VOAL

VOAL

NDIHMËSMJEKU BRITANIK I VRAU DY PACIENTË ME INSULINË

May 19, 2015

Komentet

Çfarë i ndodh një anijeje të flotës në hije kur sanksionohet?

Ray Furlong

Një cisternë nafte 58.000 tonë, e quajtur Mikati, ishte duke lundruar mbi ujërat e Oqeanit Indian një ditë kur mori lajme të këqija nga Brukseli i largët: ishte shtuar në listën e anijeve të sanksionuara të flotës në hije të Rusisë.

Historia e Mikatit, e cila tani po kalon përmes Kanalit të La Manshit, pasqyron pikat e forta dhe të dobëta të regjimit të sanksioneve të Bashkimit Evropian, i cili ka goditur tashmë rreth 600 anije.

BE-ja e përfshiu Mikatin në listën e sanksioneve në korrik, pas një vendimi të ngjashëm nga Britania në nëntor të vitit të kaluar. E ndërtuar në vitin 2003, mosha e saj e bën atë anije tipike të flotës në hije – njëlloj siç e bën edhe sjellja që i parapriu sanksionimit.

Sjellje e dyshimtë

Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë i siguroi nga Windward – një kompani e inteligjencës detare – Mikati e ndryshoi emrin disa herë, iu shit një pronari anonim dhe e fikte vazhdimisht sistemin e identifikimit automatik (AIS) të vendndodhjes në periudhën para se të sanksionohej.

Kjo e fundit konsiderohet një praktikë e rrezikshme e transportit detar nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) dhe lejohet vetëm në rrethana të veçanta. Mikati gjithashtu ndryshoi flamurin nën të cilin ishte regjistruar, duke kaluar në Sierra Leone.

“Qeveria e Sierra Leones ia ka deleguar menaxhimin e regjistrit të anijeve një kompanie private me bazë në Qipro”, i tha REL-it analistja e Windward, Michelle Bockmann, duke shtuar se ky vendi ishte “i preferuari” i anijeve të flotës në hije për t’u regjistruar.

Këta tregues ishin prova të mjaftueshme që Mikati të futej në listën e zezë. BE-ja e përfshiu anijen në paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë më 18 korrik. Kjo pati ndikim të menjëhershëm.

Dy ditë më vonë, anija mbërriti në ujërat pranë Koçit, ku ndodhet një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Indi. Por, ajo nuk e shkarkoi të gjithë ngarkesën që kishte marrë një muaj më parë në portin rus të Murmanskut, në Detin Barenc.

Anija Mikati ndalet pranë brigjeve të Indisë më 29 korrik.

Anija Mikati ndalet pranë brigjeve të Indisë më 29 korrik.

Mikati ndaloi në brigjet e Indisë më 29 korrik. “BE-ja tani ka aftësinë të sanksionojë porte në vende të treta për atë që ata e quajnë pengim të masave kufizuese të BE-së”, tha ekonomisti Benjamin Hilgenstock.

Nuk është e qartë nëse pati ndonjë problem apo nëse Mikati po ndiqte plane të paracaktuara.

“Ndonjëherë anijet sanksionohen kur janë në lëvizje, ndaj dikush duhet t’i telefonojë blerësit dhe ta pyesë nëse marrëveshja qëndron ende”, i tha REL-it Benjamin Hilgenstock, ekonomist në Institutin KSE me bazë në Kiev.

“Ata mund të thonë: ‘na duhet ta sqarojmë këtë fillimisht, kështu që mbase prisni pak’, ose ‘do ta marrim naftën, por vetëm nëse na e jepni për më pak para’”, shtoi ai.

Lidhja me Samoan

Sidoqoftë, diçka po ndodhte prapa skenave.

Më 25 korrik, Mikati ndryshoi pronarin e regjistruar dhe menaxherin tregtar, duke kaluar nga Azerbajxhani në Samoa – një shtet me rreth 200.000 banorë në Paqësorin Jugor, i cili nuk njihet për industri të zhvilluar të transportit detar.

Kompania e listuar, Alga Oceanic Ventures, duket se nuk është fare e pranishme në internet.

Adresa e saj është një kompleks biznesi i quajtur La Sanalele, ku fqinjët e saj kanë përfshirë një tjetër menaxher anijesh, Faleola Nexus Ltd, operator i një cisternë nafte të quajtur Orion, e cila është e sanksionuar nga Britania dhe Ukraina për tregti të paligjshme me naftë ruse.

Një fqinj tjetër ishte një kompani tajvaneze, Pro-Gain Group Corporation, e cila u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2018 në lidhje me marrëveshje të paligjshme për qymyr dhe naftë nga Koreja e Veriut.

Ndryshimi i papritur i pronësisë së Mikatit u pasua nga një udhëtim i ri, drejt veriut përgjatë bregdetit deri në Mangalore. Atje, më 3 gusht, anija sinjalizoi se kishte shkarkuar ngarkesën.

