Angela Tanuzi, bukuroshja nga Kruja që mban titullin “Miss Grand Albania”, sapo është kthyer nga Vietnami ku u mbajt konkursi ndërkombëtar i bukurisë, “Miss Grand International”. Angela përfaqësoi Shqipërinë dhe arriti të renditet si një nga 25 fytyrat më të bukura në botë.
Bukuroshja nga Kruja tregoi për “Rudina” eksperiencën e saj në Vietnam, momentet e bukura dhe incidentin në skenë, që arriti ta menaxhonte me sukses, i cili i dha edhe duartrokitjet e publikut.
“Kishte shumë momente të veçanta, sepse ne aty kemi qëndruar pothuajse një muaj dhe kemi pasur sfilata të ndryshme, por momenti që më ngeli më i preferuari ishte kur ata brohoritnin për mua, duartrokitnin, më bënë të ndihem si në familje”.
Pyetjes nëse ka pasur ndonjë moment të sikletshëm, Angela iu përgjigj: “Momenti më i sikletshëm në fakt, përpara se të dilja në skenë më ra… Shalli i kuq. E kisha në kokë dhe në momentin që unë do dilja në skenë, më ra. Ishin momentet e fundit që unë ta rregulloja dhe të dilja, ishte momenti më i sikletshëm”.
Angela tregon se shumë shpejt shpëtoi nga situata vetëm duke e ngecur përsëri në flokë në pak sekonda, sepse nuk kishte kohë dhe mundësi ta rregullonte. “E vura sërish, por pa pasur mundësi kohe dhe thjesht e ngeca…Momenti më i sikletshëm, por e menaxhova më së miri…Dhe gjithë publiku vitenamez duartrokitën për mua dhe u mahnitën nga performanca ime”.