VOAL

VOAL

In Memoriam RAMIZ KELMENDI, MAG I LETRAVE SHQIPE Nga PREND BUZHALA

January 12, 2017
3 Comments
  • author avatar
    Skënder Rracaj 4 years ago Reply

    Lexim në kohë pandemije?
    Apo Vetmija dhe interpretimi?
    Në kërkim të kënaqësisë së leximit në këtë kohë! Ndoshta një Ecje vullkanike të luftës individuale ndaj së keqes? Po, ku ka një ” vetshpetim” se Bota e Leximit dhe krijimit?!,,,
    Porta triumfale e Trinisë Hyjnore të Tre autorëve: Ramiz Kelmendi, Klasiku modern( P.B.), autori i gjashtë monografive( të realizueshme stilistiko-kritik), tejshkrimet shpirtërore të Prend Buzhalës, që na japin forcë e durim si ta duamë dhe rilexojmë kritikun dhe veprën e tij, për trajtat e shkrimit stilistik e metoda letrare.
    S.Rr.

Komentet

Myslym Alla, strategu i brezit “të artë” të bardhebluve- Nga Bedri Alimehmeti “Mjeshtër i Madh”

 

Myslym Alla, strategu i brezit “të Artë” të Tiranës, që la gjurmë të pashlyeshme në futbollin shqiptar

Kanë kaluar vite që ai nuk është më midis nesh, por në kujtesën e tiranasve figura e Myslym Allës me atë hapin e qetë, të matur, gjithnjë stoik, paksa i menduar e si gjithmonë me cigare në buzë kur, pasi linte rrugën e “Fortuzit” kalonte Bulevardit “Zogu I”, për të zënë vend në Kafe “Tirana” ose më vonë te “Çaplini” (sot “UFO”), ku preferonte të pinte kafen, ka mbetur ende e gjallë. Dhe nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Myslym Alla ishte strategu që ndërtoi “17 Nëntorin” e paharruar të viteve 60-të, që në sfond njihej gjithmonë si Sportklub Tirana dhe u brohorit nga tifozeria vetëm me emrin “Tirona”. Ai qe profesori që ndërtoi skuadrën e paharruar të atij brezi “të artë” futbollistësh, që falë punës e përkushtimit të tij dhe pasionit të atyre djemve të talentuar, bëri epokë në topkëmbën shqiptare. Në të njëjtën kohë shembi hegjemoninë e skuadrave ushtarake “Partizani” e “Dinamo”, që prej vitesh kishin dominuar në kampionatet tona. Madje me këtë arritje Tirona e asaj kohe dhe Myslym Alla mbetën përjetësisht nostalgjikë në kujtesën e të gjithë atyre që patën fatin të shohin e shijojnë futbollin e tyre. Po cila qe jeta e tij?
Myslym Alla si futbollist

Si e të gjithë bashkëmoshatarëve të viteve 20-të të shekullit të kaluar, ajo nisi me rendjen pas topit prej lecke në “fushën e druve” të Tiranës së asaj kohe pranë Teqesë së Dervish Hatixhes, ku ndodhet edhe sot përqendrimi i familjes Alla. Aty në atë shtëpi karakteristike trianse u lind, më 15 prill 1919 Myslym Alla. Ndërkohë me bashkëmoshatarët shpesh herë shkonin edhe në fushën e Shallvares për të parë ndeshjet e Tironës. Dhe që në atë kohë ëndërronte dhe ziente nga dëshira për të luajtur me fanellën bardheblu të skuadrës së qytetit të tij. Dëshirë që nuk do të vononte për të iu plotësuar.Dy herë kampion me Tiranën

Ende i njomë në moshë, vetëm 17-vjeç, ashtu hollak e i gjatë, pasi qe kthyer nga Italia, ku nga 1933-1936 pa iu ndarë futbollit kishte kryer shkollën “Inferiore bujqësore” për pemëtari, bëhet pjesë e formacionit bardheblu në kampionatin VI në një ndeshje (6 prill 1936) në Pogradec ndaj Dragoit vendas. Në atë ndeshje pati zëvendësuar të madhin Selman Stërmasi. Myslym Alla u aktivizua në rolin e sulmuesit të djathtë, ku shënon edhe golin e parë për Tiranën, që fiton thellë 5-0. Pas kësaj ai do të jetë pjesë e pandarë e formacionit bardheblu, krah emrave të njohur: Karapici, Lushta, Kryeziu, Kusi, Mirdita, Jakova, Gurashi, Hajnali, Hobdari, Janku, Petrela, Çoku, Hima etj., me të cilët fiton titullin e parë kampion dhe shënon 6 gola, duke u bërë njëherësh kampioni më i ri si futbollist në historinë e kampionateve tona. Një vit më pas fiton titullin e dytë dhe largohet sërish për në Itali për të plotësuar studimet, që për shkak të Luftës nuk arrin t’i përfundojë.

Student i trajnerit Ljubisha Broçiç

Pas çlirimit është një ndër organizatorët e Lojërave Ballkanike të vitit 1946. Dhe po atë vit nis studimet e larta në Beograd për kulturë fizike, ku pati fatin të ishte student i trajnerit Ljubisha Broçiç, që e kishte bërë Kombëtaren shqiptare Kampione të gadishullit. Dhe është po ky trajner që pak vite më vonë, në sezonin 1957-1958 e bën Juventusin Kampion të Italisë. Të qenit student i një pedagogu të këtij niveli i dha mundësi Myslym Allës të akumulojë vlera e të rrisë aftësitë tekniko-taktike, aq të domosdoshme për një trajner futbolli duke i harmonizuar ato me autoritetin e pedagogut. Por, për shkak të prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë studimet e larta i përfundon ,më 1951 në Sofje të Bullgarisë, dhe kthehet në Shqipëri si i pari trajner i diplomuar.

Trajner i Tiranës dhe i Kombëtares

Nga ai vit e deri më 1953 drejton Tiranën e ndërkohë në krye të bankinës së ekipit Kombëtar, arrin tri fitore, që deri tani kanë mbetur unikale në historinë e futbollit shqiptar. Kështu nën drejtimin e profesor Allës, Shqipëria triumfon dy herë radhazi ndaj Çekosllovakisë 2-1 e 3-2, më 29 nëntor dhe 7 dhjetor 1952 dhe ndaj Polonisë 0-2, më 29 nëntor 1953.

Në krye të bankinës së Partizanit

Viti 1954 e gjen në krye të bankinës së Partizanit, që pas vitit 1949 nuk kishte arritur të fitonte asnjë titull tjetër kampion, por falë drejtimit profesional të Myslym Allës, Partizani gjen titullin duke i ndërprerë vargëzimin e sukseseve Dinamos. Dhe duhet thënë se skuadra e kuqe, atë sezon nuk njohu asnjë humbje. Nga 44 pikë të mundshme grumbulloi 43. Kampionatin e ardhshëm sërish nën drejtimin e trajnerit Alla paraqitja e Partizanit ishte dinjitoze, por ndërhyrjet e shumta të gjeneralëve të Ministrisë së Mbrojtjes në ndërtimin e formacionit bën që ai ta braktisë skuadrën dhe në vitin 1956 të marrë “timonin” e bardhebluve.
Sërish në “timonin” e skuadrës bardheblu

Ishte koha kur në kampionatet tona ligjin e bënin dy skuadrat e veshura me pushtet Partizani e Dinamo. Kushtëzuar nga rrethanat ai qe i prerë në vendimin e tij për të kryer reformë të thellë në ekip. Çka donte të thoshte që domosdoshmërish duhej bërë ndërrimi i brezave në radhët e futbollistëve. Për këtë ai gjeti përkrahjen e mirëkuptimin e drejtuesve të klubit. Nga ekipi i të rinjve që drejtohej nga Xh. Demneri në vitin 1958 ai tërhoqi në skuadrën e parë: S. Halilin, P. Panon, P. Bukovikun, F. Frashërin, O. Memën, G. Saraçin, A. Memën, L. Bytyçin, A. Verrinë, B. Ishkën, N . Xhaçkën, T. Gjokën etj., të cilët jo vetëm do bënin emër në futbollin shqiptar, por me nivelin e lartë dhe klasin sipëror do të linin gjurmë të papërsëritshme në historinë e tij. Një vit më pas me këta djem profesor Alla fiton trofeun e parë, kupën XV Vjetorit të Çlirimit.

Merita e veçantë e Myslym Allës konsiston në faktin që arriti t’ia përshtatë e harmonizojë ansamblit të djemve bardheblu tiparet e futbollit total me grintën e pandalshme sulmuese. Dhe ndonëse ia sabotuan jo një herë formacionin e asaj skuadre fantastike, që po bëhej gati të shpërthente me të gjitha ngjyrat e arsenalit të saj sportiv, profesor Alla arriti t’ia dalë mbanë misionit që i kishte ngarkuar vetes; ta ngrinte Tiranën aty ku kishte qenë në podin e Kampiones së Shqipërisë, teksa dy vite më parë më 1963 pati fituar kupën e Shqipërisë në finalet e paharruara me “Besën”. Dhe më pas titujt kampionë vargëzohen: 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970. Por, nuk mbaron këtu. Më Myslym Allën në bankinë në kompeticionin e Kupës së Kampioneve, bardheblutë prekin tri barazime me ekipe me emër në futbollin evropian. Me Kilmanokun e Skocisë 0-0 (23.09. 65), me Standard të Liezhit (Belgjikë) 1-1 (01.10.69) dhe me Ajaksin e Amsterdamit, 2-2 (16.09.70). Të mos harrojmë që Ajaksi i asaj kohe, që drejtohej nga Rinius Mishels ishte në pragun e shpërthimit të triumfit të pandalshëm. Pas atij barazimi spektakolar të bardhebluve, të cilët ishin në dizavantazh 0-2, në korridoret e “Qemal Stafës” teksa largohej me ngut Mishels do të shprehej: “Këtu në Tiranë pashë një ekip të madh”. Ndaj nuk duhet harruar kurrë që kënaqësinë e asaj ndeshje dinjitoze ku bardheblutë luajtën të barabartë me emra të tillë sugjestionues që më pas do të tronditnin stadiumet e botës si Hulshov, Vasoviç, Surbier, Kruiff, Krol, Neskens, Stuit, Rep etj, na e dha profesor Myslym Alla trajneri i madh brezit të artë te viteve 60-te te skuadres bardheblu./ Nga Tifozët.al

Një Ligjëratë e së vërtetës: Edison Gjergo dhe koha e tij Nga Nadire Buzo

Një Ligjeratë e së Vërtetës

 

Një fushë vizioni u hap përpara nesh, tek dëgjuam një ligjeratë, të thurur e konceptuar bukur. Një kujtesë e gjallë për kombin, hedhur në haresë. Do të nxirret prej andej, me leksionin ligjërues të studiueses së arteve Suzana Kuka Varvarica, në Akademia e Shkencave më datën 12 Korrik 2024 me temën e veçantë:

“Krijuesit e ndaluar në artet pamore: Edison Gjergo dhe koha e tij”

Një ligjeratë shkencore dhe profesionale po aq edhe shoqërore dhe shpirtërore. Pësha e kësaj ligjerate në konteksin historiografik, mbi hijet e të dënuarve në artet pamore dhe kualitetin estetik të këtyre niveleve të larta, të cilët refuzuan në heshtje metodën e realizmit socialist, me ide të qarta në emër të lirisë me artin dhe jetën e tyre.

