Nje fragment për ju miq të nderuar të Fb nga romani TULIPANI I KORESË botimi i pare 16 shkurt 2010 botimi i dyte Engjëlli i Korese 16 shkurt 2018 ne vjetoret e botimit, dhe ditës së dashuruave.
Vajza u skuq e vështroi me bisht të syrit dhe, eci përpara me hapa të shpejtë. Ai mbeti disa hapa larg saj. Trupi i hijshëm i vajzës e bënte ta dëshirone ta prekte, përkëdhelte, puthte. Lëkura bardhë e ndritshme e saj e verbonte. Të jetë vallë dashuri kjo, ta hajë dreqi! Jo kurrsesi s’mund të jetë dashuri. E simpatizonte, dëshironte, e pëlqen, siç pëlqehen gjërat e bukura, por dashuri s’ mund të jetë. Ehu si është dashuria! Ai nuk donte te bëhej pre e pasioneve. Nuk thoshte kot Lasgushi i madh:
‘Nuk dashuroj as unë as ti por dashuron dashuria!’
E kish parë shpesh herë plakun e mençur, të prej botës së artit, me pallton e gjatë, të zbardhur kur bariste në mbrëmje, buzë liqenit me konen e vogël. Dukej sikur lëvizte shaluar mbi një re të përhimë mbi mëndafshin e ujit, librat poetikë: ‘Vallja e Yjeve dhe Ylli i Zemrës’ i qëndronin mbi supe si dekorata madhështie.
Vironi nxitoi hapin, eci në krah të vajzës dhe, ndjeu që dihaste.
Vajza e vështroi pjerrët. Një hop i mbajti buzët e puthitura. Biseda e tyre po pengohej nëpër gurët e thepisura të hutimit.
Buzët e vogla të plota, të kuqe, si dy kokrra qershie të vajzës, u drodhën.
Vironin e mbërtheu dëshira e papërmbajtur, te puthte ato buzë të mbushura me musht, aromë luleje, pastaj le të broçkulliste sa të donte për njeriun e ri dhe mësimet e Rigoletos së vogël që fshihet në xhungën e udhëheqësit legjendar. Ta hajë dreqi, s’ka të drejtë të thithë ato buzë gjithë lëng dhe jetë. E pengonte marrëzia dhe shpirtligësia e gaztorit të gjorë, ardhur aksidentalisht prej shekullit të kaluar së bashku me tragji-komizmin. Vajza le të dërdëlliste si gjithë të tjerët për idealet e shenjta dhe flakët e mëdha që ndriçojnë botën. Vallë, a ka flakë më të madhe se dashuria dhe epshi i njeriut, që shkund, thërrmon male e than dete?
Vajza u gëlltit dhe, eci djathtas drejt klasës së baletit, megjithëse ishte akoma herët për të filluar provat. Ata hynë brenda, ambienti i sallës së baletit ishte i qetë. Vironi i mori me kujdes dorën e vogël, të bardhë të May Lee-së, e mbajti një copë herë mes dy pëllëmbëve, filloi ta përkëdhelte lehtë. Vajza dridhej, ajo donte të largohej, por nuk mundte, sytë e saj ishin të të trembur, por diku në cepa fshihej një ngazëllim i thellë. Vironi e tërhoqi vajzën butë, gati ma ndierë, drejt cepit të klasës, ku nuk binte shumë në sy. Ajo pa e kuptuar e ndoqi pas, ishte krejt e mpirë, e hutuar. Ajo kishte filluar të ndjente rrahje zemre për këtë djalosh të pashëm, të mirë, prej një vendi shumë të largët. Për dreq ajo kish frikë, shumë frikë, tmerrësisht frikë. Kjo frikë e bënte të dridhej si purtekë dhe e llahtariste në gjumë.
Vironi ngriti me shumë kujdes doçkën e vogël, bardhoshe, delikate të vajzës dhe e vendosi pranë faqes së vet. E puthi.
– May Lee, të lutem më thuaj, vallë me nuk kemi të drejtë të duhemi?- e pyeti ultazi, dhe e pa drejt në sy.
Vajza u rrëqeth, lëkura iu prushërua. Faqja e ashpër e mashkullit i shkaktoi mornica. Mornicat i kaluan si elektroshok në brendësi të trupit. Nuk dinte çfarë të thotshte, ajo ndjehej e përfshirë nga një zjarr i madh. Nuk kish njerë kurrë më parë në jetë llavën e zjarrtë që derdhej furishëm në të gjitha pejzat e trupit. Vajza e ndrydhte me forcë ndejnjën e zjarrtë, epërzinte me trishtim, me pendesë të heshtur, me nervozizëm, me dhunë vrullet dhe emocionet e shpirtit për djalin e huaj, që trokiti në dritaren e shpirtit të saj.
