(Poezitë e krijuesit dhe disidentit,Ymer Adem Llugaliu,postmortem i boton në
vazhdime “Voal.ch”i poetëve dhe editorëve të mirënjohur Skënder e Elida
Buçpapaj )
.
NËNDIJA VETES
.
Lage buzën e andrrës
në gëzimin e çastit,
imazh lumtunie.
Mos e venit shikimin
në mall për dritën,
që në errësinë ka perëndue!
Buzëqeshi yllit
kaltërsive në shtegtim,
ndër vegime vetmie.
E djeshmja u struk,
kandili i së nesërmes
gjumin çepallash
asht t’u e na largue.
Fjalën skuqe në zjerm ndjesie,
shtroje mbi kullën traditë,
rrihe me çekiçin mendim,
ftohe me detin përvojë,
mprehe në rrezen dashuni;
mos të mbetet nji copë hekur dheu,
por shpatë me dy teha
në dorë të Skënderbeut.
Mbështete shputën
mbi shtratin e drunit,
si në Atikë Anteu.
Era s’të përkul,
shiu s’të tret,
vapa s’të djeg.
Nëse dimini të banë statujë,
Medaljon i pandryshkshëm
rrezear ke me mbet
në krahnor të atdheut.
Mirditë-Rrëshen, 1975