VOAL

VOAL

Nazizmi dhe Stalinizmi – Nga Prof. TOMASZ KAMUSELLA

September 18, 2019

Komentet

Nga Franca në Gjermani, mediat: Nuk ndalen protestat kundër Ramës, BE duhet të mbështesë të rinjtë

Me qindra media në kontinentin tonë, por jo vetëm, vazhdojnë t’i bëjnë jehonë Revolucionit të Flamingove në Shqipëri.

Edhe pse mediat në Shqipëri po e censurojnë këtë lëvizje, mediat evropiane vazhdojnë ta kenë argument kryesor.

Radio France raporton se ‘revolta e rinisë shqiptare është një zgjim i ndërgjegjes evropiane’.

Sipas radios franceze, protestat nisën fillimisht kundër një projekti ndërtimor në Zvërnec, por u kthyen në lëvizje antiqeveritare.

“Që prej fillimit të qershorit, kundërshtimi ndaj këtij projekti është bërë pikënisja e protestave të mëdha, për të cilat po rikthehemi përmes një analize të shkruar nga një burim shqiptar që dëshiron të mbetet anonim. Këto protesta mbledhin kryesisht të rinj shqiptarë, të mobilizuar për të mbrojtur këtë park natyror, i konsideruar si një thesar kombëtar, si dhe për të denoncuar këtë projekt imobiliar, mbi të cilin rëndojnë dyshime të forta për korrupsion. Protestuesit kanë gjetur edhe një simbol, i cili tashmë shfaqet në çanta, kapele apo peshqirë plazhi dhe që i ka dhënë emrin gjithë revoltës: flamingot rozë”.

“Duhet theksuar se kryeministri shqiptar Edi Rama është një figurë e pazakontë: është 2 metra i gjatë, ka qenë ish-lojtar profesionist basketbolli, por edhe piktor – madje ka dhënë mësim në Shkollën e Arteve të Bukura në Paris – dhe është në mandatin e tij të katërt, që prej vitit 2013. Por mbi të gjitha, Rama dhe qeveria e tij akuzohen për raste të rënda korrupsioni, të cilat çuan në dorëheqjen e zëvendëskryeministres së tij në mars, pas një hetimi gjyqësor. Pikërisht për këtë arsye, Edi Rama është një nga objektivat kryesore të “lëvizjes së flamingove rozë”, e cila kërkon dorëheqjen e tij”, raporton kjo radio.

Ndërkohë gazeta gjermane ‘Die Tagespost’ shkruan se BE duhet të mbështesë më shumë këtë lëvizje rinore.

“Në Shqipëri, demonstruesit po mbajnë flamingo prej kartoni rozë nëpër rrugë. Protestat filluan në fshatin bregdetar të Zvërnecit dhe tani kanë arritur në kryeqytet, Tiranë. Deri në 250,000 njerëz të të gjitha moshave dhe prejardhjeve shoqërore po dalin në rrugë. Po quhet “Revolucioni i Flamingove”. Protestat drejtohen kundër korrupsionit, shkatërrimit të mjedisit dhe padrejtësive politike. Ngurrimi i BE-së për të ofruar mbështetje po kritikohet gjithashtu, pasi shumë presin mbështetje më të fortë. Deri më tani, protestat kanë mbetur paqësore. Megjithatë, padurimi dhe frustrimi po rriten. Një kthesë drejt dhunës do të dëmtonte shoqërinë civile të re dhe aktive,” shkruan gazeta gjermane. gsh

“Në fundjavë Diaspora zbret në shesh” “L’indipendente” jehonë protestës në Shqipëri: Kryengritja nuk ndalet! Kërkesa kryesore dorëheqja e kryeministrit

L’indipendente i ka kushtuar një artikull protestës kundër kryeministrit Edi Rama që mbahet në Tiranë për më shumë se dy muaj në Tiranë.

Protesta tashmë ka hyrë në muajin e tretë, që kur shqiptarët nisën “Revolucionin e Flamingove”, në fund të majit.

Protesta që nisi fillimisht për zonat e mbrojtura dhe kundër shkatërrimit të tyre, u kthye shumë shpejt në një revoltë dhe protestë kundër qeverisë, kryeministrit Edi Rma dhe kundër të gjithë klasës së vjetër politike.

Më tej artikulli vijon:

Protestat e nisura në Shqipëri në mesin e muajit maj kanë hyrë në ditën e 76-të radhazi, ndërsa lëvizja e njohur si “Revolta e Flamingove” ka zgjeruar kërkesat e saj, nga kundërshtimi i projekteve turistike në zonat e mbrojtura, në kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverisë dhe klasës politike.

Protestuesit mblidhen çdo pasdite në sheshet qendrore të Tiranës dhe më pas marshojnë drejt institucioneve qeveritare. Edhe pse institucionet janë aktualisht në periudhën e pushimeve verore, organizatorët thonë se mobilizimi do të vijojë.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e qeverisë Rama dhe ndryshimi i asaj që ata e konsiderojnë një sistem të korruptuar institucional. Në fokus janë gjithashtu kërkesat për shfuqizimin e ligjeve që lidhen me zonat e mbrojtura, investimet strategjike dhe investimet në zonat malore.

Aktivistët kërkojnë gjithashtu revokimin e lejeve të dhëna në bazë të këtyre ligjeve, duke argumentuar se ato krijojnë mundësi për ndërtime dhe projekte turistike në territore me rëndësi natyrore.

Protesta shtrihet edhe jashtë Tiranës

Lëvizja ka përfshirë edhe çështje të tjera që kanë ngjallur reagime publike. Një prej tyre është propozimi për riorganizimin territorial dhe bashkimin e disa bashkive.

Në Divjakë, qytetarët kanë protestuar prej ditësh kundër bashkimit të propozuar të bashkisë, duke kërkuar tërheqjen e nismës.

Ndërkohë, debat ka shkaktuar edhe financimi i aktiviteteve kulturore dhe koncertit të Kanye West në Shqipëri. Aktivistët kanë kritikuar fondet e alokuara për eventin, duke e krahasuar atë me mbështetjen që marrin në total artet e pavarura në vend dhe duke kërkuar ndryshime në politikat e Ministrisë së Kulturës.

Nismë për referendum

Përveç protestave në rrugë, organizatorët po ndjekin edhe rrugë institucionale.

Lëvizja për Diasporën Shqiptare, së bashku me 11 organizata të shoqërisë civile, ka paraqitur pranë autoriteteve zgjedhore një pyetje referendumi që synon shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura.

Mbështetësit e nismës argumentojnë se kuadri aktual ligjor mund të hapë rrugën për projekte ndërtimore dhe investime që, sipas tyre, rrezikojnë zonat e mbrojtura.

Ndërkohë, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në protestat e Tiranës më 15 dhe 16 gusht, duke synuar t’i japin një dimension edhe më të gjerë mobilizimit.

Nga protestë për zonat e mbrojtura në lëvizje antiqeveritare

“Revolta e Flamingove” nisi fillimisht si reagim ndaj projekteve turistike dhe zhvillimeve të pasurive të paluajtshme në zona të mbrojtura, përfshirë projektin e lidhur me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner.

Me kalimin e javëve, protesta mori karakter më të gjerë politik, duke përfshirë kërkesa për ndryshime në qeverisje dhe kundërshtim ndaj të gjithë klasës politike.

Gjatë protestave janë raportuar edhe përplasje me policinë dhe arrestime të demonstruesve. Organizatorët dhe disa organizata të shoqërisë civile kanë ngritur akuza për përdorim të tepruar të forcës dhe trajtim të paligjshëm të disa prej personave të ndaluar.

Pavarësisht përplasjeve dhe kalimit të më shumë se dy muajve nga nisja e protestave, organizatorët këmbëngulin se lëvizja do të vijojë, ndërsa kërkesat e saj tashmë shtrihen nga mbrojtja e territorit dhe mjedisit deri te ndryshimi i politikave qeverisëse dhe reformimi i institucioneve.

“SHBA-ja dhe BE-ja po ndjekin politika kontradiktore në rajon”- Analiza e DW: A ndikon përçarja tek Ballkani Perëndimor?

Konsensusi perëndimor për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor po shpërbëhet, ndërkohë që SHBA-ja dhe BE-ja po ndjekin hapur politika kontradiktore në rajon.

Donald Trump kundër Europës nuk ka të bëjë vetëm me Groenlandën dhe NATO-n. Ekziston edhe një garë tjetër që zhvillohet shumë më qetësisht: në Ballkan.

Rajoni u rrënua nga luftërat e ish-Jugosllavisë së viteve 1990. Në të kaluarën SHBA-ja dhe Europa bashkëpunin për rindërtimin e rajonit. Ndërsa sot ata konkurrojnë për pushtet, para dhe ndikim.

Si mund të ndikojë ky rivalitet në Ballkan?
Ballkani Perëndimor është një term që Bashkimi Europian e përdor për gjashtë shtetet në kufijtë e tij: Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi.

BE-ja thotë se të gjithë këto shtete duhet të bëhen anëtarë, pas një sërë reformash të sundimit të ligjit dhe tregut. Por ata kanë ngecur në rrugën e tyre drejt anëtarësimit. Dhe ka disa pengesa të mëdha, si separatizmi që “vlon” në Bosnjë dhe Hercegovinë, ose mosmarrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës.

Për vite me radhë, SHBA-ja mbështeti integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ish-ministrja e Jashtme demokrate asokohe Hillary Clinton deklaronte, se “jemi të bashkuar në qëllimet tona për t’ju parë në NATO dhe BE sa më shpejt të jetë e mundur.”

Aktualisht po dëgjohet një mesazh i ri: Donald Trump Jr.: “Nuk është politikisht korrekte, por është shumë e qartë se Europa është katastrofë.”

Ky ndryshim kursi ka dy anë: interesat e sigurisë dhe interesat ekonomike. Lidhur me sigurinë, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi së fundmi se “Epoka e ndërtimit të kombit, e udhëhequr nga SHBA-të, ka kaluar”.

Por çfarë do të thotë kjo?
Le të analizojmë Bosnjë dhe Hercegovinën, ose shkurt Bosnjën, një vend i shenjuar nga lufta brutale e viteve 1990. Është shtëpia e tre grupeve kryesore etnike: boshnjakëve, serbëve të Bosnjës dhe kroatëve të Bosnjës.

Për t’i dhënë fund konflikteve të tyre, në vitin 1995 u krijua një sistem ndarjeje pushteti nën udhëheqjen e SHBA-së. Shpesh përshkruhet si sistemi politik më i ndërlikuar në botë. Tani, SHBA-ja dhe Europa kanë mosmarrëveshje për pozicionet më të fuqishme në atë sistem: Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë-Hercegovinën. Ai ka një rol unik. Është një zyrtar i huaj, zakonisht europian, me fuqi të mëdha për të ndërhyrë në politikën boshnjake. Detyra e tij është të sigurohet që vendi të mos rrëshqasë përsëri drejt konfliktit. Por ai zgjidhet nga shtete dhe organizata të tjera dhe jo nga populli i Bosnjës.

Përfaqësuesi i Lartë i fundit ishte politikani gjerman Christian Schmidt. Ai dha dorëheqjen dhe tha se SHBA-ja e shtyu ta ndërmerrte këtë vendim.

Administrata Trump dëshiron të kufizojë kompetencat e Përfaqësuesit të Lartë, por BE-ja ende dëshiron një diplomat që ta thotë fjalën e fundit në Bosnjë.

Sipas Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave “qëndrimi i SHBA-së në këtë çështje është i saktë.” Eksperti Prelec shpjegon më tej, se 30 vjet pas ndërprerjes së armiqësive, është shumë e vështirë të shpjegohet pse duhet të ketë një zyrtar të emëruar ndërkombëtarisht me shkallën e pushtetit që përfaqësuesit e lartë kanë ushtruar në Bosnjë-Hercegovinë.