“Vonesa prej 11 ditësh mund të jetë për shkak të sanksioneve dhe nevojës për të gjetur një sigurim të ri”, tha Bockmann. “Ky është një shembull shumë i mirë se si sanksionet e BE-së janë penguese. Por, ato kanë shumë pak ndikim”.

Në të vërtetë, pavarësisht sanksioneve, Mikati shkarkoi naftën dhe vazhdoi të ishte në shërbim. Anijet e sanksionuara nuk mund të vizitojnë porte të BE-së, nuk mund të marrin sigurim perëndimor dhe e kanë të vështirë të gjejnë ekuipazh profesional. Por, ato ruajnë “të drejtën e kalimit të pafajshëm” nëpër ujëra ndërkombëtare.

Një studim i tetorit nga kpler, një kompani për analizimin e tregtisë, zbuloi se “Rusia ka ruajtur eksportet e saj të naftës së papërpunuar, pavarësisht sfidave logjistike të shkaktuara nga përshkallëzimi i fundit i sanksioneve që synojnë tonazhin e flotës në hije”.

Sanksionet e BE-së kundrejt atyre të SHBA-së

Sanksionet e vendosura nga Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së u vlerësuan si dukshëm më efektive se ato të BE-së.

“Kjo bazë të dhënash tregon se India është në rregull me pranimin e anijeve të sanksionuara nga BE-ja dhe Britania, por nuk dëshiron të pranojë anije të sanksionuara nga OFAC”, i tha REL-it analisti i kpler, Panagiotis Krontiras.

“Kjo ndoshta tregon se India është më e kujdesshme për të mos u përballur me rrezikun e sanksioneve dytësore nga SHBA-ja”, sipas tij.

Të dhënat e kpler tregojnë ulje të produktivitetit, të matur përmes rënies së kilometrave të përshkuar dhe tonazhit të ngarkesës së transportuar, për anijet nën secilin regjim sanksionesh. Për SHBA-në, rënia mesatare ishte 70 për qind; për BE-në ishte 30 për qind.

I dërguari i BE-së për sanksionet, David O’Sullivan, i tha REL-it se “sanksionet janë gjithmonë paksa të përshkueshme” dhe se gjithmonë është e mundur të gjenden “shembuj të një anijeje që megjithatë ka vazhduar” të punojë.

Por, shtoi ai, “shifrat tona tregojnë se sapo një anije sanksionohet, mundësia e saj për të transportuar naftë ruse bie për rreth 73 për qind.”

Për më tepër, ndërsa O’Sullivan vlerëson se BE-ja tani ka sanksionuar dy të tretat e flotës në hije të Rusisë, OFAC ka goditur rreth 40 për qind, sipas të dhënave të kpler. Ndërkohë që BE-ja ka shtuar vazhdimisht anije të reja në listën e zezë këtë vit, OFAC nuk ka shtuar asnjë që nga janari.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Megjithëse Mikati ka vazhduar të lundrojë, ajo nuk ka qenë shumë frytdhënëse. Të dhënat e Windward tregojnë se pas shkarkimit në Mangalore, ajo kaloi përmes Kanalit të Suezit dhe u ankorua në Port Said për një javë në gusht, ku mori naftë përmes një transferimi anije-me-anije (STS) nga një tjetër cisternë e futur në listën e zezë, Noctis.

Këto transfere nuk janë të paligjshme, por janë një praktikë e shpeshtë për shmangien e sanksioneve.

Mikati përfshihet në transferimin e naftës nga një anije në tjetrën me një tjetër anije të sanksionuar, Nocturnis, pranë brigjeve të Egjiptit më 22 gusht.

Mikati përfshihet në transferimin e naftës nga një anije në tjetrën me një tjetër anije të sanksionuar, Nocturnis, pranë brigjeve të Egjiptit më 22 gusht.

“Qëndrim pezull” pranë Kinës

Mikati e çoi naftën në Ningbo të Kinës, duke mbërritur më 29 shtator, por nuk e shkarkoi deri më 15 tetor. Sërish, arsyeja e vonesës nuk është e qartë. Bockmann vuri në dukje se anija “qëndroi duke u endur rreth zonës së portit për një periudhë të zgjatur”, pjesë e një modeli “sjelljeje shumë joekonomike”.

Edhe kjo është tipike për anijet e sanksionuara.

“Sapo sanksionohesh, ke dy zgjedhje: ose Rusi–Indi, ose Rusi–Kinë. Dhe kjo është arsyeja pse e ka këtë rënie të madhe të produktivitetit”, tha analisti i kpler, Krontiras.

Një anije e pasanksionuar do të përpiqej të merrte një ngarkesë të re diku tjetër, në vend që të kthehej bosh në atë që njihet si “udhëtim ballast”.

“Por tani ata nuk e kanë këtë mundësi… ata duhet të kthehen në Rusi, të marrin një tjetër ngarkesë, dhe ky është një udhëtim ballast shumë i gjatë”, tha Krontiras.

