Më 5 gusht Konferenca Evropiane e Bibliotekave Kombëtare (CENL) bënte të ditur se trashëgimia krijuese e Annemarie Schwarzenbach dhe Ella Maillart u përfshi në Regjistrin e Kujtesës Botërore të UNESCO-s.
Rreth një shekull më parë, dy zviceranet, siç nënvizon lajmi, luajtën një rol kyç në shndërrimin e përshkrimeve të udhëtimit, deri atëherë zotëruar nga meshkujt, në një gjini letrare dhe vizive të ndërmarrë tashmë nga femrat. Ekspeditat e tyre në rajone të pashkelura, çka ato e mbuluan krejtësisht në mënyrë të pavarur si në rrafsh financiar dhe teknik. Dhe përshkrimet e tyre të jetës së femrave në vende e pazhvilluara janë shembull se çka mund të përmbushej në atë kohë.
“Annemarie Schwarzenbach dhe Ella Maillart: vizioni i dy grave për botën” u quajt nga tri institucione që ruajnë trashëgiminë e shtigjeve të jashtëzakonshme të këtyre dy zonjave dhe vizionin e tyre unik për botën:
Arkivat e Letërsisë Zvicerane në Bernë ku ruhet trashëgimia e Annemarie Schwarzenbach, vepra letrare dhe letërkëmbimet si dhe 3 500 fotografi e 2 000 negativë fotografish, të vizitueshme falas në Wikimedia Commons; Geneva Library, ku ndodhet vepra e plotë letrare e Ella Maillart bashkë me artikujt e saj në shtyp dhe rreth 6 000 letra të shkruara me dorë, rreth 10 metra lineare të materialit arkivor; Muzeumi The Photo Elysée në Lozanë, i cili përmban koleksionin fotografik të Ella Maillart
Nëpërmjet krijimtarisë së tyre udhëpërshkruese dhe fotografive Annemarie Schwarzenbach e Ella Maillart i shndërruan udhëtimet në një përvojë të vërtetë ekzistenciale dhe në një shembull të fuqishëm emancipimi. Arkivat janë dëshmitarë të pasqyrimit të tyre artistik dhe qëndrimit të tyre kritik ndaj konflikteve më të mëdha të Shekullit XX.
DY FATE TË NDARA DHE NJË PIKËTAKIM HISTORIK

Burimet enciklopedike bëjnë të ditur se Annemarie Minna Renée Schwarzenbach lindi në qytetin e Zyrihut, më 28 maj 1908, bijë e një babai të pasur në industrinë tekstile dhe e një nëne me prerjardhje artistokratike nga hierarkia e lartë ushtarake gjermane, një femër libertine që merrej me sport, me fotografi dhe pasione të tjera. Annemarie që në moshë të vogël vishej dhe sillej si djalë. Studioi në një shkollë private ku u përqëndrua tek gjermanishtja, historia dhe muzika, duke i shpërfillur lëndët e tjera. Ajo ishte balerinë, luante në piano, por ëndrra e saj ishte të bëhej shkrimtare. 23 vjeçe mori doktoraturë në histori në Paris, në atë kohë filloi të botonte romanet e para që u pritën mirë.
Më 1930 ajo u njoh me Erika dhe Klauss Mann, bijën dhe birin e shkrimtarit Thomas Mann. I kaloi disa vite në Berlin duke u bërë e shtëpisë në familjen Mann. “Ajo bënte jetë të rrezikshme. Pinte tepër. Asnjëherë nuk binte të flinte para agimit,” kujton një mike e atëhershme. Bukuria e saj mashkullore-femërore i tërhiqte njëjtë si meshkujt dhe femrat. Ky stil jetese i saj mori fund më 1933, kur nazizmi erdhi në fuqi dhe Berlini bohemian nuk mund të ekzistonte më. Ajo ndërmori disa udhëtime me Klaus Mann, në Itali, Francë, Skandinavi. Müe 1933 udhëtoi me fotografen Marianne Breslauer në Spanjë. Edhe Breslauer ishte e magjepsur nga Schwarzenbach: “Ajo nuk ishte mashkull as femër, por një engjëll dhe kryeengjëll,” shkroi ajo. Po atë vit udhëtoi në Persi. Pas kthimit në Zvicër ajo shoqëroi Klaus Mannin në Kongresin e Shkrimtarëve të BRSS. Mann ishte në kulmin e suksesit si shkrimtar. Në një udhëtim tjetër, ajo i shkroi atij të martoheshin, por asgjë nuk doli nga ky propozim.