Ligjeruesja, studiuesja e palodhur Suzana Varvarica me perkushtimin dhe qetësinë që e karakterizon e heshti sallën, për rreth gjashtëdhjetë minuta, a thua se askush nuk merrte frymë.

Renditur me fakte dhe data e të gjitha ngjarjeve të protagonistëve në përiudhën diktatoriale të vendosura sakte në kontekstin historik të kohës:

“Disa Fakte rreth Shqipërisë së viteve 1940-1990. Shkollat e artit në Shqipëri në vitet 1900-1940 si paraprijëse të shkollave të artit gjatë periudhës komuniste 1945-1990 Shkollat e artit në Shqipëri në vitet 1945-1990 dhe programet e tyre. LA “Jordan Misja”

“IAF sot FAB / ILA sot UA”, Tiranë. Trysnia politike mbi artin në vitet 1940-1990. Aritstët e dënuar politikisht, grupimet dhe veçimi i tyre.

Koha që formoi Edison Gjergon. Gjergo dhe koha e tij.

Vlerësimi dhe qëndrimi kritik i pas viteve 90-të ndaj artistëve të persekutuar.

Koha komuniste 50-të vjeçare e lidhur me artin përbëhet nga disa ndërhyrje politike të rëndësishme. Këto ndërhyrje, ushtruan vullnetin diktatorial përmes megamakinës kulturore të propagandës. Njëkohësisht ushtruan vullnetin për zhvillimin e organizuar të sistemit gjithëpërfshirës të arteve figurative (pamore). Të dy këto vullnete të drejtuara nga institucionet dhe organizatat shtetërore ndikuan mbi formimin e artistëve figurativë dhe në krijimin e fizionomisë së sistemit të artit figurativ. Fizionominë e asaj kohe mund ta përmbledhim në tre zhvillime kryesore.

Gjithashtu veçohen edhe disa monumente, të cilët edhe pse u realizuan nën ndikimin e propagandës dhe metodës së realizmit socialist janë të rëndësisëm për kulturën dhe historinë e Shqipërisë.

Në këto vite, disa artistët besuan në një frymë liberale që dukej në horizont. Ata të velur e të mërzitur nga metoda e realizmit socialist si një art kolektiv, të ethshëm për trajtimin e artit modern e orientuan krijimtarinë e tyre në imitimin e lëvizjeve artistike europiane të zhvilluara gjatë fundshekullit XIX dhe shtrirjes së tyre në shekullin XX.

Artistët, në dukje iu gëzuan faktit të një “çlirimi” nga parimet ideologjike të metodës së ngurtë artistike dhe të komanduar partiake, pasi krijuan dhe paraqitën në ekspozitat e “Pranverës” një art disi të anashkaluar nga trysnia e propagandës së temave të mëdha. Pas kritikave të ashpra, artistët dhe shoqëria u gjendën në mesin e një situate të egër dhe të frikshme politike, të vështirë sociale, absurde dhe konfuze krijuese.

Vitet 1969 – 1973 përbëjnë një hapësirë krijuese kohore të veçantë. Nga njëra anë, në ditët e sotme, prej tyre trashëgojmë vlera të pasura nga krijimtaria e artistëve të guximshëm, si dhe vlera intelektuale që janë shënuar në historinë e artit figurativ shqiptar të para viteve 90-të. Nga ana tjetër, ata janë vite dhune, frike, humbje lirije dhe personaliteti, persekutimi, burgimi dhe mohimi krijues.

………..Keqtrajtimet, dënimet dhe persekutimet ndaj artistëve të artit pamor ishin të ashpra pas Pleniumit IV. Mesi dhe fundi i viteve 70-të shënoi se numri i tyre në përllogaritje me numrin e popullsisë si dhe me numrin e përgjithshëm të artistëve tregon se është një grup i konsiderueshëm. Formimi dhe edukimi i tyre i përket disa fushave të arteve figurative. Dënimi i tyre ishte politik. Përcaktimi ligjor i dënimit i përmbahet shprehjes “Armik i popullit” dhe përmbajtja e kësaj sentence i ndan ata në tre grupime si:

Për veprimtari armiqësore ndaj atdheut e popullit, që lidhej drejtëpëdrejtë me tradhëtinë.

Për veprimtari armiqësore e agjitacion e propagandë, që lidhej me rrëzimin e pushtetit popullor.

Për veprimtari armiqësore e për shfaqje të huaja moderniste në art, që lidhej me ndikimin e pikpamjeve borgjezo-revizioniste, të cilat ishin në kundërshtim me edukimin dhe kulturën revolucionare komuniste të të jetuarit.

Të akuzuar sipas këtyre tri akuzave disa artistë shqiptarë u veçuan si një grup armiqësor dhe humbën lirinë e krijimit, lirinë personale, u burgosën, madje ndërruan jetë në burgjet ku vuajtën dënimin. Disa u persekutuan me internime në vende të vështira për të jetuar, disa i detyruan të punojnë në mjedise prodhimi dhe të tjerë iu ndalua, për disa vite, krijimi dhe ekspozimi.

Për regjimin totalitar mendime të tilla ishin shkelje flagrante, të guximshme dhe provokuese, të cilat shkaktuan sëkëlldi, frikë, cmirë, mossinqeritet, urrejtje ndaj tij.

Për diktaturën dhe moralin komunist shprehja e mendimeve për një jetë dhe art të lirë ishin shpërfillje, mendësi borgjeze, dekadente e moderniste, ishin shfaqje e huaj.

Politika në arsye të origjinës familjare, sistemi totalitar në arsye të mosbindjes morale dhe kulturore, ekspertët e LShASh dhe kolegët e friksuar e të lodhur nuk e falën karakterin e vetndjerë e impulsiv të Edisonit, edhe pse ai disa herë bëri autokritikë.

Të gjithë bashkë e deklaruan “Armik të popullit”. 17 gusht 1968 filloi përndjekja, 13 janar 1975 u morr vendimi, 15 janar 1975 u arrestua, 18 prill 1975 mbaroi koha e hetuesisë, 29 prill 1975 u burgos në Spaç.

Nën zë dhjetra artistë të asaj kohe thanë se: “Edison Gjergo luajti me zjarrin komunist”.

Edison Gjergo u strapacua disa vite në burgun e Spaçit, i cili ishte një kamp i tmerrshëm vuajtje dhe pune të stërmundishme.

Edison Gjergo u lirua nga burgu më 15 nëndor 1982. Ai, pas burgut jetoi vetëm 7 vite.

Ishte një njeri tjetër nga Edisoni i viteve 70-të. Punoi si punëtor mirëmbajtje, shkrues parrullash.

Ai u mbyll në vete si një njeri i humbur, nën një disekujlibër shpirtëror.

Ishte i friksuar, i pashpresë, i pafuqi. Ishte pa miq e shokë.

Bëri një jetë të mbytur e në trishtim. Ai mbante në kurriz 1000 pikpyetje.

Ai pikturoi disa tabllo, por nuk i firmosi.

Malsorja – Punim nga Edison Gjergo

Epika e yjeve të mëngjesit – Edison Gjergo

 

Pas një jete të zvarritur, i martuar, me gruan shtazënë, plot brenga sociale, i parehabilituar, i cilësuar armik, i braktisur nga kolegët dhe miqtë, i sëmurë rëndë ndërroi jetë më 26 qershor 1989.

Gjergo dhe koha e tij. Në ditët e sotme, duke njohur jetën dhe krijimtarinë e tij mendoj se:

Edison Gjergo është produkt i besimit në vetëvete, i qëndrueshmërisë krijuese, i guximit për të mos u nënshtruar, i mosbesimit në marrjen e masave të egra dhe ekstreme ndaj tij; i vuajtjeve, kërcënimeve dhe i nënshtrimit në burg; i mungesës së forcës për të shmangur degradimin psikologjik e social dhe i një shoqërie që nuk e mbështeste dhe e ndihmonte individin, nuk protestonte e kundërshtonte, por ishte e nënshtruar.

Edhe pse në ditët e sotme trashëgojmë pak vepra, sepse studio e tij u bastis dhe veprat u eleminuan gjatë procesit hetimor, përsëri në sipërfaqen e tyre shohim përmbajte të lidhura ngushtësisht me kërkesat e temave që sugjeronte LShASh.

Ai, sipas kërkesës së kohës, pikturoi partizanë, punëtorë, fshtarë dhe heronj, por i perceptoi në mënyrën e tij si një artist që vlerësonte pavarësinë dhe individualitetit artistik të shprehjes së formës figurative. Përmes dezidencën, veprave dhe qëndrimit të guxmshëm për të mos e ndryshuar perceptimin figurativ modern ndaj subjektit dhe përmbajtjes socialiste dhe të 7 – të viteve të trishtuara të jetës së pasburgut, Edison Gjergo krijoi kohën e tij.

Ai dhe një grup artistësh të rinj dëshironin një mënyrë të ndryshme dhe rrugë të reja për zhvillimin e arteve pamore. Koha dhe sistemi nuk bënë asnjë kompromis me dëshirat e tyre dhe Edison Gjergos, Ali Osekut dhe Maks Velos nuk iu dha dora, nuk i shpëtuan dhe nuk e justifikuan rebelizmin e tyre.

Historinë e secilit individ dhe të një kombi apo shekulli e bëjnë kohët. Natyrshëm në formimin e një personaliteti të njohur ndikon periudha historike kur ai vjen në jetë, familja në të cilën rritet dhe koha kur formohet dhe ushtron veprimtarinë e vet të veçantë.

Edison Gjergo nuk e vlerësoi rrezikun që i kanosej. Ai u lind në një kohë të turbullt e të vështirë, kur Shqipëria sapo ishte pushtuar nga Italia fashiste. U rrit në vitet 40-50-të në fillesat e sitemit komunist, në mesin e një shoqërie të varfër e me mendësi feudale. Ndërsa prindërit, Vangjel dhe Kornelia e edukuan me pikturën, muzikën klasike, jurisprudencën dhe historinë. E edukuan në një “tryezë ku hahej me lugë e pirun”, siç në zhargonin e popullit filluan të dalloheshin familjet “borgjeze”, të edukuara e të arsimuara.

