Temë interesante, që po zgjon debat. Unë personalisht e mendoj se mësimi i fesë do të duhej të jetë nëpër shkolla – sikurse është gjithandej nëpër Evropë – por jo ende në vendet tona e ndoshta në përgjithësi në gadishullin ballkanik. Jo pse kjo lëndë mësimore është e dëmshme, por për faktin se ne ende nuk jemi të përgatitur për një gjë të tillë. Nuk jemi të përgatitur si shoqëri e as si strukturë shtetërore e/o arsimore. Së pari kjo lëndë, në shumicën e shteteve, nuk është e obligueshme, pastaj nuk duhet të kuptohet si ungjillëzim, apo përhapje e doktrinave fetare (indoktrinim), por thjeshtë një mundësi për të hapur horizontet e dijes edhe në sferën fetare. Nuk do të duhej në asnjë mënyrë të menaxhohet nga bashkësitë fetare, por nga strukturat e arsimit. Bashkësitë fetare do të interpeloheshin si bashkëpunëtorë, në këtë rast. Që kjo të shkojë në këtë drejtim, si duket, ende shoqëria e jonë dhe shtetet tona, nuk janë në gjendje ta bëjnë. Prandaj duhet pritur, mendoj unë, për një gjë të tillë. Ka kohë, ka sigurisht prioritete tjera më të rëndësishme për vendet tona.
Në anën tjetër nuk mendoj së, kur të shprehemi kundër mësimit të fesë nëpër shkolla, fitojmë edhe të drejtën që të reduktojmë të gjitha religjionet dhe bashkësitë fetare në ideologji, në mite, në dogma dhe ti konsiderojmë ato si një rrezik potencial, për të cilat duhet të kujdeset shteti. Kjo gjuhë shkon menjëherë kundër asaj që po kërkojmë nga religjionet. Ne po kërkojmë që anëtarët e religjioneve të ndryshme të jenë tolerantë, e ne të kundërtën neve përdorim gjuhë që nuk përkon me tolerancën. Luftimi i ekstremizmit nuk justifikon të hedhesh helm mbi bashkësitë fetare dhe ndjenjat e tyre.
Bashkësitë fetare nuk janë skllevër të shtetit. Sikurse nuk është skllav asnjë qytetar. Shteti dhe bashkësitë fetare janë institucione të pavarura njëra prej tjetrës dhe janë të thirrura të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët. Shteti duhet të monitoroi para se gjithash njerëzit e vet, të cilët janë të zhytur deri në fund në kriminalitet.
Komentet