Mikati bëri pikërisht këtë. Të dhënat e Windward tregojnë gjithashtu se ajo e fiku sërish sistemin e saj të transmetuesve midis 10 dhe 12 dhjetorit, pranë portit kryesor rus të eksportit të naftës së papërpunuar në Baltik, Ust-Luga. Më 18 dhjetor, ajo po lëvizte drejt jugperëndimit përmes Kanalit të La Manshit.

“Destinacioni ka të ngjarë të jetë India ose Kina, ose edhe një transferim STS. Nuk ka asnjë tregues”, theksoi Bockmann.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Ukraina godet “vrimën e zezë” të Moskës: Droni që fundosi sigurinë ruse në Detin e Zi

Gjatë ditës së djeshme, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) ka goditur, me shumë gjasa duke i shkaktuar dëme të rënda, një nëndetëse ruse të klasës 636.3 (ose “Kilo i përmirësuar II” sipas kodifikimit të NATO-s) në portin e Novorossijsk-ut, i cili është shndërruar në qendrën kryesore të operacioneve të Flotës Ruse të Detit të Zi, për shkak të pamundësisë faktike të përdorimit të Sevastopolit në Krime.

Sulmi u krye përmes përdorimit të një droni nënujor (UUV – Unmanned Underwater Vehicle) të një tipi të ri, të quajtur “Sub Sea Baby”. Ky dron, që mendohet të jetë një derivat i “Sea Baby”-t, mjet kamikaz pa pilot, ka shumë gjasa të funksionojë si një lloj torpedoje autonome. Nëse kjo hipotezë është e saktë, është e mundur që droni të drejtohet drejt objektivit përmes një rruge të paraprogramuar dhe që sistemet e tij të marrin kontrollin autonom në fazën përfundimtare, duke u orientuar vetë drejt objektivit.

Kjo mund të shpjegojë se si “Sub Sea Baby” ka arritur të lundrojë brenda bazës detare, një itinerar që kërkon manovra të shumta në hapësira të ngushta dhe që presupozon informacione të përditësuara së fundmi, në mos në kohë reale, të inteligjencës për të njohur pozicionin e objektivit dhe pengesat e mundshme. Nuk është e qartë nëse arma funksionon plotësisht në mënyrë të pavarur pas lëshimit apo nëse ekziston ende ndonjë formë drejtimi në kohë reale.

Veprimi i kryer nga SBU është i rëndësishëm për të paktën dy arsye, por fillimisht vlen të ndalemi te karakteristikat e nëndetëses ruse të goditur.

Nëndetëset “vrimë e zezë”

Nëndetëset e klasës “Kilo e përmirësuar II” janë mjete me propulsim dizel/elektrik, të tipit hunter/killer (SSK), të afta për të lëshuar raketa lundruese për sulme tokësore dhe detare, si “Kalibr”. Flota Ruse e Detit të Zi ka qenë aktive në këto gati katër vite lufte kryesisht përmes lëshimit të këtyre raketave ndaj objektivave me vlerë të lartë në Ukrainë, duke përdorur edhe platforma sipërfaqësore si fregatat e klasës “Admiral Gorshkov”.

Këto nëndetëse janë relativisht të vogla (rreth 70 metra të gjata dhe 2.500 tonë zhvendosje maksimale), kanë një autonomi zhytjeje prej 400 miljesh detare dhe janë projektuar kryesisht për të luftuar anije dhe nëndetëse armike, me rolin dytësor të sulmeve tokësore falë raketave lundruese si “Kalibr”.

Në diskursin mediatik, “Kilo i përmirësuar II” quhen shpesh “vrima të zeza”, pasi konsiderohen jashtëzakonisht të heshtura gjatë lundrimit. Ato janë të pajisura me një sistem sonar të gjeneratës së re, që ofron qetësi operative dhe rreze zbulimi më të madhe. Ky variant është eksportuar edhe në vende si Vietnami dhe Algjeria, dhe është projektuar për fleksibilitet më të madh operacional dhe aftësi të shtuara stealth.

Sa nëndetëse kanë mbetur në Detin e Zi?

Gjashtë nga këto nëndetëse figuronin në regjistrin e Flotës Ruse të Detit të Zi, por vetëm katër ndodheshin realisht në këtë det në momentin e shpërthimit të luftës (Deti i Zi është i mbyllur për tranzitin e njësive ushtarake të palëve ndërluftuese, sipas Konventës së Montreux).

Gjatë konfliktit, një nëndetëse e parë “Rostov mbi Don”, u dëmtua rëndë ndërsa ndodhej në dokun e riparimit në Sevastopol, nga një sulm raketor ukrainas në shtator 2023. Ajo që ka mbetur nga Flota e Detit të Zi, Moska ka humbur disa njësi nga sulmet e kombinuara ukrainase, përfshirë një kryqëzor, të paktën katër anije zbarkimi amfib, si dhe një sërë njësish më të vogla, përfshirë korveta raketash, është zhvendosur nga Sevastopoli në Novorossijsk, për shkak të sulmeve të vazhdueshme ukrainase. Në qershor 2024, 11 njësi sipërfaqësore dhe nëndetare kishin hedhur spirancat në portin e qytetit në rajonin Krasnodar Krai.

