I sugjerova një mikut tim, të lexonte dikë. U acarua dhe lëshoi sarkazmën, që në gojën e tij merr lezet: “S`kam ndërmend, këtë jetë që më ka mbetur, ta shpenzoj me një dava koti!” Edhe të tjerë të njëjtin mendim ndajnë, por lustrat nuk ia kursejnë tutkunit duke e veshur me ar. E mora dhe si një qortim për veten, që, s`prish qejf. Mjafton që tjetri shpenzon kohën e tij për ty, ia vlen respekti, pale kur ulet dhe shkruan për ta shoqëruar gëzimin e botimit. Për më tepër që sot lexuesi është bërë si mall me mik. Ajo që më shqetëson në këtë histori, nuk është çështje kohe, se s`kam hallet e botës mbi kurriz, por, si nderi të kthehet në qeder?! Në vend të respektit merr lëndime.
Miku im e zgjidh kollaj me një heqje vize, duke i futur dhe një të sharë nga pas. Mirë ta ka bërë, të ka gjetur kokën, do më thoshte një tjetër mik, kur i tregova rastin e pushimeve në Miami të Floridës, si një i njohuri ynë më kërkoi t`i lexoja një libër me poezi, të cilin ma nisi me email. Edhe pse i thashë që jam me pushime, ditën e dytë më shkroi: “Besoj se e ke filluar”, të pestën: “Shpresoj t`ju ketë pëlqyer.” Ngaqë pritja e tij po më vinte në pozitën e “njeriut të rëndësishëm”, vendosa t`i krijoja një surprizë, që ia kisha bërë dhe të tjerëve. Pas ca ditësh i dërgoj ballinën e gazetës, ku kisha shkrimin për të. Humbi si kripa në ujë. U ndjeva, po aq i përdorur, sa Demka i Driteroit. Pas ca kohësh, kur pashë që po i gëzohej shkrimit të një tjetri, me lëvdata, e mora për karshillëk, pasi më la të kuptoja se tani kishte rënë në usta. Kështu që fajin ia vura vetes, që s`kisha arritur të përmbushja pritshmëritë e të shquarit. Sapo isha kthyer nga një udhëtim në oqean për të parë spektaklin natyror të balenave dhe delfinëve, shoh ne celular, që filanja më kish nisur një librin e saj, ta lexoja. Porosia për të shkruar e nënkuptueshme. A i prishet qejfi një femre në mes të natës? Kur në faqen time hedh shkrimin për librin, e llastuara m`u kthye në një grifshë, duke më trajtuar si një keqbërës? Ngaqë e kishin pompuar shumë, ndonjëherë pjepri fryhet dhe nga vetëkënaqësia do thoshte Driteroi, prapë fajin ia vura vetes: do i jem dukur si një lloj kaceku, që s`e ndez furrën. Mbase kishte pritur lëpirsin tek unë?! Iku dhe kjo me shoqet.
Nuk t`i quajnë as leximet dhe as shkrimet, ngaqë u del nga pritshmëria për të qenë një klake apo lake, duke të të vënë në rolin e një mëzi, që e lidhin pas karrocës. Fundja, përse thirret gomari në dasëm? (Ata që të zemërohen se u ke prekur partinë apo liderin, edhe u falet, por të paktën të mos shajnë kolegët që shkruajtën poezi për partinë dhe shokun Enver?!) Në vend t`i shtosh vetes miq, ndihesh i padëshirueshëm?! Duke lexuar një cikël poezish të Agim Gjakovës të publikuar nga poetët Skënder dhe Elida Buçpapaj m`u duk sikur gjeta arsyen, pse nuk më kishte duk miqsia me disa, që kishin trokitur në portën time dhe u isha gjendur? Në vargun e poetit Agim Gjakova m`u duk sikur gjeta sekretin e vuajtjes sime: “parreshtur vijnë e më thonë fjalë të rrejshme pa ngjyrë”, të cilat ai i refuzon, por të tjerët ato i kanë ushqim të përditshëm. Pikërisht këto “fjalë të rrejshme pa ngjyrë” i gjen me shumicë në tregun hormonal të lajkave të ndërsjellta, ku butaforikët mbushin barkun e nginjur me falsitete. Janë të varur prej sterotipeve, këtij lloji silazhi, si prej një droge. I kam cituar dhe herë tjetër fjalët e Antigonës drejtuar mbretit të Tebës: “Me fjalë boshe do ta prish unë ty mendjen.” Ia prishi një mbreti e jo më një poeti! Të tillët Aristofani i përfytyronte të notonin mbi re. Nëse doni “fjalë të rrejshme pa ngjyrë”, mos trokisni në portën time se do u sillem si ai miku ime me një të sharë. Kur flasim për ngjyra nuk kam parasysh preferencat partiake, të cilat duhet pranuar se janë barikada të padukshme për të shkuar tek tjetri. Nëse nga ngjyra e kuqe tërbohej demi, mos nga bluja duhet të tërbohet toreadori? S`do ishte keq t`i përgjigjeshit ftesës së poeteshës Elida Buçpapajt:
ju ftoj le t’i heqim maskat
balloja me maska
mori fund
zgjati aq sa nuk duhej
por më në fund
e dha shpirtin hipokrizia tribale
e militantizmit
të tranzicionit
që shet e ble
njeriun
në tregun e skllevërve të
politikës së shëmtimit
kur për t’i folur një miku
duhet t’i marrësh leje
partisë.)
S`jam Don Kishot, që t`më faniten viganët, sikurse s`jam teveqel që të hiqem sikur s`i shoh majat, sikurse është rasti i gjeniut Kadare, ku ca syresh u rrenë mendja se janë barabitur me të në mos e kanë kapërcyer, por “fjalë të rrejshme pa ngjyrë” mos prisni prej meje, pasi shpirtin tim s`e gjeni asnjëherë bosh…
Fatbardh Amursi