VOAL

VOAL

Mitsotakis: Sot demokracia fitoi, si grek jam krenar që u njoh karakteri kriminal i ”Agimit të Artë”

October 7, 2020

Komentet

Mali i Zi mund ta nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit në BE në qershor 2027

Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 21 nga gjithsej 33 kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE.

Radio Evropa e Lirë

Mali i Zi mund t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të dhjetorit 2026, ndërsa marrëveshja e anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor të vitit 2027.

Këto afate parashihen në një plan paraprak të Komisionit Evropian.

Plani është pjesë e një udhërrëfyesi që Komisioni Evropian pritet ta publikojë më 4 nëntor për katër vendet që kanë përparuar më së shumti drejt anëtarësimit në BE: Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.

Sipas dokumentit që siguroi Radio Evropa e Lirë, Mali i Zi pritet t’i mbyllë kapitujt e mbetur të negociatave gjatë dy konferencave ndërqeveritare, në nëntor dhe dhjetor të këtij viti.

Më pas, në pranverën e vitit 2027, pritet të përfundojë hartimi i marrëveshjes së anëtarësimit, e cila mund të nënshkruhet deri në verë, mundësisht në qershor.

Deri tani, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 21 nga gjithsej 33 kapitujt e negociatave.

Të paktën edhe një kapitull pritet të mbyllet deri në fund të kësaj jave.

Komisioni Evropian, megjithatë, thekson se këto afate nuk janë përfundimtare.

Sipas tij, përparimi i negociatave do të varet nga sa shpejt Mali i Zi i përmbush kushtet për anëtarësim.

Komisioni sqaron, gjithashtu, se plani nuk garanton përfundimin e negociatave apo nënshkrimin e marrëveshjes brenda afateve të parashikuara.

Vendimet përkatëse do të varen edhe nga institucionet e BE-së, përfshirë Këshillin e BE-së, Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian.

Dy konferenca ndërqeveritare deri në fund të vitit

Mali i Zi synon t’i mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti. Për këtë qëllim, janë planifikuar dy konferenca ndërqeveritare, në nëntor dhe dhjetor.

Sipas udhërrëfyesit të Komisionit Evropian, në konferencën e nëntorit pritet të mbyllen përkohësisht pesë kapituj:

  • Energjia
  • Politika e transportit
  • Siguria ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare
  • Tatimet
  • Lëvizja e lirë e mallrave

Komisioni planifikon që konferencat e fundit ndërqeveritare të mbahen në dhjetor, kur pritet të mbyllen kapitujt e mbetur:

  • Shërbimet financiare
  • Politika rajonale dhe koordinimi i fondeve strukturore
  • Mjedisi dhe ndryshimet klimatike
  • Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes
  • Dispozitat financiare dhe buxhetore
  • Gjyqësori dhe të drejtat themelore (kapitulli 23)
  • Drejtësia, liria dhe siguria (kapitulli 24)
  • Institucionet dhe çështjet e tjera (kapitujt 34 dhe 35)

Kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me sundimin e ligjit, Mali i Zi i ka hapur që në vitin 2013.

Këta janë ndër kapitujt më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit, pasi përparimi në ta ndikon në ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Sipas rregullave të BE-së, ata hapen ndër të parët dhe mbyllen të fundit.

Prandaj, edhe në planin e Komisionit Evropian, mbyllja e tyre është paraparë në fazën përfundimtare të negociatave.

Në paketën e zgjerimit, që Komisioni Evropian do ta publikojë të mërkurën, vlerësohet se Mali i Zi ka vazhduar të shënojë përparim në reformat që lidhen me të drejtat themelore, duke përmbushur kriteret përfundimtare për mbylljen e kapitujve 23 dhe 24.

Megjithatë, mbyllja e kapitujve është e përkohshme.

Sipas rregullave të negociatave, marrëveshja për secilin kapitull nuk konsiderohet përfundimtare derisa të arrihet një marrëveshje e përgjithshme për të gjithë kapitujt.

Drafti i marrëveshjes së anëtarësimit në pranverën e vitit 2027

Komisioni Evropian parashikon që hartimi i marrëveshjes për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian të përfundojë në pranverën e vitit 2027.

Për ta arritur këtë, Komisioni duhet ta paraqesë pjesën e mbetur të draftit në fillim të vitit të ardhshëm.

Për hartimin e marrëveshjes është duke punuar një grup i posaçëm pune, i themeluar në prill, i cili mblidhet pothuajse rregullisht në Bruksel.

Më pas, teksti i marrëveshjes duhet të harmonizohet dhe të miratohet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe Mali i Zi.

Ai duhet, gjithashtu, të përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së dhe në gjuhën malazeze.

Nënshkrimi i marrëveshjes në qershor 2027

Sipas planit paraprak, marrëveshja e anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor të vitit 2027.

Por, përpara nënshkrimit duhet të përmbushen disa kushte:

  1. Legjislacioni themelor i BE-së duhet të përkthehet në gjuhën malazeze dhe përkthimi të rishikohet nga Këshilli i BE-së.
  2. Komisioni Evropian duhet të japë mendim pozitiv për anëtarësimin e Malit të Zi.
  3. Parlamenti Evropian duhet të japë pëlqimin për anëtarësimin.
  4. Këshilli i BE-së duhet të miratojë vendimin për pranimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Mbikëqyrje deri në anëtarësim dhe mundësi për shtyrjen e tij

Marrëveshja e anëtarësimit të Malit të Zi pritet të jetë e para e një gjenerate të re marrëveshjesh, që do të përmbajnë mekanizma më të rreptë mbrojtës, në përputhje me politikën e re të paraanëtarësimit, të publikuar nga Komisioni Evropian më 30 shtator.

Marrëveshja parasheh që BE-ja të vazhdojë ta monitorojë Malin e Zi deri në ditën kur ai të bëhet anëtar i saj.

Për këtë qëllim, dy herë në vit do të përgatiten raporte në formë tabelash për të vlerësuar përparimin e vendit.

Nëse gjatë kësaj periudhe Mali i Zi shënon hapa prapa në përmbushjen e kushteve dhe masat për korrigjimin e problemeve nuk japin rezultat, BE-ja mund ta shtyjë anëtarësimin e tij, si masë të fundit.

Pas nënshkrimit, marrëveshja duhet të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe nga Mali i Zi.

Kroacia, vendi i fundit që iu bashkua Bashkimit Evropian, e nënshkroi marrëveshjen e anëtarësimit në dhjetor të vitit 2011, ndërsa u bë anëtare më 1 korrik 2013.

Qeveria e Malit të Zi ka vendosur si objektiv që vendi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.

 

Vuçiq dhe Orban humbën pushtetin, por jo ambiciet

Jovana Kërstiq

Deri vonë pothuajse të pamposhtur në pushtet, sot të mundur politikisht, Aleksandar Vuçiq dhe Viktor Orban u shfaqën së bashku në rrjetet sociale me një mesazh: “Do të rikthehemi”.

Ish-presidenti i Serbisë dhe ish-kryeministri i Hungarisë e humbën pushtetin në zgjedhjet e këtij viti – Vuçiq pas 14 vjetësh, ndërsa Orban pas 16 vjetësh.

Këta dy politikanë populistë, që kanë bashkëpunuar ngushtë ndër vite, kanë shumë të përbashkëta.

