Te shtrati i Halil Nekës, mbi kroin e Ptyqit,
gjethet shtrihen si kujtime të lodhura.
Mjegulla zbret nga maja e Strellcit,
te kroi uji është akull me pi.
Rrezet e diellit ngrohin vitet e ikura,
lugina oshtinë nga gurgullima e përroit.
Këmbësorja mbulohet me gjethe fieri,
prej këtu i shoh ditët e ëndrrat mbi lëndinë.
O sa larg jam tretur përtej maleve e deteve,
dimrat e gjatë m’i kanë ngrirë gishtërinjtë.
Mjegulla qepon gurin e Sokolit,
përkulem para varreve të trimave bellagji.
Prajshëm kuvendoj me Hazir Lahën,
ndërsa nga dritarja e Kosharës
Sali Çeku përshëndet vëllezërit e tij.
Te shtrati i gurit të Halil Lulajt
koha ka ndalur frymën,
me flamurin e Isa Boletinit,
me bashkëmendjet e ndritura të shaljanëve.
N’Belle,
dimrat e gjatë kurrë harresën s’e mbytën.