Kornelia Gjergo ishte mësuese dhe Vangjel Gjergo kishte qenë zyrtar, jurist e nënpunës në shërbim të Mbretërisë shqiptare. Pas çlirimit, familja Gjergo u përshi në listat e familjeve me origjinë të pasur e shtresë e lartë. Sistemi komunist i veçoi, i dalloi dhe i mbajti në survejim e përgjim.

Përndjekja për Gjergon ishte fenomeni më i paparashikueshëm, që më në fund iu nënshtrua. Ai e dinte që përndiqej, por nuk e besonte kurrsesi fundin e egër të burgosjes.

Koha e studimeve të larta ishte kohë e artë për të. Pedagogët e tij në ILA e vlerësonin pozitivisht dhe e dallonin për një talent të rrallë. Ai ishte i lirë. Krijimet e tij kishin një atmosferë figurative “moderne revolucionare”, që dallonte nga atmosfera e ngurtë dhe përshkruese e realizmit socialist. Këtë ai e besonte dhe nuk e parashikoi dënimin dhe persekutimin artistik.

Përndjekja e tij ka nisur nga fundi i vitit 1968, kur Edisoni kishte filluar të krijonte dhe jetonte në mënyrë liberale, i kënaqur me aftësitë e veta, por i pakënaqur nga niveli social dhe artistik i shoqërisë së mbyllur shqiptare. Ai kishte filluar të fliste hapur me disa individë, ndërmjet tyre dhe me përndjekësit e paguar të sigurimit të shtetit.

…………Kritikat e shpeshta e kthyen Edisonin në një rrebel të papërmbajtur dhe artist të pakënaqur, gjë të cilën e shprehu, lirisht te kolegë dhe njerëz të ndryshëm.

Nr. 190 i Vendimit. Edison Gjergo, i biri i Vangjelit dhe i Kornelias…Gjykata popullore e rrethit në bazë të neneve…vendosi të deklaroj fajtor të pandehurin…për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor … e dënon me 8 (tetë) vjet heqje të lirisë…u shpall sot me dt. 29. 04. 1975…”

Në Akt-akuzë shkruhet gjithashtu: “…Edison Gjergo,qysh nga viti 1970 e deri në kohët e fundit ka zhvilluar veprimtari armiqësore sidomos në fushën e artit …
duke qenë i molepsur me ideologjinë borgjezo-revizioniste dhe i prirë pas artit modern ka bërë piktura me përmbajtje reaksionare, dekadente dhe moderniste…

I pandehuri duke iu kundërvënë vendimeve të pleniumit të IV… i ka propaganduar dëshmitarëve…se arti ynë…nuk është asgjë, nuk ka shije artistike dhe nuk pasqyron realitetin…se arti nuk duhet të shpreh politikën e partisë, por duhet të jetë i pavarur…

Ai ka mburrur artistët e rrezikshëm modernist Frojdin, Shagallin, Sartrin, Kamy, Pikaso e tjerë…ka bërë piktura të ndryshme me përmbajtje moderniste e dekadente…”.

Ligjerata e paraqitur bukur estetikisht dhe në mënyrën grafike,ka brenda dhe aritistë të tjerë të dënuar politikisht dhe fakte të shkurtëra rreth tyre.

Krisanthi VENETIKU (1910 – 1979), Artiste fotografe. Janaq PAÇO (1914-1992), Skulptor

Abdulla CANGONJI (1920-1987), Piktor. Sabri TUÇI (1916-1992), skulptor Vangjush TUSHI (1914-1982), Piktor. Lekë TASI (1929), Piktor dhe Shkrimtar. Skënder PUKA (1931-2020), Piktor

Maks VELO (1935- 2022), Arkitekt dhe Piktor. Alush SHIMA (1942), Piktor

Edi HILA (1944), Piktor. Ali Oseku 1944-2024 Piktor. Arben Basha (1947), Piktor. Vasillaq KOLEVICA (1959), Qeramist

Lista e emrave, vazhdon edhe jashtë kësaj ligjerate, ne jemi brezi që e kemi jetuar kohën e qoftëlargut. Te tjera studime, shkrime, dhe filma do të behen, është obligim shoqëror, shpirtëror dhe atdhetar të nxjerrësh nga harresa jetën e një populli në diktaturë.

“Të them të drejtën, fjalën “socialist” që vjen pas fjalës “realizmi”, nuk e kuptoj; realiteti objektiv në art nuk ekziston, sepse nuk ekziston një realitet i tillë as si koncept në art. Arti është realitet i ri, që preket nga artisti dhe shijohet fortësisht nga njeriu”.

Këto ishin fjalët e pakta që piktori Gjergo tha në gjyqin famëkeq të tij.

Edison Gjergo, me pikturën, mendimin dhe jetën e tij, shkroi disidencën e vet, të cilën do ta trashëgojmë në historinë e arit shqiptar si koha e Edison Gjergos.

“Liria i njeh individit të vishet, sipas gustos dhe shijeve personale, të pikturojë ashtu siç e ndjen vetë artisti dhe jo sipas parimeve të realizmit socialist që e kufizon dhe e ndrydh artistin.

Ajo është shkollë e vjetruar, që nuk e justifikon koha dhe qëdo t’ia lërë vendin modernizmit.”- ngulte këmbë piktori Ali Oseku, skenograf në TOB asokohe. “

Zana në këtë punë hulumtuese të palodhur, duke e bërë fatkeqësinë e asaj kohe humbëse, të dukshme, të bësh të dukshme dhe forcën kundërshtuese të këtyre artistëve. Duke vijuar tek ndryshimet e kohes së vrazhdë imponuese, është një punë fisnike e studiueses.

Disa prej këtyre mgjarjeve, ne kemi dëgjuar prej miqve të tyre, të afërmëve, medias,lexuar dhe shkruar për kalvarin e vuajtjeve të tyre. Ata nuk janë vetëm, janë shumë të tjerë që kanë vuajtur diktatin e egër komuniste të asaj periudhe mashtruese afro gjysëm shekullore.

Zana flet me fakte të dukumenduara, të ilustruara me portretet dhe veprat e tyre, të cilat ishin shkak-pasoja, ku diktatura mbështeste akuzën, burgosjen, shkatërrimin e jetës së tyre… Akuza dhe dënime politike, prej atyre që jo vetëm se njihnin, nuk e donin artin por dhe e urrenin atë, mbështetur nga kolegët xhelozë dhe nihilistë.

Portat e artit modern ishin të mbyllura. Ndërkohë kualiteti estetik i tyre ishte i niveleve të larta. Të vemendshëm në përdorimin e stileve, duke e refuzuar stilin socialist edhe kur tematika ishte brenda kërkesave të llojit. Moskuptimi apo xhelozia ndaj mjeshtërisë brilante dhe virtuoziteti i pakrahasueshëm i tyre. Megjithëse ekspresionizmi ishte në mendësitë dhe brendësitë e tyre, në tablotë spikasnin elemente të modernizmit, qoftë dhe në tablotë e luftës apo të njerëzve të thjeshtë.

Thyerja e nudove me dorën që i krijoji, është një vetvrasje, drejt seë cilës të çonte diktatura. Një njëri mund të shkatërrohet por jo të mposhtet. Janë tiparet autentike të realitetit të rrëndë të kohës.

Ligjerata ka vlerësime nga personalitete te vendit dhe të huaja për këta artistë të paharuar, që do të ndriçojnë fort panteonin e artit shqiptar.

Mbi tablotë e pikturave të tyre, mbi skulpturat dhe artin që lëvronin, ata vunë mendësinë, filozofinë, kulturën e tyre. Arti është një punë vetmitare , është pasqyrimi i vetvetes.

Artistët nuk mund të futen në kornizë ashtu si tablotë e tyre. Artisti shpesh herë tejkalon vetveten… Ndërprerja e krijimtarisë me dhunë dhe urdhra, është ndërprerja e jetës për një artist. Thyerja e nudove me dorën që i krijoji, është një vetvrasje, për skulptorin e madh Janaq Paço, drejt seë cilës të çonte diktatura. Një njëri mund të shkatërrohet por jo të mposhtet. Janë tiparet autentike të realitetit të rrëndë të kohës.

Kjo për faktin e vetëm sepse mendësia e tyre ishte në mospërputhje të plotë me atë të sistemit socialist, veçanërisht, dhe egërsisht në sistemin tonë të përveçem, feudalo-socialist.

Studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka dhe Ligjerata e saj e përmbledhur mbi dokumenta, fakte dhe data e shoqëruar me fotot e personazheve që kontribuan në krijimin sistemit arsimor të arteve pamore, që nga fillimet e tij, me shkollat, kurset Liceun Artistik, Istitutin e arteve, me pas Akademi dhe sot Universiteti i Arteve. Fotot e Piktoreve të përsekutuar, dhe foto të krijimtarisë së tyre, megjithëse të krijuara nën diktaturë, janë art i vërtetë.

Gjatë ligjëratës, e ndala përqëndrimin tim, tek fotoja e tablosë “ Epika e Yjeve të mëngjesit” E kisha parë këtë foto disa herë botuar në revista. Jam tronditur thellë, kur e kam parë të varur në muret e dhomave të torturave në Shtëpinë me Gjethe. Sfondi surealist i një monodrame të Regjisorit Armando Bora, ku u luajt përsekutimi dhe torturat çnjerëzore të një gruaje. Paradokse dhe tragjedi që ua kalojnë atyre shekspiriane.

Edison Gjergo, i lindur në vitin 1939 me siguri ka lindur aty, në atë dhomë ku është torturuar. Aty ku sot është monument, tabloja e tij. Kjo shtëpi famëkeqe e quajtur Shtëpia me Gjethe, ka qenë dikur klinikë private në Shqipëri me drejtim Obstetrik/Gjinekologjik dhe kirurgjikal 1929-1944. E famshme dhe e vetme në kryeqytetin tonë. Klinikë private ku shërbenin mjekët shqiptarë të studiuar në perëndim. E ndërtuar dhe drejtuar nga doktori i famshëm, Jovan Basho, i cili la Austrinë për ti shërbyer vendit të tij. Arkitektura e saj, e ndërtuar nga arkitekti ausrtiak, kishte 33 dhoma ku qanin bebet e sapolindura. Më pas dëgjoheshin klithmat dhe vaji i djemve të nënave nën thundrat e torturuesve barbarë.

Dhe sa herë përmendet emri i Edison Gjergos, unë kam përpara syve “ Epikën e yjeve të mëngjesit” dhe sa herë shoh atë mëndoj torturat e djaloshit dyzete një vjeçar, i sapo fejuar humbi dashurinë. I sapo martuar humbi jetën në moshën pesëdhjetvjeçare, i shkatëruar moralisht dhe fizikisht, diktatura i kishte marrë gjithçka, nuk pati ç’ti merte vdekja.