Zyra e përfaqësuesit të lartë është bërë prej kohësh pjesë e konkurrencës gjeopolitike në Europë.Rusia ishte kundër Përfaqësuesit të Lartë të fundit dhe po kështu ishte edhe aleati i tyre lokal Milorad Dodik, udhëheqësi serb i Bosnjës. Dodik kërcënoi të shkëputej nga Bosnjë-Hercegovina dhe të bashkonte territoret serbe të Bosnjës me Serbinë fqinje: “Ne nuk e fshehim se i përkasim një kombi të vetëm serb. Ju nuk do ta shkatërroni thirrjen e këtij kombi për t’u bashkuar. Ky komb meriton të ketë një shtet të bashkuar. Ne nuk mund të ndalemi në këtë rrugë.

Amerika dhe Europa dikur bashkëpunonin kundër këtyre kërcënimeve. Dodiku madje u sanksionua nga SHBA-të dhe gjykatat boshnjake e kishin në shenjestër. Por ai i shpëtoi arrestimit, qëndroi pranë MAGA-s dhe festoi fitoren e Trump.

Dodik e qetësoi situatën dhe dha dorëheqjen nga qeveria, por mbetet udhëheqësi de facto i serbëve të Bosnjës. Në këmbim, administrata Trump e hoqi atë nga lista e sanksioneve. SHBA-ja thotë se do të angazhojnë të gjithë aktorët vendas për më shumë stabilitet. Por në BE, ekziston shqetësimi se kjo mund ta inkurajojë Dodikun që të përpiqet të ndryshojë kufijtë.

Protagonistët e Ballkanit mund të marrin shembull nga mënyra se si zhvillohet lufta në Ukrainë, shpreh shqetësimin Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave: “Ajo që më shqetëson është nëse ka ndonjë lloj përfundimi të luftës në të cilën fuqitë perëndimore njohin ndryshimin territorial të arritur me forcë në Ukrainë, që patjetër do të ketë aktorë në Ballkan që do të thonë, po ne? ‘Edhe ne do të donim të ndryshonim kufijtë tanë’. Serbia do ta argumentonte këtë në lidhje me Kosovën, me veriun e saj, dhe serbët e Bosnjës do të thoshin, “edhe ne do të donim të shkëputeshim”.

Pra, ka shumë gjëra në lojë për sa i përket sigurisë. Por SHBA-ja thotë se tani fokusi kryesor në rajon është ekonomia.

Kjo lidhet shumë me transportin e gazit të lëngshëm natyror: Një terminal lundrues i Gazit të Lëngshëm Natyror është ankoruar pranë një ishulli kroat.

Prej këtej, SHBA-të duan të eksportojnë gaz në shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat deri më tani janë furnizuar kryesisht nga Rusia. Ata kanë një propozim të guximshëm. Chris Wright, Sekretari i SHBA-së për Energjinë, i quan këto terminale „tubacionet e paqes” të Trump. Kjo do të thotë që presidenti Trump e do energjinë. Një lloj paqeje përmes tregtisë.

Lidhjet e reja tregtare janë sigurisht të mirëpritura në Ballkan, ku investimet e huaja janë shumë të nevojshme. Por ka një paralajmërim, sipas Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave: “Aty ku gjërat ndërlikohen dhe mendoj se janë mjaft të dëmshme për rajonin dhe për marrëdhëniet transatlantike, është se administrata Trump në mandatin e dytë, administrata e dytë, po favorizon në mënyrë të hapur disa firma shumë të dyshimta, firma amerikane që kanë lidhje të ndryshme me presidentin Trump dhe familjen e tij. Pra, duket si një lloj korrupsioni.”

Një investim i bllokuar aktualisht në Bosnjë, një linjë e planifikuar e quajtur “Ndërlidhësi Jugor”, supozohet se do të transportojë gaz të lëngshëm nga ai terminal kroat përmes Bosnjës dhe në Serbi. Ky projekti u bllokua për vite me radhë. Por me interesin e ri amerikan, gjërat filluan të lëviznin çuditërisht shpejt. U hartua një ligj i posaçëm, duke ia dhënë projektin pa tender një kompanie amerikane pa përvojë të mëparshme me tregtinë e gazit.

Kompania drejtohet nga ish-avokati i Trump dhe vëllai i ish-këshilltarit të tij. Ivana Korajlic nga Transparency International, thotë, se ndodhemi në një realitet absurd. “SHBA-ja dikur ishte promovuesja kryesore të vlerave demokratike në të gjithë rajonin.

Ivana Korajlic udhëheq punën e „Transparency International” në Bosnjë-Hercegovinë, ajo thotë, se “nuk shohim më asnjë lloj pretendimi për respektimin e sundimit të ligjit, respektimin e institucioneve lokale.”

Eksperti Marko Prelec vëren, se “është veçanërisht fyese për një Bashkim Europian që e ndërton pjesën më të madhe të identitetit të tij mbi praktikat e pastra të kontabilitetit, sundimin e ligjit, tregtinë e drejtë, fushën e barabartë të lojës.”

BE-ja punon prej kohësh për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor në tregun e vet të energjisë, edhe pse ato nuk janë ende anëtare të Bllokut.

Ajo gjithashtu e ka paralajmëruar Bosnjën se rrezikon të humbasë mbështetjen nëse nuk i respekton rregullat e përbashkëta të tregut. Ekziston një shqyrtim shtesë edhe për marrëveshjet e tjera energjetike të SHBA-së në rajon: në Maqedoni, Shqipëri dhe Serbi.

Në Serbi, nga tenderi për një hidrocentral të ri u deklarua se vetëm firmat amerikane mund të aplikonin. Pra, mund ta imagjinoni që Europa nuk ishte e kënaqur. Europa ende e lë pas Amerikën në investimet në Ballkanin Perëndimor: më shumë se gjysma vjen nga BE-ja dhe më pak se 3 % nga SHBA-ja.

Venitje e besueshmërisë tek premtimi i BE-së për antarësimin
Pra, çfarë po bën Blloku për të kufizuar ndikimin e njerëzve të “orbitës” Trump? Ivana Korajlic nënvizon, se “fatkeqësisht, nuk shohim një përgjigje mjaftueshëm të fortë nga BE-ja kur bëhet fjalë për këtë. Përgjigja duhet të jetë shumë më e shpejtë.”

Ndërsa Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thekson, se “BE-ja nuk bën projekte të mëdha, shumë të mëdha, për çfarëdo arsye, në Ballkanin Perëndimor. Nuk ka asnjë gjë madhore që ata mund ta tregojnë. Kur SHBA-ja thotë se do të vijmë me këtë investim prej 2 miliardë dollarësh, kjo është diҫka madhore që të gjithë e dëgjojnë.

Joshja më e madhe që ka BE-ja për të ndikuar në Ballkanin Perëndimor është perspektiva e anëtarësimit në Bllok në këmbim të reformave. Por besueshmëria e këtij premtimi po venitet.

Marko Prelec: “Njerëzit në Ballkanin Perëndimor kanë dëgjuar për integrimin europian prej dekadash. Askush nuk është pranuar në 13 vjet që nga Kroacia në vitin 2013. Pra, duhet të përpiqeni t’i bindni njerëzit përsëri se kjo do të ndodhë.”

BE-ja mund ta bëjë këtë së shpejti, pasi Mali i Zi po përfundon bisedimet e pranimit dhe dëshiron të bashkohet në vitin 2028.

Franca dhe Gjermania tani po bëjnë thirrje gjithashtu për një qasje më fleksibël, për t’i mbajtur vendet të motivuara dhe ndikimin e BE-së të sigurt. Ideja është t’u jepet vendeve kandidate qasje e hershme në programet dhe tregjet e BE-së përpara anëtarësimit të plotë.

Propozime të tilla paraqiten çdo disa vjet, por krizat më të mëdha vazhdojnë të tërheqin vëmendjen më të madhe në Bruksel. Tani është ndikimi në rritje i SHBA-së që mund ta detyrojë BE-në të bëjë një hap të vërtetë në Ballkan.

Pra, në njëfarë mënyre, më shumë interes dhe investime, mund të jenë një lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor. Por disa në rajon shqetësohen se një përplasje SHBA-BE mund të nxisë paqëndrueshmëri. Sidomos nëse Uashingtoni ndalon së dhëni përparësi demokracisë dhe përqendrohet në marrëveshje afatshkurtra.

30 vjet pas luftërave, ndarja midis Amerikës dhe Europës duket se do të mbjellë më shumë përçarje në Ballkanin Perëndimor./DW

Rekrutimet – I sfiduar nga protesta e Flamingove, Rama forcon sektorin e propagandës

 

Kryeministri njoftoi rekrutime të reja në Agjencinë e Medias dhe Informacionit, e kritikuar nga organizatat ndërkombëtare si “ministri propagande”

BIRN

Agjencia për Media dhe Informim pranë qeverisë hapi të enjten një thirrje të hapur për rekrutimin e stafit të ri, profesionistë të komunikimit publik, ndërsa qeveria po përballet me protesta që targetojnë korrupsionin e lartë dhe mungesën e transparencës në vendimmarrjen për investime në pronat publike.

“Ke një ide që mund ta bëjë komunikimin publik më të mirë? Na trego”, thuhet në njoftimin publik të agjencisë, ku përcaktohen dy mënyra punësimi: si punonjës i brendshëm i agjencisë ose si bashkëpunëtor.

Thirrja nuk ka përcaktime të qarta të kritereve të punësimit, por lë të hapur mundësinë për personat e interesuar në “ekspertizë” dhe “inovacion”.

Prej më shumë se dy muajsh, Shqipëria është përfshirë nga një protestë maratonë kundër qeverisë, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, e cila nisi si kundërshtim ndaj një projekti turistik në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës dhe u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, mungesës së transparencës dhe mënyrës se si qeveria administron pronën dhe pasuritë publike.

Protestat kanë sfiduar imazhin e kultivuar nga qeveria brenda dhe jashtë vendit si promotore e zhvillimit turistik dhe investimeve të huaja, duke e zhvendosur debatin publik te lidhjet mes pushtetit dhe investitorëve ‘strategjikë’, mungesa e transparencës dhe akuzat për favorizimin e interesave të biznesit në kurriz të pronës dhe interesit publik.

Drejtoresha e MIA-s, Manjola Hasa, i tha BIRN se nuk bëhet fjalë për një numër vendesh vakante që do të plotësohen, por për një iniciativë që synon reformimin e plotë të të gjithë institucionit dhe të mënyrës së komunikimit institucional në tërësi, në bazë të prurjeve të reja që do të aplikojnë.

“Ky është një reformim që nis me komunikimin e institucioneve publike dhe jemi të hapur për çdo ide të re që do të vijë, qoftë për zëdhënës të ministrive, ide të reja të komunikimit edhe në platformat sociale, duke marrë në konsideratë zhvillimin e teknologjisë, si dhe ekspertiza të tjera që kanë në fokus komunikimin”, tha Hasa.

Sipas saj, thirrja duhet parë si hapi i parë i zbatimit të një kontrate të re të qeverisë me qytetarët, që nis pikërisht nga komunikimi publik.

Agjencia ka një organikë të miratuar prej 69 punonjësish, të cilët punojnë si zyrë shtypi për komunikimin publik të kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të tij.

Organizatat ndërkombëtare të medias kanë kërkuar mbylljen e kësaj agjencie, duke e cilësuar si “ministri propagande” që përqendron më shumë kontrollin e qeverisë mbi informacionin.

“SPAK-u fle mbi dosjet e korrupsionit” Protestuesi: Morën gjithçka nga ky popull, dhe sot mundohen ta tallin

TIRANË– Protesta qytetare në Tiranë ka shënuar ditën e 75-të të tubimit. Pas vendosjes së protestuesve përballë godinës së Kryeministrisë janë mbajtur fjalime nga organizatorët e protestës dhe jo vetëm, ku kanë shprehur pikëpamjet e tyre në lidhje me protestën.

