Dikur Elida Buçpapaj ishte nxënëse në gjimnazin Sami Frashëri. Në një kohë shumë të hidhur.
Që fëmijë kishte përjetuar vuajtje të shumta dhe dukej sikur jeta e saj ishte futur në një tunel pa fund nga ku nuk dukej drita.
Por mësuesja e saj e letërsisë Ferial Vasili ishte drita!
Elida Buçpapaj nuk e harron kurrë Ëngjëllin e saj Mbrojtës,
i është mirënjohëse në pakufi, i ndihet gjithmonë në borxh mësueses të saj të letërsisë dhe i dedikon një përkushtim.
Mësuesja e saj i kthen përgjigje me anë të një letre të shkruar me dorën e saj, të cilën po e përcjellim tek lexuesit:
E dashur Elida,
Duke lexuar shkrimin tënd mendova që metaforat hiperbolizuese nuk më përkasin, sepse po ta lexonin ish mësuesit e mi dhe pedagogët si Sh. Demiraj, S. Spasse, F. Gega, M.Pandu, V.Luarasi, Babameto, Xhaxhiu etj (ndjesë për ata që s’po përmend) njëri më i mirë nga tjetri, do të më thoshin se kam bërë vetëm detyrën, që sipas pedagogjisë që më kanë mësuar, mësues quhet ai që jep jo vetëm dije, por edhe edukon dhe formon normalisht atë brez që do të marrë fatet e kombit në dorë.
Edhe me ty e dashur Elida, jam përpjekur që të jap një kontribut sado të vogël në ato kohë aq të vështira.
Të uroj gjithë të mirat ty dhe familjes. Janë me fat që të kanë.
Ti do të kesh vendin tënd tek unë për sa kohë jeta do të vazhdojë.
VO Kam vetëm një celular të thjeshtë, sepse më ka pëlqyer që njeriu të mbetet njeri, prandaj e kam hedhur në celularin e djalit tim.
Ferial Vasili

Me rastin e 7 Marsit – Kushtuar Ferial Vasilit, Mësueses time të letërsisë në Gjimnazin Sami Frashëri Nga Elida Buçpapaj
Komentet