Një risi absolute për dronët nënujorë

Sulmi është i rëndësishëm për dy arsye kryesore. E para është e qartë: në bilancin e luftës, neutralizimi i një platforme lëshimi për raketat “Kalibr” nënkupton uljen e kapaciteteve të sulmit tokësor me rreze të gjatë të kundërshtarit, të cilat, sa i përket nëndetëseve, tashmë janë përgjysmuar. Flota Ruse e Detit të Zi ka humbur kështu një pjesë të madhe të aftësisë së saj për sulme të fshehta dhe do të duhet të mbështetet më shumë te fregatat, me të gjitha rreziqet që kjo sjell (konsum i burimeve njerëzore dhe teknike, rritje e probabilitetit për t’u goditur).

Mbi të gjitha, sulmi ukrainas përfaqëson përdorimin e parë të suksesshëm luftarak të një droni nënujor, duke provuar se kjo kategori kërcënimi është reale dhe efektive. Megjithatë, mbeten ende të panjohura detaje thelbësore mbi mënyrën e sulmit, si niveli i ndërgjegjësimit situacional që droni posedon (apo që i ofrohet), si dhe modalitetet e lidhjes për transmetimin e të dhënave dhe komandave të navigimit dhe sulmit.

Të dhëna që, me shumë gjasa, nuk do t’i njohim kurrë plotësisht, as edhe pas përfundimit të luftës. (Bota.al)

Dronë ukrainas godasin anijen luftarake ruse në Detin Kaspik, dëmtime edhe në një platformë shpimi nafte

Dronët ukrainas goditën një anije luftarake ruse dhe një strukturë shpimi nafte të operuar nga Lukoil në Detin Kaspik gjatë natës.

Mediat e Kievit raportuan këtë, duke cituar Shtabin e Përgjithshëm.

Anija që u godit ishte 22460 “Okhotnik”, e cila po patrullonte një zonë pranë një impianti nafte dhe gazi.

“Disa dronë goditën anijen; shkalla e dëmit po përcaktohet aktualisht”, tha ajo. Një platformë shpimi në fushën e naftës dhe gazit Filanovsky, në pronësi të Lukoil, u godit gjithashtu. bw

SHBA sanksionon anëtarët e familjes së Nicolas Maduro! Rubio: Bashkëpunon me terroristë dhe krimin e organizuar

Shtetet e Bashkuara vendosën të premten sanksione ndaj anëtarëve të familjes dhe bashkëpunëtorëve të Nicolas Maduros dhe gruas së tij, ndërsa Uashingtoni rrit presionin mbi presidentin venezuelian.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së tha në një deklaratë se vendosi sanksione ndaj shtatë personave që tha se ishin të lidhur me Maduron dhe gruan e tij, pasi Sekretari i Thesarit Scott Bessent i akuzoi ata se “mbështesin narkoshtetin mashtrues të Nicolás Maduros”.

“Ne nuk do të lejojmë që Venezuela të vazhdojë ta përmbytë kombin tonë me droga vdekjeprurëse”, tha Bessent në një deklaratë.

“Maduro dhe bashkëpunëtorët e tij kriminelë kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e hemisferës sonë. Administrata Trump do të vazhdojë të shënjestrojë rrjetet që mbështesin diktaturën e tij të paligjshme.”

Ministria e informacionit e Venezuelës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, raporton Reuters.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka kritikuar ashpër regjimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro, duke e akuzuar për refuzim të bashkëpunimit me ushtrinë e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër narko-terrorizmit.

Gjatë një deklarate publike, Rubio tha se ekziston vetëm një regjim që nuk bashkëpunon me SHBA-të, në këtë betejë globale. “Ka një vend që nuk bashkëpunon dhe ai është regjimi ilegjitim në Venezuelë. Jo vetëm që nuk bashkëpunon me ne, por ai bashkëpunon hapur me terroristë dhe elementë kriminalë,” u shpreh Sekretari i Shtetit.

Sipas Rubio-s, mungesa e bashkëpunimit nga Karakasi zyrtar, përbën një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, duke lejuar që rrjetet e trafikut të drogës dhe grupet kriminale të veprojnë lirshëm.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur administrata amerikane po shton presionin diplomatik ndaj regjimit të Maduro-s, të cilin Uashingtoni e konsideron të paligjshëm, duke e akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe lidhje me krimin e organizuar.

Maduro dhe qeveria e tij kanë mohuar me forcë lidhjet me krimin dhe thonë se SHBA-të po ndjekin ndryshimin e regjimit në mënyrë që të marrin kontrollin e rezervave të mëdha të naftës në Venezuelë.

