Zbardhen detajet e negociatave Shqipëri-Kinë më 1961 për vendosjen e bashkëpunimit mes dy vendeve. Sipas dokumenteve të publikuara nga qendra e arkivave “Wilson”, fillimisht ka pasur një bisedë mes Çu En Lait, kryeministrit të Kinës dhe ambasadorit shqiptar. Në bisedën e mëposhtme tregohen të gjitha premtimet që Kina i bëri Shqipërisë për nënshkrimin e një marrëveshje.
17 janar 1961
Shoku Çu En Lai dhe ambasadori shqiptar diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik e ushtarak mes Kinës e Shqipërisë
Çu En Lai: Faleminderit për fjalët tuaja të ngrohta. Po lexoj shënimet e takimit tuaj me anëtarin e komitetit qendror Li Xianian. Marrëdhëniet mes vendeve tona kanë vazhduar të forcohen që prej çlirimit dhe më shumë vitet e fundit. Megjithëse ju jemi disa mijëra kilometra larg, puna dhe interesat tona koincidojnë, ne ndihmojmë njëri-tjetrin dhe vazhdojmë përpara. Megjithëse vendet tona janë të ndryshme, njëri ka popullsi të vogël dhe tjetri shumë të madhe, fryma e përpjekjes sonë është e njëjtë. Ne ju admirojmë pasi kemi të të përbashkëta; së pari ju jeni të dedikuar në luftën kundër imperializmit dhe revizionizmit, së dyti ne po bëjmë përpjekje të njëjta drejt ndërtimit të socializmit dhe komunizmit në vendet tona, dhe së treti në marrëdhëniet tona i qëndrojmë besnikë internacionalizimit proletar dhe marksizëm-leninizmit, duke treguar unitet të plotë. Ne nuk do të humbasim kurrë nëse mbajmë lart këto tre flamurë. Nëse dhe të tjerë luftojnë për këto parime, ne duhet t’i mbështesim ato. Në kampin socialist ka vende që janë vendosur shumë pranë imperializmit, si Koreja, Vietnami, Shqipëria, Çekosllovakia deh Gjermania Lindore. Gjermania nuk është sjellë mirë me ju por nëse ajo do të hynte në luftë me Gjermaninë Perëndimore ne do t’i ndihmojmë ata. Nesër këtu vjen një delegacion gjermano-lindor. Është mirë që brenda 10 ditëve të arrini një marrëveshje parimor mbi çështjet e vendosura. Desha t’ju jap disa sqarime në lidhje me çështjet e diskutuara me shokun Li Xianian. Në lidhje me bashkëpunimin ekonomik duhet të kemi parasysh tre gjëra: së pari, ju keni të drejtë të kërkoni nga ne dhe ne do t’ju japin gjithçka mundemi. Ju mos na falënderoni, por na kërkoni ato që keni nevojë më shumë. Sot na kërkoni ato që keni më emergjente. Ndërsa për ato që mund të presin na kërkoni më vonë. Ne do t’ju japim ato që mundemi dhe nëse nuk kemi diçka do t’jua themi. Së treti, ju duhet të menaxhoni aktivitetet tuaja bazuar në internacionalizmin proletar, në situatën aktuale dhe në linjën e veprimit.
Çështjet mund të grupohen në atë të tregtisë për vitin 1961, në bashkëpunimin afatgjatë tregtar 1961-1965, dhe në çështjet ushtarake.
Për çështjen e parë, ne do t’ju japim mallra në rreth 20 milionë rubla, ndërsa ju do të paguani 9 milionë rubla, duke lënë një deficit prej 11 milionë. Bashkë me deficitin e vitit të kaluar prej 10 milionë, bëhet një total prej 21 milionë rubla. Ne mendojmë se për këtë vit kjo është e thjeshtë për t’u zgjidhur.
Nga ana tjetër, prej vitit të kaluar deri në qershor të këtij viti ne ju kemi dhënë dhe do t’ju japim 190 000 tonë grurë. Gjatë vitit 1961 ne do t’ju japim gjithashtu 2000 ton oriz, 3000 ton yndyrna dhe 6000 ton sheqer. Të gjitha këto arrijnë në 60 milionë rubla dhe përfshihen në kredinë pa interes që ju kemi dhënë. Ne mendojmë se ju duhet ta paguani kredinë rreth vitit 1971, ashtu siç kemi bërë dhe me vendet e tjera socialiste. Nëse deri atëherë keni vështirësi për ta paguar, mund të këmbejmë letrat dhe ta shtyjmë për më vonë. Nëse edhe në vitin 1981 do të keni vështirësi për ta paguar, me kërkesën tuaj data mund të shtyhet për më vonë. Madje dëshironi ta shtyni që tani afatin e 1971, mund t’i shkruani komitetit qendror, por kjo duhet të mbetet midis nesh. Në kërkesën tuaj përfshihen 85 artikuj të ndryshëm me vlerë prej 70 milionë rubla. Ne e analizuam kërkesën tuaj dhe mund të plotësojmë 60 për qind të artikujve. 40 % të tjerat nuk i kemi, dhe këto do i përfshijmë në huanë e re dhe jo në atë prej 55 milionë rubla, por çështja duhet të diskutohet me zv. ministrin e tregtisë së jashtme. Prandaj për vitin 1961 duhet të përdorni 21 milionë rublat e huasë së mëparshme dhe rreth 100 milion rubla të huasë së re. Kjo mund të publikohet edhe në shtyp.