May Lee e kish vendosur me ngulm, me inat të verbër, me dhembje të brendshme. Ajo ishte betuar me heshtje, gjunjëpërkulur, duarshtrenguar, buzëtharë, përpara se të binte të flinte. Në asnjë mënyrë, të bëhej pre e ndjenjave të brishta, emocioneve, zjarreve gjithëpërfshirëse, që të çojnë në rrugë të gabuar ku s’mund të merren me mend pasojat. Ajo qau mbytur, kafshoi buzën, mbledhur kutullaç në shtroje, ngaqë betime të sinqerta në buzë të mbrëmjes ose në prag të mëngjesit, vijnë prej gjykimit të ftohtë. Ndërkohë ndjenjat buronin prej tajfuneve shpirtërore dhe s’kish zot ti ndalte. Këtyre dallgëzimeve oqeanike kërkonte me ngulmim tu vinte frerin, ti bënte zap si kuaj së azdisur. Butësia, bukuria, mirësia e djalit e çarmatosnin sa herë gjendej pranë tij. Ja rrëzonin, thërrmonin në çast muret e larta të kështjellës së frikës dhe të pasigurisë…
Vironi iu afrua vajzës pranë. May Lee përshkundi kryet, ndjeu frymëmarrjen e tij të shpeshtë, ajo do të largohet me vrap, nga sytë këmbët, mos kthejë kokën prapa, por nuk mundet, ndjehet e pranguar dhe afshi pështjellues që ishte ndehur në dhomë. Po qarkohet prej avujve të nxehtë, ajo vuri dorën në zemër. Gjoksi i saj ngrihej dhe i ulej me shpejtësi, ishte e përfshirë prej zjarreve të mëdha, këmbët i qëndronin të mpira si trungje, s’mund të lëvizte…
Vironi e vështroi ngultas, iu duk sikur ballit i bukur i vajzës ishte mbushur me margaritarë të vegjël, me shkëlqim verbues. Ai kapsalliti sytë dhe, pa e bërë të gjatë hodhi krahun rreth qafës së saj të derdhur, e puthi në buzë. Ishte puthje e lehtë, me majat e buzëve si një puhizë dhe fllad pranveror, që ndjehet lehtë, ëmbël, por që shungullon sythet e virgjëra të brishtësisë. Ata s’e kuptuan në morën frymë, thithën ajër, apo është pjalmi i parë i nektarit që i shkundi dhe i bëri me flatra. Të sy u puthën përsëri fort, me sytë e mbyllura.
Të dy ishin të hutuar, nuk e kuptonin akoma se bashkimi i buzëve të tyre ishte një fushë e papërballueshme magnetike. Krahu i tij shkoi pak poshtë, në gjoksin e të vogël dhe të plotë të vajzës, gishtat e tij lëvizën drithmaz, prekën lehtë, me ndrojtje, gjithë delikatesë, përfshinë topthat e vogla. Vajza u drodh, u ndeh, fërgëlloi, mbylli sytë, u kapërdi. Ishte e hera e parë në jetën e saj që puthej dhe prekej nga një mashkull nën drithërimën e mrekullueshme të ndjenjes…
Ajo nuk do të mendojë asgjë, në trurin dhe zemrën e saj u ndeh pëlhura e freskët e dashurisë. Lëvizi qafën ngadalë dhe afroi kokën pranë shpatullës së djalit, buzët e saj u hapën dhe priti e etur puthjen e furishme të djalit. Të dy janë përfshirë, përhumbur, ata donin të shijonin deri në fund puthjet e para të zjarrta. Buzët e djalit lëvizën gjithë etje në buzët e zhuritura të vajzës, ajo po përvëlohej e tëra, i mbahej fryma, krahët iu varën, i vinte zali.
Oh nëne! Sa vullkane shpërthyen në mendjen e saj në ato çaste!? Sa ajsbergë u shkrinë, u copëtuan dhe kodrat e zbutura të akujve filluan të enden në oqeanin e hutimit! Gjuha e lagur e djalit lëvizi mbi buzët e vajzës si të zbuste sado pak llavën e zjarrtë, por nuk qëndroi aty, gjuha e tij kërkoi me ngulm të hynte brenda, të thithte lëngun e mrekulluesh prej gojës së saj,dhe të tresë përfundimisht mjegullën e ngurtësuar. Vajza u shkund e gjitha, gjuha e tij lëvizte me shpejtësi brenda gojës dhe, u bashkua me gjuhën e saj. Ajo ndjeu të eksitohej, i vinte për të qarë, të klithte. I hipi dëshira ta prekte, ta ndjente të dashurine saj. U shtrëngua, u ngjesh mbas tij dhe e puthi e thëthiu me afsh…
– Viron, – pëshpëriti ajo pa hapur sytë.
– Fol shpirt, – ia foli ai ultazi.
– Oh! Të lutem më thuaj; ç’është kjo, dashuri apo lojë e çmendur midis jetës dhe vdekjes!? – Vajza heshti një hop, hapi sytë ngadalë, si të trembej se mos zhgënjehej. Vështroi djalin drejt në sy dhe shtoi: – Mos u tall, të lutem mos u talll.Vërtet ju më doni shumë?
– Po May Lee, të dua shumë, shumë. Sa gjithë bota.
– Ah! Jam e lumtur që më do shumë, – mërmëriti ajo dhe shtoi si psherëtimë: – Oh Zot sa e trembur, jam shumë e trembur. Tmerrohem që të dua kaq shumë. Më beso, kam frikë, shumë frikë. Mos vallë dashuria ngrihet me llahtarën e botës së çmendur!
KRISTAQ@ TURTULLI
TULIPANI I KORESË botim i parë 2010
ENGJELL I KORESË, BOTIM I DYTË 2018