Ky veprim vjen në një kohë kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shtuar presionin mbi Maduron, duke bërë fushatë për rrëzimin e tij dhe duke ekzekutuar një grumbullim ushtarak në shkallë të gjerë në Karaibe.

Administrata Trump ka kryer sulme kundër anijeve të dyshuara për drogë në rajon, ka sekuestruar një cisternë nafte të sanksionuar në brigjet e Venezuelës dhe ka shpallur një “bllokadë” të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.

Trump ka thënë gjithashtu vazhdimisht se sulmet tokësore në Venezuelë do të vijnë së shpejti.

Veprimi i së premtes sanksionoi të afërmit e Carlos Erik Malpica Flores, nipit të gruas së Maduros, i cili sipas SHBA-së ishte i përfshirë në një komplot korrupsioni në kompaninë shtetërore të naftës dhe i cili u sanksionua nga Uashingtoni javën e kaluar.

Nëna e tij, e cila është gjithashtu motra e gruas së Maduros, babai, motra, gruaja dhe vajza e tij u goditën me sanksione të premten.

Reuters: Putin dëshiron të gjithë Ukrainën dhe pjesë të Evropës

Ky informacion gjithashtu kundërshton pretendimet e Putinit se ai nuk përbën kërcënim për Evropën.

 

RUSI- Gjashtë burime për Reuters kanë deklaruar se CIA vazhdon të paralajmërojë se Presidenti rus Vladimir Putin synon të pushtojë të gjithë Ukrainën dhe të rimarrë pjesë të Evropës që i përkisnin ish-Bashkimit Sovjetik.

Sipas njërit prej burimeve, raporti më i fundit daton që nga fundi i shtatorit dhe është diametralisht i kundërt me pamjen e paraqitur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe negociatorët amerikanë, të cilët kanë deklaruar se Putini dëshiron t’i japë fund konfliktit në Ukrainë. Ky informacion gjithashtu kundërshton pretendimet e Putinit se ai nuk përbën kërcënim për Evropën.

Në të kundërt, raportet e CIA-s pajtohen kryesisht me udhëheqësit evropianë dhe agjencitë evropiane të inteligjencës se Rusia dëshiron të gjithë Ukrainën dhe territoret e ish-shteteve të bllokut sovjetik, përfshirë anëtarët e aleancës së NATO-s, sipas burimeve.

“Informacionet e inteligjencës kanë qenë gjithmonë se Putini dëshiron më shumë. Evropianët e besojnë fuqimisht këtë. Polakët janë absolutisht të bindur. Vendet baltike besojnë se do të jenë të parat,” tha në një intervistë për Reuters, Mike Quigley, një anëtar demokrat i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve.

Rusia kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, duke përfshirë pjesën më të madhe të rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut, të cilat përbëjnë zemrën industriale të Donbasit, pjesë të rajoneve të Zaporizhias dhe Khersonit, si dhe Krimenë, gadishullin me rëndësi strategjike në Detin e Zi.

Putini pretendon se Krimea dhe katër provincat i përkasin Rusisë. Trump po i bën presion Kievit që të tërheqë forcat e tij nga pjesa e vogël e Donetskut që ende e kontrollon si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të propozuar, sipas dy burimeve të njohura me çështjen, një kërkesë që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe shumica e ukrainasve e refuzojnë.

“Ekipi i presidentit ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në përfundimin e luftës dhe Trump ka thënë se një marrëveshje paqeje është më afër se kurrë”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, pa komentuar mbi raportet e inteligjencës, raporton Reuters./Dosja.al

Putini i palëkundur në intervistë për territoret e Ukrainës: Mesazhi shihet qartë me hartën e paraqitur prapa tij

Presidenti rus tha se Moska nuk beson se Ukraina është gati për bisedime paqeje.

 

RUSI- Zhvillimet e fundit nga fronti në Ukrainë u diskutuan nga Vladimir Putin në intervistën e tij vjetore. Presidenti rus tha se Moska nuk beson se Ukraina është gati për bisedime paqeje. Rusia, nga ana tjetër, është “e gatshme dhe e gatshme” të përfundojë luftën në Ukrainë bazuar në parimet që i paraqiti Ministrisë së Jashtme ruse në vitin 2024.

Mediat shkruajnë se, ndërsa Putini po fliste, ambienti përfshinte mesazhe shumë të synuara për Ukrainën dhe aleatët e saj. Konkretisht, në murin pas presidentit rus ndodhej një hartë e madhe e Rusisë, e cila përfshinte, përveç skicës së Krimesë, katër rajonet lindore të Ukrainës që Moska aneksoi në vitin 2022: Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson. Forcat ruse mund të mos i kenë pushtuar ende plotësisht këto rajone, por kjo nuk e ka ndaluar Putinin t’i pretendojë ato si territor rus.