Liegjerata e studiueses Zana Varvarica, preku shpirtin dhe mendjen e gjithë atyre që e dëgjuan. Zgjoi ndjenja të veçanta për secilin prej tyre.Tepër e vlefshme për tu botuar dhe njohur për këdo që e do dhe e ndjek artin, po në veçanti për nxënësit dhe studentët, që jo vetëm që nuk e njohin, por nuk e imagjinojnë dot atë kohë, se si ndalohej dhe persekutohej arti. Si dhe për të gërshetuar dhe krahasuar artin e kokës së shkuar me kohën e sotme, ku portat e artit janë të hapura, rymat e artit të lira, madje duke e shperdoruar këtë liri të sotme.

Urime dhe suksese të urojmë Zana, duke pritur Ligjerata të tjera të vlera.

Pikturë nga Maks Velo

Pikturë nga Lek Tasi

Pikturë nga Alush Shima

Pikturë nga Edi Hila

Skulpturë nga Janaq Paço

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Mësimet e jetës – kur babai na jep këshilla

Ishte një djalë që nuk i pëlqente të jetonte më në shtëpinë e prindërve për shkak se i jati e irritonte në mënyrë të vazhdueshme.
“Nëse nuk e përdor, fikeni ventilatorin.”
“Televizori është ndezur në dhomën e ndejtjes ku nuk ka njeri… Fikeni!”
“Mbylleni deren.”
“Mos harxhoni kaq shumë ujë”.
Djalit nuk i pëlqente që babai i tij ta shqetësonte për këto gjëra të vogla.
Ai duhej t’i duronte deri kur një ditë i erdhi ftesa për një intervistë pune.
“Sapo të gjej punën, do të largohem nga ky qytet. Nuk do t’i dëgjoj më ankesat nga babai im.”
Kështu mendoi djali.
Kur do të dilte nga shtëpia për intervistën, i jati e këshilloi:
“Përgjigjju pyetjeve që të bëjnë pa hezitim. Edhe nëse nuk e di përgjigjen thuaje me besim.”
Djali mbërriti në vendin e intervistës dhe vuri re se në derë nuk kishte roje sigurie.
Edhe pse dera ishte e hapur nga jashtë, ndoshta ishte një shqetësim për njerëzit që kalonin ose hynin atje.
Mbylli derën dhe hyri në zyrë.
Në të dy anët e e oborrit ai mund të shihte lule të bukura, por kopshtari e kishte lënë rubinetin të hapur dhe uji nga zorra vazhdonte të rridhte.
Uji vërshoi gjatë rrugës. Ai e ngriti tubin, e zhvendosi pranë bimëve të tjera që kishin nevojë për t’u vaditur.
Nuk kishte njeri në pritje, megjithatë, kishte një njoftim që thoshte se intervista do të ishte në katin e parë.
Ai ngjiti ngadalë shkallët.
Drita ishte ende e ndezur në orën 10 të mëngjesit, ndoshta nga nata e kaluar…
Ai kujtoi paralajmërimin e babait të tij:
“Pse dilni nga dhoma pa fikur dritën?”
…iu duk se e dëgjove tani. Ndonëse i mërzitur nga ky mendim, ai zgjati dorën nga çelësi dhe e fiku dritën.
Lart në një dhomë të madhe, ai pa më shumë njerëz të ulur, duke pritur radhën e tyre.
Ai shikoi numrin e njerëzve dhe pyeti veten nëse kishte ndonjë shans për të marrë vendin e punës.
Hyri në korridor me pak nervozizëm dhe shkeli tapetin “Welcome” të vendosur pranë derës, por kuptoi se ishte me kokë poshtë.
Ai e drejtoi tapetin me njëfarë irritimi.
Zakonet janë të vështira për t’u harruar.
Ai pa se në rreshtat e parë kishte shumë njerëz të grumbulluar së bashku, ndërsa rreshtat e pasmë ishin bosh dhe disa ventilatorë rrinin të ndezur pranë këtyre sediljeve.
Ai dëgjoi përsëri zërin e të atit:
“Pse janë ventilatorët e hapur në zonën ku nuk ka njeri?”
Ai fiku ventilatorët e panevojshëm dhe u ul në një nga karriget bosh.
Ai pa disa burra që hynë në dhomën e intervistës dhe dolën menjëherë nga një derë tjetër.
Kështu që askush nuk mund të merrte me mend se çfarë po pyetej në intervistë.
Kur i erdhi radha, ai qëndroi para intervistuesit me njëfarë shqetësimi.
Menaxheri mori dokumentet e tij dhe pa i parë i pyeti:
Kur mund të filloni të punoni?
Ai mendoi:
“A është kjo një pyetje mashtrimi e bërë gjatë intervistës apo po më ofrojnë vërtet punën?”
Cfare po mendon? – pyeti shefi. Pastaj më tutje shtoi. “…nuk i bëjmë pyetje askujt këtu, sepse besojmë se përmes tyre nuk mund të vlerësojmë aftësitë e dikujt.Prandaj, testi ynë është të vlerësojmë qëndrimet e personit. Ne bëmë disa teste në bazë të sjelljes së kandidatëve dhe vëzhguam të gjithë përmes kamerave të vëzhgimit. Askush që erdhi sot këtu nuk bëri asgjë për të rregulluar derën, tubin, tapetin e mirëseardhjes, fiku ventilatorët apo dritat që punonin kot……Ti ishe i vetmi që e bëre, prandaj vendosëm të të zgjedhim për këtë punë”, tha shefi.
E kishte mërzitur gjithmonë disiplina e të atit, por deri në atë moment e kuptoi se falë saj mori punën e parë.
Irritimi dhe inati ndaj të atit i ishte zhdukur fare. Djali u kthye në shtëpi i lumtur.
Gjithçka që na thonë prindërit është vetëm për të mirën tonë, duke na uruar një të ardhme të ndritur për ne.
Për t’u bërë një qenie njerëzore me vlerë, duhet të pranojmë këshilla, korrigjime dhe udhëzime, të cilat eliminojnë zakonet dhe sjelljet e këqija. Këtë bëjnë prindërit tanë kur na disiplinojnë.
Babai ynë është mësuesi ynë kur jemi pesë vjeç; është një “njeri i vrazhdë” kur jemi në të njëzetat dhe një udhërrëfyes gjatë gjithë jetës.
Nënat mund të shkojnë në shtëpitë e fëmijëve të tyre ndërsa babai jo.
Nuk ka kuptim t’i lëndosh prindërit kur janë gjallë dhe të pendohesh kur të ikin.
Trajtojini gjithmonë mirë./ Marrë nga rrjeti – përktheu EB

In Memoriam Më 28 Qershor 2020 u nda nga jeta Nderi i Kombit Besim Zekthi – “Shqipja më dha krahë” Nga Albert Vataj

Nga Albert Vataj

Folku shqiptar dhe etnosi, një ndër traditat më të papërsëritshme në historinë e përfaqësimit të identitetit tonë kombëtar në botë, një nga resurset më të pasura të visarit tonë shpirtëror, nuk mund të kuptohet pa vallën popullore dhe vetë ajo në gjënezën e saj, deri sot, nuk mund të identifikohet më kurrëçka tjetër, vetëm me “Vallja e shqipes”, apo “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Ndërsa shoqëritë zhvillohen dhe ne përpiqemi të jemi në një hap me ta dhe modernizimin që pa asnjë mëdyshje, ka prekur dhe përfaqësohet dhe nga ndryshimet në art, folku në tërësi dhe vallja popullore në veçanti, dëshmojnë se janë maja të dimensionit tonë artistik dhe shpirtëror. Dhe vallja popullore në ecurinë e saj, në mëvetësimin e saj, si traditë dhe vlerë kombëtare shqiptare, nuk mund të kuptohet pa përfaqësuesin e saj më të spikatur, Besim Zekthi. Artikulimet për Zekthin janë të shumta, veç morisë së çmimeve, titujve dhe ndërimeve, që kanë ndjekur për katër dekada. Ndonëse në kufinjtë e 71 viteve jetë, ai është ende ai burrë shtatlartë, i hijshëm e plot rrezatim jete dhe shprehije emotive. Tek ai arti në tërësi dhe vallja në veçanti, kanë skalitur tiparet e një personazhi që rrezaton. Gjithçka tek ai është përplot, megjithëse në rrëfenjën për jetën dhe veprimtarinë e tij në art, nuk ka gjasa të japë dorëheqje. Madje ai nuk nguroi të nxirrte dhe një sekret profesional. Bëhet fjalë në lidhje me ambicjet e tij artistike, një aktivitet që do të bëjë në vitin 2008, ku kryesisht do të dominojnë krijimtaritë e tija koreografike, natyrisht pa lënë jashtë skenës vallet që bënë epokë, ekzekutimi i të cilave i dha atij nderime dhe vlerësime në të gjithë botën. Ai nuk hezitoi të na bënte me dije dhe për pagëzimin që i ka vënë paraprakisht këtij promocioni folk, “Shqipja më dha krahë”. Nuk e e fsheh, se kanë qënë “Vallja e shqipes”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, etj, të cilat e kanë bërë atë kaq të famshëm, kaq popullor dhe identitetin tonë kulturor një trofe në skenat prestigjozë të folkut. Ndjenjat e kombit tonë janë jashtëzakonisht të prekshme. Për shembull, vallja “Kreshnikët e lirisë”, siç i thotë populli “Vallja e shqipeve”, që është e filmuar në Krujë, këto karaktere vallesh, qofshin këto të Jugut, Shqipërisë së Mesme, apo Veriut kanë domethënien e tyre, kanë fjalën e tyre, kanë shprehinë e tyre. Me të vërtetë është pa gojë, por shpirti, interpretimi, sytë komunikojnë aq bukur me popullin saqë duket sikur çdo gjë cicëron, çdo gjë flet, kështu janë vallet dhe ai interpretim që i kemi bërë ne kësaj kulture kombëtare. Kam bindjen se uji do të shkojë në rrjedhën e vetë, atje ku duhet të shkojë. Çdo gjë mund të harrohet, kultura e kombit nuk mund të harrohet. Nuk mund të ketë komb pa një kulturë të traditës, të lashtësisë, të jetës, aty ku ka lindur ai komb dhe aty ku ka pasqyruar jetën, historinë, punën, vajin, gëzimin, vallen, këngën, instrumentin, kostumin popullor, të gjitha këto janë shkrirë në historinë e kombit tonë. Janë monumentet e kulturës, ajo s’diskutohet, por monumente më të gjalla se sa mund të jenë vallet dhe këngët e historisë së kombit tonë nuk ka.

Intervista me Besim Zekthi, 01.12.2007

Ku dhe si janë të vendosura zanafilat e para të ngjizjes suaj për nga ai talent i padiskutueshëm dhe ajo famë që mban të mbështjellë si në një brerorë shëndritëse Besim Zekthin?

