Arbër Abazi, pronari i kompanisë Alko Impex, është thirrur në SPAK. Kapitali ka mësuar se biznesmeni ka marrë fletëthirrjen për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme në datën 2 dhjetor. Sipas shkresës së firmosur nga prokurori Dritan Prençi, Abazi do të thirret për t’u pyetur në cilësinë e personin në dijeni.
Por cila është çështja, që e çoi një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike në Shqipëri në dyert e SPAK? Kapitali ka mësuar se bëhet fjalë për proçedimin me numër 72/2025.
Ky është një kallëzim i bërë nga avokatët e biznesmenit dhe botuesit të disa mediave, Irfan Hysenbelliu, pas kërcënimit me jetë të këtij të fundit, në verën e këtij viti.
Në muajin gusht, Balkanweb raportoi se botuesi i News24 dhe Panorama Grup së bashku me familjarë të tij, janë kërcënuar me jetë nga një prej personazheve të denoncuar më herët për afera të dyshuara korruptive nga emisionet investigative në News24.
Sipas mediave të Irfan Hysenbelliut, personi që ka bërë kërcënimin ka lidhje të ngushta me nivele të larta të qeverisjes.
Arbër Abazi është një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike në Shqipëri. Kompania e tij Alko Impex Construction, ka dominimin thuajse monopolistik në tenderat e pastrimit në pjesën dërrmuese të bashkive të vendit.
Në 5 vitet e fundit, dy kompanitë e lidhura me të, Alko Impex Construction dhe Alko Impex General Construction kanë marrë mbi 90 milionë euro pagesa të ekzekutuara nga thesari i shtetit.
Ndërkohë opozita ka akuzuar se biznesmeni Abazi është favorizuar në prokurimet publike për shkak të lidhjeve të afërta familjare me Belinda Ballukun.
Thirrja për Abazin vjen vetëm një ditë pasi SPAK konfirmoi se ka nisur një procedim të ri penal ndaj Belinda Ballukut dhe një tjetër njeri të afërt me të, deputetin socialist, Ceno Klosi./Kapitali.al