Një protestues në fjalën e tij ka akuzuar SPAK-un se po vonon hetimet dhe veprimet ndaj dosjeve të korrupsionit, duke pretenduar se institucionet kanë frikë të përballen me politikanë dhe persona që ai i cilësoi si tradhtarë dhe mafiozë.

Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se shqiptarët janë ndarë nga politika dhe se shumë familje kanë të afërm jashtë vendit. Ai kërkoi përgjegjësi penale për politikanët, duke përsëritur thirrjen “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa akuzoi politikanët se kanë përdorur pushtetin për interesat e tyre dhe pasi kanë përfituar nga qytetarët, sot gjejnë rastin edhe i tallin ata.

“SPAK-u vijon dhe fle mbi dosjet e korrupsionit. Nëse keni frikë të arrestoni tradhtarët dhe mafiozët, ka plot djem e bij nënash që janë të gatshëm t’u kërcasin prangat këtyre tradhtarëve.

Të gjithë ne këtu kemi familjarë jashtë shtetit. Na ndanë këta politikanë. Thirrja që na bashkon ndaj është: Rama n’burg, Berisha n’burg! Kemi politikanë që janë treguar të zellshëm në qeveri vetëm për interesat e tyre. Pasi i morën të gjitha nga ky popull, sot mundohen edhe ta tallin.”, u shpreh ai./Dosja.al

“Shqipëria e rinisë” Vijon protesta kundër qeverisë, qytetarët te Piramida: Ndryshim sistemi

TIRANË– Me thirrje kundër qeverisë, qytetarët po vijojnë marshimin te zona e Piramidës. “Ndryshim sistemi”, “Revolucion” dhe “Dorëheqje”, “Shqipëria e rinisë”, janë disa nga sloganet që dëgjohen gjatë marshimit, ndërsa protestuesit vijojnë të ecin në grup në rrugët e Tiranës.

Protesta, e cila ka hyrë në ditën e saj të 75-të, vazhdon me kërkesën për largimin e qeverisë Rama dhe gjithë klasës politike./Dosja.al

Një zgjidhje e lehtë dhe e shpejtë!- Nga Florim Zeqa

 

Propozimi im pesonal për zgjedhjen e ngërçit politik në Kuvend është ky: “Të zgjedhet një president apartiak me mandat një vjeçar deri në amandamentimin e ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga populli dhe përfundon aventura e bllokadave paszgjedhore në Kuvend!

 

Krenar që propozimi im u bë realitet

 

Më vie mirë që propozimi im i para dy muajve në një RTV 21 për marrëveshje paraprake për zgjedhjen e presidentit u bë kusht për arritjen e zgjidhjes fatlume për bashkëqeverisje mes subjekteve politike!

Por, njëkohësisht më vie keq, pse partitë opozitare nuk e përfillën propozimin tim, që t’i shkojnë të unifikuar Albin Kurtit në takim!

Për dallim nga opozitarët, Albin Kurti u tregua më pragmatik, jo pse u ndikua nga propozimi im, por, pse kjo është zgjidhja më ideale për dalje nga kriza politike!

Jemi popull i vogël, me territor shumë më të vogël sesa popullata rezidente në Kosovë, andaj vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat globale të cilat nuk po e kursejnë as vendin tonë, anipse për fatin e mirë jo me agresion luftarak, por me pasojat e luftës në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme!

Naiviteti ynë politik dhe qytetarë, ka bërë që shpesh të biem viktima të politikave ditore siq ishte vendosja e banerit magjik “Free Ukraine” i para katër viteve në Prishtinë!

Por, assesi nuk guxojmë të biem viktima të egova të sëmuara të politikanëve të papërgjegjshëm dhe karrierist, për të cilët interesi i shtetit në krahasim me nderin personal dhe familjarë nuk është asgjë!

Ata që shesin nderin dhe sakrifikojnë buxhetin familjarë për poste dhe privilegje, gjthçka mund të jenë, por jo edhe atdhetarë!

 

Aq e lehtë dhe e thejshtë është zgjidhja e ngërçit politik në Kuvend sa mendja nu kua merr! Mjafton një vullnet i mirë politik pa inate personale dhe pa prapaskena politike!

Zgjedhja e një presidenti apartiak me mandat një vjeçar deri në amandamentimin e ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejt nga vota e qytetarëve dhe kalimi në sistemin Presidenciale, bën që të përfundojnë aventurat e bllokadave paszgjedhore në Kuvend!

Kështu marrin fund prapaskenat dhe kontrabandimet e vullnetit të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës. Partia fituese e zgjedhjeve, me shumicën e thjeshtë në Parlament (minumum 61 vota) i formon institucionet dhe qeverisë me vendin.

Opozita, si korrektor i kujdesshëm e kontrollon punën e qeverisë dhe mbron interesat e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës!

 

Pra, zgjedhja është e lehtë dhe thejshtë për ata që i duan të mirën shtetit dhe qytetarëve. Në të kundërtën, theqafjen politike dhe katandisjen e shtetit në humnerë e kemi të pashmangshme!

 

Florim Zeqa, analist i pavarur politik

25 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit- MARRËVESHJE PËR MOSMARRËVESHJE?…- Nga Jusuf Buxhovi