Fillimet e mija janë të vendosura në fëmijërinë time, në lëvizjet e atëhershme, në aksivitetet e shtëpive të pionierit, siç quheshin asokohe. Më 1952 prezantohem në Filarmoninë e Shtetit, ku bënin pjesë pothuaj të gjithë hallkat e veprimtarisë kulturore artistike të kohës. Të gjithë jepnin shfaqje në Teatrin Popullor, ku drejtor ishte Kol Jakova. Më 1957 u ndje nevoja e ndarjes së institucioneve, Teatri i Operas dhe Baletit, Teatri Kombëtar. Po në këtë vit u krijua Ansambli ii Këngëve dhe Valleve Popullore, të cilin e drejtonte “Artisti i Popullit”, Çesk Zadeja.

Çfarë do ta konsideronit si të rëndësishme, për atë periudhë, ndërsa domosdo duhej që duke ruajtur dhe pasuruar traditën, të mbartte me vete kjo dhe profesionalizmin?

Prezenca e disa profesorëve rus ka qenë shumë e frutshme dhe ndikoi në rritjen profesionale dhe forcimin e tabanit popullor. Mund të nominoj për kontributin e dhënë, profesor Georgi Perkun, Boris Ramazin. Kjo ndihmesë e profesorëve rusë, në bashkëpunim me koreografin Gëzim Kaceli, Panajot Kanaçi, kanë ndikuar në zhvillimin, jo vetëm profesional por dhe shpirtëror të valles popullore shqiptare. Atë kohë u krijuan disa punë më vlerë dhe që do të mbetnin të pavdekshme në memorien artiskike të shqiptarëve, si “Vallja e shqipeve”, “Komitët e lirisë”, të Engjëll Tërshanës.

Tashmë ju do të hidhni hapin më të rëndësishëm të personalitetit tuaj artistik dhe konkretisht ju do të kishit dhe punët tuaja në vallen popullore shqiptare?

Po. Krijimtaria ime, e cila është produkt i një eksperience të çmuar dhe të vlerësuar. Do të ishin “Motivet e Librazhdit”. Në 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mora përsipër një përgjegjësi të guximshme, të përpunoj vallën kosovare. Përpunimi im koreografik do të mbante vulën në vallen “Dasma e Rugovës”, e cila i kushtohej kryengritjes së famshme të Rugovës.

Kontributi në vallen shqiptare dhe vlerësimi, natyrisht që nuk ka munguar edhe në skenat botërore. Madje në kujtesën e viteve ngelet e pashlyer triumfi i traditës artistike të tabanit popullor shqiptar në këto skena. Çfarë do të risillnit në retrospektivë?

Krahas një trajtimi profesional dhe një vlerësimi që i bëhej kulturës popullore në përgjithësi dhe valles popullore në veçanti, natyrshëm që frytet e punës, përpjekjeve dhe triumfit të shpirtit artistik do ti vilnim kudo ku Ansambli i Këngëve dhe Vallëve Popullore do të ngjitej në skenë. Por kulmin përfaqësimi kulturës tradicionale shqiptare e pati në Dizhin të Francës, në vitin 1970, ku u vlerësuam me Gjerdanin e Artë. Ai ishte arritja më e madhe e asaj kohe për artin dhe kulturën shqiptare në skenat prestigjoze botërore. Të mos harrojmë se ishim në Francë, në vendin e kulturës, sikurëse nuk duhet mënjanuar dhe sfidat e përfaqësuesve të vendeve të tjera që morën pjesë në këtë aktivitet.

Në këtë larushi aktivitetesh dhe pjesëmarrjesh, a do të kishit ndonjë eksperiencë, e cila ka lënë gjurmë në përvojën tuaj si e mrekullueshme dhe e paharrueshme?

Ishte viti 1971, pra një vit pas famës së Dizhonit, në Ohër të Maqedonisë. Atë vit organizohej Festivali i Ohrit. Ishte kontakti i parë i kulturës shqiptare me atë të trojeve etnike. Në Ohër deri në atë vit nuk mbahej mend një pjesëmarrje dhe një popullaritet kaq i madh. Ishin aty që nga Shkupi, Kërçova, Dibra e Madhe, Struga, Manastiri, etj. Kudo përballeshe me bashkëatdhetarë, me mallin që shpërthente me lotë dhe dashurinë që nuk mund të ndeshej askund tjetër me aq zjarr. Përfaqësues të kulturave dhe traditave të gadishullit ballkanik vlerësuan maksimalisht performancën dhe përmbajtjen, shpirtin dhe sharmin e artit shqiptar. Ata pranuan hapur dhe publikisht, se kultura dhe tradita artistike e popullit shqiptar është maja e kulturës së Ballkanit.

Megjithëse vend i izoluar, kultura ka mundur t’i thyej hekurat e rrethimit të diktaturës dhe të përfaqësojë shpirtin dhe temperamentin e këtij populli nëpër botë. Madje Ansambli i Këngëve dhe Vallëve Popullore ka një hartë të pasur të gjeografisë artistike, a mund të na rifreskoni kujtesën?

Nga Azia në Afrikë e në Evropë. Në Egjyptin e lashtë të piramidave deri në Kartagjenë, Algjeri  e Marok, nga Kina në Kore, Vietnam e Kamboxhia, Francë e Itali, Danimarkë e Norvegji, Suedi e Finlandë. Është vërtetë një larmi shtetesh dhe skenash ku trupa jonë është ngjitur me duartrokitje dhe ka zbritur me trofe, nderime dhe vlerësime maksimale. Kudo kemi shkuar dhe kudo kemi marrë vlerësime dhe ovacione të publikut, i cili e ka mirëpritur dhe ka dashuruar menjëherë kulturën popullore shqiptare. Flamuri ynë është valëvitur në sa e sa skena dhe kudo është nderuar.

“Festë të madhe ka sot Shqipëria” është një nga vallet më të spikatura dhe që ka patur një jehonë dhe që të godet emocionalisht edhe sot për sfondin e saj kombëtar, virtuozitetin e vënies në skenë, natyrisht që ka zanafillën e saj?

Me rastin e 50-vjetorit të Festës së Flamurit në Vlorë, isha i ftuar, sigurisht për të kërcyer. Në një program qeveritar që do të mbahej atë natë, për nder të festës ndodhej një grup kosovarësh që rrinin në Rrushbull. Ata kanë pasur një rapsod, të quajtur Dervish Shaqja, një rapsod që rrallë e sjellë historia e tokës si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë. Atëherë, për të përshëndetur nga ana e Kosovës këtë natë feste të 50-vjetorit të Flamurit ishte zgjedhur grupi i Dervish Shaqes. Dhe si fillonte kënga e Dervishit? “Festë të madhe ka sot Shqipëria, këngë e valle për jetën e re, brohorasin të gjithë nga zemra, rrofsh sa malet, o jubile”. Kjo këngë pas një viti, u bë himni i valles “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Këtu filloi embrioni i kësaj valleje, nga kënga madhështore e jubileut të flamurit dhe që u bë simbol i kulturës kombëtare shqiptare në gjithë botën, deri në Gjerdanin e Artë në Francë. Me krijimtarinë e kësaj valleje u mor profesori im, “Artisti i Popullit”, Panajot Kanaçi. Sigurisht në bashkëpunim edhe me valltarin, se e do një bazament njeriu se ku duhet të mbështetet, e unë shumë herë isha inspirues i krijimit për profesor Panajotin, ai gjente tek unë figurën, jo vetëm artistike, por gjente figurën shpirtërore të valles shqiptare.

Natyrisht që edhe sot vallja luhet dhe spikasin penetrime të përvojave të huaja, madje edhe kur lëvrohet tabani kumtohet një vullnet dhe emocion që përçohet tek spektatori, ju çfarë mendoni për sot?

Natyrisht që interpretimi ka nevojë për shumë punë. Shumë, ose pothuaj të gjithë kanë kaluar përvojën arsimorë për profesionin, por mund të mbarosh disa shkolla dhe nuk arrin atë që spektatori është i gatshëm ta marrë. mish populli në interpretimin e tij. Unë gjithë jetën time rëndësinë më të madhe ia kam vënë interpretimit, çfarë ka dashur shpirti i popullit me thënë me atë. Në qoftë se nuk ke arritur ta zbërthesh shpirtërisht, nuk ke bërë asgjë, je një kukull, nuk ke asnjë vlerë, prandaj fatkeqësia është se në këto raste mjeshtrit e mëdhenj duhet të punojnë jashtëzakonisht shumë me këta elementë të rinj që janë mësuar të kërcejnë gjoja në mënyrë moderne, do të thosha, është pseudomoderne, nuk është absolutisht moderne, moderne është ajo që është antike, janë monumentet e kulturës, janë piramidat e Egjiptit. Kanë nevojë për një punë shumë të imët, shumë profesionale, në mënyrë që të mos e zhveshin vallen nga shpirti i popullit. Unë e kam mishnu popullin tim shpirtërisht. Në radhë të parë i kam dhënë shpirtin, pastaj i kam dhënë krahët.

Kush ka qenë  kërcimi i fundit i juaji në një skenë prestigjozë dhe a mendosi se ai do të jetë i fundit?

Kërcimi i fundit ka qenë në Festivalin e fundit Folklorik të Gjirokastrës. Natyrisht që sot 71 vite nuk janë pak dhe e lehtë për t’u sfiduar, por mendoj se shpirti dhe dashuria që më ka ngjizur në shpirtë vallja popullore shqiptare nuk do të më lënë të kërcej asnjëherë kërcimin e fundit.

Çfarë do të mendonte Besim Zekthi për prurjet e fundit muzikore në përgjithësi dhe atë koreografike në veçanti. A mendoni se ndikimet e kulturave të huaja do të kërcënojnë traditën e këngës dhe vallës popullore shqiptare?

Montalisht edhe mund të flasësh për një kërcënim të mundshëm, por unë nuk do ta shikoja këtë si një rrezik për traditën e shkëlqyer të kulturës popullore shqiptare. Gjithë këto prurje i konsideroj si një ndikim kalimtar në kulturën tonë. Ata nuk mund të ndikojnë në ndryshimin apo tjetërsimin e tabanit të kulturës popullore dhe shpirtin e folkut.

Kush janë planet e afërta artistike për mjeshtrin Besim Zekthi?

Më 2008 do të jem me një krijim timin koreografik të titulluar “Shqipja më dha krahë”. Po punoj për këtë projekt. Mendoj se kjo do ti shërbejë një rigjallërim të emocioneve dhe shpirtit shqiptar. Vallet shqiptare janë të mrekullueshme.

E Shtune, 01.12.2007

Intervistoi dhe përgatiti Albert Vataj

U prehsh ne paqe Agim Doçi Nga Gazmend Mullahi

 

U prehsh ne paqe Agim Doci.