Në lidhje me tregtinë dhe bashkëpunimin ne kemi çështjet e mëposhtme: 100 milion rubla për mekanizimin e bujqësisë, 350 000 ton grurë drithëra e sheqer për vitin 1961-1962 ose rreth 100 000 milionë rubla, dhe së treti 125 uzina industriale për katër vitet e ardhshme. Ju keni kërkuar gjithashtu zëvendësimin e specialistëve sovjetikë mandati i të cilëve është duke përfunduar, me specialistë kinezë të fushave të ngjashme. Çështjet e mësipërme janë komplekse dhe jo aq të thjeshta sa ato të pikës së parë për vitin 1961. Ne mendojmë se çështja më e thjeshtë për t’u zgjidhur është ajo e grurit. Nëse ju nuk mund të furnizoni popullin me grurë ne do t’ua japim.
Pyetjet për Shqipërinë
Ndërsa për çështjet e tjera që janë më komplekse duhet të kuptojmë pikat e mëposhtme:
Uzinat e përmendura të Bashkimit Sovjetik dhe Çekosllovakisë, do t’ju jepen përfundimisht? Nëse ata nuk jua japin, a do të vazhdoni punën siç e kishit planifikuar më parë? Ne mendojmë se ashtu siç përmendët edhe juve, sovjetikët dhe çekët mund të mos mbajnë premtimet e tyre për dërgesat e ndihmave teknike. Por në të njëjtën kohë mendojmë se do të ishte dëmtuese për ta nëse e njoftonin diçka të tillë së shpejti. Nëse Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera nuk ju sjellin uzinat, si mund ta kryejmë ne dërgesën për ju? Për momentin ne nuk mund të shprehemi mbi çështjen. Ne besojmë se ju mund të rishikoni planet e uzinave dhe punimeve. Për shembull, për momentin më të rëndësishme për ju janë bujqësia, ujitja, fertilizuesit, mekanizimi etj, ndërsa më dytësore janë industria e procesimit të ushqimit, rritja e standardeve të jetesës, industria nxjerrëse, mineralet, nafta, valuta e huaj, industria e rëndë, shkrirja, komunikimet, industria e ndërtimit, e riparimit të uzinave etj. A mund t’i analizoni me kujdes këto çështje? Opinionet tona mund të jenë të pasakta pasi ju e njihni situatën më mirë. Për bashkëpunimin afatgjatë tregtar ekonomik ne duhet të vendosim për kursin që duhet ndjekur. Për momentin mund të vendosim shumën totale të huave që do t’u japim. Mund të themi se ato do të përdoren për ndërtimin e ekonomisë, mekanizimin e bujqësisë, për grurin, specialistët. Por për momentin nuk mund të japim detaje konkrete sesi huatë do të përdoren. Nëse jeni dakord me ato që u thanë, ne do të njoftojmë komitetin qendror për të vendosur sesa milionë rubla t’ju japim. Aktualisht do nënshkruajmë një marrëveshje jo-specifike. Ju keni kërkuar gjithashtu këshilltarë për ambasadën tonë në Tiranë. Do t’i dërgojmë.
Çështja e ndihmës ushtarake është më e komplikuar. Ju jeni vend anëtar i Paktit të Varshavës dhe ne mendojmë se është e papërshtatshme që të ndërhyjmë në këtë çështje. Por megjithatë kjo nuk do të thotë se BRSS nuk duhet t’ju ndihmojë ose që ne nuk duhet t’ju ndihmojmë. Ne duhet të bëjmë një listë të gjysmës së nevojave të ushtrisë. Nuk i kemi të gjitha ato që kërkoni, si shembull avionët MIG, avionët tip 19 dhe nuk kemi mjaftueshëm tanke. Besojmë se mund të plotësojmë më shumë se gjysmën e kërkesave tuaja, por do t’ju njoftojmë më vonë ato që nuk kemi. Kemi nevojë të dimë formën e modelin e uniformave ushtarake dhe ata që do t’i qepin. Por kjo nuk është kryesorja, e rëndësishme është që ju jeni vend anëtar i Paktit të Varshavës. Ne mendojmë se ju duhet ta diskutoni përsëri çështjen me Bashkimin Sovjetik. Edhe ne do të flasim me ta kështu që marrëdhëniet do të përmirësohen dhe ata do t’ju ndihmojnë për çështjet ushtarake, pasi ata ende e përdorin Shqipërinë si port. Bisedimet tuaja me Bashkimin Sovjetik dhe ato të Kinës me Bashkimin Sovjetik janë në interes të të dyja vendeve. Nëse bisedimet nuk janë të suksesshme, atëherë ne do t’ju ndihmojmë me ato që kemi. Nëse Bashkimi Sovjetik rikthen ndihmën për ju ne do të ndalojmë ndihmën ushtarake, sepse ju jeni një vend anëtar i Paktit të Varshavës . Për bashkëpunimin ekonomik, do të ishte mirë që ju të flisnit me BRSS dhe Çekosllovakinë për të kuptuar nëse ata do të përfundojnë impiantet e premtuara. Ju duhet të zgjidhni fillimisht këto çshtje me ta që më pas puna me ne të vazhdoë e papenguar.
Sqarime
Pala kineze është përfaqësuar nga anëtari i Byrosë Li Xiannian, zv. ministri i jashtëm Tsen Yiu Zhian, zv. ministri i tregtisë Li Chan, zv-President planifikimit Liu Min Fou, zv-President i komisionit ekonomik Chan Kuo Zhian, zv- kreu i ushtrisë Chan Chun Siu dhe ambasadori i KInës në Tiranë, Luo Shigao.
Pala shqiptare: Mihal Prifti, Pupo Shyti e Shenasi Dragoti.
Komentet