TIRANA- Ish-futbollisti me origjinë nga Vlora, Agim Bubeqi është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare, duke shënuar kështu një humbje të madhe për sportin shqiptar. Ish-sulmuesi i njohur i viteve ’80, pjesë e Flamurtarit është gjetur i pajetë në banesën e tij të mërkurën.
Dyshohet se ai kishte ndërruar jetë disa ditë më parë, ndërsa mungesa e tij është vënë re nga fqinjët të cilët kanë kontaktuar autoritetet përkatëse lidhur me rastin. Ende nuk dihen shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së tij, ndërsa pritet një sqarim nga autoritetet kopetente.
Ish-futbollisti ka qenë pjesë e Flamurtarit gjatë një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së klubit. Pas kësaj ka reaguar edhe Klubi i Flamurtarit, i cili ka shprehur ngushëllimet, duke theksuar se kontributi dhe emri i tij do të mbeten pjesë e historisë dhe kujtesës së familjes kuqezi.
“Flamurtari F.C. shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Agim Bubeqit, ish-futbollistit të viteve të arta të klubit tonë. Kontributi dhe emri i tij do të mbeten pjesë e historisë dhe kujtesës së familjes kuqezi. Ngushëllime të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe gjithë komunitetit sportiv”, shkruhej në postimin e klubit./Dosja.al