Poeti rrebel e kontravers i fjales ne biseda dhe deri diku i asaj te shkruar por, i bute dhe lakonik i fjales qe shoqeronte kengen e kenduar me melodine qe buronte nga zemra.

I veçante, spektakolar dhe “zhurmemadh” ne mexhlise mes dashamires, kolege e patriote.

I bute dhe bashkeshort e familiar i rralle qe gjithmone enderrove dhe e deshirove ate te ishte e madhe dhe numeroze.

Do i mungosh bashkeshortes, qe tu perkushtua aq fort viteve te fundit te lumturise bashkeshortore .

Do u mungosh komunitetit artistik vecanerisht i asaj te kenges qe ti iu perkushtove me shume nga çdo skill tjeter qe natyra dhe talenti yt te fali.

Ti do mbetesh inxhenieri i dipllomuar elektrik qe ke “elektrifikuar” mendjet dhe zemrat e mijra njerezve ne familjet e tyre duke sjelle vargun, fjalen e zgjedhur dhe te mencur qe si melhem ka frymezuar e qetesuar zemra te cdo shtepie shqiptare.

Nderim kujtimit jetes dhe vepres qe dhurove bujarisht sa ishe ne jete mbi kete toke.

Ngushellime dashamiresve te tu .

Peng qe su ndodha prane per te dhene lamtumiren.

Biseda dhe kafeja e fundit konsumuar bashke pak muaj me pare do mbetet nje kujtim i paharruar ku qeshem shume dhe beme humor pa menduar se do ishte e fundit per ty.

Lamtumire mik !
💐🌿

Bashkëshortja e Agim Doçit: Atij iu bë vrasje politike, as pensionin nuk ia dhanë

Në një agjenci funerale u mbajtën homazhet për poetin Agim Doçi, fitues i mbi 50 çmime në festivale të këngës.

Ai u nda nga jeta për shkak të një hemorragjie cerebrale, ndërsa nuk dihet pse institucionet nuk organizuan homazhet në nder të tij.

Yllka, gruaja e poetit, tha se ai nuk është vlerësuar sa duhet.

‘Agimi nuk është vlerësuar sa duhet.

Një mjeshtër si Agim Doçi nuk arriti të merrte as pensionin që i ka takuar prej 11 vitesh. Agimit i është bërë vrasje politike’, tha gruaja.

Ndërsa motra e tij tha: ‘Ai nuk është vetëm vëllai im, është pjesa më e bukur e imja dhe atyre që e jetuan me krijimtaritë e tij. Nuk është se na u ofrua ndonjë për homazhe, mendoj se ai është shumë i kënaqur që donte dashurinë e njerëzve dhe jo të institucioneve’.

Agim Doçi ishte një prej krijuesve të shumë teksteve të këngëve shqiptare.

Në festivalet e këngës ishte fitues i mbi 50 çmimeve, krijues i më shumë se 3.000 teksteve të këngëve që janë kënduar nëpër festivale i kanë rezistuar kohës dhe vijojnë të dëgjohen dhe sot.

HIPOVARAKA MA SHPIF. SIDOMOS NË DHEMBJE… – Kushtrim elegjiak – Nga Albert HABAZAJ

 

Atij burri të rëndë sa e sa herë iu gris kuleta, xhepi
Atij burri të lartë thesi i halleve nuk iu gris një ditë,
Atij burri epik asnjë nga këta krokodilët e dreqit
S’i zgjati dorën kur breshëri e qëllonte tek çante stuhitë.

Më dhembi ikja e Artistit të madh, që s’e mbështetën,
Më çmendi turrja e atyre derrave që qanin për t’u dukur,
Ato maska me varak të shëmtuar qysh na mbetën,
Si kopili në derë, e s’u vjen rëndë brenda për t’u futur.

Ato maska turreshin të çakallosur në qelqin digjital
Rëndë të penduar a të malluar,…si kofini pas të vjeli,
Vërsuleshin kush i pari pas vdekjes t’i thoshte më fal (?!)
Ç’më gërryen dufi, pse hipokrizinë s’e varin te çengeli!…

Më dhëmbi sa më piku kur pashë duke qarë
tek holli i institucionit edhe atë surrat zhapikun…,
Po në gjallje, Artistit ç’nuk i kishte lënë pa sharë
I ngula sytë te lotët e krokodilit, si pusht i vogël iku…

Më çmendi, sa ma shpifi hipokrizia. S’u besova syve,
E mëshirova me neveri … Po deri kur, të shkretën?
Artisti i vërtetë gjigand do të prehet me yje
Liliputi?…Për liliputin faljet e Zotit mbetën.

S’më mba vendi, atë gjallesë, tutem ta quaj njeri
Varak i shpifur sa s’thuhet, papastërti le mbrapa,
Burrë i pa bërë, vogëlush që dridhet, fatkeqësi,
Që në emër të fëlliq sa s’shkruhet – hipovaraka.

Vrasja e poetëve Nga Bedri Çoku

Kriza për të folur shqip! - Shekulli

Bedri Çoku

O, qytetar ! Ti që kalon në qytetin e Librazhdit,
Mos harro të kthesh kokën, të përshëndesësh
Poetët e shtrirë në mes të “Shkretëtirës”, etur për liri…

Po të ishin gjallë, patjetër do të pija kafe me ta dhe, pasi të kishim mbaruar bisedat tona të dashura për artin dhe letërsinë, me siguri do të kishim “kapërcyer” në politikë. E pamundur të shpëtojnë shqiptarët pa u katranosur disi edhe me politikën e përditshme, të fëlliqur në vendin tonë. Në fund të fundit, është e vetmja narkozë që mbyt hallet e dertet e njerëzve të pasur e të varfër, të rinjve e pleqve, burrave e grave, të diturve e budallenjve. Por… meqë s’jetojnë, sepse i vranë barbarisht, ngase ishin më të mirë nga ç’duhej, (komunistët s’e durojnë dot të mirin, të fortin e të bukurin), si moshatarë, pak a shumë, do t’u tregoja ç’ka ngjarë në këto tri dekada që s’jetojn, qysh nga 17 korriku i vitit 1977… Mirëpo…

“E tmerrshme! E tmerrshme!” bërtiste daja i Genc Lekës teksa kthehej një ditë në shtëpi, i dërmuar shpirtërisht.
“Ishte i zbehtë dhe gati i vilanosur, kur po ngjiste shkallët e verandës”, tregon e bija.
“Më sillni një gotë ujë!” – thirri ai, duke u mbajtur me zor te parmakët e verandës… I kanë vrarë barbarisht… i kanë masakruar djemtë, poetët tanë”.
“Çfarë thua, more baba?” e pyeti e bija e tronditur
Vetëm pasi ai u rehatua në divan, e morëm vesh pse ishte aq shumë i tronditur…
Vazhdoi e bija të tregonte
Babai kishte blerë gazetën, ku gjendej një shkrim i Bedri Blloshmit dhe ishte ulur në një nga stolet e lulishtes, përpara parlamenti. Në stolin përballë gjendeshin edhe dy burra të tjerë, pak a shumë të thyer në moshë. Njëri prej tyre kur kishte parë babain që po mblidhte gazetën, pasi e kishte e lexuar, iu lut t’ia jepte për t’i hedhur edhe ai një sy…
Sapo kishte parë titullin e artikullit të shkruar nga Bedriu, vëllai i poetit të pushkatuar, Vilson Blloshmit dhe kushëririt të tij, Genc Lekës, çuditërisht nisi t’i tregonte shokut se si i kishin pushkatuar ata të dy te “ Përroi i Firarit”, në Librazhd.

– Kam qenë pushkatar – i tha ai shokut të tij – nuk do ta harroj kurrë atë natë, kur isha caktuar edhe unë për të zbatuar pushkatimin e tyre. Na kishin urdhëruar, ne, pushkatarët që, në fillim nuk do të qëllonim të gjithë mbi të dënuarit, me vdekje. Kishin caktuar njëri prej nesh për ta bërë atë. Nuk e dinim cili ishte ai, dhe ç’ porosi kishte marrë. Ai qëlloi vetëm mbi njerin prej tyre. Të dënuarit ishin lidhur përdore. Qëlloi mbi atë, në krahun e majtë, i cili u varë duke rënkuar, pasi plumbi nuk e kishte prekur në zemër. Ai rënkonte, gjithmonë rënkonte… Njëri nga të ministrisë së brendshme iu afrua tjetrit. I tha, nëse do të pranonte bashkëpunimin me organet e Sigurimit të Shtetit, nuk do ta pushkatonin dhe kushëririn do ta shëronin… E kam parasysh si tani atë që rrinte gjysmë i përkulur nga pesha e trupit të të plagosurit. Shumë kurajoz dhe kokëfortë…Gulxhonte nga inati… Vetëm shante dhe pështynte drejt nesh…
Nuk e di si do të sillesha unë po të isha në vend të tij, duke dëgjuar rënkimet e kushëririt e të shihja gjakun që rridhte çurg prej tij… Në moshë të re… Vdekja… Me siguri do të isha dorëzuar… Për Zotin, jeta është e dhimbshme. Sidomos, kur je në moshë aq të re, jeta të duket shumë e shtrenjtë! Pa diskutim do kisha pranuar.

– Po Vilsoni, cili ishte? – pyeti shoku me padurim.

