Mjeku Erion Dasho, ngre alarmin për mënyrën se si trajtohet siguria e medikamenteve në Shqipëri, duke e krahasuar situatën me standardet e vendeve si Gjermania. I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, Dasho tha se problematikat e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë vetëm një pjesë e vogël e një sistemi të mbushur me abuzime.
Ai thekson se procesi i qarkullimit të barnave bazohet në katër hallka kryesore importuesi, distributori, farmacia ose spitali dhe qytetari të cilat në vendet e zhvilluara janë plotësisht të digjitalizuara dhe të kontrolluara, ndërsa në Shqipëri mbeten ende një burim serioz rreziku për pacientët.
Erion Dasho: Në Gjermani nuk ndodh me ushqimet, të cilat gjithashtu janë të rëndësishme por nuk krahasohen nga shkalla e sigurisë me barnat. Megjithatë, unë do të bëja një hap pas dhe të theksoja që ky problem që ka kapur Kontrollin i Lartë i Shtetit, është një pikë uji në atë oqeanin e madh të abuzimeve me çështjet e medikamenteve në Shqipëri.
Për qytetarët që nuk kanë njohuri dhe për ndjekësit që fatmirësisht janë të shumtë të programit tuaj, janë katër elementë thelbësorë në gjithë atë procesin se si një medikament i arrin një qytetari.
Është importuesi i barnave, është shpërndarësi ose distributori, është farmacia ose spitali dhe pastaj vjen qytetari ose pacienti. Të katërt këto hallka të zinxhirit të barnave, të zinxhirit logjistik të barnave, në të gjithë vendet, përfshi Gjermaninë, po në të gjithë vendet e botës, dhe në vende me shumë më pak burime se Shqipëria, janë të digjitalizuar. Do të thotë që çdo gjë që hyn dhe importohet, inventarizohet.
Çdo gjë në distributor inventarizohet, çdo gjë në spital inventarizohet dhe po kështu, dhënia e medikamentit për qytetarin në farmaci ose për pacientin në spital, gjithashtu inventarizohet.