Humbjeve të tyre zgjedhore u paraprinë akuzat e kundërshtarëve politikë për korrupsion të përhapur, keqpërdorim të pushtetit, pasurim të paligjshëm dhe vënie të institucioneve shtetërore nën kontroll politik.

Megjithatë, siç vlerëson për Radion Evropa e Lirë Millan Niç, hulumtues i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, dallimi i parë mes tyre vërehet në mënyrën se si reaguan pas humbjes në zgjedhje.

“Viktor Orban, praktikisht, u zhduk nga skena publike për një javë. Ai udhëtoi në Shtetet e Bashkuara për një kampionat futbolli. Kjo kishte pasoja të rënda për moralin e partisë së tij, Fidesz. Partia dukej e demotivuar dhe nuk ishte e qartë se kush po e drejtonte në të vërtetë”, thotë Niç.

Sipas tij, mbështetja publike për Fideszin ra ndjeshëm pas zgjedhjeve, me rreth 10 deri në 15 për qind.

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Niç thotë se Vuçiq arriti ta shmangte këtë gabim.

“Nëse e ndiqni komunikimin e tij publik, do të shihni se ai u drejtohet kryesisht votuesve të vet, strukturave partiake dhe rrjeteve të ndryshme joformale të lidhura me sistemin e tij politik”, thotë ai.

Edhe pse pushteti mbetet formalisht në duart e Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit deri në formimin e Qeverisë dhe Parlamentit të ri, ditët pas zgjedhjeve u karakterizuan nga shtimi i aktiviteteve të prokurorive, arrestime të zyrtarëve të lartë të policisë dhe hetime mbi punën e institucioneve shtetërore.

“Miq në kohë të vështira”

Një javë pas zgjedhjeve në Serbi, Orban e vizitoi Vuçiqin në shtëpinë e prindërve të tij, në periferi të Beogradit.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ata thanë se “miqtë e vërtetë bëhen edhe më të afërt në kohë të vështira”.

Sa u përket përfitimeve që mund t’i kenë dy liderët populistë nga bashkëpunimi politik, tani kur janë në opozitë, Niç thotë se ngjashmëritë mes sistemeve të tyre politike i shtyjnë ta vazhdojnë atë bashkëpunim.

“Kjo është në interesin e të dyve, sepse kanë edhe marrëdhënie të ngushta personale. Mendoj se vazhdimi i bashkëpunimit të tyre nuk duhet ta befasojë askënd”, thotë ai.

“Por, duhet pasur parasysh se ata kanë mësuar nga njëri-tjetri shumë kohë përpara këtyre zhvillimeve politike. Kanë shkëmbyer përvoja, përfshirë edhe strategjitë zgjedhore, por kjo nuk i ka ndaluar të pësojnë humbje politike”, thotë Niç.

Çfarë i bashkon?

Politikat populiste, mbështetja e ndërsjellë dhe lidhjet e ngushta që Orban dhe Vuçiq i theksojnë vazhdimisht në publik.

Vuçiq dhe Orban duke ngrënë byrek në një furrë buke në Suboticë, në veri të Serbisë, më 27 nëntor 2025.

Vuçiq dhe Orban duke ngrënë byrek në një furrë buke në Suboticë, në veri të Serbisë, më 27 nëntor 2025.

Po ashtu, të dy janë përballur me kritika të ashpra nga Brukseli për cenimin e demokracisë në vendet e tyre.

Jozef Makai, gazetar i gazetës Atlatszo dhe ligjërues në Universitetin Kodolanyi në Sekeshfehervar, thotë se bëhej fjalë për regjime hibride, ku ekzistonte një “fasadë e demokracisë”, ndërsa shteti dhe mediat ishin vënë nën kontroll politik.

“Të dyja sistemet mbështeteshin te një lider i fortë, nacionalist, që pretendonte se mbronte interesat e shtetit dhe të kombit”, thotë ai, duke theksuar se, pavarësisht ngjashmërive, këto dy regjime nuk ishin identike.

Një tjetër e përbashkët e tyre është miqësia dhe bashkëpunimi me presidentin rus, Vladimir Putin, presidentin kinez, Xi Jinping, si dhe me ish-presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

Dy ish-liderët i lidhin edhe projektet e përbashkëta mes dy shteteve, të cilat u shoqëruan me akuza për mungesë transparence, korrupsion dhe marrëveshje të arritura përmes lidhjeve personale.

Një prej tyre ishte modernizimi i linjës hekurudhore Budapest-Beograd, i realizuar nga një kompani kineze në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara me qeveritë e të dyja vendeve.

Qeveritë e reja në Serbi dhe Hungari kanë paralajmëruar se do t’i rishikojnë kontratat dhe marrëveshjet e arritura nga paraardhësit e tyre.

Çfarë ndryshoi në Hungari pas ndërrimit të pushtetit?

Në muajt pasi Peter Magyar dhe partia e tij, Tisza, morën pushtetin, nisi procesi i përcaktimit të përgjegjësisë së ish-zyrtarëve shtetërorë.

Me vendim të Parlamentit hungarez, u themelua Zyra Kombëtare për Rikthimin dhe Mbrojtjen e Pasurisë.

Kjo zyrë ka kompetencën dhe detyrën të hetojë keqpërdorimet dhe menaxhimin jotransparent të fondeve publike, si dhe të rikthejë në pronësi të shtetit pasurinë që është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme.

Në tetor u arrestua ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Gyorgy Matolcsy, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Orbanit.

Ai u arrestua nën dyshimet për mashtrime financiare dhe keqpërdorim të fondeve publike.

“Kjo ishte e paimagjinueshme. Nëse dikush do të më thoshte se, para zgjedhjeve, kishte menduar që Matolcsy do t’i kalonte Krishtlindjet e këtij viti në paraburgim, do ta kisha të vështirë ta besoja”, thotë Makai.

Sipas tij, është joreale të pritet që të gjithë ata që “e kanë plaçkitur shtetin për 16 vjet”, të përfundojnë në burg brenda natës.

“Nuk mund të hapësh një rast dhe të thuash se po e gjykojmë Orbanin, sepse ishte kryeministër për 16 vjet dhe krijoi sistemin që krijoi. Kjo nuk është drejtësi revolucionare, por shtet ligjor që bën punën e vet. Secili duhet të gjykohet në një rast të veçantë dhe kjo kërkon kohë”, thotë ai.

Hungaria është bërë, gjithashtu, pjesë e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO), duke hapur rrugën për hetimin e pretendimeve për keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian gjatë qeverisjes së Orbanit.

A po ngushtohet rrethi i Orbanit?

Makai kujton “aferën e konvojit të arit” të marsit të këtij viti, kur njësia kundër terrorizmit (TEK), në prag të zgjedhjeve parlamentare, ndaloi automjetet e blinduara të bankës shtetërore të kursimeve të Ukrainës, të cilat po transportonin para dhe ar nga Austria drejt Ukrainës, sipas procedurave të zakonshme.

Zyrtarët ukrainas u ndaluan dhe rasti u bë një nga temat kryesore të fushatës zgjedhore të Orbanit, gjatë së cilës ai e akuzonte Ukrainën për ndërhyrje në zgjedhje.

Hetimet e zhvilluara pas ndryshimit të pushtetit konstatuan se veprimet e autoriteteve hungareze, kishin qenë të pabazuara.

Më pas nisi një hetim për të verifikuar dyshimet se ish-kryeministri hungarez kishte urdhëruar personalisht sekuestrimin e ngarkesës.

