Në Çamëri dhe gjithandej Moresë
fshehtë çelin lulet e kopshtit e bari
fshehtë lulëzon mani, pema ullirit,
fshehtë i festojmë festat e atdheut
i thoshte gjyshi Uliks, nipit Pirro!…
.
Ndërgjegje e atdheut bëhu grusht
fol për plagët e hapura të atdheut
shkruaj dhe mos lejo që e vërteta
e Çamërisë të fshehet e të heshtet,
Çamëri do të ketë derisa të ketë
Shqipëri, Çamëri do të ketë deri
sa të ketë Kosovë dardane, Iliridë
Çamëri do të ketë deri sa të ketë
Shqipëri dhe shqiptar n´ këto troje
i thoshte gjyshi Uliks të birit të tij.
.
Farë e ndërgjegjes nuk ka vdekur
nip i nderuar, nuk më merr vdekja
pa e kryer një porosi të etërve tanë
dua që vetëm njëherë të dalësh në
rrugë e të thërrasësh me zë të lartë
në të tëra qytetet ku fara jemi ne
të thërritsh, “Çamëria Republikë”!
Çamëria s´ lypet, Çamëria merret!
Nipi im kjo tokë e don Pavarësinë
grekët do të burgosin, do të vejnë
.
pranga, por, ti biri im, mos u friko
se udha e lirisë nëpër burgje kalon.
nip, dëgjoje fjalën e gjyshit Uliks:
Çamëria s´lypet! Çamëria merret!
Është toka jonë, toka e etërve tanë
jemi bimë të këtij dheut të shenjtë
bekuar jemi nga perëndi shqiptare;
nga Zeusi, Hermesi, dhe Apolloni.
.
Ku është Andromaka, mbesa ime
ka kohë që atë unë nuk e kam parë
ajo dhe Elektra janë gra shqiponja
janë gra ipesh për grusht kombëtar!…
.
Duhet ti përsërisë fjalët e gjyshit:
s´është lehtë të jesh burrë Çamërie
burrë betejash të mëdha për atdhe,
Çamëri do të ketë derisa të ketë
Shqipëri, Çamëri do të ketë deri
sa të ketë Kosovë dardane, Çamëri
do të ketë deri sa të ketë shqiptar!…
.
Atdhe Geci – Poezi nga libri “Iliada shqiptare”