Ajo interesohet për karrierën e alpinistit dhe fotografit zviceran Lorenz Saladin që kishte kapur disa nga majat më të larta të botës, duke çuar jetën në kufirin Kinë-BRSS. Ajo ishte e magjepsur edhe përballja e tij pa frikë ndaj jetës, në kontrast me depresionin e saj. Pas kthimit në Zvicër, shkroi librat “Lorenz Saladin: Ein Leben für die Berge”, “Tod in Persien”. Më 1937 dhe 1938 fotografitë e saj dokumentuan ngritjen e fashizmit në Evropë. Pastaj vazhdoi udhëtime në lindje të kontinentit dhe në Amerikë.
Në qershor 1939, në një përpjekje për të mposhtur depresionin dhe për të ikur nga retë e luftës në Evropë, ajo ndërmori një udhëtim në Afganistan bashkë me etnologen Ella Maillart.
Itinerari jetësor i bashkudhëtares së re të saj ishte më i thjeshtë, por jo më pak aventuror deri te qershori 1939.

Ella Maillart, e përshkruar si aventuriere, shkrimtare udhëtimesh, sportiste zvicerane, njihet si një nga udhëtaret më të mëdha të shekullit XX. E lindur më 20 shkurt 1903 në Gjenevë, bijë e një tregtari të pasur zviceran dhe një nëne danez, kur ishte 20 vjeçe, ajo me një mik, lundruan nga Kana në Korsikë, pastaj Sardenjë, Sicili dhe Greqi. Më 1924 garoi në Olimpiadën Veriore si lundërtare, e vetmja femër në garë, dhe përfundoi e nënta nga 17 lundërtarë. Në këtë kohë ishte edhe kapitene e ekipit të femrave zvicerane të hokejit në fushë të blertë dhe skiatore ndërkombëtare.
Në vitet 1930 ajo iu përkushtua udhëtimeve në republikat myslimane të BRSS si dhe në vende të tjera në Azi, duke shkruar e botuar një varg librash të rëndësishëm, fillimisht në frëngjisht e më vonë edhe në anglisht, të ilustruara me fotot e saj, libra që edhe sot kanë vlera historike dëshmish. Më 1934 u dërgua nga e përditshmja Le Petit Parisien në Mançui për të raportuar për situatën nën pushtimin japonez. Aty u takua me Peter Fleming, shkrimtar i famshëm dhe korrespondent i The Times, me të cilin përshkoi Kinën nga Pekini në Srinagar, 3 500 milje nëpër rajone të shkreta e jomikpritëse të Himalajeve, një udhëtim shtatëmujor i pasqyruar në librin e saj Forbidden Journey. Më 1937 u rikthye në Azi për Le Petit Parisien që të raportojë për Afganistanin, Iranin dhe Turqinë. Më 1939 ajo ndërmori një udhëtim me një veturë të vogël Ford nga Gjeneva në Kabul me shkrimtaren Annemarie Schwarzenbach. Ato kaluan nëpër Stamboll, Trabezund, Teheran dhe Herat. Përvoja e saj në Afganistan përshkruhet The Cruel Way, shkruar në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, botuar më 1947 një libër të cilin ia kushton bashkudhëtares së saj të ndarë nga jeta. Në Afganistan, Schwarzenbach u sëmur me bronkit dhe pati të tjera shqetësime shëndetësore, por prapë ngulmoi të udhëtonte për në Turkistan. Në Kabul u ndanë. Maillart mbeti e dëshpëruar që nuk mund ta ndihmonte bashkudhëtaren të luftonte ndaj problemeve të saj. Ato u takuan përsëri më 1940 ndërsa Schwarzenbach po hypte në një anije për të rikthyer në Evropë. Libri i Maillart u përshtat për film, The Journey to Kafiristan, më 2001.
ANNEMARIE DHE ELLA – PËRSËRI DY FATE TË NDARA
Plot travaje është jeta e mëvonshme e Annemaries. Pas Afganistanit ajo shkon në SHBA, ku takon përsëri miqtë e saj, Mannët. Me këta ajo punoi për të ndihmuar refugjatët nga Evropa. Ajo dëshpërohet ngaqë Erika Mann vendos të largohet për në Londër. Një tjetër tronditje në jetën e saj është takimi me shkrimtarin 23 vjeçar Carson McCullers, i cili ra në dashuri çmendurisht me Annemarien: “Ajo kishte një fytyrë e cila e dija se do të më plagoste për gjithë jetën,” shkruante ai më vonë. Shkrimtari u rrënua nga mungesa e përgjigjes së Annemaries. Kjo nuk donte t’i hapte telashe vetes me një dashuri të re, aq të panumërta për Annemarien. Më vonë patën një letërkëmbim të pastër dhe të çiltër. McCullers ia kushtoi asaj romainin “Reflections in a Golden Eye” (Pasqyrime në një sy të artë). Në këtë kohë Annemarie ishte përfshirë në një dashuri të ndërlikuar me gruan e një burri të pasur, baroneshën Margot von Opel ndërkohë që ende vuante për Erika Mannin. Kjo shkaktoi një tjetër atentat të dështuar për vetëvrasje. Pas shërimit largohet nga SHBA. Në mars 1941 kthehet në Zvicër.
