Kujtimet u kthyen përsëri…
E kam njohur poetin Zef Zorba. Për këtë kam qenë fatlum. Se takime të tilla, mbesëlënëse, sikur nuk vijnë shpesh në jetë. Janë të rrallë. Gurë të çmueshëm!
Takimi im me zotni Zefin, kështu iu drejtova për herë të parë, dhe kështu i jam drejtuar gjithëherë, sa e kam takuar. Takimet përkuan me punën time, asokohe, gazetar në radio Shkodra, ku mbuloja emisionet artistike.
U takuam në Radio dhe me shumë këmbëngulje e ftova për një kafe. Pranoi. Ajo bisedë është dhe mbeti e vyer për mua. Nuk e vjetëron dhe as nuk e fshin koha.
E shikoja me bisht të syrit, at’ burrë që edhe heshtja i fliste. Me një buzëqeshje nazike. Të lehtë. Të gjelbër si një degëz ulliri. Fliste ngadalë. Të shikonte përmes xhamave të gjyslykëve. I kulturuar. Enciklopedi. Vështrimtar. Biseduam e biseduam dhe në fund, gjithë përkujdesje, i kërkova të bënim një emision. Ai buzëqeshi ngadalë, tundi kokën, buzëqeshi përsëri… (Edhe tani rri e i mendoj veprimet e tij gjatë atij bashkëbisedimi – “Thërriste kujtimet apo ende vazhdonte të largonte natën… Siç thoshte poeti: “tinëzare fërshëllen mbas pritash, / si në kohën e cubave / ku thika vetëtinte e ftohet; e buzagaz me pezëm.”
Në çastin e ndarjes, me pakëz emocion i kujtova porosinë. Ai përsëri buzëqeshi. Më vështroi gjatë… Më pas hodhi hapin ngadalë… Nuk ishte më shumë se dy metër nga ndarja, unë ktheva kokën pas. E pashë edhe njëherë at’ njeri trupmadh, pakëz i kërrusur që ecte ngadalë… Ngadalë… sikur po humbiste nga sytë e mi një dritëz ylli… Nuk e doja këtë ikje… Në mendjen time e krahasova edhe me një bibliotekë. Në shpirtin tim rrezatonte fisnikëria e tij.
… Ai po ikte ngadalë si një ëndërr e bukur që gjithherë e ka ëndërruar… Ai… që “Në të vërtetë… nuk don me u paraqitë, e ketë gja e tregon ma së mirit poezia e tij hermetike, e difton mungesa e dëshirës me u dukë – që e shoqnoi gjatë gjithë jetës, e dishmon jeta e tij e mbyllun, fakti që sa qe gjallë nuk botoi asgja, dhe vetë qenja dhe dukja e tij fisnike dhe e distancueme prej gjanave dhe prej kohës që iu dha me jetue.”[1]
Them, që… pas një muaji u takova përsëri. Kësaj radhe në Departamentin e Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Kishte zënë vend në një karrigë dhe vështronte nga xhamat e dritares. Vështronte ato rrugë e shtëpi të Dugajve të Reja, që mund të dukeshin. Në çast e përshëndeta. Nuk e lashë të ngrihej. Më buzëqeshi. Nuk më la t’i rikujtoja porosinë… Më tha: “Shpejt do ta bëjmë emisionin!” E falënderova dhe u lumturova. Për gazetarët, këto janë ngjarje të shënuara, që gjithashtu, nuk përsëriten kollaj.
Kur unë prisja të bëja emisionin… pas dy javësh, poeti Zorba ndërroi jetë. Ishte fillimjanari i vitit 1993. U dëshpërova. U pikëllova. Më mbeti peng…
Zorba filloi të njihej pas viteve ‘90. Studimi i vazhdueshëm mbi poezinë e Zorbës, më ka bërë të njoh disa kodet e saj, të cilat po i përmend:
Zorba, e ka një shenjë në Kotorr, një shenjë në Shkodër, e një shenjë në Padova. Një rrugëtim intelektuali, i pajisur me magjinë e letërsisë, i pajisur në fushën e shkencave politike. Një formim për t’ia pasur zili!
– Zorba, që nuk ndodh shpesh, ishte një intelektual me ‘shenjë’ në Shkodër. Drita e diturisë së tij e dritësonte qytetin e tij, ku kaloi shumë vite jete. E nderonte qytetin. Ishte një njeri me pronësi të madhe intelektuale. Dhe ky ishte fat për qytetin tim. Sigurisht edhe për ne.
