshte me ironi: gjermanët nëvojisin skllevër. (Më vonë, ndërkaq, do tmerrohej nga invadimi rus në Ukrainë. I kujtonte, sigurisht, foton triumfale të Hitlerit pranë Kullës së Ajfelit…)

Madje dhe Houllebecque kult-shkrimtari i dëgjuar frëng, shkruante me ndjesinë e dhimbjes për Europën, se s’ka një vend e komb tjetër, si gjermanët, që të rrokullisen kaq vullnetshëm drejt vetëzhbërjës.

Mbase, të dy, ishin nxënës të dobët të Kamysë që, në “Letra mikut gjerman” shkruante: ne francezët nuk i dhuruam botës skllevër.

Si? Kush e beson këtë? Kurrë, askush!

Ç’kërkonte, pra, njeriu i armatosur francez në Amerikë, në Magreb, në Afrikë dhe në gjithë botën? Kush e ftoi që të vriste, grabiste, poshtëronte e robnonte? Kush? Athua vetë të shtypurit, t’skamurit, të përbuzurit e Franz Fanonit?!

Marsejeza, revolucioni i egalite-libertesë është gjithnjë fanar zgjimi nga diktaturat a pushtimi i huaj. Por frëngu e kishte menduar këtë dritë të zjarrtë për vete. Jashtë dhéut të tij, duhej të kishte ligje të tjera jete. Jean-Paul Sartre, po kësaj filozofie, pohonte se komunizmi është i mirë për të tjerët, por jo për ne. E donte denatyrimin njerëzor larg atdheut të tij.

Ndoshta, tani dhe këtu në Shtëpinë komunitare, nuk duan më të jenë as vetë (si predikonin Houllebecque dhe “Pegida”, Lëvizja e fashitur Dresdenjane) dhe as të prodhojnë skllevër ndër të tjerë. Por Shoqata e popujve të robëruar të Europës me seli në Göttingen, mban akoma të hapur Librin e saj…

E pra, ndijimet e vjetra, kujtimet dhe shkreptimë e tyre nuk arkivohen lehtësisht. Një foto afrimtare në Moldavi mes frëngut Macron dhe serbit Vuçiq, të cilit i kishte hedhur dorën krahëve tepër intimisht, dëshmon betejën e vështirë mes Doktrinës së re dhe Aleancës së vjetër…

Mirëpo Europa që, ndërsa të tjerët rriten, zvogëlohet e ndarë vazhdimisht, ndjen kumtin e kohës. Dhe, me gjasë, askush nuk mund të shalojë më interesin e saj me atin e huaj.

Aq më pak të huazuar në Kremlin…

R.

blank

Pas McGonigal, SHBA ngre 13 akuza ndaj një miku tjetër të Ramës

Pas rastit të bujshëm të Charles McGonigal, SHBA ngre akuza ndaj një tjetër miku të kryeministrit shqiptar.

Këtë herë bëhet fjalë për kinezo-kanadezin Changpeng Zhao, president i kompanisë Binance.

Zhao është president i një burse të këmbimit të kriptomonedhave dhe nëntorin e kaluar pozonte në krah të kryeministrit Edi Rama, ndërsa mediat qeveritare e shpallnin si një lajm të bujshëm takimin mes tyre.

Sipas Reuters, ndaj Zhao rëndojnë 13 akuza të ngritura nga rregullatorët amerikanë, të cilët e akuzojnë se ka ngritur një ‘rrjet mashtrimi’. Ky rrjet mashtrimi ka ushtruar presion duke bërë që Bitcoin të bjerë në nivelin më të ulët në pothuajse tre muaj.

Komisioni i Bursave dhe Letrave me Vlerë në SHBA ka depozituar padinë në një gjykatë federale në Uashington.

Ky komision pretendon se Binance ka rritur artificialisht vëllimet e tregtisë, ka devijuar fondet e klientëve, ka dështuar të kufizojë klientët amerikanë nga platforma e saj dhe ka mashtruar investitorët në lidhje me kontrollet e saj mbi tregun.

Në padi thuhet se Zhao, themeluesi miliarder i Binance, ka kontrolluar në mënyrë të fshehtë asetet e klientëve duke kombinuar dhe devijuar fondet e investitorëve sipas dëshirës.

Rama u takua me Zhao më 26 nëntor të vitit të kaluar.

Krahas fotos me Ramës ai shkruan: “Jam takuar këtë të shtunë të bukur me kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama. Shtytja e adoptimit të kriptove nuk ndalet kurrë.”

Kujtojmë se opozita ka akuzuar Ramën, më konkretisht vëllain e tij Olsin, për lidhje me botën e nëndheshme të abuzimit me kriptomonedhat. syri.net

blank

“Tahiri e kërcënoi kryeministrin në publik”, Mërtiri: Ka një ujdi mes tyre, ish-ministri ka dijeni për bëmat e Ramës

Sociologu Ergys Mërtiri, i ftuar në studion e “Open” në News24 ka komentuar lirimin ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri nga qelia në arrest shtëpie.

Ai u shpreh se Tahiri është një person që nuk do kapej kurrë nëse nuk do dilnin përgjimet e tij në publik nga Italia dhe që më pas nuk iu hoq imuniteti nga parlamenti në një tentativë për ta mbrojtur.

Sipas tij të gjitha këto nuk mund të jenë rastësi, teksa tha se Tahiri u mbrojt nga kryeministri pasi kërcënoi këtë të fundit në publik duke thënë se askush nuk mund t’i vendoste prangat.

Ai shtoi se Tahiri nuk do dënohej kurrë nëse në seancat gjyqësore nuk do kishte përfaqësues të SHBA-ve, ndërsa tha më tej se ka një ujdi mes kryeministrit dhe Tahirit pasi ai ka dijeni për “bëmat e Ramës”, arsye për të cilin ky i fundit “nuk e shet” ish-ministrin.

“Nuk bëhet fjalë që në zyrtari të dënuar iu sëmur befas gruaja dhe atij iu zbatua ligji për ta nxjerrë. Bëhet fjalë për një person që i kanë dalë përgjime në publik se nuk do kapej kurrë. Ajo rrodhi nga italianët. Prokuroria nuk e hetoi, parlamenti nuk i hoqi imunitetin. Dolën skandale që iu mbuluan dhe në fund mori një dënim të vogël për shkak të presionit nga Amerika. Kjo është fabula.

Ata i kanë kopsitur letrat, jam i sigurt për këtë. Por të gjitha këto nuk mund të jenë rastësi, këtu ka influencë. Tahiri tha që nuk ka bir k që i vendos pranga atij, ishte kërcënim i drejtpërdrejtë për Ramën që e mbrojti pas kërcënimit. Kur ishte ai ministër ishte mbjellë gjithë vendi me hashash, nuk merrej më njeri me bujqësi.

Në këtë vend janë dënuar njerëz se kanë lidhur dritat dhe kanë vrarë veten në burg. Nuk e çan njeri kokën për këtë. Juridikisht ka shtigje pafund. Po të kishte gjyqësor të pavarur nuk do kishte amerikan që do shkonte në gjyqe. Tahiri nuk do dënohej nëse nuk do ishte SHBA në çdo seancë. Nuk është Tahiri problemi, por politika dhe fenomeni. Kryeministri i del në krah sepse duhet të ketë bëma që Tahiri i di dhe Rama nuk e shet. Këtu ka një ujdi dhe është alarm se të gjithë janë të kapur deri në fyt. As dënohet si duhet, as lirohet si duhet.


Send this to a friend