Ose gjeneza e një lufte të sukseshme të shqiptarëve në Maqedoni që u kthye në një kompromis të padobishëm politik
Rruga e bisedimeve “ndërmjetëse” midis subjekteve politike maqedonase që kishin përfaqësuar institucionet shtetërore dhe ato parlamentare dhe liderëve ushtarakë të UÇK-së, që kishin folur në emër të “Shtabit të Përgjithshëm”, kishte kaluar nëpër një marrëveshje politike që ishte arritur në Prizren. Me këtë marrëveshje, UÇK-ja do të bëhet pjesë e procesit politik, për ç’gjë ishin angazhuar faktorët meritorë ndërkombëtarë. Por, duhet thënë se përfshirjen e UÇK-së në procesin politik, ndonëse me naze,e kishin dëshiruar edhe maqedonasit, të cilët e dinin se ishte shtabi i Tetovës ai që duhej ta thoshte fjalën e fundit, fjalë kjo që sipas Komunikatës 6 të marsit, kur mbrohej integriteti territorial dhe ai shtetëror i Maqedonisë dhe Projekt-Planit të Paqes së UÇK-së të 14 qershorit, në kuadër të reformave kushtetuese kërkohej shteti multietnik, për maqedonasit ishte e mirëseardhur, ngaqë me anën e tyre, edhe më tutje do t’i ruanin pozitat dominuese në institucionet e vendit. Ndërsa pozita e shqiptarëve, paçka se kishin luftuar, mund të ndryshohej paksa, por jo që të arrinin te limitet, ngaqë vetë karakteri i demokracisë me fuqinë e shumicës, pengon këtë.
Sidoqoftë, marrëveshja e Prizrenit, duhej t’ia hapte rrugën një zgjidhje politike për të cilën ishin pajtuar që të gjithë, që do të arrihej me palën shqiptare me anën e një marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive (luftës). Meqë këtë punë kishte marrë përsipër qeveria e koalicionit e zgjedhur më 15 maj, Trajkovski kish-te kërkuar nga ndërmjetësuesi Robert Frowick, i emëruar i veçantë i OSBE-së për Maqedoninë, një “fushatë” për ndërprerjen e luftimeve të armatosura, që duhej të shkonte nëpërmes një marrëveshjeje te faktorëve politikë shqiptarë në rajon – në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri me çka Maqedonia fitonte garanci “gjithëshqiptare” për opsionin e multietnicitetit në Maqedoni, që përjashtonte atë më të rrezikshmin për Shkupin – shtetin dykombesh, siç ishte kërkuar fillimisht nga UÇK-ja.
Marrëveshja e faktorëve politikë shqiptarë në rajon, atyre në Maqedoni dhe Shqipëri, për Frowickun si iniciues të saj dhe faktorin ndërkombëtar në përgjithësi nuk duhej të paraqiste ndonjë vështirësi. Edhe pse faktorët politikë shqiptarë vinin nga tri realitete të ndryshme politike dhe shtetërore dhe përkatësi të ndryshme intelektuale, megjithatë, pjesa më e madhe e tyre (ata nga Kosova dhe Maqedonia) kishin të përbashkët veprimtarinë në rrethanat e shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe angazhimin për çështjen e Kosovës në kuadër të rezistencës institucionale dhe të asaj të armatosur në radhët e luftës së UÇK-së, veprimtari kjo që në vitet e fundit (1989-1999), në shumë aspekte ishte zhvilluar në Shqipëri dhe e gjitha kishte kaluar nëpër një emancipim të përbashkët politik rreth asaj që shfaqej si interesa i përbashkët shqiptar në rrethanat e reja, e ku shteti maqedonas, edhe si interes i shqiptarëve, kishte mbështetje unanime.
Vegëza politike e liderëve shqiptarë në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkupit, në raport me Maqedoninë dhe rolin e shqiptarëve në arritjen e marrëveshjes paqësore atje duhej t’ua kthente “kohezionin e brendshëm”, siç kishte ndodhur edhe gjatë bisedimeve të Rambujesë në shkurt dhe mars 1999, gjithsesi se shfaqej Veton Surroi.
Surroi kishte pranuar të ndërmjetësonte me kusht që bisedimet të mos çonin te ndarja e Maqedonisë, meqë kjo ishte kundër bindjeve të tij.
Por, ky kusht as që i duhej, ngaqë, UÇK-ja, qysh në Komunikatën numër 6, kishte theksuar mbrojtjen e integritetit territorial si dhe sovranitetin shtetëror të Maqedonisë dhe gjithnjë e më shpesh theksonte reformat kushtetuese me anën e të cilave në shtetin multietnik realizohej barazia e plotë e të gjithëve.
Ideja për t’u takuar në Prizren nuk ishte e rastësishme. Kishte arsyet praktike-teknike (Ali Ahmeti mund të lëvizte lirisht nga shtabi i tij afër Tetovës për në Prizren, nëpër brezin deri te kufiri me Kosovën ngaqë e mbikëqyrnin forcat e tij) edhe pse ajo pjesë mbikëqyrje nga KFOR-i amerikan dhe britanik, por kishte edhe simbolikë historike, meqë Prizreni ishte qendra politike e nacionalizmit shqiptar, që kishte ushqyer të gjitha lëvizjet shqiptare për liri dhe pavarësi, që si e tillë nga shumëkush shihej edhe lufta e UÇK-së në Maqedoni. Andaj, marrëveshja shqiptare në Prizren, pos pajtimit të brendshëm, dërgonte edhe mesazhe bashkimi jashtë, të cila edhe në këto rrethana kishin rëndësi të veçantë, që gjërave që quheshin “historike”, paçka se nuk ishin të tilla, t’ua jepte grimin e duhur “patriotik”.
Siç pritej, AliAhmeti kishte disa kërkesa, të cilat duhej plotësuar për t’u filluar procesi politik. Ndër to ishte prania si dhe vendosja e trupave të NATO-s në Maqedoni, ngaqë shqiptarët kishin humbur besimin në demokracinë e njëanshme dhe të shpërdorur si dhe në aparatin policor dhe ushtarak të shtetit maqedonas, i cili kishe qenë në shërbim të represionit dhe dhunës kundër shqiptarëve, siç ishte parë edhe gjatë konfliktit të fundit, kur pas dështimeve në vijat e fronteve, në shenjë hakmarrje, kishin sulmuar vendbanimet e shqiptarëve. Ndër këto kushte ishin edhe ato që lidheshin me demilitarizimin e Maqedonisë, amnesitimin e pjesëtarëve të UÇK-së si dhe disa të tjera të natyrës teknike.
Mbas takimit të parë me Ali Ahmetin në Prizren, Surroi kishte nxituar të takohej me Frowickun në Shkup për ta njoftuar rreth kërkesave të UÇK-së.
Në bisedën e dytë në Prizren, Surroi ia kishte përcjellë Ali Ahmetit qëndrimet e Frowickut, duke ia bërë me dije se dy prej tri objektivave mund të arrihen:filimi i procesit politik, me kërkesat e ndërtuara edhe të UÇK-së si dhe ky proces të ndërlidhet me atë të amnestisë së ushtarëve të UÇK-së dhe të demilitarizimit të UÇK-së. Ajo çfarë duke se nuk mund të arrihet ishte vendosja e trupave të NATO-s në Maqedoni si forcë sigurie, pas së cilës do të fillonte procesi negociator, ngaqë dihej se një vendim i tillë, së pari kërkonte qëndrimin unanim të Asamblesë Veriatlantike, gjë që vështirë të arrihej, dhe së dyti, kërkonte edhe mandatin e KS të OKB-së, që varej nga qëndrimi i Rusisë dhe Kinës aty.
Takimi i përbashkët i Surroit me Ali Ahmetin dhe Arben Xhaferin ishte mbajtur në furrën e Prizrenit, aty ku kishin filluar takimet e para. Surroi thekson se “qëllimi i takimit ishte unifikimi i qëndrimeve ndërmjet Aliut dhe Arbenit për të përgatitur një platformë për negociata për përfundimin e luftës me realizimin e kërkesave të shqiptarëve, mapë-kornizë, që do të shprehte qëndrimet e UÇK-së dhe do të ishte konsensual për UÇK-në dhe partitë politike, dhe njëkohësisht një proces që do ta nxjerrë UÇK-në prej pozitës së tanishme të pamundshme për negociatat, te një ‘organizatë terroriste’ drejt një pozicionimi të legjitimitetit politik”.
Në takim u sollën edhe këto konkluzione:
-Shlyerja e preambulës së Kushtetutës;
-Përdorimi i pakufizuar i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni;
-Përfaqësimi përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit;
-Zgjerimi i kompetencave të komunave;
-Shekullarizimi i plotë i Kushtetutës së shtetit;
-Vendosja e demokracisë konsenzuale në fushat që kanë të bëjnë me të drejtat etnike; do me thënë, pengimi i mbivotimit mazhoritar në fushat që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të drejtat etnike.
U vendos që vëmendje t’i kushtohet edhe amnistisë së përgjithshme për të gjithë të përfshirit në konfliktin e armatosur si dhe çështja e shërbimit ushtarak në ARM brenda territorit të komunës së vendlindjes.
Kërkesat që kishin dalë nga takimi i përbashkët midis Ali Ahmetit dhe Arben Xhaferit me Surroin, që do t’i dorëzohen në Shkup Frowikcukt, nuk ishin të reja e as të panjohura. Si të tilla ato tashmë ishin shfaqur në Kumtesën numër 6 të UÇK-së, në Memorandumin e Ali Ahmetit drejtuar faktorit ndërkombëtar si dhe në prononcimet e ngjashme që vinin nga Shtabi i UÇK-së.
Në këtë pako, e re ishte vetëm kërkesa rreth përfshirjes së plotë të NATO-s në procesin e implementimit të paqes, që nënkuptonte edhe demilitarizimin e Maqedonisë, kërkesë kjo që ishte jo reale, megjithatë mund të përdorej për koordi-nata të tjera.
Frowick kërkoi nga UÇK-ja që me shkrim të operacionalizohen pikat e përmbajtjes, duke bërë me dije se me to mund të shkojë te Trajkovski për të filluar procesin e paqes dhe pajtohen që të kenë një tekst të shkurtër sapo ai të ketë biseduar me Trajkoskin.
Më 21 maj, Surroi ia dorëzon Frowickut, ofertat e shkruara nga lidershipi i UÇK-së të përmbledhura në shtatë pika:
1. Shpallja e përfundimit të operacioneve luftarake të UÇK-së dhe fillimi i dialogut në nivel politik përmes institucioneve të shtetit me lehtësim ndërko-mbëtar, të përcjellë me deklarata të ngjashme nga autoritetet maqedonase;
2. Shpallja e amnistisë (me afat përfundimtar prej një muaji) nga autoritetet maqedonase, me përjashtim të të dyshuarve dhe kryerësve të krimeve dhe të krimeve kundër njerëzimit;
3. Vendosja e menjëhershme e vëzhguesve të paarmatosur të OSBE-së (opsioni: të armatosur me revole) në rajonin kritik të Kumanovës (opsioni B: të gjitha zonat ku është luftuar, duke përfshirë edhe Tetovën);
4. Vendosjen e pranisë së paarmatosur institucionale të shtetit maqedonas (prefekti i Likovës, institucionet shëndetësore etj.) në kohëzgjatje prej dy muajve, në mënyrë identike me qëndrimin e vëzhguesve të OSBE-së);
5. Dorëzimin e armëve të UÇK-së para komisionit të udhëhequr nga pushteti lokal i Likovës dhe OSBE-së, dhe me pas dorëzimin nga ana e OSBE-së deri te strukturat maqedonase të sigurisë;
6. Shpallja e deklaratës së përbashkët të liderëve politikë shqiptarë për qëllime të përbashkëta, të cilat duhet të arrihen me procesin reformues. Deklaratë e nënshkruar edhe nga AliAhmeti dhe
7. Shpallja nga an e kryetarit Trajkovski të datës së fillimit të negociatave për reformimin e Maqedonisë.
Kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë, nga Frowicku do të revidohen dukshëm duke i zbërthyer në njëfarë plani aksional thuajse njëanshëm, me të cilin do të merrej kryesisht qeveria maqedonase, ndërsa pala shqiptare, ndonëse pjesëmarrëse e konfliktit, mbete jashtë ndikimit. Kjo u pa edhe me refuzimin kategorik që Ali Ahmetit t’i përmendet emri në konkluzione si dhe pjesëmarrja e luftëtarëve në bisedime. Sipas Frowickut, luftëtarët shqiptarë mund të merrnin pjesë në bisedime, në kuadër të ndonjërit nga subjektet politike (PDSH ose PPD), vetëm pa-si që UÇK-ja të pushojë me veprimet dhe të rehabilitohet, gjë që e gjitha lente përshtypjen e një marrëveshjeje për kapitullim.
Edhe sa u përket çështjeve të tjera, sidomos atyre që kanë të bëjë me reformat, Frowick, thuajse anashkalohet esenca e problemit, pra ndryshimi i preambulës së kushtetutës, me të cilën duhet të ndryshohet koncepti shteti-komb në shtet të barabartë qytetar. Me këtë rast, Frowick insiston që në vend të ndryshimit të kushtetutës, siç kërkojnë shqiptarët të ketë reforma kushtetuese, dhe ato të shkojnë në drejtim të barabarësisë së të drejtave individuale dhe qytetare dhe barabarësisë së përgjegjësive individuale qytetare, si mundësi për mënjanimin e jostabiltetit kronik për shkak të refuzimit shqiptar, që të pranohet Kushtetuta e vitit 1991.
Edhe formulimi “jostabilitet kronik”, i parë nga këndvështrimi i “refuzimit të shqiptarëve që të pranohet Kushtetuta” nxjerr në pah “fajësinë” e shqiptarëve dhe jo shkaktarin kryesor – Kushtetutën që ata i diskriminon dhe rolin e hartuesve dhe miratuesve të saj – klasës së gjithëmbarshme politike maqedonase.
Përkundër përpjekjeve të Frovickut që bisedimet e Prizrenit me ndërmjetësimin e Surroit si dhe qëndrimet nga aty të “zbuteshin” sa më shumë, nuk do të pëlqehen nga pala maqedonase, e cila bisedimet e ardhshme i kushtëzonte me ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve nga ana e UÇK-së si dhe dorëzimin e armë-ve. Kryetari Trajkovski ishte thuajse kategorik në kërkesën e tij që të mos hiqet cilësimi “terroristë” për luftëtarët e UÇK-së si dhe të përjashtohet çfarëdo pjesëmarrje e Ali Ahmetit në bisedimet e ardhshme. Trajkovski, po ashtu, kërkonte nga Frowicku që UÇK-së t’i jepej një afat prej disa ditësh t’i pranojë kërkesat (ultimative), ose t’i nënshtrohet sulmeve ushtarake, me ç’rast kërcënohej me një ofensivë të përgjithshme deri në shkatërrim.
Por, Frowick, që e dinte takatin e forcave policore dhe ushtarake maqedonase si dhe gatishmërinë e UÇK-së që të përparojë edhe në zona të tjera, pasi që e kishte më se të qartë se nga do të silleshin shqiptarët dhe deri ku mund të shkonin me kompromise, siç e kishte të qartë edhe pozicionin e qeveritarëve maqedonas, gjithnjë duke u mbështetur edhe në ato që kishte marrë nga Surroi dhe nga tabori maqedonas, doli me një plan operativ prej tri fazash, që duhej t’u shërbente palëve në konflikt si platformë për ndërprerjen e konflikteve si dhe bisedimet e paqes, që duhej të fillonin menjëherë.
Plani kishte tri faza.
E para parashihte vendosjen e paqes, kohë kjo që parashihej që luftëtarët e UÇK-së t’i dorëzonin të gjitha armët dhe uniformat vëzhguesve të OSBE-së. Luftëtarët, pasi t’i dorëzojnë armët mund t’i kthehen jetës së përditshme dhe pu-nëve që kishin. Qeveria do të shpallë amnisti.
Faza e dytë, parashihet si kohë mirëbesimi, për t’u përforcuar dialogu. Në këtë fazë parashihet hapja e universitetit të Shtulit dhe lëshimi i kanali të tretë televiziv për pakicat.
Në fazën e tretë do të negociohej për çështjet me rëndësi të veçantë, si ndryshimi i preambulës së kushtetutës, për përdorimin e gjuhës shqipe e të tjera.
Ndihmësi Foley, bën të ditur se qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare për ndryshimin e preambulës së Kushtetutës është i prerë:
“Krejt do të shkojë në konceptin qytetar, gjegjësisht definimi i Maqedonisë si shtet i të gjithë qytetarëve, e jo si shtet i popullit maqedonas dhe shqiptar, siç kërkojnë shqiptarët.”
Foley, po ashtu pranon se tri fazat e pakos së paqes, mund të mbeteshin në letër, po qe se nuk arrihet një marrëveshje për çarmatosjen e UÇK-së, me të cilën ajo do të pajtohej, që nënkuptonte edhe pranimin e kushteve që parashtronte ajo.
Krahasuar me gjuhën përjashtuese që vinte nga zyrtarët maqedonas, Foley ishte më e matur dhe pranë realitetit, ngaqë e dinte se ndërprerja e konfliktit, siç kërkohej nga faktori ndërkombëtar, nuk mund të arrihej me trysni të njëanshme (ndaj luftëtarëve shqiptarë), por me kompromise nga të dyja palët, rreth një marrëveshje të re midis dy popujve për shtetin e përbashkët mbi konceptim e barazisë qytetare, pra shtetit-multietnik, që ishe opsion edhe i bashkësisë ndërkombëtare. Marrëveshja e re, pa marrë parasysh si do të quhej, kushtëzohej nga marrëveshja paraprake për ndërprerjen e konflikteve, pra të luftës, e cila, po ashtu, nuk mund të ishte as e njëanshme, siç kërkonin maqedonasit, e as pa implementimin e ku-shteve të luftëtarëve shqiptarë. Si e tillë, kjo marrëveshje, nëse nënkuptonte çar-matosjen e UÇK-së, ajo duhej t’u jepte përgjigje edhe shumë çështjeve të tjera që lidheshin me këtë proces (nga amnistia, rehabilitimi, punësimi, pakoja sociale e të tjera veprime) dhe assesi “falje” ose “lirim nga përgjegjësia” për një vepër penale!
