PARIS – Në moshën 91 vjeçare ndahet nga jeta Brigitte Bardot. Lajmin e dha fondacioni që mban emrin e saj.
Aktorja e famshme lindi në Paris më 28 shtator 1934. Ajo e pushtoi botën me role provokuese dhe sensuale, përfshirë filmin Et Dieu… Créa la Femme (1956) të Roger Vadim, i cili e vendosi atë si një simbol seksi ndërkombëtar. Pas një karriere të ngjeshur me filma të paharrueshëm si La Vérité (1960), Le Mépris (1963) dhe Viva Maria! (1965), Bardot u tërhoq nga filmi në vitin 1973 për t’iu përkushtuar tërësisht pasionit të saj të madh: të drejtave të kafshëve.
Ajo themeloi Fondacionin Brigitte Bardot (Brizhitë Bardo), i cili kontribuoi në ndryshime të rëndësishme legjislative, duke përfshirë ndalimin e importit të lëkurës së fokës në Francë dhe më pas në Bashkimin Evropian.
Ndërsa i qëndroi besnike aktivizmit të saj, Bardot shkaktoi polemika të nxehta me kalimin e kohës për deklarata të konsideruara fyese ose diskriminuese, duke rezultuar në disa dënime.
Brigitte Bardot mbetet një nga figurat më komplekse dhe më tërheqëse të shekullit të 20-të: një simbol i lirisë dhe revolucionit seksual, një grua e brishtë por e fortë, pasionante deri në fund. Largimi i saj shënon mbylljen e një kapitulli unik në historinë e kinemasë, ndërsa përkushtimi i saj ndaj kafshëve do të vazhdojë falë Fondacionit që mban emrin e saj.