Variacione mbi një temë
1.
Në vend të brinjëve: degë mollësh
dhe zemrën: mollë e kam.
Jam
dhe
s’jam
Adam.
2.
Molla e Njutonit u zhvirgjërua nga graviteti
nga shigjeta: molla e Vilhem Telit
Molla e Kafkës nga kurrizi zvarranik i Zamzës
dhe të mendosh
se të gjitha ranë
nga kopshti
pa jetë
i Parajsës.
3.
Nëse gjeni mollë zhvirgjëruar nga rrufetë
atëherë në Parajsë do takoni Evën
veshur me rrobe nusërie
në vend të Adamit
unë do të jem
muzikant i çartur
jo mbi kitarë
po mbi gjarpërin e kohës biblike.
4.
Që nga koha e Evës
brenda një molle
ti rri fshehur.
Kur molla kuqëlon
verbon perëndimin pranveror
dhe unë kuptoj
dashurinë e ndezur.
Kur molla jeshilon
me heshtjen e shpresës
unë vij aty
brenda te ty
në dhomëzën e mollës
bëjmë dashuri.
5.
Në se ti je unë
vishu me mëndafshin e trishtimit tim
kridhu në detin krijuar në vargje.
Meqë unë jam ti
era mëson rrugë të reja, u shmanget parqeve
tymrat dalin nga zemrat e jo nga oxhaqet,
Meqë unë jam ti: njeritragjedi
Varrezat kanë festë: në prehër mbajnë foshnje lulesh
në prehërin tim unë mbaj kufoma dhe mumje.
Meqë ti je unë
Eja nëpër labirtinthe Minotaurësh
përdori damarët e mi
si fillin e Arianës!
Eja!
Kopshtet dinë të japin sërish mollë Adamësh!
6.
Të prek
dhe gjinjtë mblidhen
si lule nate në akullimë.
Brenda mollës
projektohet:
një krimb.
7.
Një krimb në mollë
po s’qe rrufe e balsamosur
patjetër do jetë
miniaturë e gjarpërit biblik.
E dashur mos ki frikë.
Çdo zemër: mollë e kafshuar nga të tjerët
Dashuri!
Komentet