Për djeni Departamentit të Punëve të Jashtëme të Zvicrës, – DFAE – EDA
Zonjës Amanda Bennett, Drejtore e VOA, Zërit të Amerikës,
Për djeni Departamentit të Punëve të Jashtëme të Zvicrës, – DFAE – EDA
Zonjës Amanda Bennett, Drejtore e VOA, Zërit të Amerikës,
Arsye për këtë shkrim është kërkesa për azil politik e shkrimtarit të njohur Agron Tufa, i cili pas kërcënimeve të vazhdueshme nga eksponentë të lartë të shtetit shqiptar, detyrohet të japë dorëheqjen nga posti i Drejtorit ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKPK), vend që e ka mbajtur me shumë dinjitet dhe përgjegjshmëri.
Agroni Tufa thotë se këtë hap e ndërmori pas kërcënimeve direkte me jetë nga ish-sigurimsat që “do më vrisnin”, thotë Agroni ” siç ekzekutuan në mënyrë mafioze dëshmitarin Haxhi Baçinozi në mars të këtij viti”.
Gjithë opinioni shqiptar e kujton vrasjen e Haxhi Baçinozit në praninë e të birit dhe menjëherë pas saj, gjithë shtypi u mbush me lajmin e rremë se “Haxhi Baçinozi u vra sepse kishte borxhe”!
Në fakt Haxhi Baçinozi, ish i burgosur politik nga regjimi komunist, u vra sepse do të dëshmonte për krimet e një kryepolici në burgun e Spaçit që torturonte të burgosurit. Kryepolici i diktaturës, që prej gati 30 vjetësh është shtetas i Gjermanisë e do të përballej me dëshmitarin Haxhi Baçinozi, sot duhej të ishte i dyshuar kryesor për ndikim në vrasjen e viktimës që e torturonte në burgjet komuniste dhe që u vra pa dëshmuar.
Vrasja e Haxhi Baçinozit tregoi fuqinë që kanë sot në shtetin shqiptar ish Sigurimsat dhe nëntoka e ish regjimit diktatorial që i ka duart të lyera me gjak viktimash. Haxhi Baçinozi tentoi të dëshmonte të vërtetën nga krimet e diktaturës dhe u vra barbarisht.
Po ta shohësh nga hierarkia, Agron Tufa është shumë më i rrezikuar se Haxhi Baçinozi, tashmë i vrarë, pasi institucioni që drejtonte ai, e fuste në shina shtetërore zbardhjen e krimeve të diktaturës që shoqëron dekomunistizimin.
Jam dëshmitare se Agron Tufa ka gati 3 vjet që kërcënohet në mënyrë permanente nga vetë shteti dhe nga media që ka në dorë ish Sigurimi.
Spartak Braho, deputet i PS, njëri nga ata udhëheq këtë linçim publik të Agron Tufës është një ish gjyqtar i kohës së diktaturës që ka dhënë dënime me vdekje; Sabit Brokaj, ish minister i diktaturës dhe ish deputet e ish minister i mbrojtes i PS shkon deri aty sa e kërcënon Agron Tufën, se do ta ndjekë këmba këmbës për t’ja shkatërruar jetën.
Pra njerëz të shtetit shqiptar të lidhur me ish diktaturën po e përndjekin pas Agron Tufën edhe kur ky u largua nga Shqipëria dhe i detyruar paraqiti dorëheqjen tek krerët më të lartë të shtetit, të cilët, sa ishte Agroni aty, nuk ndërmorën asnjë masë sigurie jete as për të dhe as për familjen. Pra, Agron Tufa u përball i vetëm me falangat e skuadroneve të ish Sigurimit, që janë pjesë e shtetit dhe e pushtetit, pa marrë parasysh se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s!
Sabit Brokaj, shkon deri aty, sa kërkon që Ambasada e Shqipërisë në Bernë të bëjë gjithçka që “Agron Tufa të mos e marrë statusin e azilantit politik në Zvicër”.
Ja çfarë shkruan Sabit Brokaj ekzaktësisht: “Unë i pari, (dmth Sabit Brokaj – shpjegimi im – E.B.) por edhe të tjerë mendoj se do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet…. Prandaj ambasada jonë në atë vend, por edhe ambasada zvicerane në vendin tonë, duhet të ngrenë alarmin dhe të mos i japin strehë një njeriu të tillë. Ua bëj këtë apel këtyre ambasadave publikisht. Por edhe vendeve të tjera ku ai mund t’ia mbathë sërish .”
Shikoni sa kriminale është thirrja e Sabit Brokajt! Po të ishte Shqipëria shtet demokratik, prokuroria do të duhej ta merrte nën hetim menjëherë!