Dhe, do të jetë pikërisht çështja e arritjes së armëpushimit e me të edhe e implementimit të paqes, pika thyese e gjithë çështjes, që do të varej jo nga fjalët e mëdha dhe “kërcënimet” që vinin nga kryetari Trajkovski dhe ushtarakët e tij që nuk ishin në gjendje të arrinin asgjë me ofensivat që ditë për ditë i shpallnin në shtyp, por nga qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, konkretisht SHBA-ve dhe NATO-s si duhej lidhur kryet konfliktit, gjithnjë duke pasur parasysh që e gjitha të përfshihet në një pako për marrëveshje dhe assesi ultimatum drejtuar shqiptarëve për kapitullim.
Duke ditë këtë gjë, përfaqësuesit politikë dhe ushtarakë shqiptarë në Prizren ishin përqendruar te një marrëveshje e tyre rreth planit të paqes, që do të justifikonte luftën dhe gjakun që ishte derdhur gjatë atyre muajve nëpër vijat e shumta të fronte, por në të njëjtën kohë do të pranonte edhe realitetet politike dhe ato të sferave të interesit që lidheshin me ekzistencën e shtetit maqedonas, i cili duhej të nxirrej nga “pronësia maqedonase” dhe “tapitë kombëtare”, që ia kishte dhënë Kushtetuta e vitit 1991, qoftë edhe mbi parimin e shtetit multietnik, për të cilin tashmë mbretëronte ujdi e përgjithshme.
Në përputhje me këto qëndrime dhe pavarësisht gjuhës së ultimatumeve që përdorte qeveria maqedonase, duke i ndërlidhur ato edhe me operacionet ushtarake (“Ogan” në Runicë dhe, “Vaksince”, që sapo kishte filluar dhe përdorej si trysni ndaj faktorit politik dhe ushtarak shqiptar), përfaqësuesi politik i UÇK-së – AliAhmeti, liderët e parive politike – i Partisë Demokratike Shqiptare, Arben Xhaferi dhe i Prosperitetit Demokratik, Imer Imeri, më 22 maj 2001, nënshkruan deklaratën lidhur me procesin paqësor e reformues në Republikën e Maqedonisë, të njohur si “Marrëveshja e Prizrenit”.
Pajtimi i arritur në mes liderëve shqiptarë mbështetet mbi këto parime:
-njohjen e faktit se reformat, për të cilat angazhohen shqiptarët, kanë qëllim ruajtjen e integritetit dhe karakterit multietnik të Maqedonisë,
-njohjen e faktit se nuk ka zgjidhje “etnike territoriale” për problemet në Republikën e Maqedonisë dhe se çdo përpjekje për të copëtuar etnikisht territoret e u sjell dëm vetë qytetarëve të Maqedonisë,
-njohjen e faktit se nuk ka zgjidhje ushtarake për problemet në RM,
-njohjen e faktit se procesi i transformimeve të RM-së duhet të shkojë drejtë integrimeve euroatlantike,
-njohjen e faktit se zgjidhja do të gjendet brenda një procesi vendor politik me lehtësimin e SHBA-ve dhe BE-së.
Në bazë të këtyre parimeve, liderët shqiptarë të Maqedonisë janë të vendosur që të marrin pjesë në procesin e dialogut reformist, duke trajtuar këto çështje:
-amendamentet në Kushtetutën e Maqedonisë,
-përdorimi i papenguar i gjuhës shqipe, si njëra prej gjuhëve zyrtare të Maqedonisë,
-përfaqësimi përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit,
-zgjerim i kompetencave të pushtetit komunal,
-shekullarizim i plotë i Kushtetutës-shtet,
-vendosja e demokracisë konsenzuale për çështjet, që kanë të bëjnë me të drejtat kombëtare, që do të thotë, kufizim i procesit të mbivotimi në fushat që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me të drejtat etnike,
-e drejta për komunikim të lirë e të papenguar në hapësirën kulturore shqiptare.
Në marrëveshje përfshihen edhe masat për transformimin e jetës së anëtarëve të UÇK-së në profesione të ndryshme civile, duke përfshirë edhe ato brenda institucioneve qeveritare.
Për nga kërkesat, “Marrëveshja e Prizrenit” mbetet në kornizat e Komunikatës numër 6 të UÇK-së nga 9 marsi 2001. Theksohet ruajtja e integritetit shtetëror të Maqedonisë dhe karakteri multietnik i Maqedonisë. Karakteri multietnik i Maqedonisë duhet të arrihet me anën e një dialogu reformues, ku do të ndryshohen amendamentet në Kushtetutën e Maqedonisë, me çka, koncepti i ndryshimeve kushtetuese si dhe kërkesa për to do të zbutet në reformë kushtetuese.
Kërkesat tjera, si ajo për përdorimin e papenguar të gjuhës shqipe, si njërës prej gjuhëve zyrtare në Maqedoni, shekullarizimit të shtetit, përfaqësimit përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit e deri të e drejta për komunikim të papenguar në hapësirën kulturore shqiptare, që u takojnë të drejtave dhe lirive elementare njerëzore universale, janë të vetëkuptueshme në secilën demokraci parlamentare, gjë që tregon, në njërën anë absurdin e ndërtimit të shteteve mbi konceptet shtet-komb, siç ishte ai maqedonas, që doli nga shpërbërja e ish Jugosllavisë në një realitetet shumetnik dhe, në tjetrën anë, të pranimit ndërkombëtar jashtë kritereve elementare demokratike dhe civilizues, që kthehet në çështje krize deri te lufta.
Këtë më së miri do ta pasqyrojnë reagimet e ashpra, që erdhën rreth Marrëveshjes së Prizrenit nga ana e liderëve shtetëror maqedonas si dhe elitës intelektuale maqedonase, po edhe ato nga faktori ndërkombëtar.
Reagimet nga liderët maqedonas sado që refuzuese dukeshin ishin edhe të pritshme dhe të natyrës së koniunkturave dhe për nevoja të brendshme për vetë faktin se nga trysnia e kryengritjes së shqiptarëve, binte koncepti i shtetit-komb, mbi të cilin ishte shpallur pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991, paçka se edhe koncepti i multietnik, që shfaqej i pashmangshëm, edhe në rrethanat të krijuara nga trysnia e luftës së shqiptarëve, në segmentet kryesore (gjuha zyrtare, simbolet shtetërore, himni e deri te emërtimi zyrtar), shtetit ia ruante karakterin maqedonas.
Të kësaj natyre duhet kuptuar edhe reagimet që erdhën nga faktori ndërkombëtar, që ndonëse shfaqeshin refuzuese ndaj Marrëveshje së Prizrenit dhe atyre që ajo përmbante, më shumë i referoheshin formës se sa përmbajtjes. Madje, kjo e fundit, me ndonjë përjashtim, në pikat kryesore (ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror, reformat kushtetuese me të cilat shteti maqedonas trans-formohet nga shteti-komb te shteti qytetar-multietnik) ruante në tërësi qasjen e ndërkombëtarëve ndaj krizës në Maqedoni si dhe zgjidhjes që duhej dhënë, të shpalosura në forumet kryesore ndërkombëtare nga KS i OKB-së, OSBE-ja, BE-ja e deri te NATO-ja, dhe po ashtu, që njëherësh ishin edhe qëndrime zyrtare të SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera, të cilat ishin elaboruar edhe në takimet me zyrtarët më të lartë të shteti maqedonas, po edhe me takimet e herë pas hershme me liderët politikë shqiptarë në Maqedoni. Këto qëndrime, po ashtu, vinin edhe nga Shqipëria dhe nga Kosova, ndonëse në rolin e spektatorit të thjeshtë.
Edhe pse SHBA-të, Franca, Gjermania si dhe përfaqësuesit e BE-së sa për sy e faqe, kërkuan nga A. Xhaferi dhe I. Imeri që të heqin dorë nga Marrëveshja e Prizrenit, meqë ajo “kthente në subjekt të marrëveshjes ata që kishin marrë armët”, megjithatë, ata dëshironin që liderët shqiptarë të mbeteshin në koalicionin qeverisës, i cili, shfaqej si garantues i bisedimeve për paqen dhe marrëveshjeve të ardhme. Ky konstalacion ishte i vetmi që pengonte alternativën e luftës.
Këtë e dinin edhe maqedonasit, që ndonëse sulmonin A. Xhaferin dhe I. Imerin si “bashkëpunëtorë të terroristëve” e të ngjashme, ishin të vetëdijshëm se ata ishin të pashmangshëm dhe madje, edhe të dobishëm për vetë çështjen, ngaqë vetëm me anën e tyre, pengonin shfaqjen e Ali Ahmeti në bisedime të drejtpërdrejta si dhe legjitimimin e faktorit luftë, që për opinionin maqedonas ishte i papranueshëm, ndonëse edhe luftëtarët ashtu siç flisnin paralajmëronin se do të merreshin me politikë. Maqedonasit, po ashtu e dinin, se me deklarimin e UÇK-së për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovraniteti shtetëror të Maqedonisë si dhe tërheqjen e tyre nga kërkesa për shtetin dy-kombesh, pra për federalizimin, ia kishin dalë që disfatën në planin ushtarak ta kthejnë në një fitore politike, edhe për vetë faktin se slogani i diskriminimit kombëtar, i dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve, “i terrorit demokratik”, e mbi të gjitha i degradimit të shqiptarëve në pakicë dhe të tjera me të cilat kishte filluar kryengritja shqiptare në Tanushë dhe ishte përhapur me të shpejtë në pjesët tjera, ishte rrudhur në atë se “në Maqedoni po luftohet për reforma, luftohet për barazi”, gjë që gjithë çështjes i jep dimensionin e “gabimeve gjatë procesit të shtetndërtimit”, që mund të korrigjohen me marrëveshje, siç do të ndodhëm me atë të Ohrit.
Dhe, meqë ishte arritur deri te një modus që “reformat demokratike” të shërojnë “gabimet e tranzicioneve demokratike”, siç kishe filluar të fliste propaganda mediatike e Shkupit, pra kur UÇK-ja gjithë çështjen e shihte te “receta e reformave dhe shteti multietnik”, dhe jo të ndryshimet kushtetuese, atëherë ishte e pritshme, që nga maqedonasit, “intermexoja” midis “luftës dhe paqes” të shfrytëzohet që faktori ushtarak shqiptar, meqë kishte hequr dorë nga kërkesat që do ta rrezikonin shtetin maqedonas dhe nuk paraqiste më kërcënim për copëtimin e tij e të tjera rreziqe që mund t’i vinin, të dobësohet sa më shumë, e me ta edhe faktorët politikë shqiptarë, që do të flisnin me gjuhën e tyre gjatë bisedimeve për paqen.
Kjo në të vërtetë do të shihet me operacionet ushtarake që do të vazhdojnë sapo të jetë shpallur “Marrëveshja e Prizrenit”, me “Vaksince” në katundin Vaksince, më 24 maj 2001 dhe luftimet në Mateç gjatë tri ditëve të ardhshme dhe tëtje-rat gjatë ditëve në vazhdimi kur do të sulmohen Sllupçani, Hotëk dhe Orizore.
Në këto operacione lufte, ndonëse pa pasoja për UÇK-në, e cila edhe më tutje kishte ruajtur pozicionet dhe në disa pjesë edhe kishte përparuar, kishte pë-suar popullata. Forcat policore dhe ushtarake maqedonase, me anën e artilerisë qëllimisht kishin bombarduar vendbanimet e shqiptarëve, shtëpitë dhe pronat e tyre madje edhe bagëtia. Nuk ishin kursyer as infrastruktura publike. Rreziku që u vinte nga shtrirja e luftës nëpër pjesët urbane, operacionet “spastruese” që kryheshin, kishte detyruar shumë prej banorëve të largoheshin prej zonave të luftës në pjesët tjera të vendit, po edhe në drejtim të Kosovës.
Kundërpërgjigjja e UÇK-së ndaj këtyre veprimeve luftarake kishte qenë e natyrës mbrojtëse dhe e matur, me lëvizje përpara në drejtimet strategjike pa rrezikuar popullatën dhe pronat e tyre. Të tilla ishin ato në rajonin e Dervenit dhe në Shkup, veçmas në drejtim të Haraçinës, prej nga do të vihen nën mbikëqyrje pikat kryesore përreth Shkupi dhe në drejtim të Kosovës, me çka duhej të ush-trohej trysni e mëtutjeshme edhe ndaj faktorit ndërkombëtar që mbështeste forcat maqedonase.
Veprimet luftarake të forcave policore dhe ushtarake maqedonase të trumbetuara si ofensivë përfundimtare ndaj pozicioneve të UÇK-së për rrënimin e saj, të cilave nuk u besonte kush, në të vërtetë dëmtonin popullatën shqiptare të viseve të shpallura si zona lufte në mënyrë që prej andej të shpërnguleshin me çka ata do t’i paguanin “koston” rebelimit me armë. Por, tymi që vinte nga andej si dhe pamjet e luftës propaganduese, do t’i shërbejnë Trajkovskit për shpalljen e “Planit për paqe”, që shprehte idenë “se zhvillimet e mëtutjeshme duhej të drejtohen në dy kahe: Në marrëveshjen për reformat politike, sipas kërkesave të UÇK-së, që duhet bërë me partitë politike shqiptare PPD-në dhe PDSH-në, me kushte që ato të ndiqnin rrugën e veprimit kundër UÇK-së dhe në idenë për zhdukjen e UÇK-së me përdorimin e forcës”. Ky plan, në katër faza, duhej të zgjaste jo më shumë se një muaj e gjysmë.
Në këto rrethana, pra kur Shkupi kishte filluar të keqpërdorte gatishmërinë e shqiptarëve për kompromise të dhimbshme, çfarë kishin bërë në të vërtetë me Marrëveshjen e Prizrenit, më 11 qershor, kemi edhe futjen e njësive të UÇK-së në Haraçinë, vendbanim në hyrje të Shkupit.
Ishin këto operacione spkektakultare të luftëtarëve shqiptarë, që për pak iu kthyen strategjisë së luftës, me çka, faktori ndërkombëtar përfundimisht u bind se shteti maqedonas, përkundër fjalëve të mëdha, nuk ishte në gjendje që konfliktit të armatosur me UÇK-në t’i jepte përgjigje ushtarake, pra të fitonte luftën, siç fliste pareshtur. Përkundrazi, u pa qartë, se UÇK-ja ishte në gjendje që ta vazhdonte luftën me sukses dhe në përputhje me të, sipas nevojës, serish t’u kthehej kërkesave maksimaliste: federalizimit të Maqedonisë mbi parimet e shtetit dy-kombesh, ose të kantonizimit.
Haraçina, pra, kur u pa qartë se luftëtarët shqiptarë ishin në gjendje që luftën ta kthenin në mjet të politikës edhe me kërkesat nismëtare që do të mbështeteshin me fakte të kryera (ndarja e brendshme Maqedonisë në përputhje me “Iliridën”), e gjitha i dha përgjigje fundit të luftës dhe fillimit të bisedimeve për paqen, që do të përmbyllen me “Marrëveshjen e kornizës së Ohrit”, e nënshkruar në Shkup, më 13 gusht 2001.
Ato që ndodhën nga mesi i qershorit deri nga fillimi i gushtit e deri te nënshkrimi përfundimtar, ishin vetëm pjesë e një skenari kryekreje ndërkombëtar (NATO-BE), që i duheshin një epilogu, ku lufta nuk duhej të kthehej në sukses, e as paqja në disfatë, por në një normalitet politik të dobishëm “për të gjithë”.
Nga ky këndvështrim duhet parë edhe ato që ndodhen në Maqedoni brenda shtatë muajsh me çka iu hapën dyert tri zhvillimeve:
a) Hyrjes së NATO-s në Maqedoni
b) Ridefinimit të shtetit maqedonas nga shteti kombëtar, në shtet qytetar multietnik, sado që ky formulim shtetit do t’ia ruajë karakterin maqedonas me riformulimin në Kuvendin e Maqedonisë, dhe
c) Pajtimit të shqiptarëve me realitetet e reja politike në shtetin maqedonas,
të cilat mbetën thuajse të njëjta me ato të para luftës.
Si do të shihet, përfituesi më i madh do të jenë liderët ushtarakë të UÇK-së, nga trashëgimia e “Lëvizjes Popullore të Kosovës” (LPK), dega e Zvicrës, që siç kishte ndodhur edhe me rastin e luftës së Kosovës, armët e dorëzuara do t’i zëvendësojnë me ato të posteve të partive politike, do të kyçen në jetën politike të vendit.
“Partia e Demokratike e Integrimeve” (PDI) e Ali Ahmetit, do t’i fitojë zgjedhjet e para “të shteti multietnik” dhe në këtë mënyrë ia doli, që me oreolin “e partisë së luftës”, t’ia marrë primatin politik edhe Arben Xhaferit për të vazhduar ku kishte mbetur ai – kthimit në pjesë të mekanizmave institucional të drejtuar nga politikanët maqedonas pa ia dalë që të ndryshojë gjendjen për të cilën edhe ishte luftuar, gjë që nga ky këndvështrim, kjo luftë, mbetet e papërfunduar.
( Fragment nga librit “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, Prishtinë, 2019).