“Po shohim se ky ishte një operacion në shërbim të zgjedhjeve dhe fushatës elektorale. Ky është një rast ku hetimet i janë afruar mjaft Orbanit dhe mendoj se mund ta vënë në një pozitë shumë të vështirë”, thotë Makai.

Ai shton se është “e vështirë të thuhet” nëse Orban sot ndihet i qetë në vendin e tij, duke pasur parasysh hetimet që po zhvillohen për keqpërdorimin e fondeve publike.

“Por, ajo që shohim është se vajza dhe dhëndri i tij janë zhvendosur në Londër. Ata kanë filluar gjithashtu të shesin një pjesë të perandorisë së tyre të biznesit”, thotë Makai.

“Mendoj se po përpiqen të tërhiqen dhe kjo mund të jetë një shenjë se duan të jenë diku tjetër, ku ndoshta ndihen pak më të sigurt”, sipas tij.

Çfarë po ndodh në Serbi pas zgjedhjeve?

Në ditët e para pas humbjes zgjedhore të Partisë Përparimtare Serbe, nisën hetimet për punën e deritanishme të institucioneve publike.

Po ashtu, u ndalua Davor Macura, pronar i Alta Bankës, me seli në Beograd.

Macura, i afërt me Partinë Përparimtare Serbe, është një nga katër biznesmenët serbë për të cilët kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve, përmes një letre drejtuar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Dy ditë para arrestimit të tij, Banka Qendrore e Serbisë ia hoqi Alta Bankës licencën e operimit.

Autoritetet konstatuan se gjendja financiare e Alta Bankës ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe se mund të përkeqësohej edhe më tej.

Prokuroria për Krim të Organizuar e Serbisë nisi të hetojë dyshimet për transferimin e parave të bankës jashtë vendit.

Vetë Vuçiq deklaroi se nuk i frikësohet arrestimit, pasi, sipas tij, nuk ka nënshkruar dokumente apo marrë vendime që lidhen me paratë.

“Unë nuk nënshkruaj asgjë dhe nuk merrem fare me çështje që kanë të bëjnë me paratë. Prandaj, nuk mund të gjendet asgjë kundër meje në këtë drejtim”, tha Vuçiq më 1 nëntor për televizionin Pink, i cili prej vitesh mbështet Partinë Përparimtare Serbe.

Sipas Niçit, përshtatja me rrethanat e reja politike ka qenë më e vështirë për Orbanin sesa për Vuçiqin.

“Vuçiq ka më shumë mundësi ta ruajë ndikimin e tij politik, sepse ende nuk e ka lëshuar plotësisht pushtetin”, thotë ai.

“Ajo që ndodhi në Hungari brenda një muaji apo një muaji e gjysmë pas zgjedhjeve, ndoshta do të ishte skenari më i mirë i mundshëm për Serbinë dhe Listën Studentore. Në Hungari, Fidesz ia dorëzoi vërtet Qeverisë së re ministritë dhe administratën shtetërore. Pra, kishte një dorëzim të plotë të pushtetit”, shton Niç.

Kundërshtarë të ndryshëm politikë

Si regjimi i Vuçiqit, ashtu edhe ai i Orbanit, u karakterizuan nga “dobësimi dhe pothuajse zhdukja e opozitës tradicionale”, thotë Makai.

“Më pas, në Serbi u shfaqën studentët, ndërsa në Hungari Peter Magyar. Ata arritën ta tronditnin sistemin, duke i vënë papritur pushtetet e atëhershme përballë një sfide të re, së cilës nuk dinin si t’i përgjigjeshin”, thotë Makai.

Megjithatë, kundërshtarët politikë që i mundën në zgjedhje, dallojnë nga njëri-tjetri.

Orbanin dhe partinë e tij, Fidesz, i mundi një ish-bashkëpartiak i tij.

Dy vjet para zgjedhjeve, Magyar u distancua nga partia në pushtet, të cilën e akuzoi për korrupsion dhe përhapje të propagandës.

Në zgjedhje, ai udhëhoqi partinë proevropiane të qendrës së djathtë, Tisza, e cila shënoi fitore bindëse.

Në anën tjetër, regjimin e Vuçiqit e mundi një lëvizje studentore, pa një udhëheqës të qartë dhe pa përvojë të mëparshme politike.

Studentët i përzgjodhën kandidatët e tyre në mbledhje të hapura studentore, nga radhët e profesorëve universitarë, mësimdhënësve, juristëve, fermerëve, artistëve dhe sportistëve.

Protestat u nxitën nga vdekja e 16 personave, pas shembjes së një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, vetëm katër muaj pasi stacioni ishte përuruar për herë të dytë pas rinovimit.

Në të dyja ceremonitë e përurimit morën pjesë zyrtarë shtetërorë, ndërsa në të parën ishin të pranishëm edhe Aleksandar Vuçiq dhe Viktor Orban.

Kontribuoi: Millosh Teodoroviq; përktheu: Valona Tela

E paprecedentë në Mal të Zi, arrestohen 4 nxënës shqiptarë pasi bënë shqiponjën dykrenare

Katër nxënës shqiptarë janë ndaluar nga policia në qytetin e Kotorrit në Mal të Zi, pasi ata kanë bërë simbolin e shqiponjës me duar në rrugë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 të ditës së djeshme, kur një grua e moshuar malazeze u ka kërkuar të ndërprisnin veprimin.

Sipas informacionit zyrtar, gruaja u është drejtuar nxënësve në gjuhën malazeze, por ata nuk e kanë kuptuar kërkesën e saj dhe kanë vijuar të bëjnë simbolin e shqiponjës. Në vijim, ajo ka njoftuar policinë dhe ka bërë kallëzim, duke pretenduar se ishte kërcënuar prej tyre, raporton gazetarja Klodiana Lala.

Pas marrjes së denoncimit dhe deklarimit me shkrim të gruas, policia e Kotorrit ka shoqëruar katër të rinjtë dhe ka vendosur ndalimin e tyre, nën dyshimin për kundërvajtjen e nxitjes së urrejtjes kombëtare.

Sipas informacionit të përcjellë nga autoritetet malazeze, katër nxënësit do dalin sot, më 1 nëntor përpara gjykatës kompetente, ku do të shqyrtohet çështja e tyre. bw

REL: Kush është në krye? Figurat e lëvizjes politike të mbështetur nga studentët në Serbi

Ilija Srdanoviq nga Lista Studentore feston pas shpalljes së rezultateve preliminare më 25 tetor. Foto:Marko Djurica (Reuters)

Amos Chapple, Shërbimi i Ballkanit i REL-it

Dejan Shoshkiq është ekonomist dhe ka shërbyer si guvernator i Bankës Kombëtare të Serbisë nga viti 2010 deri më 2012. Ai është ndër të paktët anëtarë të listës me përvojë në poste të larta shtetërore. Që nga dorëheqja nga Banka Kombëtare, ai e ka denoncuar shpesh korrupsionin në vend, për të cilin ka thënë se është “shumë më i përhapur [në Serbi] sesa në vendet fqinje”.

Shoshkiq, 59 vjeç, është zotuar se një qeveri e Listës Studentore do t’i largojë “kuadrot e këqija” nga postet shtetërore dhe do të nisë hetime për pronat në zotërim të zyrtarëve publikë. Ai është zotuar, gjithashtu, se lista do t’i përshpejtojë reformat e nevojshme për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, ndërsa vendimi përfundimtar për anëtarësim do të merrej përmes referendumit.