Natyrisht Ambasada e Zvicrës në Tiranë nuk ndikohet nga histeri e tillë kriminale e tipit të Sabit Brokajt. Mjafton të kujtoj se Zvicra i dha azil politik Dritan Zaganit, ditën që Edi Rama, me kostum kryeministri, vuri këmbën në Konfederatën Helvetike në vizitë zyrtare, ndërsa qeveria e tij e kishte shpallur Zaganin “most wanted”.
Sa për Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, më duhet të hedh dritë se prej vitit 1997, ajo drejtohet nga njerëz me lidhje eksplicite me ish diktaturën që kanë vijuar karierën në tranzicion pa u konvertuar kurrë!
Të mbeten të pakonvertuar prej urrejtjes, do të thotë që viktimat e diktaturës të vijojnë edhe sot t’i trajtojnë sikur regjimi totalitar, pra si armiq.
Ambasada e Shqipërisë në Bernë ka patur Ambasador Leontiev Çuçin, ish anëtar i KQPPSH dhe ministër i kohës të Ramiz Alisë, më pas deputet i PS emëruar nga kjo forcë politike.
Ambasada e Shqipërisë në Bernë ka patur për dy mandate rresht Ambasador Mehmet Elezin, ish çensor i diktaturës dhe kandidat i KQPPSH, i cili ka mbajtur qëndrim armiqësor ndaj dy gazetarëve që kishin fituar në Zvicër azil politik. Mehmet Elezi kishte parë se dy gazetarët në fjalë merrnin ftesa dhe vlerësoheshin nga Zvicra në të njëjtin nivel sikur Ambasada e Shqipërisë, por e injoroi këtë fakt.
Qendrimi armiqësor shprehet në dy mënyra: Ose si Sabit Brokaj dhe Spartak Braho kundër Agron Tufës, ose si e Mehmet Elezit, duke shpërdorur detyrën e zyrtarit të lartë duke luftuar të dy gazetarët me veprimtari të spikatur kundër diktaturës dhe të dalluar në mbrojtjen e çështjes shqiptare. Mehmet Elezi ishte zgjedhur në këtë detyrë direkt nga Sali Berisha. Mehmet Elezi nuk kishte asnjë atribut moral që ta meritonte këtë post, nuk ishte bile as eksponent partiak i PD.
Ambasada e Shqipërisë në Bernë me largimin e Mehmet Elezit drejtohet nga Ilir Xhelil Gjoni, pra i biri i një eksponenti të njohur të diktaturës dhe nipi i Hysni Kapos, numri dy i nomenklaturës diktatoriale.
Në dhjetor të vitit 2013 i kam drejtuar një letër të hapur Presidentit të Republikës të Shqipërisë Bujar Nishani që të mos e dekretonte Ilir Xhelil Gjonin, jo se kisha fakte kundër tij, por e shihja të mjaftueshëm faktin që kishte lidhje të forta gjaku me ish regjimin dhe nuk ishte distancuar prej tij. Mblodha edhe shumë firma dhe ia paraqita edhe këto Presidentit Bujar Nishani, i cili nuk i mori parasysh dhe e dekretoi Ilir Xhelil Gjonin, ndërsa i njëjti Bujar Nishani nuk do të dekretonte Ambasador në Vatikan një ish të burgosur politik si shkrimtari i njohur Visar Zhiti.
Ambasadorët me skeletë në sirtarë kanë mbetur të njëjtë sikur në ditët e egra të diktaturës. Nëpër Ambasada ata kanë vijuar luftën kundër “armiqve” të ish regjimit diktatorial, duke përdorur lloje të tjera vrasjesh.
Natyrisht Zvicrën nuk e bëjnë dot kurrë Shqipëri, por duke shpërdorur detyrën e zyrtarit të lartë publik ata bëjnë dëme sa të mundin duke përçarë komunitetin e duke luftuar figura me integritet të këtij komuniteti me kontribute.
Kur Agron Tufa është larguar nga Shqipëria, më tepër se kurrë, sot bëhet i nevojshëm demokratizimi i Shqipërisë që si kusht sine qua non kërkon dekomunistizimin e shtetit.
Po të shohësh karierën e ish eksponentëve të diktaturës në tranzicion si Spartak Braho me shokë apo trashëgimtarët e ish regjimit, do të vihet re se rrëzimi i diktaturës nuk ka ndikuar negativisht dhe nuk ua ka prishur aspak karierën e shkëlqyer si zyrtarë publikë as bijve të ish- nomenklaturës, as Sigurimsave apo personave që kanë torturuar apo me firmën e tyre jane pushkatuar njerëz të pafajshëm.
Mjafton të shohësh karrierën e shkëlqyer politike të Ilir Xhelil Gjonit pas 1992, për të parë se në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë.