BIRN: Si u bënë tym milionat e djegësit fantazmë të mbetjeve në Tiranë

Biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët prokuroria i konsideron pronarët ‘de facto’ të kompanisë koncesionare të inceneratorit të Tiranës, akuzohen se përdorën një rrjet të gjerë shoqërish brenda dhe jashtë vendit, fatura të dyshuara fiktive, transferta bankare dhe tërheqje në ‘cash’ nga persona të lidhur, për të devijuar rreth 30 milionë euro nga investimi në landfillin e Sharrës.

 

Besar Likmeta | BIRN

Në landfillin e kryeqytetit, përgjatë luginës së Erzenit në Sharrë, kodra e mbetjeve urbane vazhdon të ngrihet me kryeneçësi drejt qiellit, ndërsa kamionët vetëshkarkues sjellin çdo ditë tonelata të reja plehrash, të cilat grumbullohen me ndihmën e buldozerëve dhe ngjeshen mbi masivin ekzistues.

E vendosur përbri varrezave të Sharrës në Tiranë, landfilli digjet nën diellin përvëlues të gushtit dhe shpërndan në ajër një kutërbim të athët gazrash që sulmojnë pa mëshirë flegrat e hundës. Në vendin ku duhej të ngrihej inceneratori i Tiranës – i paraqitur në videot grafike të koncesionarit si një kompleks futurist në formën e piramidave binjake prej xhami me ngjyrë dhe strukturë metali – nuk ka asnjë gjurmë të investimit të premtuar.

Pas gjashtë vitesh hetime dhe debatesh publike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dërgoi në mesin e korrikut për gjykim 12 persona. Ata akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me “jaka të bardha”, që sipas organit të akuzës drejtohej nga biznesmenët në arrati Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto dhe që dyshohet se tjetërsoi dhjetëra milionë euro nga fondet publike të destinuara për koncesionin e trajtimit të mbetjeve të Tiranës.

Sipas dosjes hetimore të depozituar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), një kopje të së cilës e disponon dhe BIRN, të pandehurit akuzohen se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme parash – të tjetërsuara nëpërmjet mashtrimit, ndërsa nuk kanë realizuar investimet e parashikuara.

“Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë përdorur mekanizmin e nxjerrjes së shumave monetare nga llogaritë e shoqërisë koncesionare, nëpërmjet mashtrimit me fatura fiktive, shfrytëzimit të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe përmes transferimeve në cash”, shprehen prokurorët e SPAK në njoftim për mediat.

Dosja e inceneratorit të Tiranës është një nga hetimet më të rëndësishme të SPAK, jo vetëm për shkak të vlerës së lartë të kontratës koncesionare, por edhe për ndikimin negativ që ka sjellë dështimi i investimeve në menaxhimin e mbetjeve urbane – një prej sfidave më të mprehta mjedisore me të cilat përballet vendi.

“Për vite me radhë, kemi akumuluar tonelata mbetjesh dhe kemi humbur kohë të çmuar e fonde, të cilat, po të ishin vënë në funksion të menaxhimit real të mbetjeve, do të kishim sot një situatë shumë më të përmirësuar në terren,” shprehet Besjana Guri, drejtuese e qendrës mjedisore “Lumi” dhe fituese e çmimit mjedisor ‘Goldman’, si pjesë e fushatës së suksesshme në mbrojtje të shtratit të egër të lumit Vjosa dhe kthimin e luginës në park kombëtar.

“Situata jo vetëm nuk është përmirësuar, por mbetjet e gjithë vendit vazhdojnë të depozitohen në landfill-e, vendgrumbullime të paligjshme apo të hidhen buzë lumenjve, duke bërë që ndotja të jetë e vazhdueshme dhe e pakontrolluar,” shtoi ajo.

Biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë në arrati që nga viti 2024. Ata besohet se janë strehuar në Austri dhe nuk ishin të arritshëm për koment. Ndërkohë, avokati i Mërtirit, Klodian Skënderaj i tha BIRN se SPAK-u “ka shpikur termin pronar faktik për z. Mërtiri dhe pa i atribuar asnjë veprim konkret i ka ngritur një sërë akuzash, të cilat nuk bazohen në fakte konkrete.”

Fryrja e kostove

Brenda pak vitesh pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, kompani të lidhura me Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe partneren e tij, Stela Gugallja, siguruan nga qeveria shqiptare tre projekte për ndërtimin dhe administrimin e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Dy projektet e para kapnin së bashku një vlerë prej rreth 50 milionë eurosh, ndërsa kontrata 30-vjeçare e Tiranës parashikonte të ardhura prej gati 430 milionë eurosh gjatë gjithë periudhës së koncesionit.

Kontrata koncesionare për inceneratorin e Tiranës u firmos në vitin 2017. Ajo përfshinte ndërtimin e një landfilli, ngritjen e termovalorizatorit për prodhimin e energjisë elektrike dhe rehabilitimin e venddepozitimit ekzistues në zonën e trajtimit të mbetjeve në Tiranë. Në shkëmbim të investimit të vlerësuar nga Ministria e Mjedisit në 128 milionë euro, bashkitë e qarkut Tiranë do të depozitonin mbetjet kundrejt një tarife prej 29 eurosh për ton për një periudhë 30-vjeçare.

Kjo kontratë erdhi si rrjedhojë e një propozimi të pakërkuar nga kompanitë “Energy Recuperator S.P.A”, “Paul Wurth Italia S.P.A” dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (ITS) – kjo e fundit në pronësi të biznesmenit Klodian Zoto.

Megjithatë, nga hetimi i SPAK rezulton se nisma për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës ishte planifikuar që në vitin 2015 nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Tiranës. Jo vetëm që propozimi nuk ishte ide e Klodian Zotos, por edhe dokumentet e dorëzuara për marrjen e koncesionit janë hartuar nga zyrtarë publikë, të cilët paguheshin njëkohësisht nga shteti dhe nga kompania e tij, ITS.

Dosja hetimore përshkruan një komunikim të vazhdueshëm mes ish-këshilltarit të Ministrisë së Mjedisit, Vladimir Bezhani, dhe biznesmenit në kërkim. Sipas provave të administruara nga SPAK, Bezhani i dërgonte Zotos dokumente, informacione dhe madje hartoi vetë “Letrën e Interesit” që u paraqit si propozim i pakërkuar i kompanisë në procedurën koncesionare.

