Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në një konferencë për mediat foli mbi vendimin e tij për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ndryshimeve ligjore në kodin zgjedhor, si dhe për kërkesën drejtuar Komisionit të Venecias mbi këtë çështje, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalën e tij, presidenti Meta tha se kthimin e ndryshimeve në kod e bëri për të shmangur sipas tij një krizë zgjedhore. “Presidenti pas paraqitjes së një kërkese zyrtare të opozitës së bashkuar dhe në funksion të shmangies së një krize zgjedhore në Shqipëri ju drejtua Komisionit të Venecia me një kërkesë për të dhënë një opinion urgjent”, tha Meta.
Meta theksoi se Komisionit të Venecias iu drejtua për të marrë përgjigje për disa pyetje, sipas tij, nëse mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme rregullat themelore që rregullojnë konkurrencën zgjedhore, veçanërisht rregullat në lidhje me transformimin e votave në mandate mes konkurrentëve pasi të ketë filluar procesi zgjedhor dhe gjashtë muaj para zgjedhjeve.
Sipas tij, një tjetër çështje ku kërkohet opinioni i Komisionit të Venecias është nëse rregullat ndryshohen shumë afër datës së zgjedhjeve “në mënyrë që të sigurojnë avantazh për partinë që ka paraqitur ndryshimet” dhe nëse ndikojnë këto ndryshime në parimet e qëndrueshmërisë, sigurisë juridike dhe rregullave të barabarta.
Kujtojmë se më 23 tetor Presidenca e Shqipërisë konfirmoi se Meta ka vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ndryshimeve ligjore në kodin zgjedhor që u miratuan në seancë parlamentare në fillim të muajit tetor, me argumentin se “këto ndërhyrje janë të njëanshme dhe janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimet themelore demokratike të mbrojtura prej saj.”
Sipas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë që i miratuan më 5 tetor të këtij viti, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen më 25 prill të vitit 2021, do të aplikohet sistemi i votimit me lista të hapura, ku votuesve u jepet mundësia të zgjedhin partinë dhe kandidatin për deputet.
Ndërkohë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një deklaratë për mediat sot tha se Kuvendi do të kalojë përsëri ndryshimet në kod pa asnjë ndryshim.
“Sa me shpejt kur caktohet seanca e votimit, pa asnjë ndryshim pikë dhe presje do të votojmë kodin siç është votuar nga Parlamenti me një shumicë që është kuptimplotë dhe askush nuk mund të vëri në dyshim vullnetin e Parlamentit për asnjë arsye, aq më pak Ilir Meta”, theksoi Rama.
Duke folur për grevën e naftëtarëve, presidenti Meta tha se duhet dialog sa më parë për një zgjidhje sa më të pranueshme dhe të arsyeshme, “pa u përshkallëzuar kjo situatë dhe pasojat për shëndetin e tyre”.
“Është shumë e rëndësishme që të bëhet çdo përpjekje me mirëbesim dhe të jepen garancitë e duhura për këtë çështje të rënë sociale dhe humanitare para se mund të kemi pasoja me shëndetin e tyre”, u shpreh Meta.
Kujtojmë se naftëtarët e Ballshit në Shqipëri kanë nisur grevë urie prej disa javësh për të kërkuar pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës në rafineri.
I pyetur në lidhje me dakordimin mes Shqipërisë dhe Greqisë për dërgimin e çështjes së kufizimit të zonave detare në gjykatë ndërkombëtare, Meta tha: “Sjellja ime për këtë çështje do të jetë gjithmonë shtetërore dhe kushtetuese, larg lojërave politike për spostim të vëmendjes apo për krijim tensionesh artificiale. Marrëdhëniet e mia janë të mirëdokumetuara me qeverinë dhe institucionet tona. Unë pres në respekt të atij bashkëpunimi të përgjegjshëm që kam treguar përgjatë gjithë kësaj periudhe të kem të njëjtin reagim dhe të njëjtin bashkëpunim”.
Komentet