Prej 1992, Ilir Xhelil Gjoni ka qenë deputet i PS, Ministër i Brendshëm dhe Ambasador, ndërkohë që ka bërë specializime në vendet e BE dhe SHBA, ndërsa viktimat e regjimit diktatorial janë endur nëpër botë për të gjetur një strehë. A ka cinizëm më të madh! Cinizmi në këtë rast ka brirë!
Kur iu drejtova Presidentit të Republikës Letër të Hapur, nuk e paragjykova Ilir Xhelil Gjonin, por kisha parasysh standartet etike të një shteti demokratik. Ilir Xhelil Gjoni nuk kishte merita personale, ai ishte i zgjedhur politik, që nuk i kishte denoncuar kurrë krimet e diktaturës dhe nuk ka treguar kurrë me veprime se është konvertuar, pra ka mbetur në shekullin e shkuar.
Kjo është situata që mbretëron në shtetin shqiptar!
Agron Tufa u përpoq që, duke respektuar standardet Perëndimore, t’i aplikonte ato standarte edhe në Shqipëri. Por dekomunistizim do të thotë të prishet kjo status quo.
Dekomunistizim nuk do të thotë t’i shpallësh armiq luftëtarët e luftës Antifashiste sikur spekulojnë kërcënuesit e Agron Tufës, por të pastrosh sistemin nga figura të përlyera sikur veproi Gjermania menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore kur bëri denazistizimin.
Një vend anëtar i NATO-s nuk duhet që të ketë në pikat kyçe njerëz me lidhje eksplicite me të shkuarën dhe të pa distancuar nga krimet kundër njerëzimit që ka ekzekutuar regjimi totalitar.
Lind pyetja e përse nuk vijnë në krye të shtetit, përfshi edhe në krye të Ambasadave njerëz me bindje politike qofshin të majta apo të qendrës, por që janë figura të pastra dhe të respektuara ?
Lind pyetja e përse në historinë kontemporane, ku jemi të gjithë dëshmitarë, të pas rrëzimit të diktaturës, shtetin e kanë në dorë njerëz ose me lidhje me regjimin totalitar ose me skeletë në sirtarë ose të lidhur me mafien?
Kjo është situata dramatike në Shqipëri dhe ngjan e pashpresë!
Këtë e tregon edhe akti i dorëheqjes i Agron Tufës, i cili deri në minutën e fundit si Drejtor i ISKPK, shërbeu me dinjitet, duke patur si kauzë sistemin demokratik me standarde Perëndimore, ku dekomunistizim do të thotë themele të shëndosha të shtetit të së drejtës, që të garantojë jetë të denjë për qytetarët, pa marrë parasysh preferencat politike.
Por lufta e shtetit, (se Spartak Braho me shokë identifikohen me vetë shtetin shqiptar) ndaj një personi të vetëm, që është Agron Tufa tregon se në çfarë degrade ndodhet sot Shqipëria!
Degrada bëhet edhe më kritike kur shtypi i lirë në Shqipëri është nën pranga. Dhe pa shtyp të lirë e të pavarur nuk mund të pretendohet për ndryshime. A do të ketë drejtësi për Haxhi Baçinozin që në diktaturë e mbajtën të burgosur nën tortura ndërsa në vitin 2019 e njëjta diktaturë e vrau në sy të të birit!
Kujtoj Zërin e Amerikës më 1991-1992 se si i trimëroi Shqiptarët.
Shqiptarët sot janë të varfër, të mjeruar, pa shtet të së drejtës dhe të frikësuar.
I gjithë populli është vulnerabël, elitat janë vulnerabël. Agron Tufa i trimëronte shqiptarët! Kriminelët me pushtet, (ish segmente të diktaturës), në një shtet anëtar të NATO-s e detyruan Agron Tufën që të largohet dhe tani e kërcënojnë se do ta ndjekin këmba këmbës deri në Zvicër apo kudo që të kërkojë strehë !
Le të mendojë secili si për veten e tij, nëse nuk ka një vend pune, nëse nuk e ka strehën e sigurt, nëse nuk ka drejtësi, a mund të jetojë në atë vend?
E vërteta është se Agron Tufa i tronditi dhe ua luajti themelet kriminelëve me pushtet, qoftë edhe një njeri i vetëm, i cili u përpoq e bëri gjithçka që të ndryshonte diçka dhe si përgjigje mori linçimin nga falangat me ndërgjegje të pistë, të ndyrë gjatë diktaturës që sot vijojnë të kenë pushtetin dhe synojnë ta mbajnë me çdo kusht duke i fshehur krimet dhe duke kryer krime të tjera.
Një popull vulnerabël kërkon energji pozitive, kërkon që të ketë mijra si Agron Tufa; por kur vendit i ikën edhe një i vetëm, atëherë çfarë do të bëhet me këtë vend?
Komentet