– Ai, pra, që fliste… sikur s’ishte në vete, fliste papushim… Përsëriste gjithmonë: Jeni të poshtër… kriminelë! Fëlliqësira… Më mirë vdes se sa të bëhem spiuni i juaj… Më mirë pleh për bimët, se sa t’u shërbej juve… Qëllomëni, maskarenj! Vriteni Lekën! Pse e torturoni? Apo të tmerrohem unë?… Kot e keni! Ne jemi të pandarë, në këtë dhe në atë jetë!
Na çuditi të gjithve. Pritëm gati njëzet minuta që ai të ndërronte mendje. Por ishte e pamundur. Kur na dhanë urdhrin për ta qëlluar, të them të drejtën, m’u dhimbs shumë. Ishte trim dhe besnik… E sharruam njëherë në mes, se ashtu na urdhëroi komandanti. Pastaj ai i shkoi pranë dhe i tha:
“Nuk deshe të jetoje në Paris a në Nju-Jork. Rrugë të mbarë, djalosh. Ja bëre vetes”!
E qëlloi me një plumb në ballë. Atë bëri edhe me tjetrin, që s’i kish dalë shpirti ende…
Babai, tregon vajza, kur kishte dëgjuar këtë rrëfim, ishte tronditur aq shumë sa s’kishte pasur mendje ta pyeste pushkatarin, të paktën sa për t’i mësuar emrin atij. Vetëm fshiu lotët, ndërsa rrëfimtari largohej qetë-qetë, nga lulishtja e parlamentit, ku, pak muaj më parë, ishin diskutuar ligjet për dënimin e krimeve të komunizmit…

Albin Kurti: Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Rexhep Ferrit, piktor, profesor dhe shkrimtar

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Rexhep Ferrit, piktor, profesor dhe shkrimtar. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ferri dhe gjithë komunitetit artistik në emër të popullit dhe qeverisë së Kosovës.
Rexhep Ferri, i lindur në vitin 1937 në Kukës, jetoi dhe punoi në Prishtinë. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd në vitin 1966 dhe përfundoi masterin në vitin 1970. Që nga viti 1974, ishte profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe në vitin 2000 u bë anëtar i rregullt.
Rexhep Ferri organizoi shumë ekspozita të pavarura kombëtare dhe ndërkombëtare dhe mori pjesë në ngjarje të rëndësishme artistike në Kosovë dhe jashtë saj. Në vitin 1971, ai u nderuar me Çmimin e Dhjetorit për kontributin e tij në artin figurativ.
Përveç veprave artistike, ai ka botuar edhe poezi, ese dhe romane që pasurojnë trashëgiminë tonë kulturore.
Në vitin 2021, ai u nderua me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Muslim Mulliqi” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që iu dorëzua në vitin 2022. Më 26 gusht 2023, kisha nderin ta takoj personalisht dhe të bisedoj me të për artin dhe trashëgiminë kulturore, një takim që nuk do ta harroj asnjëherë dhe do ta mbaj si kujtim të veçantë.
Kontributet e tij si pedagog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës kanë lënë një trashëgimi të pasur artistike dhe edukative. Kosova humbi familjarin e dashur, Akademikun, Profesorin, shokun, kolegun dhe një nga figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës. Do të kujdesemi që vepra e tij të dokumentohet, të mbrohet dhe të njihet e studiohet nga gjeneratat e reja.
Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të. Le ta kujtojmë dhe nderojmë gjithmonë jetën dhe veprën e Rexhep Ferrit.

Nëse do të thuash që Kadri Roshi ishte gjeni në interpretim – Thuaje, nuk je gabim! Nga Mevlan Shanaj

PIJE DETIN KSANT !

Na ishte bere lajtmotiv ritheksimi i shprehjes goditëse te “ Dhelpra dhe rrushtë” e Ezopit të shkrimtarit brazilian Guilherme Figueiredo -vënë në skenë nga Mihal Luarasi në mesin e viteve 60 në Teatrin Popullor.

Akcentimi i përkryer nga Kadri Roshi ende më tingëllon sikur po e dëgjoj atë zë gati gati si një refren i një melodie që të shoqëron shpirtin në një meditim pa fund emocioni ndjellës .

Ishim studentë në të njejtin mjedis të teatrit dhe këtë shfaqje madhështore mund ta kemi parë mbi 50 herë.

Në atë kohë Kadri Roshi ishte në kulmin e tij aktoresk pak më vonë edhe me Arturo Ui(Bertolt Brecht ) e vendosën Kadri Roshin në majat e krijimit aktorial në Shqipëri duke pasur kokën tjetër të shqiponjës Hamletin (Shakespeare ) apo Ferdinantin “Intrigë e dashuri”( Friedrich Schiller ) të Naim Frashërit!

Vite më vonë Kadri Roshi përmes ekranit u shumëzua në Shqipëri tashmë si një ” Mesi “e aktrimit. Bëmat e tij po vinin edhe si legjendë.E kishin dënuar me “Riedukim” formula të asaj kohe (mendo dënohej Kadri Roshi për riedukim). Formulat e kohës kishin lëvizjet amatore. Ndërmarrja”Rruga ura” ku po edukohej Kadri Roshi, do të jepte shfaqje “Komandanti Rrapo” dramatizim i Dritero Agollit.

Interesimi i jashtështëzakonshëm për të parë mallin e publikut ndaj Kadri Roshit, po rikthehej në skenë magjistari, i cili u fut në teatër gati si ilegal në atë periudhë.

Lotët ishin të përligjura jo vetëm për të, ndoshta për gjithë sallën!

Mua më erdhi rasti të jem së bashku me të në filmi “ I teti në bronx” : Zamet e ke o Sali Protopapa, më puth një herë, ta kem kujtim në botën tjetër ( kujtoni se në çdo dalje të tij para publikut është një thënie që nuk harrohet, sepse ishte ai që dinte ta përcillte mes tjerave ” Gërmo o Tare, gërmo se qenin e ngordhur do gjesh” te ” Përballimi “Hani ju hani” -“Lulëkuqet mbi mur”) Thënie gati si biblike, punët tona falna sot!

Më kujtohet një herë kur të dy po rrinim nën një diell dhjetori rrezë kalasë në Libohovë, po pinim nga e njëjta faqore raki, kur Kadriu nisi të recitonte “ Këngë Pleqërishte” një magji e kënduar sipas shpirtit kur ke hedhur pak raki dhe më thotë: Ky diell kërthi dhe kjo raki e bëri kaq bukur këtë çast!

Unë i thashë këtë kërthi e përdorim edhe ne në Mallakastër , u çudit që isha nga vendi i tij.

Unë nuk e dija nga ishte. Ai aty me tha se e quante veten mallakastriot. Ishim në filmi “ Malet me blerim mbuluar”. Më pas te çasti që më qëllon me shpullë sa i hante krahu, më përkëdhelte flokët pas çdo dubli dhe më thoshte: -Më fal, sqap!

Kaluan vite dhe e mora në filmin “ Fletë të bardha” për specialistët apo kritikët e ndershëm, aty Kadri Roshi ka një krijim të një qytetari bashkëkohor shqiptar në përsosmëri. Nga gjithë bashkëpunimet e mia me të gjithë emrat e mëdhenj të artit shqiptar. Mbaj ment sjelljen prej nxënësi te fillores te Kadri Roshit, gjatë përgatitjes së xhirimit ngrinte dy gishtat dhe thoshte: Me leje regjjsor?!

Eh ç’mund të thuhet më tej, pasi këto dy ditë e kisha në ekran te “ Fletë të bardha” pas 30 vjetësh , “nxënësin” më të madh që kam njohur në jetë (me dy gishta si dikur në fillore më thoshte” me leje regjisor”) .

E konsideroj veten me fat që kam punuar me këta magjistarë të interpretimit.

U kujtova për pasionin e Kadri Roshit, peshkimin.

Nga fillimi i viteve ’70 kisha filluar të merresha me dokumentarë ne TVSH dhe me kamerën e Stefan Gajos u nisëm me një grup artistësh për peshkim në Lezhë, kuptohet natën.

Arritëm atje në mugëtirën e mëngjezit dhe sa ndaluam artistët peshkatarë u zhytyën në llucë për të gjetur krimba për karemat e peshkut.

U befasova kur shikoja Naim Frashërin, Kadri Roshin, Prokop Mimën, Piro Manin, Mentor Xhemalin, Hysen Pelinkun të përveshur me llërët në baltovina për nxjerrjen e krimbave.

Më pas u bë rituali i mëngjezit me kafe dhe ndonjë gotë raki. Prit e prit që peshqit të kapnin krimbat.

Unë u mërzita me pritje dhe e shpreha.

Kadri Roshi më tha: Duket që nuk vuan nga nervat, se po të kishe probleme do shkarkoheshe me peshkimin.

Vite më vonë kur xhironim “Fletë të bardha” i kisha premtuar se do jemi në lagunat e Divjakës.

Ishte dhjetori 1989, Kadriu me Gjergj Lucën çoheshin natën ende pa u zbardhur dhe në ngricën e dhjetorit shkonin për peshkim.

Çdo mbrëmje kënaqej kur shikonte grupin e xhirimit që pinte dhe hante nga gjuetia e tij.

Njeriu që merrte një peshk të vogël para gotës me raki ishte ai Kadri Roshi.

Na shikonte i përmalluar !

Nuk mundja ta mbaja për vete këtë ndodhi kaq fisnike të njeriut që na ka dhënë shqiptarin siç e dimë siç e duam, siç do ta kërkojmë! .

Në se do të thuash që Kadri Roshi ishte gjeni në interpretim – Thuaje, nuk je gabim!

 

Rasim Gjoka, me profilin e tij publik, profesional la gjurmë në këtë botë

Me hidhërim të thellë mësuam lajmin e trishtueshëm e njëherësh ndjenjën e humbjes së pamasë me ikjen e parakohshme në moshën 68 vjeçare, nga kjo Botë të ‘xhaxhi’ Rasimit.

Mendimet tona janë sonte dhe për Beharin, Behar Gjoka që humbi vëllanë, Mirën, Miranda Gjoka Tresa gjithashtu, Rita, bashkeshortja, Algerit, Anxhelo, dy djemte, dhe të gjithë familjarët e miqtë që e ndiejnë këtë humbje të madhe dhe boshllëk në shpirt.

“Rasim Gjoka, një nga themeluesit e Fondacionit Shqiptar për Zgjidhjen e Konflikteve dhe Pajtimin e Mosmarrëveshjeve (AFCR), organizatë kjo e shoqërisë civile e themeluar në 1995, dhe u përqendruar në promovimin dhe zhvillimin e ADR/Ndërmjetësimit dhe Drejtësisë Rivendosëse në Shqipëri. Si drejtues i AFCR, Rasimi ka kontribuar në zbatimin e programeve të përqendruara në zhvillimin dhe zbatimin e alternativës së ndërmjetësimit në Shqipëri, të tilla si avokimi për kornizën ligjore për ndërmjetësim; pilotimin dhe zbatimin e shumë programeve inovative në Shqipëri, të tilla si drejtësia rivendosëse për të miturit, programet arsimore për dialogun rivendosës në shkolla; vendosja e programeve të ndërmjetësimit të lidhura me gjykatën; sigurimi i ekspertizës në disa trajnime për ndërmjetësuesit e rinj dhe ata në shërbim, dhe gjithashtu për palët e tjera të interesuara, si gjyqtarët, prokurorët, specialistët e qeverisjes vendore, mësuesit etj.

Rasimi ishte bashkëthemelues dhe anëtar i Forumit Evropian për Drejtësi Rivendosëse që nga themelimi i tij në vitin 2000, anëtar i Rrjetit Bashkëpunues për Paqen dhe anëtar i Mekanizmit të qasjes.

Ai ishte aktiv si dhe në disa rrjete në fushën e zgjidhjes së konflikteve, ndërmjetësimit dhe edukimit për paqe në Shqipëri dhe në rajon.

Rasimi ishte me profesion sociolog dhe njëkohësisht pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

Ai ishte ndërmjetës i akredituar nga Komisioni Kombëtar për Akreditimin e Ndërmjetësuesve, Ministria e Drejtësisë.

Ka ndjekur disa trajnime ndërkombëtare në menaxhimin e konflikteve, ADR, ndërmjetësim, etj.”