Shoshkiq i ka kritikuar sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe ka kërkuar që Brukseli ta rishikojë qasjen ndaj Kremlinit.

 

Lista Studentore, një grupim politik me 250 përfaqësues që sapo fitoi zgjedhjet parlamentare në Serbi, ka shmangur qëllimisht përcaktimin e një udhëheqësi. Ndërsa ende nuk dihet se kush do të jetë kryeministri i Serbisë, më poshtë janë disa nga personalitetet e njohura që përfaqësojnë këtë lëvizje.

Lista Studentore, një grupim politik me 250 përfaqësues që sapo fitoi zgjedhjet parlamentare në Serbi, ka shmangur qëllimisht përcaktimin e një udhëheqësi. Ndërsa ende nuk dihet se kush do të jetë kryeministri i Serbisë, më poshtë janë disa nga personalitetet e njohura që përfaqësojnë këtë lëvizje.

Dejan Shoshkiq

Dejan Shoshkiq është ekonomist dhe ka shërbyer si guvernator i Bankës Kombëtare të Serbisë nga viti 2010 deri më 2012. Ai është ndër të paktët anëtarë të listës me përvojë në poste të larta shtetërore. Që nga dorëheqja nga Banka Kombëtare, ai e ka denoncuar shpesh korrupsionin në vend, për të cilin ka thënë se është “shumë më i përhapur [në Serbi] sesa në vendet fqinje”.

Shoshkiq, 59 vjeç, është zotuar se një qeveri e Listës Studentore do t’i largojë “kuadrot e këqija” nga postet shtetërore dhe do të nisë hetime për pronat në zotërim të zyrtarëve publikë. Ai është zotuar, gjithashtu, se lista do t’i përshpejtojë reformat e nevojshme për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, ndërsa vendimi përfundimtar për anëtarësim do të merrej përmes referendumit.

Shoshkiq i ka kritikuar sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe ka kërkuar që Brukseli ta rishikojë qasjen ndaj Kremlinit.

Ilija Srdanoviq

Ilija Srdanoviq është kardiolog dhe profesor në Universitetin e Novi Sadit. Ai është 56 vjeç dhe në shtator u emërua bartës i Listës Studentore.

Srdanoviq nuk e ka përjashtuar mundësinë që të marrë postin e kryeministrit, por ka thënë se lista ka “më shumë se një kandidat për secilin post”. Sipas tij, grupimi politik do t’i japë përparësi luftës kundër “krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Ai i ka mbështetur pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe ka thënë se vendimin për anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në BE “do ta marrin qytetarët”.

Dejan Bodiroga

Dejan Bodiroga, ish-yll i basketbollit, aktualisht është president i Euroligës së Basketbollit, me seli në Spanjë.

Mediat serbe e kanë cilësuar 53-vjeçarin si “emrin më të njohur” të listës, ndonëse qëndrimet e tij politike mbeten të paqarta. Ai e ka dënuar trajtimin e protestuesve studentë nga qeveria dhe paraqitjen e tyre si “terroristë”. Gjatë tubimeve protestuese, ai u ka bërë thirrje protestuesve të “luftojnë për liri, për dinjitet, për një shoqëri ku nuk do të ketë urrejtje apo përçarje, por respekt të ndërsjellë, drejtësi dhe solidaritet”.

Estela Radonjiq Zhivkov

Estela Radonjiq Zhivkov është eksperte e trashëgimisë kulturore, e cila u bë një nga figurat kryesore të skandalit që shpërtheu lidhur me planet për ndërtimin e një hoteli me markën Trump në vendin ku ndodhet ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, e dëmtuar nga bombardimet e NATO-s.

Si zëvendësdrejtoreshë e Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Serbi, Zhivkov e akuzoi qeverinë se kishte shkelur ligjin për trashëgiminë kulturore për t’i hapur rrugë projektit. Më pas, ajo u shkarkua nga posti i zëvendësdrejtoreshës.

Ajo ka thënë se përparësia e saj në një qeveri të Listës Studentore do të jetë “rikthimi i pavarësisë dhe integritetit profesional në institucionet e mbrojtjes së trashëgimisë”, si dhe garantimi që ekspertët të mund të marrin vendime “vetëm në bazë të ligjit dhe rregullave të profesionit, pa presione politike dhe ekonomike”.

Zoran Gjajiq

Inxhinieri Zoran Gjajiq ishte ndër të parët që fajësoi publikisht korrupsionin për shembjen vdekjeprurëse të strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad. Gjatë angazhimit të tij në këtë objekt si konsulent për punimet me gur — që përfundoi më 2023 — ai fotografoi dhe raportoi atë që e konsideronte cilësi të dobët të punimeve, që përbënte rrezik.

Gjajiq, 71 vjeç, ka shprehur kritika të ashpra ndaj ish-udhëheqësit serb, Aleksandar Vuçiq. Ai u arrestua në prill të vitit 2025, pasi u bëri thirrje njerëzve të votonin për dënimin me vdekje të presidentit të atëhershëm. Pas fitores së Listës Studentore në zgjedhje, ai u zotua se Vuçiq do të përballej me akuza për tradhti të lartë dhe shkroi se “po vjen koha e së vërtetës dhe e drejtësisë!”.

Tihomir Staniq

Tihomir Staniq është aktor i lindur në territorin e Bosnje e Hercegovinës së sotme, i cili ka luajtur në më shumë se 130 prodhime filmike dhe televizive. Në tetor të vitit 2025, aktori 65-vjeçar dha dorëheqje nga Akademia e Arteve në Beograd, bashkë me disa kolegë, për shkak të asaj që e përshkruan si “shkelje të rëndë të praktikës dhe integritetit akademik, që kulmoi me kërcënime ndaj studentëve”.

Aktori veteran ka kërkuar largimin e ndikimit politik nga institucionet kulturore të Serbisë dhe ka thënë se qeveria e Vuçiqit “filloi të përcaktonte se kush do ta drejtonte teatrin, si do të funksiononte ai, kush do të punonte e kush jo, kujt do t’i jepej një mundësi dhe kush do të ndëshkohej”.

 

 

 

Përplasje në Serbi pas fitores së studentëve, mbështetësit e tyre sulmojnë televizionin pro-Vuçiç

SERBI-  Një grup personash të identifikuar si mbështetës të “Listës së studentëve” në Serbi ka hyrë me forcë mbrëmjen e së hënës në ambientet e televizionit “Informer TV”, një media e njohur për qëndrimet e saj në mbështetje të ish-presidentit Aleksandër Vuçiç.

Personat kanë shkaktuar dëme në ambientet e televizionit dhe janë përplasur fizikisht me gazetarët dhe punonjësit që ndodheshin brenda ndërtesës. Pas incidentit, televizioni “Informer TV” reagoi përmes një postimi në faqen e tij online, duke ironizuar mbështetësit e studentëve dhe premtimet e tyre për një shoqëri më të mirë.

“Meqenëse dhuna shënoi të gjithë fushatën e tyre, nuk mund të prisnim asgjë më të mirë”, shkroi televizioni, duke e lidhur ngjarjen me pretendimet e tij për mënyrën se si ishte zhvilluar fushata zgjedhore.

Ngjarja shkaktoi reagime edhe në skenën politike serbe. Ish-presidenti Aleksandër Vuçiç e cilësoi sulmin si të turpshëm, ndërsa incidenti riktheu vëmendjen te tensionet mes mbështetësve të lëvizjes studentore dhe mediave që mbështesin pushtetin e mëparshëm.