– Zorba, me poezinë e tij, i theu kornizat e tabutë e sistemit famëkeq komunist. Ishte poet evropian. Kështu flasin hapësirat e poezisë së tij. Erdhi me një profil të veçantë si askush, për t’ia shtuar më tej kurorën letërsisë shqipe, veçanërisht poezisë.
– Zorba, si poet i përket “letërsisë së sirtarit”. Nuk e lanë të kumtonte. Pak ia njohën verbin poetik. Kjo është arsyeja që dramën e tij e pikëzoi, si rrallë poet, që në titullin e librit: “Buzë të ngrira në gaz”. Pasqyrim i një epoke-dramë. Përmes këtij vargu ishte dhe në thelb edhe marrëdhënia e poetit me realitetin ekzistues. Në vargjet e tij lëviznin si drama të vërteta, plot metafora e epitete të trishta, me emërtesa si këto: “I errët ky shteg.”, “Në cep të greminës”, “një zhig përshtypjeje”, “njollat e territ përgjakë”, “sytë e përlotur”, “ku jeta – dhuratë përbuzet, / ku hiqet dreqi me vdekë”, “o rrugët e errëta”, etj., etj.
Shpesh, në poezitë e tij thoshte plot dhimbje (e një dhimbje tragjike): “Nuk mundem / rrugën me gjetë pa dritën / tande.”, “Dritë përmes avulli”, “Dalloj fytyrën tënde, pluhur bore; / marrshëm për pak më buzëqeshë”, “… piklohen / shkurret / me ëndrra / xixëllonjash.”, “Por diç njëherë gufon në gji / e m’jepet një buzëqeshje me ia prirë / çdo drite motër / që shuhet.” etj., etj.
Studiuesi Ardian Ndreca ka një qasje interesante ndaj poezisë së Zorbës. Ai thotë: “Poezia e tij asht e përshkrueme anë e përtej prej notash lirike që herë herë janë të pakapshme prej lexuesit të randomtë:
Shpejto, pranverë!
Kjo shpresë qenkish tharm që shpirtin brenë
ma keq se urithi dhenë
Ose kur shkruen:
Shiu menë
një rreze e hollë
nisë tymrat e po i çanë
ne kapemi për të
e hipim përmbi re.
Nji prej poezive të tija ma të bukura titullohet: “A s’ma ndërtoni një shtëpi”:
A’ma ndërtoni një shtëpi aty,
aty, po aty, përtej, në mes të pyllit
ku pishat shul me ahat shpupurishen
aq dendur janë, e ku stuhi e murlan
-kur sulen me zhaurimë e me poterë-
ndijimet marramendthi i pështjellojnë
e mbeten ashtu lmuç të laskaruara
si përmes gjethesh shprishur rreze e hënës.[2]
Zorba e ëndërronte dritën! Edhe pse gjithë dhimbje thoshte: “Jeto pa u vënë re! – kisha dëgjuar një ditë të thuhej nga Zef Zorba. – E ka thënë Sokrati që në Antikitet, – shpjegoi atypëraty Zorba.
-“Jeto pa u vënë re!”. Sa bukur! Sa thënie e mençur… E si mund të jetohet pa u vënë re?!!!
Jetohet. Jetohet.”[3]
Zorba!.. Më dukej se edhe qëndrimi në at’ karrige në katedrën e letërsisë përballë dritares, mbase ishte një motiv i përjeshtëm: për të parë dritën, për të ëndërruar ende dritësinë e saj, për të parë jetën e qytetit, Shkodrën – qytetin e jetës së tij! Malli përkundej në andrrimet e Zorbës…
***
“Gjuha e lirisë është gjuha e shqiptarit…”
-refleksione-
Objekt shqyrtimi: shkrimi: “Disidenca e parë publike e intelektualve shkodranë”
Autori: Zef Zorba, Botuar: në revistën “Shejzat, Viti I, Janar – Qershor 2016 (1-2)
1.
Zef Zorba nuk ishte vetëm poet, përkthyes, filozof, linguist, autor tekste këngësh, por edhe regjisor. Me emrin e tij, si regjisor, lidhet edhe shfaqja e premierës “Juda Makabe” (tragjedi) të autorit Gjergj Fishta, me muzikë origjinale të Prenkë Jakovës; dhënë në qytetin e Shkodrës, me 28 Nëntor 1945 nga grupi filarmonik i Shtëpisë së Kulturës e të Artit të këtij qyteti.
Shkrimi i Zef Zorbës mban datën 16 gusht 1991 dhe është shkruar në Shkodër. Përmendja e kësaj date, ka vlerë për jetën dhe krijimtarinë e poetit, sepse pas një pauze të gjatë fillon letërsia e tij të largohet nga ‘sirtari’ dhe të shijojë aromën e lirisë, të asaj lirie që poeti e ëndërroi vite me radhë.