Vetë Bezhani ka pranuar se, ndërsa shërbente si këshilltar i jashtëm i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, paguhej nga kompania e Zotos dhe përdorte adresën zyrtare të email-it të Ministrisë së Mjedisit për komunikime me kompaninë. SPAK argumenton se këto rrethana tregojnë nivelin e lartë të koordinimit mes zyrtarëve brenda autoritetit kontraktor dhe kompanisë propozuese, duke vënë në pikëpyetje karakterin “e pakërkuar” të projektit.

Të dhënat e siguruara nga SPAK nga emailet e sekuestruara nga kompjuteri i Klodian Zotos sugjerojnë gjithashtu se kompania koncesionare e fryu koston e investimit në landfill me 25.7 milionë euro, ndërsa gjysma e tarifës të depozitimit të mbetjeve ishte përfitimi i koncesionarit.

Sipas dosjes hetimore, më 26 gusht 2016, Klodian Zoto i ka dërguar e-mail kompanisë “Paul Wurth”, duke ndarë parashikimet për planin e biznesit, në të cilin kostoja totale e investimit vlerësohej në rreth 102.5 milionë euro.

“Të nderuar zotërinj, bashkëngjitur është plani real i biznesit dhe jo ai shtetëror,” u shkruan Zoto partnerëve italianë.

Bezhani nuk është i vetmi zyrtar publik që ka përfituar financiarisht nga favorizimet e bëra ndaj kompanive koncesionare dhe biznesmenëve Zoto dhe Mërtiri.

Dy biznesmenët dyshohet se kanë transferuar miliona euro në formë ryshfetesh te familjarë dhe persona të lidhur me zyrtarë të lartë – përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë, Alqi Bllako dhe ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj – për të siguruar kontratat për ndërtimin e inceneratorëve.

Koka është shpallur fajtor për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, ndërsa Bllako për shpërdorim detyre. Çështja ndaj Ahmetajt pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme, ndërsa ish-zëvendëskryeministri është larguar nga vendi, duke kërkuar strehim politik në Zvicër.

Të tre ish-zyrtarët i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht.

Sipas Jorida Tabakut, deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe kryetare e Komisionit Hetimor Parlamentar për Inceneratorët në vitin 2021, SPAK-u ka zbardhur një pjesë të rëndësishme të skemës së inceneratorëve, por nuk ka dhënë ende një panoramë të plotë të përgjegjësive penale, të ndërlidhjes mes tri kontratave dhe të destinacionit përfundimtar të parave.

Ajo e lidh këtë rezultat të pjesshëm me ndarjen e hetimit në disa procedime të veçanta. Edhe pse pranon se organi i akuzës mund të ketë pasur arsyet e veta procedurale për këtë qasje, Tabaku vlerëson se deri më tani hetimi ka prodhuar një tablo të fragmentuar të çështjes. Sipas deputetes së opozitës, mbetet e paqartë përse SPAK-u e ka cilësuar skemën e inceneratorit të Tiranës si veprimtari të një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa të njëjtët aktorë nuk janë konsideruar pjesë e një grupi të tillë edhe në çështjet e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit.

“Ende nuk e kuptojmë se si është e mundur që tre aktorë privatë të arrinin deri në nivelin e zëvendëskryeministrit të Shqipërisë dhe se si u përfshinë disa ministra, në periudha të ndryshme, në të njëjtën skemë,” tha ajo, ndërsa shtoi se dëshmitë e mbledhura nga Komisioni Hetimor dhe investigimet mediatike tregojnë për “kanale të drejtpërdrejta komunikimi dhe ndërhyrjeje që arrinin deri në nivelet më të larta të qeverisjes”.

“Këto lidhje nuk kanë marrë ende një përgjigje të plotë penale dhe institucionale,” theksoi Tabaku.

Pronarë faktikë
Sipas SPAK, pas kompanisë koncesionare të inceneratorit të Tiranës qëndronte një strukturë pronësie me dy nivele, e cila kalonte përmes Holandës dhe që, pavarësisht emrave që shfaqeshin në dokumente, kontrollohej në të vërtetë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Konsorciumi i kompanive që fitoi koncesionin e inceneratorit të Tiranës ngriti fillimisht një kompani “holding” në Eindhoven, të quajtur Integrated Energy B.V. Përmes saj u themelua më pas në Shqipëri shoqëria Integrated Energy BV SPV sh.p.k., e cila më 31 gusht 2017 nënshkroi kontratën e koncesionit me Ministrinë e Mjedisit. Kompania holandeze zotëronte 100% të aksioneve të koncesionarit shqiptar.

Sipas SPAK, Integrated Energy B.V. u krijua nga Integrated Technology Services (ITS) e Klodian Zotos dhe dy partnerët italianë, Paul Wurth Italia dhe Energy Recuperator. Megjithatë, një marrëveshje bashkëpunimi e lidhur përpara themelimit të kompanisë parashikonte që, pas fitimit të koncesionit, partnerët italianë t’ia transferonin aksionet e tyre ITS-së, nëse kjo e fundit i kërkonte ato.

Struktura formale e pronësisë ndryshoi disa herë në vitet që pasuan. Më 25 qershor 2021, në regjistrin shqiptar të pronarëve përfitues u deklaruan si aksionerë të kompanisë holandeze – tashmë të riemërtuar Geogenix BV – tre shtetas italianë: Giuseppe Ciaffaglione me 30%, Salvatore Russelli me 25% dhe Alberto Pressezzi me 43%.

Pressezzi u shpjegoi prokurorëve se përfshirja e tij dhe e partnerëve të tij në Geogenix ishte si “aksioner i fjetur” dhe kushtëzohej me sigurimin e 100 milionë eurove financim për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Vetëm nëse financimi sigurohej, ata do të aktivizoheshin si aksionerë dhe do të merrnin kontrollin e plotë financiar dhe menaxherial të kompanisë. Sipas dëshmisë së tij, financimi nuk u sigurua dhe ky kontroll nuk u ushtrua.

Pas kësaj serie ndryshimesh formale të pronësisë, SPAK pretendon se fijet e kontrollit mbetën në duart e Zotos dhe Mërtirit. Sipas prokurorisë, të dy ishin pronarët ‘de facto’ të kompanisë holandeze dhe përdorën persona e shoqëri të tjera për të fshehur pronësinë reale, ndërsa vazhduan të merrnin vendime dhe t’u jepnin udhëzime drejtuesve të saj. Mërtiri, në mënyrë të veçantë shfaqet si një mikro-menaxher, i cili vendoste për pagat e rojeve dhe ndëshkonte vartësit me sanksione financiare për ‘mosinformim ndaj eprorit.”

Sipas Zef Preçit, ekspert i ekonomisë dhe drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ACER, përdorimi i kompanive offshore dhe strukturave me pronësi jotransparente nga një koncesionar që financohet me para publike përbën risk të lartë institucional dhe fiskal, pasi cenon një prej parimeve bazë të llogaridhënies – të dihet se kush përfiton dhe ku përfundojnë fondet publike.

“Kur pronarët realë fshihen pas strukturave të tilla, autoritetet e kanë më të vështirë të verifikojnë lidhjet e koncesionarit me zyrtarë publikë, persona të ekspozuar politikisht apo subjekte të sanksionuara, duke dobësuar njëkohësisht kontrollin mbi konfliktet e interesit dhe përdorimin e parave publike,” tha Preçi.

“Strukturat offshore e vështirësojnë ndjeshëm identifikimin e përfituesve realë dhe ndjekjen e gjurmës së parave, veçanërisht kur përdoren zinxhirë kompanish, aksionerë nominalë dhe juridiksione që nuk ofrojnë të dhëna të shpejta ose të plota mbi pronësinë,” shtoi ai.

Sipas Preçit, nëse një koncesionar i financuar me fonde publike lejohet të përdorë struktura offshore dhe pronësi jotransparente, pa iu nënshtruar identifikimit, verifikimit dhe monitorimit të plotë, problemi shkon përtej përgjegjësisë së individëve të përfshirë dhe nxjerr në pah dobësi sistemike në mekanizmat e kontrollit të parasë publike.

“Sistemi ynë, kryesisht për shkak të kontrollit politik, bashkëpunimit të hapur të qeverisë me oligarkët dhe lidhjeve që shtrihen deri te segmente të krimit të organizuar, vazhdon të shfaqë dobësi të theksuara,” tha ai.

“Raportet ndërkombëtare për Shqipërinë, por edhe studimet tona, vazhdojnë të evidentojnë rreziqe që lidhen me detyrimet potenciale të PPP-ve, mungesën e transparencës fiskale dhe dobësitë në monitorimin e kontratave,” shtoi Preçi.

Skema e pastrimit të parave
Kur shteti mori nën administrim kompaninë që kishte fituar koncesionin e inceneratorit të Tiranës, në verën e vitit 2023, bilanci mes parave të qarkulluara dhe veprës së ndërtuar ishte i thellë. Integrated Energy BV SPV kishte arkëtuar më shumë se 11.3 miliardë lekë (rreth 104 milionë euro) nga fondet publike dhe burime të tjera të lidhura me aktivitetin e saj, si dhe kishte marrë rreth 12.9 milionë euro kredi bankare, prej të cilave 8.8 milionë euro kishin mbetur të pashlyera. Por sipas aktit të ekspertimit teknik, investimet e realizuara arrinin në vetëm 21 milionë euro, ose 12.4% të vlerës së parashikuar, ndërsa në arkën e kompanisë kishin mbetur vetëm 4 milionë lekë (rreth 37 mijë euro).

Për hetuesit e SPAK-ut, ky hendek ngriti një pyetje thelbësore: ku kishin shkuar paratë?

Një pjesë të përgjigjes e dha ekspertimi kontabël. Sipas tij, pjesa më e madhe e parave të qarkulluara nga koncesionari nuk ishte investuar në ndërtimin e inceneratorit sipas projektit dhe planit të biznesit, por ishte përdorur për aktivitetin e vetë kompanisë dhe për pagesa ndaj nënkontraktorit kryesor, Integrated Technology Services, ITS, në pronësi të Klodian Zotos. Rreth 5.6 miliardë lekë (51.5 milionë euro), ose 45.1% e totalit të blerjeve, rezultojnë të regjistruara si autongarkesa – një mekanizëm kontabël ku dokumenti fiskal për transaksionin gjenerohet nga vetë subjekti, ndërsa 2.72 miliardë lekë (25 milionë euro), ose 21.9%, lidhen me ITS-në. Shpenzimet operative, përfshirë pagat dhe sigurimet shoqërore, shtuan edhe 1.83 miliardë lekë (16.8 milionë euro).

Gjurmimi i llogarive bankare e çoi hetimin më tej. Sipas SPAK-ut, ITS përfitoi nga koncesionari mbi 3 miliardë lekë (27.6 milionë euro) dhe 6.7 milionë euro të tjera në pagesa që tejkalonin ndjeshëm vlerën e kontratës së nënkontraktimit mes dy kompanive – të cilën prokuroria e konsideron të falsifikuar, si dhe faturimet e deklaruara prej rreth 2.88 miliardë lekësh (26.5 milionë euro).

Brenda këtij fluksi, prokuroria identifikoi edhe rreth 973 milionë lekë (9 milionë euro) në fatura të falsifikuara, të lidhura me kompani që sipas hetimit ishin fiktive dhe nuk ushtronin aktivitet real tregtar. Të dhënat bankare tregojnë se për këto fatura, ITS pagoi rreth 398.3 milionë lekë (3.7 milionë euro) dhe 2.27 milionë euro, para që, sipas SPAK-ut, u tërhoqën më pas në cash dhe përfunduan në favor të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos.

SPAK pretendon gjithashtu se Mërtiri dhe Zoto orientuan stafin e koncesionarit për të tërhequr drejtpërdrejt nga llogaritë bankare të kompanisë rreth 112.8 milionë lekë (1 milion euro) dhe 247 mijë euro, të cilat dyshohet se u përdorën për interesat e tyre personale.