Pas hyrjes në “Informer TV”, grupi u pa duke iu drejtuar edhe ambienteve të televizionit “TV Pink”, një tjetër media e njohur për mbështetjen ndaj Vuçiçit. Megjithatë, ndërhyrja e policisë pengoi hyrjen e tyre në këtë televizion./Dosja.al

Humbja e Vuçiçit, kryeministri hungarez Peter Magyar: Fitorja jonë u dha forcë studentëve serbë në këtë betejë të vështirë

Kryeministri i Hungarisë Peter Magyar ka përshëndetur fitoren e listës së mbështetur nga studentët në Serbi dhe e ka krahasuar atmosferën në rrugët serbe me atë që pasoi fitoren e tij politike në Hungari.

Në një reagim në rrjetet sociale, Magyar bëri të ditur se kishte kontaktuar përmes telefonit drejtuesit e listës studentore dhe u përcolli urimet dhe u garantoi mbështetjen e Hungarisë.

Magyar shkruan se pamjet e festimeve në rrugët e Serbisë i zgjuan ndjesi nostalgjie, duke kujtuar atmosferën që shoqëroi fitoren e tij në Hungari.

“Epo, a nuk më pushtoi një ndjenjë nostalgjie kur pashë pamjet që vinin nga Serbia gjatë natës?

Është simbolike që ajo nga Budapesti mbërriti në Beograd më shpejt se trenat…

I urova menjëherë me telefon drejtuesit e “Listës së Studentëve”, të cilët fituan në zgjedhjet serbe. I sigurova për mbështetjen e Hungarisë. U gëzova shumë kur dëgjova se sa forcë u dha fitorja jonë e prillit në këtë betejë të vështirë.

Në Serbi, Aleksandar Vuçiç pranoi humbjen. “Lista e Studentëve Universitarë” ka siguruar shumicën absolute në zgjedhje. Në rrugët e Serbisë nisi një festë mbarëkombëtare. Ju duket e njohur?”, shkruan ai në disa postime në rrjetet sociale.

Nga tragjedia e Novi Sadit te rrëzimi i Vuçiçit, si studentët arritën të ndryshojnë historinë politike të Serbisë

Një tragjedi me 16 viktima në Novi Sad u bë pikënisja e një lëvizjeje studentore që ndryshoi skenën politike të Serbisë. Ajo që nisi si një kërkesë për drejtësi dhe ndëshkimin e përgjegjësve të shembjes së strehës së një stacioni hekurudhor, u shndërrua në një revoltë kombëtare kundër korrupsionit dhe mënyrës së qeverisjes së vendit. Pas gati dy vitesh protestash, bllokimesh universitetesh dhe mobilizimi qytetar, Lista Studentore arriti, sipas rezultateve paraprake të raportuara, të fitonte zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026, duke mposhtur forcën politike të presidentit Aleksandar Vuçiç.

Në krye të listës që sfidoi pushtetin e Vuçiçit u vendos Ilija Srdanoviç, kardiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad. Përkrah tij u rreshtuan figura të njohura të jetës publike serbe, mes tyre legjenda e basketbollit Dejan Bodiroga, aktori Tihomir Staniç dhe ish-guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë, Dejan Shoshkiç.

Një profesor, një sportist, një aktor dhe një ekonomist, të ardhur nga fusha të ndryshme, u bashkuan në një projekt politik që lindi nga protestat studentore dhe jo nga strukturat tradicionale partiake.

Por rruga që i çoi studentët drejt kutive të votimit nisi shumë më herët, më 1 nëntor 2024, kur shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit shkaktoi vdekjen e 16 personave.

Tragjedia tronditi opinionin publik serb dhe ngriti pikëpyetje të shumta mbi sigurinë e objektit, cilësinë e punimeve të rindërtimit dhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore.

Studentët kërkuan transparencë dhe hetim të plotë të ngjarjes. Kritikët e qeverisë ngritën dyshime se pas tragjedisë qëndronin korrupsioni, abuzimet me fondet publike dhe mungesa e kontrollit mbi projektet infrastrukturore.

Protestat nisën në universitete, por shumë shpejt u përhapën në qytete të ndryshme të Serbisë. Studentëve iu bashkuan pedagogë, fermerë, aktorë, juristë dhe mijëra qytetarë që kërkonin përgjegjësi institucionale dhe ndryshime politike.

Në mars të vitit 2025, Beogradi u përfshi nga një prej demonstratave më të mëdha të viteve të fundit. Rrugët e kryeqytetit u mbushën me protestues, ndërsa kërkesat për drejtësi lidhur me tragjedinë e Novi Sadit u zgjeruan në një lëvizje kundër korrupsionit dhe përqendrimit të pushtetit.

Ndryshe nga partitë tradicionale opozitare, studentët vendosën të mos kishin një udhëheqës të vetëm. Vendimet merreshin përmes asambleve universitare, ku pjesëmarrësit diskutonin dhe votonin për hapat e ardhshëm të protestës.

Kjo mënyrë organizimi i dha lëvizjes një strukturë kolektive dhe synonte të ruante pavarësinë e saj nga partitë politike.

Me kalimin e kohës, studentët vendosën që kërkesat e tyre të mos mbeteshin vetëm në rrugë, por të përfaqësoheshin edhe në institucionet shtetërore. Për këtë arsye, ata ndërmorën hapin për të hyrë në garën zgjedhore.

Në vend që të kandidonin vetëm aktivistë studentorë, u përzgjodhën personalitete të njohura nga fusha e arsimit, shëndetësisë, sportit, kulturës dhe ekonomisë. Kështu u krijua Lista Studentore, një alternativë politike që synonte të përfaqësonte kërkesat e protestuesve.

Programi i saj u mbështet në 11 pika, ku përfshiheshin lufta kundër korrupsionit, forcimi i shtetit ligjor, hetimi i abuzimeve ndaj protestuesve, largimi i zyrtarëve të përfshirë në shkelje dhe ndryshime në drejtimin e mediave publike e ndërmarrjeve shtetërore.

Studentët kërkuan gjithashtu krijimin e një njësie të posaçme policore për arrestimin e personave përgjegjës për shkeljet e ligjit.

Një element tjetër i strategjisë së tyre ishte distancimi nga partitë tradicionale opozitare. Lëvizja nuk pranoi të shkrihej në koalicione me to, ndërsa disa forca opozitare vendosën të tërhiqeshin nga gara për t’i dhënë mbështetje Listës Studentore.

Në këtë mënyrë, studentët arritën të krijonin një profil të pavarur politik dhe të tërhiqnin mbështetjen e qytetarëve që kërkonin një alternativë ndaj pushtetit të Vuçiçit dhe opozitës tradicionale.

Pas gati dy vitesh mobilizimi, më 25 tetor 2026, beteja politike u zhvendos përfundimisht në kutitë e votimit.

Sipas rezultateve paraprake të raportuara, Lista Studentore siguroi 51.47% të votave, ndërsa lista e mbështetur nga Aleksandar Vuçiç mori 40.42%.

Vetë presidenti serb pranoi humbjen, ndërsa sipas vlerësimeve të tij, Lista Studentore pritej të siguronte nga 135 deri në 140 mandate në parlamentin me 250 deputetë, duke marrë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.