Pak rreshta për të sjellë pak nga profili i tij publik e profesional, qe nuk i bejne drejtesi figures dhe personalitetit te tij dhe gjurmeve qe la ne kete bote.

Qofsh i Parajses Xhaxhi Rasim! E kam vlerësuar faktin që në jetë më ke treguar konsideratë si Elda, dhe jo thjeshtë si mbesë.

 

Rasim Gjoka, gazetari që u përball me komunistët për të mbrojtur ata me “njolla në biografi” NGA PROF. DR. ZYHDI DERVISHI

 

Me Rasim Gjokën kemi qenë shokë kursi përgjatë 4 viteve të studimeve në Universitetin e Tiranës. Fillimisht nuk u prezantuam në auditorët e leksioneve, por në rrethana të vështira të punës prodhuese, në Leskovik të rrethit të Kolonjës.

Si nxënës i shkollës së mesme, si student dhe si pedagog i ri kam punuar në 12 aksione kombëtare njëmujore. Ndër to aksioni në Leskovik ka qenë më i vështiri në shumëçka, gati i projektuar si eksperiment sociologjik për të testuar karakteret e studentëve të asaj kohe. Puna ishte tepër e rëndë, norma realizohej me shumë vështirësi nga djemtë më të fuqishëm fizikisht. Rasimi jo vetëm realizonte normën e vet, por ndihmonte edhe shokët e shoqet e kursit, pa i vënë në sedër ata. Ndonëse i lindur dhe i rritur në qytetin e Burrelit, Rasimi kishte të brendësuara në personalitetin e tij tiparet më fisnike të shqiptarit: shpirtin altruist për të ndihmuar të tjerët, sidomos kur ndodhen në vështirësi, vullnetin e paepur për të përballuar çdo sfidë, shpirtin empatik për ta menduar veten në statusin e tjetrit etj. Rasim Gjoka u diplomua “Punonjës i shkencave politike” në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike të Universitetit të Tiranës. Duke qenë se u diplomua me rezultate të shkëlqyera, sipas rregullave të kohës, ai u emërua në institucion qendror, korrespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Këtë status me ndikim të fuqishëm për kohën Rasim Gjoka asnjëherë nuk e përdori për të dëmtuar njerëzit, por vetëm për t’i ndihmuar, për të afirmuar vlerat e tyre profesionale dhe humane. Angazhimin e xhaxhait, Ramadan Gjoka, në çetën e Pezës dhe të disa të afërmve në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, Rasimi asnjëherë nuk e përdori për të përparuar në karrierën profesionale, politike e shoqërore, por për të ndihmuar të tjerët, sidomos, ata të karakterizuar me “njolla në biografi”, si thuhej dikur, me “biografi të keqe” etj..

 

 

Pas vitit 1990, në veprimtari të ndryshme si konferenca studimore, biseda në disa televizione, promovime librash studimorë ose artistikë etj., kam takuar edhe gazetarë, mësues, inxhinierë, mjekë etj., të cilët në vitet 1980 kishin punuar në rrethin e Matit dhe të Dibrës dhe “të skeduar me kleçka në biografinë politike”. Në bisedat për Rasimin në rolin e korrespondentit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare ata kanë theksuar me bindje këto mendime: “Në vlerësimin e punës së specialistëve Rasimi nuk ndikohej nga njollat politike në biografi të tyre”, “gazetarë të tjerë prireshin të mos i rëndonin specialistët duke vënë në dukje kleçkat në biografinë politike, por nuk kishin kurajë t’i mbronin ata, ndërsa Rasimi përballej edhe me drejtues të niveleve të larta partiake e shtetërore në rreth, deri me sekretarë të parë dhe kryetarë komitetesh ekzekutive, për të promovuar profesionalisht “të vënët nën hijen e gabimeve politike të paraardhësve të tyre” etj. Edhe vlerësime e qëndrime të tilla të para vitit 1990 ndikonin që Rasim Gjoka të ishte i respektuar dhe i nderuar në rrethin e Matit, Mirditës dhe të Dibrës nga shumica dërrmuese e njerëzve, pavarësisht nga orientimet e tyre politike në rrethanat e pluralizmit ideopolitik. Në vitin 1989 Rasim Gjoka u emërua pedagog me kohë të plotë në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike (Universiteti i Tiranës). Në vetëm 3 vite krijoi profilin e një pedagogu të aftë, mjaft korrekt dhe të një studiuesi të përkushtuar. Në vitin 1992 fakulteti u mbyll dhe Rasimi, sikurse 47 pedagogë të tjerë, doli në asistencë. Por ai nuk u shkëput nga studimet. U angazhua si ekspert sociolog për disa vite në realizimin e anketimit në shkallë kombëtare të emërtuar “Eurobarometër”, që organizohej për herë të parë në Republikën e Shqipërisë nga Instituti Amerikan “Gallup”, më i specializuar në botë për sondimin e opinionit.

Në fillim të vitit 1995, Rasim Gjoka u angazhua në themelimin e fondacionit ose më saktësisht, shoqatës “Zgjidhja e konflikteve dhe pajtimi mosmarrëveshjeve”. Kjo shoqatë kualifikonte ndërmjetës për zgjidhjen, tejkalimin e konflikteve të ndryshme me ndërmjetësim jashtë rrugës gjyqësore. Për shumë vite, Rasim Gjoka e shndërroi këtë shoqatë në “laborator” social ku kryenin praktikën profesionale sociologjike qindra studentë të Degës së Sociologjisë. Edhe si pedagog me kohë të pjesshme për disa vite pranë Departamentit të Sociologjisë të Universitetit të Tiranës, Rasim Gjoka, ka qenë model korrektësie dhe profesionalizmi. Themelimi i kësaj shoqate u parapri nga një studim-anketim në shkallë kombëtare. Ndoshta është e vetmja shoqatë jofitimprurëse, joshtetërore e themeluar në atmosferën e një konference shkencore kombëtare, me pjesë marrje edhe të studiuesve joshqiptarë, danezë, norvegjezë etj..

Shoqata “Zgjidhja e konflikteve dhe pajtimi mosmarrëveshjeve” që në fillim financohej nga struktura shtetërore të Danimarkës, që ndër shumë vite është renditur e renditet në krye të listës së shteteve më pak të korruptuar në botë. Përvoja tregon se shtete të tillë kanë legjislacion disi të ngurtësuar, që synon të shmangë abuzimet e natyrave të ndryshme. Në financimet daneze ishte parashikuar një fond i vogël për publikime të veprimtarive të shoqatës. Unë i sugjerova drejtorit të saj Rasim Gjoka që me fonde të tilla të botohej një revistë. Ai e mirëpriti idenë dhe u angazhua tërësisht për realizimin e saj. Ai përballoi trysninë e një korrespondencë shkresore intensive dymujore me strukturat shtetërore daneze përkatëse. Që në fillim revista “Pajtimi” u konceptua dhe u realizua si buletin shkencor dhe u miratua si i tillë nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës të Republikës së Shqipërisë. Në këtë revistë kanë botuar shkrime dhe intervista ekskluzive personalitetet më të shquar të kulturës, të artit dhe të shkencës të Republikës së Shqipërisë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Vath Koreshi, Akademik Alfred Uçi, Akademik Hamit Beqja, Akademik Artan Fuga, prof. dr. Mark Tirta, prof. dr. Viron Koka, prof. dr. Jakup Mato, prof. dr. Ismet Elezi, prof. dr. Ines Murzaku, prof. dr. Afërdita Onuzi, prof. dr. Agon Xhagolli etj..

Rasim Gjoka asnjëherë nuk e përdori statusin e drejtuesit kryesor të shoqatës për të ndikuar në punën e redaksisë së revistës “Pajtimi”. Krahas veprimtarive të shumta për kualifikimin e ndërmjetësve ai përkujdesej me përparësi për revistën, e konsideronte atë përparësi të përparësive. Qëndrime të tilla të tij e lehtësonin shumë punë e redaksisë së revistës dhe punën time si kryeredaktor i saj. Revista “Pajtimi” kreu disa funksione të rëndësishme në shoqërinë shqiptare të viteve 1996-2005.

 

 

Së pari, kjo është e vetmja revistë monotematike në historinë e shtypit shqiptar. Në faqet e saj janë pasqyruar me rigorozitet shkencor në shumë rrafshe sociologjike e filozofike, etnologjike e historike, fetare e artistike etj. , përvojat shqiptare dhe të disa vendeve të tjera më të urbanizuara të botës për zgjidhjen me ndërmjetësim të konflikteve të ndryshme.

Së dyti, ndërkohë në Republikën e Shqipërisë shumica e intelektualëve, dhe ata më të shquar, ishin në vështirësi ekonomike, revista “Pajtimi” ofronte honorare dinjitoze për autorët e artikujve, të cilët shprehnin vazhdimisht respekt dhe mirënjohje.

Nuk më hiqet nga kujtesa një komunikim telefonik me akademikun e shquar Alfred Uçi. Me statusin e kryeredaktorit i porosita një shkrim 10- 12 faqe të daktilografuara, sipas standardeve të revistës. Ai solli një shkrim 17 faqe, i cili ishte shumë cilësor, sikurse gjithë shkrimet e tij, në lamitë e lëvruara. Sapo u botua revista e njoftova në telefon që të tërhiqte honoraret. Pasi tërhoqi honoraret ai më mori në telefon, ndjehej jo pak i lënduar. Lëndim fin prej fisniku me gjen të tillë ndër shumë breza.

– Zyhdi – më tha – desha të largohesha pa i marrë honoraret, mu dukën shumë, por nuk më la drejtori i shoqatës Rasimi, ishte shumë dashamirës, i çiltër dhe dinjitoz në këmbënguljen e tij. Më tronditi ideja se mos ju keni krijuar përshtypjen se kam shkruar më gjatë për të marrë më shumë honorare. Unë për gazetat shkruaj gjatë, se pavarësisht nga gjatësia e shkrimit ato japin vetëm 3000 mijë lekë të vjetra honorare.

– Profesor – i përgjigjem – kurrë nuk e kam menduar këtë shqetësim tuajin. Jeni fisnik i niveleve më të larta.

Së treti, revista “Pajtimi” u shndërrua në një fokus që mblidhte mendime të tilla të shkallës më të lartë të fisnikërisë, që rrezatonte me të gjithë rastet e bashkëpunimit të personaliteteve të fushave të dijes. Dhe meritë të veçantë për këtë ka pasur Rasim Gjoka.

Të punoje me financime të strukturave shtetërore daneze për shumë vite dhe të mos bëheshe problem për korrupsion do të thotë të ishe superkorrekt, që arrin t’i shpëtosh ngasjes për të kredhur në kënetën e korrupsionit. I tillë ishte Rasim Gjoka. E vetmja “pakorrektësi” e tij ishte largimi i tij para kohe dhe papritur nga kjo jetë!


Send this to a friend