Lionel Messi nuk është pjesë e kombëtares së Argjentinës për ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Kupën e Botës “Katar 2022”, sepse infeksioni i tij me COVID-19 “e preku shumë atë”, deklaroi sot trajneri Lionel Scaloni, transmeton Anadolu Agency (AA).
Messi doli pozitiv me COVID-19 më 2 janar dhe pothuajse nuk ka luajtur asnjë ndeshje që nga fundi i dhjetorit.
Ylli 34-vjeçar ishte në fushë për më pak se gjysmë ore si zëvendësim në fitoren 4:0 të Paris Saint-Germain ndaj Reims të dielën e kaluar.
Argjentina, e cila tashmë ka siguruar biletën për “Katar 2022”, e la Messin jashtë kombëtares për ndeshjet kundër Kilit dhe Kolumbisë.
“Natyrisht që do të donim që Messi të ishte këtu. Unë fola dhe ai më tha se COVID-i e kishte prekur shumë”, tha Scaloni në një konferencë për media.
“Qëllimi është që ai të bëhet mirë dhe kjo është arsyeja pse vendosa që opsioni më i mirë ishte që ai të qëndronte në klubin e tij”, tha ai.
Trajneri argjentinas do të humbasë gjithashtu udhëtimin në Kili, pavarësisht se është shëruar nga infeksioni i COVID-19.
“Përfundova periudhën time të izolimit disa ditë më parë, por vazhdoj të jem pozitiv. Për të hyrë në Kili, nevojitet testi negativ”, tha ai para gazetarëve në një takim virtual.
Scaloni konfirmoi se Angel Di Maria do të mbajë shiritin e kapitenit për Argjentinën në mungesë të Messit si në ndeshjen ndaj Kilit sonte, ashtu dhe kundër Kolumbisë më 2 shkurt.
Komentet