Rezultati u prit me festime në selinë e Listës Studentore, ku kandidatët dhe mbështetësit kënduan së bashku këngën “Srbija se budi”, që në shqip do të thotë “Serbia po zgjohet”.

Për Aleksandar Vuçiçin, i cili kishte drejtuar Serbinë si kryeministër ose president që prej vitit 2014, rezultati shënoi një humbje të rëndësishme politike pas më shumë se një dekade dominimi.

Për studentët, fitorja e raportuar ishte kulmi i një rrugëtimi që nisi me kërkesat për drejtësi pas tragjedisë së Novi Sadit dhe vijoi me protesta masive, bllokime universitetesh dhe organizim në të gjithë vendin.

Megjithatë, kalimi nga protesta në qeverisje përbën një sfidë të re. Përfaqësuesit e Listës Studentore do të duhet të përballen me përgjegjësinë e drejtimit të institucioneve, të cilat për gati dy vjet i kishin kritikuar për korrupsion, mungesë transparence dhe abuzim me pushtetin.

Lufta kundër korrupsionit, garantimi i pavarësisë së institucioneve dhe rikthimi i besimit të qytetarëve te shteti mbeten ndër pritshmëritë kryesore ndaj forcës së re politike.

Nga tragjedia e 1 nëntorit 2024 në Novi Sad deri te zgjedhjet e 25 tetorit 2026, lëvizja studentore përshkoi një rrugë të gjatë, duke e kthyer kërkesën për drejtësi në një projekt politik kombëtar.

Tashmë, sfida nuk është më vetëm ndryshimi i pushtetit, por edhe përmbushja e premtimeve për një mënyrë tjetër qeverisjeje në Serbi. bw

Mijëra protestues “pushtojnë” Beogradin. Të dielën zgjedhjet, studentët kryesojnë ndaj Vuçiçit

Mijëra studentë dhe qytetarë kanë mbushur rrugët e Beogradit në një demonstrim masiv mbështetjeje për lëvizjen studentore, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të së dielës, më 25 tetor.

Kryeqyteti serb është kthyer në qendrën e mobilizimit kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiçit, ndërsa pjesëmarrës nga qytete të ndryshme kanë mbërritur për tubimin përmbyllës të Listës Studentore. Gara pritet të jetë e fortë, me raportimet për sondazhet që flasin për një përballje të ngushtë mes studentëve dhe Partisë Progresive Serbe.

Sheshi kryesor në qytet është pika kryesore e grumbullimit, ku studentët dhe mbështetësit e tyre synojnë të japin një mesazh të fuqishëm përpara hapjes së kutive të votimit. Tubimi zhvillohet nën sloganin “Fitorja po thërret”, duke pasqyruar pritshmëritë e lëvizjes për të sjellë ndryshim politik pas një periudhe të gjatë protestash dhe mobilizimi qytetar.

Studentet2
Studentet2

Mbërritja në Beograd është paraprirë nga marshime disaditore, me kolona studentësh dhe qytetarësh të nisura nga disa pjesë të Serbisë. Pjesëmarrës nga Shabaci, Valeva, Gornji Milanovaci, Novi Sadi dhe Zajeçari kanë udhëtuar drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar tubimit. Grupi i nisur nga Zajeçari ka përshkuar rreth 240 kilometra në këmbë gjatë gjashtë ditëve, përpara se të mbërrinte në Beograd.

Përgjatë rrugës, marshuesit janë pritur nga qytetarë që kanë dalë për t’i përshëndetur dhe për t’u ofruar ushqim e pije. Pritje të mëdha janë organizuar edhe në lagje të ndryshme të kryeqytetit, ku kolonave u janë bashkuar mbështetës të tjerë. Për shumë pjesëmarrës, mbërritja në Beograd shënon kulmin e një angazhimi që tashmë po përqendrohet te votimi i së dielës.

Përpara Rektoratit të Universitetit të Beogradit, studentët janë pritur me duartrokitje, muzikë dhe fishekzjarrë. Nga turma janë dëgjuar thirrjet “Fitore”, “Ai ka marrë fund” dhe “Vuçiçi iku”, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur shpresën se zgjedhjet do të hapin rrugën për ndryshimin që kërkojnë.

Lëvizja studentore, e ‘lindur’ pas tragjedisë së shembjes së strukturës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në vitin 2024, është shndërruar në një sfidë të rëndësishme politike për pushtetin. Protestat kundër korrupsionit dhe kërkesat për përgjegjësi institucionale kanë nxitur një mobilizim më të gjerë, duke bashkuar studentë, pedagogë dhe qytetarë.

Tashmë, përballja zhvendoset nga rrugët drejt kutive të votimit. Lista Studentore kërkon ta shndërrojë pjesëmarrjen masive në mbështetje elektorale, në një garë që po ndiqet me vëmendje për shkak të peshës që mund të ketë për të ardhmen politike të Serbisë. Mobilizimi në Beograd është demonstrimi i fundit i madh i forcës së saj përpara së dielës, kur qytetarët do të vendosin me votë për përbërjen e parlamentit të ri.

Vuçiçi këshillon Ramën si të shtypë revoltën studentore: Je treguar i butë me protestuesit, tani rrezikon të humbasësh zgjedhjet

“Nëse Edi Rama do të zhvillonte zgjedhje tani, do t’i humbiste ato”. Kjo është deklarata që ish-presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka bërë gjatë një debati televiziv, ku ka komentuar situatën në Shqipëri dhe protestat kundër qeverisë së mikut të tij politik.

Duke marrë shkas dhe nga protestat masive në Serbi, ku rinia dhe qytetarët shpërthyen nëpër sheshe, duke detyruar Vuçiçin që të jepte dorëheqje, ish-presidenti tha se kryeministri shqiptar ka gabuar duke u treguar tepër i butë me protestuesit.

 

“Ka bërë një gabim. Edi besoi më gjatë se unë se mund t’i zbuste me diçka. Dhe gaboi, humbi kohë. Dhe ata tani… nëse e detyrojnë të shpallë zgjedhje, do ta ketë shumë të vështirë t’i fitojë ato zgjedhje. Tani gjithçka më duket irracionale. Sepse ai është një nga asetet më të mëdha të Shqipërisë, pavarësisht se si e sheh secili këtë.”, pohoi Vuçiç.

Në këtë kontekst, ish-presidenti serb ka paralajmëruar rrezikun e humbjes së zgjedhjeve për Ramën, ndërsa ka mbajtur një qëndrim mbështetës ndaj tij përballë protestave. bw

Tetë kushtet e Kroacisë për Malin e Zi para anëtarësimit në BE

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq (majtas) dhe homologu i tij nga Mali i Zi, Millojko Spajiq, në Bled, më 1 shtator 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Kroacia u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian një dokument, në të cilin paraqet qëndrimin e saj kombëtar për çështjet e pazgjidhura me Malin e Zi.

Në të, Zagrebi rendit kushtet që Mali i Zi duhet t’i përmbushë përpara se të anëtarësohet në bllokun evropian.

Një pjesë të këtyre kërkesave, Kroacia i lidh drejtpërdrejt me mbylljen e kapitujve negociues 23 (Gjyqësori dhe të drejtat themelore) dhe 31 (Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes).

Siç mëson Radio Evropa e Lirë nga burime diplomatike, Kroacia ua ka përcjellë dokumentin vendeve të tjera anëtare në fillim të kësaj jave.

Në dokumentin që siguroi REL-i, thuhet se çështjet kryesore të pazgjidhura “duhet të zgjidhen përpara se Mali i Zi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”.