Shkrimi i Zorbës, si karakteristikë, ka një ngjeshje strukturore, dinamikë të brendshme dhe një pasuri leksikore – refleks i një kulture të një intelektuali të vërtetë. Ngjarjet që shtjellohen paraqiten grafikisht në një vijë lineare dhe në mënyrë kronologjike, me detaje e imtësi. Në këtë vështrim përceptohet nga ana e autorit, rrugëtimi i vështirë e plot peripeci, siç ishte në rastin konkret i këtij eventi, pra, shfaqja e kësaj premiere, që përkonte me një realitet të turbullt e dramatik, i çili datohej, më 28 nëntor 1945. Kjo datë dhe shoqërimi historik si kontekst real, ishte i turbullt, i trishtuar e ogurzi. Jo vetëm në skenë, por realisht në jetë, tragjedia ishte më shumë se një tragjedi. Përkimi historik shkëlqente edhe më shumë penën e poetit atdhetar Gjergj Fishta.
Zorba, shfaqjen (për të ardhur deri tek dita e shënuar premierë) dhe regjinë e saj nuk e ka parë mbi bazën e formatit artistik si gjini teatrore e të punës tekniko-profesionale, doemos ata kanë rëndësi dhe vlera, por i ka mëshuar me forcë në një kontekst më të gjerë historiko-shoqëror, në një përballje të karakterit antagonist, pikërisht me atë “çfarë po ndodh me Shqipërinë dhe Kombin tonë?”. Dhe i ndodhur përballë kësaj drame, shfaqja “Juda Makabe” nuk ishte thjesht një shfaqje. E vendosur në atë datë historike, triumfi i saj ishte, siç e quan Zorba: “Disidenca e parë publike e intelektualve shkodranë”.
Zorba e njeh mirë realitetin aktual, mënyrën se si po shkonin ngjarjet dhe si po rrokulliseshin (kjo në planin kombëtar e patriotik). Zorba e njeh mirë të kaluarën, historinë, bashkëkohësinë, psikologjinë, natyrën e këtij qyteti, që kishte vendosur të bashkëndante jetën e shumëçka me të.
Në këtë shkrim-dokument, pikërisht në pikën hyrëse të shkrimit, autori operon, ngul dhe përdor me vend: plot fjalë, shprehje e alegori qëllimsigurta. Për arsye metodike, kam menduar, t’i ndaj në dy grupe:
*Grupi i parë: “…sigurisht në rradhë të parë për vlerën artistike të veprës (“Juda Makabe”, – nënvizimi im Xh.B) e sidomos për vështrimin e saj pakufinisht patriotik”, “… sikur edhe tingëlloi, protestë e hapur kundër rregjimit, shtypjes e grabitjes”, “nën qiellin e euforisë…”, “re të turbullta, gjithnjë e më të kobshme e më kërcënuese”, “spektakli i të tilla grabitjeve ishte sa i trishtë aq dhe rrënqethës”, “… e përmbi të gjitha, kësaj dhune po i shtohesh pezm i përsëritjes së robërimit të Kosovës martire”.[4]
*Grupi i dytë: “Spontan, por i mbrujtun nga konstatime të pareshtura, zymtimi po merrte përpjestime gjithnjë më të mëdha”, “…revoltimi u bë zë i ditës e zu të shpërthente në denoncime të hapta ose të mërtisura.”[5]
Si përfundim: edhe duke iu referuar edhe fjalëve të autorit: “I tillë tharm mori trajtën konkrete në idenë që lindi mes intelektualëve të grumbulluar rreth Shtëpisë së Kulturës për vënien në skenë të tragjedisë “Juda Makabe”.[6]
2.
