VOAL – Të shkruash do të thotë të marrësh përgjegjësi. Të shkruash është përgjegjësi. Tanimë këtë gjë e eksperimenton edhe ai që nuk e ka të shkruarit profesion. Për shembull, përpara se të shkruash një postim në Facebook, i cili mund të lidhet me një koment, një zhvillim politik, apo edhe më banale, me ndeshjen e fundit të futbollit, do menduar aq sa duhet për të kuptuar nëse komenti ynë është vërtet i nevojshëm.
I nevojshëm për atë që do ta lexojë dhe për ne vetë. Për historinë tonë në Web, për atë, që në këto mjedise virtuale, përherë e më të prekshëm, do të mbetet nga ne. Për atë që ditë pas dite, postim pas postimi, çon në ndërtimin e një identiteti paralel. E bëra këtë hyrje sepse shpesh ai që shkrimin e ka profesion duket se harron sesa fondamentale është të kuptosh se përse po shkruan. Dhe se kujt i drejtohet shkrimi. Për mua, të shkruash, ka patur sidomos domethënien të matesh, krahasohesh, të ndash dhe të njohësh. Mjet ndërmjetësimi mes meje dhe atyre që më rrethojnë.
Nëse shkruaj për Primo Levin apo për Anna Politkovskaja, nëse flas për Salamov apo për “Jo- Ditët e ylberit”(film i vitit 2012 që tematizon diktaturën e Pinoçetit) në televizion, e bëj sepse këto argumente janë Unë, janë vetvetja ime. Kanë kontribuuar dhe kontribuojnë për ushqimin e jetës sime dhe më ndihmojnë për të kuptuar atë që jetoj, që shoh, atë që më pëlqen dhe atë nga e cila më vjen ndot. Në të gjitha këto nuk besoj të jem i ndryshëm nga pjesa më e madhe e njerëzve. Ajo që padyshim më diferencon është privilegji se mund të shkruaj edhe jashtë hapësirës së pafundme virtuale. Dhe është pikërisht hapësira që okupojnë dhe përhapja që kanë, që i bën fjalët të rrezikshme, ndonëse mund të jenë thjesht recensione librash. Të rrezikshme në përmasën që do të lexohen, komentohen, riprodhohen.
Të dashura, të urryera, të ndara, të kritikuara. Fjalët e mia, fjalët e gjithkujt që sot shkruan, duhet të bëjnë llogaritë me një kohë në të cilën shkrimi-gazetaresk apo letrar-gëzonte një kredibilitet që për ne ishte për t’u patur zili. “Kanalet e furnizimit”(komunikimit) ishin të dobët dhe ishte kjo dobësi që i jepte gjithçkaje më më shumë autoritet. Në hapësirat e kufizuara të gazetave të përditshme dhe revistave, gjente vend vetëm ajo që perceptohej si e nevojshme dhe si e tillë e pandryshueshme. Sot, përkundrazi, informacioni është vazhdimisht i përditësuar dhe gjithçka humbet cilësinë e esencialitetit, gjithçka mund të zëvendësohet, kundërshtohet dhe përgënjeshtrohet pas shumë pak kohe.
Verifikimi i burimeve mund të mohohet, sepse në rast gabimi, lajmi menjëherë modifikohet, fshihet apo përmbyset. Ndodh kështu që mes lajmit dhe gossipit të thashethemeve, të të dëgjuarit se çfarë thuhet, diferenca gradualisht pushon së ekzistuari. Fitojnë prapaskenat-që shpesh nuk janë gjë tjetër veçse mbeturina të grabitura nga Webi-që nuk duhet të verifikojnë gjë, por thjesht të gjenerojnë konfuzionin. Rezultati i këtij tregimi të realitetit të ekspozuar ndaj ndotësve profesionistë, gjeneron tek ai që lexon, humbjen totale të pikave të palëvizshme.
Dhe mbi atë që shkruan? Sigurisht, do të bindemi se fjalët tona nuk janë të nevojshme dhe se kështu ne mundet menjëherë të shkarkohemi nga çdo përgjegjësi. Fillon kështu, të mos shkruhet më për një publik lexuesish heterogjenë, teksa shpresohet një numër sa më i madh i mundshëm, por të flitet me një njeri të vetëm. Gazetari që na ka kritikuar javën e kaluar, gjykatësi që na ka dënuar pardje. Por këto janë justifikime shumë të ulëta për të marrë në dorë lapsin, apo siç ka më shumë gjasa, për të vënë duart në tastierë.
Është e rëndësishme që shkrimet tona të mos i përgjigjen nevojave për hakmarrje, shpagimit personal, të mos jenë, shigjetime, përqeshje sarkastike dhe tallje. Të paaftë për të argumentuar apo për të arsyetuar, preferohet vënia në lojë, ironia, dëgjimi i theksit dhe injorimi i bisedës, t’i bësh që të dëgjojë lektorit pjesë të një shoqërie ku të gjithë janë në fund të fundit narcistë të shpifur. Ai që e ka reduktuar deri në këtë pikë shkrimin e tij, kënaqet finokërisht duke hedhur baltë mbi botën, duke injoruar faktin se pjesë e kësaj balte do të përfundojë pashmangshmërisht të jetë pjesë edhe vetë.
Përgjegjësia për fjalën, si kurrë më parë, duket të jetë zbehur, sepse gjithçka mund të modifikohet, deri edhe grafikisht, vetëm një çast pasi është bërë pronë publike. Ndjesia që krijohet është se edhe përgjegjësia-sikurse fjalët-janë përherë të modifikueshme, në varësi të atij që qeveris, vendos apo që komandon.
Komentet