Zagrebi thekson se përparimi konkret në këto çështje është vendimtar për sigurimin e mbështetjes së gjerë publike, politike dhe parlamentare në Kroaci, përfshirë ratifikimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi në BE.

Gjashtë kërkesat në kuadër të Kapitullit 23

Shumica e kërkesave lidhen me pasojat e luftërave të viteve 1990 dhe janë përfshirë në Kapitullin 23.

Ky kapitull, së bashku me Kapitullin 24, është njëri nga dy kapitujt kryesorë që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

Në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, këta dy kapituj hapen të parët dhe mbyllen të fundit, ndërsa përparimi në ta përcakton ritmin e gjithë procesit të anëtarësimit.

  • Dëmshpërblimi i personave të mbajtur në kampin e Morinjit. Sipas dokumentit, nga tetori i vitit 1991 deri në gusht të vitit 1992, në këtë kamp u mbajtën të ndaluar mbi 300 shtetas kroatë, kryesisht nga rajoni i Dubrovnikut.
  • Ruajtja e pllakës përkujtimore në Morinj. Pllaka u zbulua bashkërisht nga ministrat e dy vendeve më 10 tetor 2022, me një tekst të propozuar nga pala malazeze. Kroacia thotë se, ndërkohë, rreth pllakës është vendosur një strukturë më e madhe metalike, mësa duket për një panel që mund ta mbulojë atë, përveç rasteve kur mbahen ceremoni zyrtare përkujtimore.
  • Ndryshimi i emrit të pishinës së qytetit në Kotor. Pishina mban emrin e vaterpolistit Zoran Gopçeviq, i cili, sipas palës kroate, kishte shërbyer si roje në kampin e Morinjit gjatë viteve 1991-1992. Për këtë arsye, klubet kroate kishin refuzuar të luanin në atë pishinë, ndërsa kombëtarja kroate kishte kërcënuar me bojkotimin e finales së madhe të Kupës së Botës më 2025. Bojkotimi u shmang pasi ndeshjet e Kroacisë u zhvendosën në Budvë.
  • Zbardhja e fatit të 14 shtetasve të zhdukur kroatë. Kroacia kërkon bashkëpunim të plotë nga autoritetet malazeze, shkëmbim informacionesh dhe qasje në arkiva për të sqaruar fatin e tyre.
  • Ndjekja penale e krimeve të luftës, përfshirë ato mbi bazën e përgjegjësisë komanduese. Sipas Zagrebit, në Mal të Zi nuk është dhënë asnjë vendim gjyqësor për krime lufte mbi këtë bazë.
  • Zgjidhja e çështjes së të drejtave pronësore të familjeve kroate, përfshirë 51 familje nga Tivati dhe familje të tjera nga Gjiri i Kotorit. Kërkesat e tyre nuk janë zgjidhur, pavarësisht vendimeve gjyqësore të formës së prerë ose procedurave të zgjatura. Zagrebi e krahason këtë situatë me ligjin e vitit 2021, përmes të cilit tokat në gjirin e Valdanosit iu kthyen ish-pronarëve, kryesisht pjesëtarë të pakicës shqiptare, dhe paralajmëron për trajtim të pabarabartë të rasteve të ngjashme.

Anija Jadran dhe çështja e kufirit

Dy kërkesat tjera lidhen me Kapitullin 31. Mali i Zi nuk ka arritur ta mbyllë këtë kapitull që nga viti 2024, për shkak të bllokadës së Kroacisë, e cila pasoi miratimin e rezolutës për Jasenovacin nga Kuvendi i Malit të Zi.

  • Kthimi i anijes shkollore Jadran. Sipas Kroacisë, anija ndodhej në Mal të Zi për riparime kur shpërtheu lufta në vitin 1991 dhe i përket Kroacisë në bazë të Marrëveshjes për Çështjet e Trashëgimisë së ish-Jugosllavisë, të vitit 2001.
  • Çështja e kufirit. Kroacia kërkon që Mali i Zi të konfirmojë se respekton kufirin e dikurshëm ndërmjet dy republikave, në përputhje me parimin juridik uti possidetis juris, të konfirmuar nga Komisioni i Badinterit. Zagrebi kërkon, gjithashtu, nënshkrimin e një marrëveshjeje për kufirin tokësor, bazuar në tri harta ekzistuese. Pas zgjidhjes së çështjes së kufirit tokësor, Kroacia do të ishte e gatshme të thërriste rregullisht mbledhje të komisioneve për përcaktimin e kufirit detar, por pa caktuar afate konkrete.

Pse është i rëndësishëm ky dokument?

Qëndrimi i përbashkët i BE-së është një dokument përmes të cilit vendet anëtare përcaktojnë qëndrimin e Bashkimit Evropian për hapjen ose mbylljen e një kapitulli të caktuar negociues, përfshirë kriteret që duhet t’i përmbushë vendi kandidat.

Drafti hartohet nga Komisioni Evropian, pasi vendi kandidat dorëzon qëndrimin e tij negociues për kapitullin përkatës.

Në të, Komisioni vlerëson shkallën e përafrimit të legjislacionit të vendit me atë të BE-së dhe propozon kushtet që duhet të përmbushen.

Drafti, më pas, shqyrtohet nga diplomatët e të 27 vendeve anëtare në Grupin Punues të Këshillit të BE-së për Zgjerimin.

Pikërisht në këtë fazë zhvillohen negociatat politike, pasi vendet anëtare mund të kërkojnë ndryshime, kushte shtesë ose shtyrje të procesit.

Meqë qëndrimi i përbashkët miratohet njëzëri, secili vend anëtar ka praktikisht të drejtën e vetos.

Në këtë fazë, vendet anëtare shpesh e kushtëzojnë përparimin e një vendi kandidat me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.

Vetëm pasi të gjitha vendet anëtare arrijnë pajtim, drafti shndërrohet në qëndrim të përbashkët të BE-së.

Ai i paraqitet vendit kandidat në një konferencë ndërqeveritare, ku kapitulli hapet zyrtarisht ose mbyllet përkohësisht.

Pëlqimi i të gjitha vendeve anëtare kërkohet edhe për ratifikimin e Traktatit të Anëtarësimit.

Se Zagrebi nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kërkesat e tij, la të kuptohet të hënën edhe ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërlliq Radman.

Pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, më 12 tetor në Luksemburg, ai u tha gazetarëve se kërkesat e Zagrebit lidhen me trashëgiminë e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe të Luftës për Atdhe, siç njihet në Kroaci lufta e viteve 1990.

Sipas tij, këto janë çështje të të drejtave të njeriut.

“Këtu po flasim edhe për sundimin e ligjit. Këto janë të drejta themelore. Gjatë këtyre 20, përkatësisht 35 vjetëve, asnjëra prej këtyre çështjeve nuk është zgjidhur”, tha ai.

Mali i Zi synon përfundimin e negociatave këtë vit

Mali i Zi është vendi më i avancuar në procesin e zgjerimit dhe konsiderohet kandidati me perspektivën më të afërt për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Deri më tani, ai ka mbyllur përkohësisht 21 kapituj negociues, ndërsa 12 të tjerë mbeten për t’u mbyllur.

Qeveria në Podgoricë synon t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti.

Duke pasur parasysh kohën e mbetur dhe numrin e kapitujve ende të hapur, ky është një plan shumë ambicioz, por jo i parealizueshëm.