Më vonë pati disa përvoja si e dërguar e shtypit në Kongon Belge dhe në Lisbonë, ku gjithashtu përjetoi aventura të tjera shpirtërore.
Më 7 shtator 1942 në Engandin, ajo u rrëzua nga bicikleta dhe pësoi një dëmtim të rëndë në kokë. Pas një trajtimi me diagnozë të gabuar, ajo vdiq më 15 nëntor. E ëma i asgjësoi të gjitha letrat dhe ditarët e saj. Një mik u kujdes për shkrimet dhe fotografitë e saj që ruhen në Arkivat e Letërsisë në Bernë. Pavarësisht kundërthënieve të jetës harrakate, sëmundjeve fizike dhe shpirtërore, Annemarie Schwarzenbach ishte produktive: përveç librave mes viteve 1993-1942 ajo prodhoi prodhoi 365 artikuj dhe 50 fotoreportazhe të botuara në gazetat e Zvicrës, Gjermanisë dhe, disa sosh, në SHBA.
Ella Maillart i kaloi vitet e Luftës së Dytë Botërore në Tiruvannamalai, në Jug të Indisë, duke mësuar nga mësues të ndryshëm rreth Advaita Vedanta, një shkollat e filozifisë Hindu. Pas kthimit në Zvicër më 1945, jetoi në Gjenevë, në Chandolin, një fshat malor në Alpet Zvicerane. Ajo vazhdoi të skijojë deri në fund të jetës. Më 1986 u rikthye për të fundit herë në Tibet. Ajo mbahet mend edhe si pioniere e fotografisë me ngjyra para Luftës së Dytë Botërore.
KËNDVËSHTRIMI I SOTËM PËR UDHËTARET E PAEPURA ZVICERANE ELLA MAILLART DHE ANNEMARIE SCHWARZENBACH

Duke i bërë jehonë vlerësimit të lartë të dy zviceraneve nga UNESCO, Radio Svizzera Italiana theksonte se në peizazhin kulturor zviceran të shekullit të 20, spikasin dy figura femërore: Ella Maillart dhe Annemarie Schwarzenbach, udhëtare të palodhura, shkrimtare të guximshme dhe fotografe të mprehta, këto gra sfiduan kanunet e kohës së tyre, duke hapur kufij të rinj jo vetëm gjeografikisht, por edhe kulturorisht dhe shoqërisht.
Regjistrimi i koleksioneve të tyre në Regjistrin e Kujtesës së Botës të UNESCO-s dëshmon për rëndësinë e trashëgimisë së tyre.
Sipas Paule Hochuli Dubuis, kuratore e Bibliothèque de Genève, këto gra ishin “thellësisht jokonformiste”, një gjë e rrallë në vitet 1930. Qasja e tyre ndaj udhëtimit nuk ishte thjesht turizëm: “Ato shkonin për të takuar njerëz në rajone të paeksploruara ku qytetërimi perëndimor nuk kishte depërtuar ende në popullsinë lokale”.
Udhëtimi i dy grave nga Gjeneva në Kabul në vitin 1939, përfaqëson një moment kyç në historinë e gazetarisë femërore të udhëtimit. Të dy gratë sfiduan jo vetëm rreziqet fizike të udhëtimit, por edhe dogmat dhe tabutë shoqërore të kohës. Siç vëren Hochuli Dubuis, “ato kapërcyen përtej kufijve të imponuar grave të kohës së tyre për të eksploruar botën”.
Trashëgimia e Maillart dhe Schwarzenbach shtrihet shumë përtej shkrimeve dhe fotografive të tyre. Ato ndihmuan në transformimin e udhëtimit, tradicionalisht të dominuar nga zërat meshkuj, në një zhanër letrar dhe vizual të udhëhequr nga gratë. Qasja e tyre ndaj udhëtimit, nënvizon RSI, ishte thellësisht personale dhe filozofike: “Udhëtimi përjetohej si një përvojë shpirtërore dhe ekzistenciale, e lindur nga nevoja për të gjetur një arsye për të jetuar.”
Trashëgimia e këtyre grave të jashtëzakonshme nuk shihet vetëm si një dëshmi e aventurave të tyre, por edhe si një burim i rëndësishëm për të kuptuar historinë kulturore të shekullit të 20 nga një perspektivë femërore.
Jeta dhe veprat e tyre vazhdojnë të frymëzojnë, duke sfiduar kanunet dhe duke demonstruar se guximi, kurioziteti dhe vendosmëria mund të kapërcejnë çdo pengesë, qoftë gjeografike apo sociale. Sipas RSI, në një botë që ende lufton për barazi gjinore, trashëgimia e Ella Maillart dhe Annemarie Schwarzenbach merr rëndësi epokale.