Projeksioni i këtyre territoreve në sfondin e paraqitjes së sotme duket se dërgon një mesazh të qartë nga Kremlini: se nuk ka ndërmend të braktisë pretendimin e tyre. Vërehet se territori është pika kryesore e mosmarrëveshjes në negociatat për një marrëveshje paqeje, dhe kjo sugjeron se do të mbetet kështu, pasi Moska ende nuk ka treguar ndonjë gatishmëri për të bërë kompromis për këtë çështje./Dosja.al 

Raketa bërthamore ruse Oreshnik dislokohet në Bjellorusi

Një raketë hipersonike ruse, e quajtur Tsirkon, duke u lëshuar nga një luftanije. Fotografi ilustruese nga arkivi.

 

Radio Evropa e Lirë

Udhëheqësi bjellorus, Aleksandr Lukashenko, njoftoi se raketa e re e zhvilluar nga Rusia, që është armë hipersonike me kapacitet bërthamor, që njihet me emrin Oreshnik, është dislokuar në Bjellorusi.

Vitin e kaluar, Rusia bëri publike se e ka zhvilluar këtë armë, pasi e përdori atë gjatë sulmeve në qytetin ukrainas të Dnipros, në një përshkallëzim të konfliktit që tani po i afrohet përvjetorit të katërt.

Moska ka dislokuar në Bjellorusi më 2023 armë bërthamore taktike dhe kishte deklaruar më herët se mund ta dislokonte Oreshnikun në këtë shtet në fund të vitit 2025.

“Orshenik është në Bjellorusi që nga dita e djeshme. Dhe është vënë për detyrë luftarake”, tha Lukashenko gjatë adresimit vjetor më 18 dhjetor.

Bjellorusia, ish-republikë sovjetike, është aleate kyç e Rusisë. Moska përdori territorin bjellorus për të nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Në muajin gusht të këtij viti, Misku tha se do të praktikojë dislokimin e raketave Oreshnik gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake Zapad-2025 (Perëndimi-2025), pranë kufirit me Bashkimin Evropian dhe krahut lindor të NATO-s.

Dronët ukrainas sulmojnë anijet ruse- 3 viktima në portin rus të qytetit e Bataysk

RUSI- Tre persona, përfshirë dy anëtarë të ekuipazhit të një anijeje mallrash, u vranë në sulmet me dronë ukrainas gjatë natës së shkuar në portin rus të Rostov-on-Don dhe qytetin e Bataysk në rajonin jugor të Rostovit, tha të enjten guvernatori lokal.
Zjarri u shua, shkroi Yuri Slyusar në kanalin e tij të aplikacionit të mesazheve Telegram. Reuters shkruan,Kreu i Rostov-mbi-Don, Alexander Skryabin, tha më parë se ishte shmangur një rrjedhje e produkteve të naftës.

Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulm të qëllimshëm ndaj anijeve civile. Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar ta “ shkëpusë Ukrainën nga deti” pasi sulmet e Kievit dëmtuan tre cisterna të “flotës në hije” që po shkonin drejt Rusisë për të eksportuar naftën e saj në fillim të këtij muaji.
Një person u vra dhe shtatë të tjerë u plagosën në qytetin Bataysk, ku dy shtëpi private u përfshinë nga flakët si pasojë e një sulmi me dron, tha gjithashtu Slyusar./Dosja.al

Londra gati t’i dorëzojë Kievit 2.5 miliardë paund nga oligarku Abramovich 

Këto janë të ardhurat nga shitja e klubit Chelsea FC, të cilat miliarderi rus kishte premtuar t’ua paguante viktimave ukrainase – Kryeministri Starmer kërcënon: “Respektoni premtimin tuaj dhe paguani.”

VOAL- Kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi, gjatë Kohës së Pyetjeve të fundit në Dhomën e Komunave para pushimeve të Krishtlindjeve, vendimin e tij për të transferuar 2.5 miliardë paund (2.66 miliardë franga zvicerane) nga fondet e ngrira te oligarku rus Roman Abramovich për të ndihmuar Ukrainën e shkatërruar nga lufta. Ish-pronari i Chelseat, kur shiti klubin në vitin 2022, ishte zotuar t’ua paguante të ardhurat viktimave të pushtimit rus.

“Sot,” tha Starmer, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga një anëtar i Parlamentit që i kërkonte të përsëriste mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për ukrainasit, në sfondin e luftës së ndezur nga Rusia e Vladimir Putinit, “mund të njoftoj se kemi ndërmend të lëshojmë një licencë për transferimin e 2.5 miliardë paundëve të ardhura nga shitja e Klubit të Futbollit Chelsea, të ngrira që nga viti 2022.”

