NOSTALGJI FEMINORE
Më piku, më treti malli
Për agimet krahpëllumbi,
Për mbrëmjet gushëportokalli,
Dhe një gur’ të rëndë si plumbi!
Për atë zilen e dëlirë shkollore-
Një lirikë e ëmbël fëminie,
Herë e pikërt e herë gazmore-
Dritë e kaltër diturie…
Për tufat e kuajve hergjele
Nëpër lugje dhe kodrina,
Kalonin shtigjet vrap-rrufe
Patkojt lëshonin vetëtima;
Për atë kroin ku lanin vashat
Çarçafët e bardhë të virgjërisë,
Këmishat rozë kur i shtridhnin
Përhapej aromë e nusërisë;
Për penën që shkruajta dikur
Vargje me pigment blerimi,
Dhe një ëndërr amerikane
Derisa m’u sos durimi…
NENA QAN TE BIRIN
Të kujtoj në heshtje e vetmi
Me drithma, lotë e vojtje shumë,
Zotit çdo ditë i lutem tani
Të të dojë ai sa të desha unë.
Po nuk jam më ajo nën’ e marrë,
Ajo nënë që bota pa tek unë,
Ti ishe, o bir, dashuri e parë,
Që aq shpejt më ike si furtunë!
Nga zjarr i shpirtit sot përvëluar
Ndjej shkretëtirën pa mbarim,
E lodhur pres dhe e dërrmuar
Te dera më shfaqesh si një vegim.
Nëpër ëndërr lehtas ti më prek
Dhe pas ëndrrës, kur jam zgjuar,
Bebëza e syrit më hapet krejt
Si një shqiponjë krejt e tmerruar.
Të desha, bir, me dashuri sublime,
S’do ndjej më kurrë aq dhimbshuri…
Po kam dhe te shtrenjten, mbesën time,
Që emrin tënd mban përsëri.
Dhe shokët atje në varr të thellë
Dëgjojnë ç’thotë nëna kur qan’ për të:
Po ta kishit parë kur ishte gjallë
Dheu s’kish parë më si atë….
LTRAT E NENES
-nga vëll. “Lirikat e Veriut”
– Ietra e parë-
Kur drita e kristaltë në mbrëmje bie
Nga dritarja e vogel, krejt e qetë,
Më kap një brengë, një shkak mërzie
Se në zemër plaga e thellë do jetë;
Vështroj letrat mbi tavolinën ovale,
Kë të lexoj më parë s’e vendos dot.
Si në vendet e shenjta ulem e falem
Letrën ma njollosin ca pika lotë;
Marr të parën, mes të tjerash seri,
Shkruar si surrealistët, pa presje, pa pikë.
“Bir, mos harxho lekë pa karar në Veri
Se kemi dhe dasmën e nusja do prikë.”
Po pse të çuan aq larg, o bukuroshi im,
Në ato vise të largëta me re e me borë?
Sa bukur do të bëje këtu ti mësim,
Me vjershat do shndrisje si yll jugor…
Dhe mos m’u përziej me ato çupëlina,
Thonë se kanë zakone të rrepta atje…
Fytyra e saj më shfaqet dritë-hije,
Trishtimi më mbush syt’ e ulur përdhe…
E sa porosira të tjera më dërgon nëna:
Pranë llafazanëve e nursëzve mos rri
Le të jetë fjala përpara se zëmra
Se je, o bir, dhe me cen në biografi…
Prej kohësh i mbetur shkrimi në fletë
Si një copëz ëndërre e trishtuar.
Tani që e shikoj me mallë e me dert
Si e thinjur më ngjan, e dëshpëruar…
NATE DIMRI
Lotojnë strehët pa pushuar
Plep i vjetër po loton
Nëna pranë zjarrit shuar
Djalin në qeli kujton…
Hesht babai si bust në shkëmb
Pa fund cigare ndez e pi;
Plaga thellë në gji i dhëmb
Për djalin mbyllur në qeli;
Brenda muresh guri ndryrë
Hekur rrjetat në dritare
Frymën i zë qeli e ndyrë
I ndarë nga bota fare;
Natë dimri, natë pa fund
Dhe dita – natë vjen përsëri
Nëna s’flë, për djalin lutet
Me veshje guri në qeli…
Ti moj hënë që del në male
Pse vonon? Ç’pret ashtu?
Djali im ka brenga, halle
Për një copëz qiell blu…
FRYMEZIMI
Ju mund të habiteni po t’ju themë
Se sa rropatem për atë fjalën e duhur;
Nuk kërkoj në qiej ndonjë krizantemë,
As ndonjë meduzë në fund të detit e strukur.
Jo, për atë fjalën e thjeshtë unë robitem,
Kokën e rëndë sa një mal trupi mezi e mban
Dhe fjala si peshku në zall më përpëlitet,
Se oqeani duhej të ish poet e poeti oqean.
Dhe si bilbili me fytin e ftohur nga rrufa,
Që zgjat qafën, për të thënë këngën e ndritur,
Si bari pranverës në lëndina, kodra e gëmusha
Një dehje ma pushton trurin krejt papritur…
Dhe përpiqem të kap fjalët që më ikën,
Që ikën para meje, ashtu siç ikën hija
Dhe rend nëpër shkallë, shkallët që ngjiten
Nëpër shkallët që dridhen nën këmbët e mija.
Sa më lart ngjitem, më mirë poshtë vështroj
Majat e maleve që më duken si në gjumë
Dhe kaltërsinë e qiellit atëherë e kuptoj
Që si ato në mjegull ngjitem edhe unë…
KARVANI I REFUGJATEVE
Sot i prij drejt Qafë Botës karvanit të çamëve,
Asaj qafe ku lidhen e ndahen dy botë!
Botës barbare, që nuk njeh fuqinë e ringjalljes,
Dhe asaj që di të shohë zemrën në një pikë lot;
Në psherëtima ndjej rrënjët e thella të kujtimeve,
Rrënjët e traditave të lashta sa bota,
Vij të ujis rrënjët e këngëve dhe mendimeve-
Gjithë farat që i ruan fshehur nëntoka;
Vij të shuaj mallin, etjen e themeleve,
Të kulteve e rrënojave zhuritur nga zjarri,
Vij të shuaj etjen e sokakëve dhe moleve
Për një fjalë shqipe, për një hap shqiptari;
Vij t’i hap gurrat blerimit të ëndërrave,
Të çelin e buisin embrionet e farave,
Të rinisin nina-nanat, përgjërimet e nënave,
T’i marr hua hënës vellon e dasmave;
I qetë, i matur vij te varret e të parëve,
Ledhatoj gurin, përunjem e falem,
Jo, thonë, nuk duam llavën e hakmarrjes,
U japim bekimin për faljen e ringjalljen;
Jam veriu i freskët dhe juga e butë,
Jam vlaga e tokës, klorofila e bimëve
Jam gjeometër serbes dhe një bujk i urtë,
Jam një zog lajmëtar i ndërrimit të stinëve;
Pas meje vjen karvani i refugjatëve,
Ndjek rrugën e rikthimit nga u nis një ditë,
Si lumë dashurie, si kalorës i fateve
Si çdo popull i mënçur, qibar e fisnik;
Respekt!
Super varg