Zyrtarët evropianë janë duke përmendur gjithnjë e më shpesh mundësinë që negociatat të përfundojnë në fillim të vitit 2027.

Në prill, vendet anëtare të BE-së miratuan nisjen e hartimit të draftit të Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, la të kuptohet se traktati mund të nënshkruhet në verën e vitit të ardhshëm.

Për hapjen dhe mbylljen e secilit kapitull negociues, si dhe për miratimin e tekstit përfundimtar të Traktatit të Anëtarësimit, kërkohet pëlqimi i të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Mbështetje për Malin e Zi, por duke mbrojtur interesat kombëtare të Kroacisë

Kroacia thekson në dokument se i ka mbështetur vazhdimisht integrimet euroatlantike të Malit të Zi, përfshirë anëtarësimin e tij në NATO.

Ajo përmend se i ka vënë në dispozicion Malit të Zi përkthimin në kroatisht të legjislacionit të BE-së, me vlerë prej tetë milionë eurosh.

Në të njëjtën kohë, Zagrebi pretendon se “veprimet e papritura të njëanshme” të autoriteteve malazeze kanë rindezur tensionet historike dhe kanë vënë në pikëpyetje mbështetjen e gjerë në Kroaci për anëtarësimin e Malit të Zi në BE.

Sipas dokumentit, Kroacia i kishte dorëzuar Malit të Zi që në dhjetor të vitit 2023 një dokument joformal (non-paper) me listën e çështjeve të pazgjidhura. Këtë dokument e kishte ndarë edhe me vendet anëtare të BE-së dhe me Komisionin Evropian.

Konsultime dypalëshe u zhvilluan në janar dhe në maj të vitit 2025, ndërsa ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve u takuan rreth dhjetë herë gjatë vitit 2026 – çdo herë me nismën e Zagrebit.

“Asnjëra nga çështjet e hapura nuk është zgjidhur ende”, thuhet në dokument.

Kroacia thekson se synon ta lehtësojë, e jo ta pengojë, anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe se kërkesat e saj janë të kufizuara, të përcaktuara qartë dhe të realizueshme.

Përgatiti: Valona Tela

I kërkuar nga Interpoli, Radoiçiçi lëviz i lirë në Serbi, merr pjesë edhe në tubime elektorale me djalin e Vuçiçit

Milan Radoiçiç, i kërkuar nga Interpoli, është parë në tubim parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe.

Videot e shpërndara nga mediat serbe tregojnë Radoiçiç në mes të tubimit në Kragujevc, krah Danilo Vuçiçit, djalit të ish-presidentit Aleksandër Vuçiç. E në videon që vetë Vuçiç ka shpërndarë në rrjetet sociale nga Kragujevci, ka postuar edhe djalin e tij me mbishkrimin “Danilo im, krenaria ime”.

Radoiçiç ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë të Kosovës, nga i cili mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku tre vite me pare. Panorama

Arrestohet në Mal të Zi, blogeri pro-Kremlinit, Mikhail Zvinchuk! Kreu i rrjetit Rybar, I lidhur me operacionet hibride ruse

Një prej blogerëve më të njohur ushtarakë rusë pro-Kremlinit, i cili sipas raportimeve ka lidhje me shërbimet e inteligjencës ruse, është arrestuar në Mal të Zi.

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, konfirmoi sot, më 9 tetor, se në vendin e tij janë arrestuar disa shtetas rusë, mes tyre edhe Mikhail Zvinchuk, themelues i rrjetit rus Rybar.

Mikhail Zvinchuk, themeluesi i blogut të njohur të luftës Rybar, u ndalua sot së bashku me bashkëshorten dhe tre shtetas të tjerë rusë,  në qytetin turistik bregdetar të Risanit, nën dyshimin për përhapjen e ndikimit rus, raportuan mediat vendase.

Në një postim në rrjetin social X, Spajiq tha se arrestimi erdhi pas paralajmërimeve se vendi do të përballej me përpjekje për destabilizim dhe luftë hibride.

“Ky nuk është momenti për deklarata të nxituara, por as për përfundime naive. Ekzistojnë indicie serioze që kërkojnë shqyrtimin e kujdesshëm të çdo gjurme dhe vlerësimin e çdo lidhjeje në një kontekst më të gjerë. Nuk do të bëjmë publike ato që duhet të mbeten në domenin e shërbimeve të sigurisë”, shkroi ai.

“Mali i Zi mbron interesat e veta dhe askush nuk do ta rrezikojë të ardhmen tonë evropiane”, deklaroi Spajiç më tej.

Edhe nga Rybar u konfirmua më vonë në Telegram se themeluesi i këtij rrjeti, Mikhail Zvinchuk, është ndaluar në Mal të Zi, së bashku me shtetas të tjerë rusë.

Në një postim në kanalin e tij në gjuhën angleze, Rybar tha se të gjithë të ndaluarit “qëndronin ligjërisht në Mal të Zi dhe se ishte planifikuar filmimi i Manastirit të Cetinës, për të cilin ishte paraqitur më herët një kërkesë zyrtare”.

Rybar tha se ekipi i tij është në kontakt me Ministrinë e Jashtme të Rusisë, e cila po punon për zgjidhjen e situatës, duke pretenduar se “nuk është shkelur asnjë ligj i Malit të Zi”.

I themeluar në vitin 2018 nga Zvinchuk, ish-zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Rybar është një prej blogjeve më të ndjekura ushtarake ruse që mbulojnë luftën në Ukrainë, me më shumë se 1.5 milionë abonentë në Telegram. Ai është pjesë e një rrjeti të gjerë mediash online që promovojnë pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin.

Megjithatë, aktivitetet e Rybar shtrihen përtej Ukrainës, pasi kanali përhap narrativa pro-Kremlinit në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Së fundmi, ai është akuzuar për amplifikimin e narrativave të ekstremit të djathtë lidhur me krizën e emigracionit në Ceuta, një enklavë spanjolle në Afrikën e Veriut.

“Ministria e Jashtme e Rusisë po punon për zgjidhjen e situatës. Meqenëse nuk ka pasur shkelje të legjislacionit vendas, presim që të gjithë të ndaluarit të lirohen”, thuhej në një deklaratë të publikuar nga kanali në Telegram.

Operacioni u krye nga Policia e Malit të Zi dhe Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB) e këtij shteti.

Britania vendosi sanksione ndaj Zvinchuk dhe Rybar në dhjetor 2025, për rolin e tyre në përhapjen e propagandës së Kremlinit dhe minimin e mbështetjes për Ukrainën. Qeveria britanike deklaroi se Zvinchuk kishte marrë fonde nga Rostec, konglomerati shtetëror rus i industrisë së mbrojtjes, dhe kishte bashkëpunuar me pjesëtarë të shërbimeve ruse të inteligjencës.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar veçmas Zvinchuk për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, duke ofruar një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione mbi personat e përfshirë.

Pak ditë para arrestimit, Zvinchuk ishte mburrur në rrjetet sociale se kishte arritur të hynte në Mal të Zi, pavarësisht sanksioneve perëndimore dhe ndalimit të hyrjes në vend. Ai ironizoi një punonjës të kufirit, i cili, sipas tij, i kishte kontrolluar sendet personale, por nuk kishte verifikuar emrin e tij në një bazë të dhënash.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska ishte në dijeni të ndalimit të Zvinchuk dhe se do të punonte për të siguruar lirimin e tij. sn


Send this to a friend