Përurimi i muralit me portretin e Ferdonije Qerkezit në Prishtinë. KallXO.com.
Në Ditën e Personave të Zhdukur, më 27.04.2026, është përuruar murali me fotografinë e Ferdonije Qerkezit, e njohur si Nënë Ferdonija, së cilës ushtria serbe i vrau burrin dhe katër djemtë gjatë luftës në Kosovë.
Murali me foton e Nënë Ferdonijes, i realizuar nga organizata “Youth Initiative for Human Rights Kosovo” (YIHRKS ) dhe punuar nga Ermira Murati, e njohur si “Orange girl”, është vendosur në murin anësor të një ndërtese në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë.
Murali është inauguruar në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, “27 Prilli”, në kujtim edhe të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës dhe në nderim të familjeve që vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën dhe drejtësi.
Portreti paraqet Nënën Ferdonijen, nëna nga Gjakova, e cila humbi bashkëshortin dhe katër djemtë e saj gjatë luftës. Për dekada me radhë, ajo vazhdon të kërkojë përgjigje për fatin e dy djemve dhe burrit të saj. Derisa eshtrat e dy djemve të tjerë janë gjetur dhe janë identifikuar. Këmbëngulja dhe forca e saj e kanë kthyer në një simbol të fuqishëm të përballjes së humbjes së mijëra familjeve të personave të zhdukur në Kosovë.
Sipas organizatorëve, ky mural nuk përfaqëson vetëm historinë e saj, por edhe dhimbjen, pasigurinë dhe shpresën e të gjitha familjeve që ende presin përgjigje.
Marigona Shabiu, Drejtorë Ekzekutive e YIHRKS, tha se sot ky mural është njëkohësisht edhe një ri-afirmim për të kujtuar pse kujtesa kolektive ka rëndësi në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe paqësore.
Sipas saj, Dita e Personave të Zhdukur është një moment për të kujtuar dhe punuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, siç tha ajo ende u mungojnë familjeve të tyre, të cilat për më shumë dekada dy dekada presin në ankth për fatin e tyre.
“Ky mural mban portretin e një gruaje që përfaqëson këtë realitet në mënyrë më të qartë, jo vetëm për atë që ka përjetuar por, por edhe mënyrën se si ka zgjedhur të qëndrojë e fortë e të vazhdojë të kërkojë të vërtetën”- tha Shabiu.
Ndërsa Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha se me këtë moral nderohen mijëra familje, të cilat ende presin zbardhet fati i personave të dashur.
“Është detyrë e jona që kjo pritje të mos mbetet simbol por një angazhim i vazhdueshëm deri në ndriçimin e fatit të të zhdukurve me dhunë”- tha Gara.
Kurse Nënë Ferdonija falënderoi organizatoret duke bërë thirrje për angazhim të vazhdueshëm për fatin e të pagjeturve.
“Ju falënderoj për këtë mural por edhe për këtë organizim”- tha ajo.
Një fjalë rasti mbajti edhe autorja e muralit, Ermira Murati.
Përurimi i muralit me portretin e Ferdonije Qerkezit në Prishtinë. KallXO.com.Përurimi i muralit me portretin e Ferdonije Qerkezit në Prishtinë. KallXO.com.Përurimi i muralit me portretin e Ferdonije Qerkezit në Prishtinë. KallXO.com.