Në shkrimin e Zorbës, personazhet jetësorë e personazhet-artistë zënë vend të dukshëm. Prania e tyre është ajo e personazheve me devocionin e botën e tyre, me talentin e sakrificat e tyre deri në dhimbje, me idealet dhe vlerat e ndërgjegjes, me humanizmin dhe shpirtin e tyre artistik, etj., etj. Ata lëvizin të lirë e njerëzorë në hapësirat e lira të shkrimit të Zorbës, edhe pse në punën e tyre të nisur fisnike ka një e njëmijë pengesa. Ata…, personazhet… rrezatojnë e dritësojnë, janë vatra të pashtershme diturie, morali, dashurie dhe krenarie. Ndaj, Zorba në rrëfimin e tij i përmend me finesë, duke iu dhënë indeksin individual, i vizaton me dashuri zorbiane. Koherenca, më bën të them, se ata janë dhe vazhdojnë të jenë bashkudhëtarë në eçjen tonë. Më bën të them se, në skenën e madhe të Jetës janë emra që kanë vlera mirënjohjeje, të patjetërsueshme e nderimi, si: At Martin Gjoka, At Gjon Shllaku, Prenkë e Ndoç Jakova, Qemal Draçini, Kolë Luka, Filip Ndoçaj, Injaç Zamputi, Vehbi Bala, Tefë Gjonej, Myzafer Pipa, Paulin Pali, Ramadan Sokoli, Muhamet Ademi… Safete Sokoli, Tish Daija, Ndoc Kujxhija, Tonin Bedeni, Gjyljana Nënshati, Terezina Pali, Ana Daja, Neta Cepi, Gaç Luli… Lec Bushati, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Lec Shllaku, Qazim Lila, Gaç Çuni, Leo Prela, Jonuz Tuli, Pjetër Gjergji, Pjerin Ashiku, Çesk Vuksani, Alfred Ashiku (ahere vogëlush) etj., etj.[7]
3.
Shkrimi i Zorbës ardhur nga vitet, dhe vitet do ta përcjellin gjithherë…, më ngjan me një dëshmi sa historike aq dhe artistike. Më ngjan si një fotografi, ku “nuk e tret dheu”. Më ngjan me një arkivë, që i referohesh parreshtur. Më ngjan, dhe kjo është e vërtetë: plotëson më tej portretin e qytetit tim.
Ngjarje të tilla me përmasa të mëdha, siç është vënia në skenë e tragjedisë “Juda Makabe” në një vit të dridhshëm historik; duhen vlerësuar, kujtuar e nderuar. Në vetvete me historinë e mesazhet e saj (përfshi këtu dhe veprën) mbetet model dhe pikë e vazhdueshme referimi. Gjithashtu, ngjarje të tilla, në përceptimin e Zorbës janë shenja Kujtese e Mos-harrimi. (Të mos harrojmë se tragjedia u vu në skenë në një kontekst kohor, që për vete ishte tragjik. Të mos harrojmë se, shkrimtarin madhor e anatemuan, por shpirti i popullit ‘i dha jetë e frymë’ – lavdinë e përjetshme!)
E, duke vazhduar me ‘biografinë’ e veprës, me realizimin e saj “guxuam e bëmë të pamundurën”, autori na thotë: “Në Shkodër shfaqja u dha pesë herë e gjithherë salloni ishte i gremisur. Thërrisnin spektatorët e duartrokisnin: duartrokisnin e qanin si fëmij. Tragjedinë e skenës po e ndiente çdokush, i gjithë kombi. E jo vetëm shkodranët. … Vargjet e Fishtës kishin depërtuar në zemrat e tyre, ngado ata ishin, nga Tepelena a Kukësi, nga Skrapari dhe Peshkopia. Gjuha e dashurisë, gjuha e lirisë është gjuha e shqiptarit mbi çdo dialekt ose të folme.”[8]
Në këtë shkrim-gjurmëshenjimi, koncepti i lirisë është filozofia e Zorbës, filozofi që e ndoqi gjithë jetën. Kjo filozofi ndjek dhe Fishtën e Madh, si në gjithë opusin e krijimtarisë së tij. Te “Juda Makabe” pasqyrohet qartë kjo. Te “Juda Makabe” fjala shqipe përdoret me vend. Autori i jep asaj lavdinë, stoicizmin dhe monumentalitetin e vet. Shpirti për shpirtin: – Jeton!..
Si shembull po marrim këto vargje:
“N’zi eshte shpija e tempulli
Ku nuk sundon Lirija
E shuhet gjaja e populli
Ku e t’huajve urdhnon lakmija”.[9]
Shkodër, shkurt 2018
[1] Ndreca, Ardian: Letërsia në pritje të poetit, Shekulli, 06.01.2010.
[2] Ndreca, Ardian: Letërsia në pritje të poetit, Shekulli, 06.01.2010.
[3] Çapaliku, Stefan: Secili çmendet simbas mënyrës së vet ( I ), roman, f. 125, Botimet Fishta, Tiranë, 2016.
[4] Zorba, Zef: Disidenca e pare publike e intelektualve shkodranë, 208-213, Shejzat, Viti I, Janar – Qershor 2016; f. 208.
[5] Po aty, f. 208.
[6] Po aty, f. 208.
[7] Po aty, f. 209, 210.
[8] Po aty, f. 212.
[9] Po aty, f. 212.
Komentet