“Mesazhi im për Abramoviçin,” vazhdoi ai, “është ky: ora po ecën, respektoje premtimin që bëre [lidhur me ndarjen e aseteve të tij britanike për rindërtimin e Ukrainës] dhe paguaje tani. Nëse nuk e bën, ne jemi të përgatitur të shkojmë në gjykatë për t’u siguruar që çdo qindarkë të shkojë për ata që janë shkatërruar nga lufta e paligjshme e Putinit.” ATS/RSI

Trumpi shpall qeverinë e Venezuelës “organizatë terroriste”

Donald Trump ka njoftuar një “bllokadë totale dhe të plotë” të të gjitha cisternave të naftës që transportojnë naftë për në dhe nga Venezuela , duke pretenduar se vendi është i rrethuar nga forca më e madhe detare e vendosur ndonjëherë në Amerikën e Jugut dhe duke akuzuar regjimin e Nicolas Maduros për terrorizëm, trafik droge dhe trafikim qeniesh njerëzore. Në një deklaratë, Donald Trump pretendon se Venezuela është “plotësisht e rrethuar” nga një forcë ushtarake detare e paparë, e cila, siç vëren ai, “do të vazhdojë të rritet”. Sipas tij, presioni me të cilin do të përballet Karakasi do të jetë “siç nuk e ka përjetuar kurrë më parë” derisa “e gjithë nafta, toka dhe asetet” që, sipas tij, janë marrë në mënyrë të paligjshme nga interesat amerikane t’u kthehen Shteteve të Bashkuara.

Trump e përshkruan regjimin e Nicolas Maduros si “të paligjshëm” dhe e akuzon atë për përdorimin e të ardhurave nga “fushat e vjedhura të naftës” për të financuar, ndër të tjera, “narkoterrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore, vrasjet dhe rrëmbimet”. Për këto arsye, si dhe për “terrorizëm, trafikim droge dhe trafikim qeniesh njerëzore”, siç pohon ai, qeveria venezueliane është përcaktuar nga SHBA-të si një ” Organizatë e Huaj Terroriste “.

Donald

Në këtë kontekst, Donald Trump njofton se po urdhëron një “bllokim total dhe të plotë të të gjitha cisternave të naftës nën sanksione” si kur hyjnë ashtu edhe kur dalin nga Venezuela, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi metodën e zbatimit ose kohëzgjatjen e masës.

Në të njëjtën kohë, ai i referohet çështjes së imigracionit, duke pretenduar se “emigrantët dhe kriminelët e paligjshëm” të cilët, sipas tij, u dërguan në Shtetet e Bashkuara nga regjimi i Maduros gjatë periudhës së administratës së Joe Biden, tani po kthehen “me një ritëm të shpejtë” në Venezuelë.

“Amerika nuk do të lejojë që kriminelët, terroristët ose shtetet e tjera të grabisin, kërcënojnë ose dëmtojnë kombin tonë”, thotë Trump, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë “një regjim armiqësor” që, siç thotë ai, përvetëson naftën, tokën ose pasuritë e tjera amerikane. Së fundmi, ai bën thirrje për kthimin “e menjëhershëm” të të gjitha pasurive të kontestuara në Shtetet e Bashkuara. bw

Rabini i vrarë dhe heroi arab

Bondi Beach është një vend ikonë në Sydney, një nga plazhet më të famshme në botë, i njohur për atmosferën e relaksuar, rërën e artë, detin blu dhe surfimin. Pikërisht aty, turma po festonte Hanukën, festën hebraike, nata e parë e një kremtimi shumë të pritur, një mbrëmje argëtimi për familjet. Por gjithçka u shndërrua në atentatin më të rëndë masiv në vend në gati 30 vjet, një nga sulmet më të përgjakshme kundër hebrenjve jashtë Izraelit në dekadat e fundit.

Mes të paktën 16 personave të vrarë ndodhej edhe rabini i Sydney-t Eli Schlanger, 40 vjeç, një i dërguar i lëvizjes Chabad Lubavitch, i cili kishte 18 vjet që shërbente atje. Për të thonë se ishte “një njeri i ngrohtë, plot energji dhe shumë i vlerësuar”. Të plagosurit janë 29, por bilanci mbetet provizor. Mes viktimave ka edhe një fëmijë nga një shkollë hebraike lokale, një vajzë 12-vjeçare dhe një shtetas izraelit.

Schlanger, i lindur në Angli, kishte organizuar së fundmi një event për të përkujtuar të dërguarit e Chabad-it të vrarë, përfshirë ata të sulmit të vitit 2008 në Mumbai. Dy muaj më parë, bashkëshortja e tij kishte sjellë në jetë një djalë.

Alex Kleytman, i mbijetuar i Holokaustit me origjinë nga Ukraina, u identifikua si një tjetër viktimë e masakrës. Bashkëshortja e tij, Larisa, tregoi: “Kishte ardhur në Bondi Beach për të festuar Hanukën; për ne ka qenë gjithmonë një festë shumë e bukur, për shumë vite. Qëndronim në këmbë dhe papritur u dëgjua ‘bum, bum’ dhe të gjithë u shtrinë përdhe. Në atë moment ai ishte pas meje dhe vendosi të afrohej. Donte të ishte pranë meje”. Çifti ka dy fëmijë dhe 11 nipër e mbesa.