Gjurmët e parave të tjetërsuara kaluan edhe kufijtë e Shqipërisë. EM Capital Group AD, një kompani bullgare e kontrolluar nga Mërtiri dhe ku më pas u bë aksioner edhe Zoto, mori 1.05 milionë euro nga koncesionari për shërbime inxhinierike. Por sipas SPAK-ut, hetimi nuk gjeti prova se kompania kishte ofruar mallrat, projektet apo shërbimet për të cilat ishte paguar.

Një mekanizëm i ngjashëm, sipas prokurorisë, u përdor me kompaninë mëmë holandeze Geogenix BV. Integrated Energy BV SPV transferoi drejt saj qindra mijëra euro përmes llogarive në Turqi dhe Lituani, bazuar në fatura që SPAK i konsideron fiktive dhe që lidheshin me një kontratë prej 3.2 milionë eurosh për furnizimin e një impianti për trajtimin e tymrave.

Por transfertat drejt kompanive të lidhura dhe faturat e dyshuara si fiktive ishin vetëm një pjesë e mënyrave që SPAK pretendon se u përdorën për të nxjerrë para nga koncesioni.

Hetimi përshkruan gjithashtu fryrje të kostove të shërbimeve inxhinierike, devijim të të ardhurave nga depozitimi i dherave dhe inerteve, lëvizje të parave cash përmes pikave të këmbimit valutor, klering dhe pagesa për pasuri të paluajtshme – mekanizma që, sipas prokurorisë, shërbyen për të kaluar një pjesë të fondeve të lidhura me koncesionin drejt interesave private.

Sipas deputetes Jorida Tabaku, rrjedha e parasë e dokumetuar nga SPAK mund të jetë vetëm maja e ajbsergut, pasi ende nuk ka një panoramë të qartë të të gjithë transaksioneve.

“Nuk dimë ku kanë përfunduar të gjitha paratë, nëpër sa kompani dhe llogari kanë kaluar, çfarë pasurish kanë krijuar dhe cilët janë përfituesit e vërtetë fundorë,” tha ajo.

“Ka arsye serioze për të dyshuar se rrethi i përfituesve nuk përfundon te personat që janë identifikuar deri më tani dhe se lidhjet mund të shkojnë në nivele më të larta,” shtoi Tabaku.

Testi i lakmusit

Edhe pse inceneratori i Tiranës nuk u ndërtua kurrë dhe kompania koncesionare është nën sekuestro preventive që nga korriku i vitit 2023, bashkitë e qarkut Tiranë dhe Durrës paguajnë çdo vit dhjetra miliona euro për depozitimin e mbetjeve në landfill, ndërkohë që incinerimi nuk realizohet.

Këto pagesa, së bashku me miliona euro të tjera që SPAK pretendon se u tjetërsuan përmes skemës së ngritur nga Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, nxjerrin në pah dobësitë e shtetit dhe të institucioneve të drejtësisë për të mbrojtur paranë publike dhe për të rikuperuar fondet e dyshuara si produkte të korrupsionit apo veprimtarisë kriminale.

“Rasti i inceneratorit nxjerr në pah mungesën e mjeteve dhe boshllëqet ligjore me të cilat përballen organet e drejtësisë për të bllokuar apo rikuperuar këto fonde,” tha Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qëndresës Qytetare, ndësa shtoi se edhe kur abuzimi identifikohet, “interesat korruptive arrijnë të prevalojnë mbi interesin publik.”

Sipas Xhemollarit, shteti arrin në këtë mënyrë ta diagnostikojë korrupsionin, por jo ta ndalë atë apo të rikuperojë dëmin e shkaktuar. Pamundësia për të ndërprerë në kohë mekanizmat abuzivë krijon, sipas tij, terren për përsëritjen e tyre në projekte të tjera publike, ndërsa hetimet penale në disa raste zgjasin më shumë sesa vetë realizimi i punëve të vëna nën hetim.

Pikëpyetje mbi shtrirjen e hetimit ngre edhe deputetja Jorida Tabaku, e cila thekson se skandalet e reja të qeverisë “Rama” nuk duhet ta eklipsojnë këtë çështje.

Sipas Tabakut, mbeten pa një përgjigje publike roli i Bashkisë së Tiranës dhe zinxhiri i vendimmarrjes në qeverinë qendrore për shpalljen e emergjencës mjedisore që i hapi rrugë projekteve të inceneratorëve. Ajo veçon si të pazbardhur plotësisht edhe çështjen e depozitimit të dherave nga kantieret e ndërtimit në landfillin e Sharrës, që sipas saj krijoi një “monopol de facto” dhe një burim shtesë të ardhurash për koncesionarin.

Deputetja e opozitës kërkon gjithashtu përgjigje për ekzekutimin e urdhrave ndërkombëtarë të arrestit, gjurmimin e pasurive dhe rikuperimin e parave. Sipas saj, një hetim financiar nuk përfundon me ngritjen e akuzave, por duhet të identifikojë përfituesit fundorë dhe të çojë në sekuestrimin e produkteve të veprave penale.

“SPAK-u ka zbardhur një pjesë të rëndësishme, por ende mungojnë përgjigjet për çështjet më thelbësore: zinxhirin e plotë të vendimmarrjes, lidhjen mes tri dosjeve, rrjedhën e parave, përfituesit fundorë dhe rikuperimin e produkteve të veprave penale,” tha Tabaku, duke e cilësuar hetimin e inceneratorëve si “testin e lakmusit për reformën në drejtësi”.

Qytetarët 74 ditë në revoltë, mesazhet e forta përmes pankartave: Bulevardi flet! Përfaqësoni xhepat tuaj, jo Shqipërinë

Qytetarët kanë përsjellë sërish disa mesazhe të forta përmes pankartave në ditën e 74-të të revoltës kundër qeverisë.

“Qëndroni të bashkuar, mos u lëkundni” është një prej mesazheve kryesore, që përcjell thirrjen për unitet dhe qëndresë përballë presionit.

Në një tjetër pankartë shkruhet: “Ju përfaqësoni xhepat tuaj, jo Shqipërinë”, një shprehje e pakënaqësisë së protestuesve ndaj mënyrës së qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

“Qëndroni të bashkuar, mos u lëkundni”, “74 ditë, ditët kalojnë, ne qëndrojmë”, “ 74 ditë, bulevardi flet”, “Ju përfaqësoni xhepat tuaj, jo Shqipërinë”, janë disa nga mesazhet kryesore. Panorama

Pse ky kompleks të themi se mbrojmë shqiptarët kudo ku ndodhen- Nga GENC BURIMI

Një gjë nuk duhet lënë pa komentuar me ashpërsinë e duhur, përtej çështjes së lumit Ibër, që Serbia projekton ta devijojë për të martirizuar Kosovën. Aspekti edhe më revoltues, sipas opinionit tim, është kur Beogradi na thotë, nëpërmjet ministrit të tij të Jashtëm, se Shqipëria duhet ta qepë gojën, meqenëse ky lumë nuk kalon nëpër territorin e saj. Dhe nëse Shqipëria guxon dhe flet, ajo, sipas Beogradit, dëshmon në këtë mënyrë se i fryn ëndrrës së Shqipërisë së Madhe.

Surrealiste! Por edhe më surrealiste është kur nuk hasim në asnjë deklaratë kundërpërgjigjeje të politikanëve në Shqipëri këto ditë, duke filluar nga Kryeministri, për t’i rikujtuar Serbisë këtë të vërtetë elementare: se ajo ia autorizon vetes, dhe me shumë të drejtë, të shqetësohet se çfarë ndodh me serbët kudo në Ballkan, nga Kosova në Mal të Zi e deri tek ata në Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa Tiranës, Beogradi, pa pikë turpi, ia mohon ta ushtrojë edhe ajo këtë të drejtë elementare, që Shqipëria të shqetësohet për atë që ndodh me shqiptarët jashtë kufijve të saj. Për më tepër, ka shumë shqiptarë që jetojnë në Kosovë të pajisur me pasaportë shqiptare, ashtu siç ka shumë serbë në Mal të Zi që kanë edhe pasaportë serbe.

Një shembull tjetër: a nuk shqetësohet Greqia, vend i BE-së, natë e ditë jo vetëm se çfarë ndodh me minoritetin grek në Shqipëri, por edhe me qipriotët që flasin greqisht? Nëse Turqia do t’i bënte një bllokadë detare apo ajrore Nikozisë për ta penguar atë në transport, Greqia e para do të reagonte shumë ashpër dhe më shumë se çdo vend tjetër, sepse bëhet fjalë për shtetas që flasin greqisht dhe që ajo i mbron para së gjithash.

Dhe Greqia pikërisht kështu reagoi në mbështetje të Nikozisë në çështjen konfliktuale, kur Turqia kërkonte t’i zaptonte zonat detare me hidrokarbure. Askush nuk u dëgjua të thoshte: “Pse fut hundët Greqia?”, sepse pikërisht janë grekë ata që banojnë në Qipron greke.

Atëherë, pse klasa jonë politike e lejon që Beogradi t’i thotë Tiranës të qepë gojën, kur Serbia po përgatitet t’i bëjë bllokadë uji Kosovës, domethënë shumicës shqiptare që banon aty?

Ndaj nuk ka nevojë dhe vend për justifikime të panevojshme të Edi Ramës, nëse po tregohemi apo jo “shqiptaromëdhenj” duke kritikuar Serbinë për horrorin që po përgatitet t’u gatuajë shqiptarëve të Kosovës me çështjen e ujit.

Duhet thënë ballëhapur, gojëplot dhe pa më të voglin kompleks se Shqipëria mbron energjikisht të drejtat e të gjithë atyre që kanë identitet shqiptar, kudo ku ndodhen, ashtu siç e bën çdo vend tjetër në botë ndaj komuniteteve me të cilat ndajnë të njëjtin identitet etnik, gjuhësor, historik dhe kulturor.

Serbia s’mund t’i kërkojë kurrë Shqipërisë të mos bëjë atë që vetë Serbia bën për serbët jashtë saj.

Por edhe nëse na kërkon të heshtim, kujt i bëhet vonë?

Qentë le të lehin…

Vlora e kthyer në ‘një prostitutë’ të pasjellshme turistike! – Nga IRENA BEQIRAJ

Pas shumë vitesh vendosa të kaloj 3 ditë verore në qytetin tim të lindjes. Trafiku më detyroi ti kaloj këto tre ditë jo në shtëpinë e prindërve por në hotel afër detit.

Në ketë konvikt të madh betoni pa identitet nuk di si ta quaj veten vendase apo turiste .
Në Vlorën ku turizmi është shndërruar në një akt frenetik performance e dukje nën markën e turizmit elitar nuk mungojnë pishina prive për ata që harxhojnë 35,000 mijë lekë në klub, edhe për të pirë një kafe duhet të paguash 3,000 lekë vëtëm për hyrje, shprehja e Cecilie Hollberg, drejtoreshës së Gallerisë dell’Accademia në Firence, e cila thotë: “Sapo qyteti bëhet prostitutë, është e vështirë të kthehet përsëri në virgjëreshë”, është kaq aktuale.

Në Vlorën turistike, e keqpërdorur nga pronarë e menaxherë resortesh dallkaukë e të pasjellshëm, edhe deti m’u duk larg edhe pse isha afër tij . Pranë detit ku u rrita ditët nuk janë më furra të buta ngrohtësie, edhe netët nuk janë në ninulla valësh ku mendja mund të qetësohet. Në buzë të detit ku u rrita të rrethuar tanimë nga katrahura e betonit, lulëzon çmenduria pa kuptim e të ashtuquajturit turizëm elitar të ofruar nga një tufë dallkaukësh të pangopur .

Këto ishin 3 ditët e fundit në Vlorë …….. në këtë qytet nuk dihem më vlonjate , por refuzoj të quhem edhe turiste e qytetit tim fatkeqësisht të kthyer në një prostitutë të pasjellshme!


Send this to a friend