Ishin momente frike dhe paniku. Nico, amerikan që jeton prej gjashtë muajsh në Bondi, po shkonte të takonte miq për të bërë surf kur dëgjoi “një seri shpërthimesh” dhe pa njerëzit të vraponin në të gjitha drejtimet. Fillimisht mendoi se ishin fishekzjarrë. Ai nuk e pa personin e armatosur, por thotë se të shtënat “dukej sikur ishin shumë afër”. Reagimi i tij ishte i thjeshtë: “Thjesht të vrapoja”. Iu duk se krismat zgjatën “një përjetësi”.

Fin Green, anglez, mendoi gjithashtu se kishte dëgjuar fishekzjarrë. Ishte në apartamentin e tij dhe doli te dritarja. Tregon se pa një burrë mbi tavanin e një makine të bardhë duke qëlluar. Disa njerëz po shembeshin përtokë. Të tjerë filluan “të vraponin dhe të bërtisnin”, duke u drejtuar nga pallati i tij. Green mbylli perdet dhe u fsheh në dollap.

Elizabeth Mealey, ish-gazetare, po darkonte në restorantin Icebergs në Bondi Beach kur dëgjoi të shtënat. “Njerëzit filluan të vraponin drejt plazhit, ishte panik. Disa qëndronin të ngrirë, pa e kuptuar çfarë po ndodhte, ishte e tmerrshme”. “Na u duk sikur u desh shumë kohë para se të dëgjonim një sirenë. Ishte një kaos i plotë”.

Por në këtë histori të errët urrejtjeje dhe intolerance ka edhe një hero. Quhet Ahmed al Ahmed. Ai arriti të çarmatosë njërin nga atentatorët në Bondi Beach. Skena ishte kjo: ai i afrohet nga pas agresorit që po qëllonte, i hidhet sipër dhe i merr armët. Atentatori pengohet dhe bie. Ahmed i drejton armën, por nuk gjen forcën për të qëlluar.

Ahmed është 43 vjeç, ka dy fëmijë dhe drejton një dyqan frutash. Aktiviteti në Bondi Beach kishte tërhequr më shumë se një mijë persona dhe pritej të kulmonte me ndezjen e një menorah-je të madhe, llamba me shtatë krahë, një nga simbolet më të lashta të fesë hebraike. / bota.al

Sulmi vdekjeprurës në Sydney- Arrijnë në 1 milion dollarë dhurimet për heroin 43-vjeçar që çarmatosi sulmuesin

Ahmed el-Ahmed, një 43-vjeçar, baba i dy fëmijëve dhe pronar i një dyqani ushqimor, po trajtohet për dy plagë me armë zjarri në shpatull, pasi iu nënshtrua një operacioni të dielën në mbrëmje.

 

AUSTRALI – Gati 1 milion dollarë në donacione janë mbledhur për heroin e masakrës në plazhin Bodai që la 15 të vdekur , i cili rrezikoi jetën e tij duke u përpjekur të çarmatosë njërin nga dy sulmuesit. Ahmed el-Ahmed, një 43-vjeçar, baba i dy fëmijëve dhe pronar i një dyqani ushqimor, po trajtohet për dy plagë me armë zjarri në shpatull, pasi iu nënshtrua një operacioni të dielën në mbrëmje.

Videot tronditëse që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë Ahmed el Ahmed duke iu afruar personit të armatosur përmes parkingut Campbell Parade, duke u fshehur pas makinave të parkuara për të mos u parë. Kur ai iu afrua në distancë sulmi, ai iu hodh agresorit dhe pas një përpjekjeje të gjatë, arriti t’ia rrëmbente armën.

“Ai tha se do të vdiste”

Sipas mediave australiane, sekonda para se të ecte drejt personit të armatosur, Ahmedi kishte folur me kushëririn e tij, Josey Alkanj, duke shprehur frikën se nuk do t’ia dilte mbanë. Të dy burrat ishin pranë një feste Hanukkah, ku u ishte ofruar ushqim pak para të shtënave. Alkanj tha se ishin larguar për një kafe kur brenda pak minutash zona u shndërrua në një fushë beteje.

“Do të vdes, të lutem shko takoje familjen time dhe thuaju atyre se u vrava duke u përpjekur të shpëtoja jetë!”, tha Ahmedi.

Ndërhyrja dhe autorët e krimit

Videoja tregon 50-vjeçarin Sajid Akram duke u tërhequr ndërsa Ahmed el-Ahmed ngre armën dhe ia drejton. Më pas, Ahmed e mbështet armën në një pemë, ndërsa një qytetar i dytë vrapon drejt sulmuesit dhe i hedh një objekt. Incidenti ndodhi para personit të dytë të armatosur, djalit 24-vjeçar të Akramit, Navid, i cili ishte në një urë këmbësorësh aty pranë duke mbajtur një armë. Besohet se të shtënat e tij me armë zjarri e kanë plagosur më pas heroin 43-vjeçar. Navid u dërgua në spital me lëndime të rënda nën ruajtjen e policisë, ndërsa babai i tij u qëllua dhe u vra nga policia në vendngjarje./Dosja.al


Send this to a friend