– Ndrroi jetë më 3 qershor 2006 –
Ruaj respekt të jashtzakonshëm për Prof. Engjëll Sedaj.
Nuk e kam njohur personalisht por me ato çfarë kam lexuar.
Por kam edhe një mbresë personale.
Në pranverë 2001 u gjendem të dy pranë me emra në kolonat e gazetës “Bota sot” ku në 15 shkrime si në në një artileri osmane të kohës së moskurrit, na mallkonte dhe shpifte ndaj nesh nga pozita fanatike Abdi Baleta.
Pof. Dr. Engjell Sedaj i dha një përgjigje po në atë gazetë dhe shkruante se në ato që citonte Baleta nga Kolec Traboini, pra tek ky i fundit, nuk shihte asgjë të gabuar.
Në atë kohë falangat islamike kishin kaluar në revansh e agresivitet që kulmoi disa muaj më pas në 11 shtator 2001 dhe që solli që islamikët agresiv në Shqipëri nga frika e ekipeve të zgjedhura të FBI dhe CIA, ta zbusnin pak tonin por kurrë qëllimin.
Ndaj them se ato çfarë shkroi Engjell Sedaj në përgjigje të fanatizmit agresiv islamik janë aktuale edhe sot e kësaj dite në Kosovë, Maqedoni, Preshevë por edhe në Shqipëri.
Nuk duhet të kemi kujtesë të shkurtër. Kombi shqiptar nuk është në parrezik prej fantazmave të mesjetës.
I paharruar kujtimi i atdhetarit intelektual shqiptar Prof. Engjell Sedaj.
Kolec P. Traboini
Washington DC, 3 qershor 2017

Engjëll Sedaj –
Engjëll Sedaj, lindi më 14 korrik 1943, në Kabash të Vitisë. Vdiq në Prishtinë më 3 qershor 2006. Ishte fëmija i gjashtë i Jak Sedaj dhe Magdalene Sedaj (mbiemri i vajzërisë Sopi). Familja e tij ishte me origjinë nga Stublla e Eperme e Malësisë së Karadakut.
Përgatitja shkencore
Pas mbarimit të shkollës fillore në Kabash dhe Viti, ndoqi mësimet në gjimnazin klasik në Pazin të Kroacisë, të cilin e përfundoi në vitin 1962. Studioi filozofi në Fakultetin Teologjik në Zagreb, Kroaci (5 semestra) dhe filologjinë klasike në Fakultetin Filozofik në Shkup, ku u diplomua ne vitin 1971. Studimet pasuniversitare i ndoqi në Degën e Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku në vitin 1980 mbrojti tezën e doktoraturës me temë “Homeri tek shqiptarët”. Disa herë qëndroi në Romë dhe në universitete të tjera të Italisë për kërkime shkencore, por edhe për të ndjekur ligjërata mbi latinishten mesjetare të prof. Renzo Avesani.
Karriera shkencore
Karrierën e tij si mësimdhënës e filloi në vitin 1968 në Gjimnazin e Ferizajt, kurse nga viti 1971 punoi pa ndërprerje në Fakultetin Filozofik (Filologjik) të Universitetit të Prishtinës. Ishte profesor ordinar i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës në lëndën Gjuha latine. Një vit akademik ka mbajtur mësim edhe në Universitetin e Tetoves, kurse ligjerata të veçanta ka mbajtur edhe në Beograd, Tiranë, Kozencë etj. Ndërkaq, me kumtesa e kontribute të tjera është paraqitur në më shumë se 50 mbledhje dhe konferenca shkencore në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Duke filluar nga viti 1974 e deri ne fund te viteve ’80 ka marre pjese rregullisht ne te gjitha kongreset e filologeve klasike te ish Jugosllavise (gjithsej pese).
Është autor i shumë studimeve për kulturën, letërsinë dhe gjuhësinë shqiptare. Shkrimet e para i botoi në vitin 1970-1971 dhe që nga ajo kohë, vazhdimisht ishte i pranishëm në organet tona shkencore e letrare, duke trajtuar tema pak të njohura ose edhe të trajtuara nga e kaluara kulturore, e sidomos tema historiko-letrare dhe gjuhësore shqiptare dhe antike greko-romake. Botoi dhjetëra punime në revisten “Viva antika” (Antika e gjalle) (organ i Shoqatës së filologëve klasikë të ish-Jugosllavisë), me anë të të cilave dëshmoi formimin e tij shkencor si filolog klasik dhe ndihmoi në ndriçimin e atyre vlerave shpirtërore e kulturore shqiptare, të cilat konfirmojnë lidhjet e ngushta historiko-kulturore të Shqipërisë me Evropën dhe përkatësinë europiane të shqiptarëve si komb.
Është marrë aktivisht me letërsinë antike greke dhe romake, duke përkthyer në shqip autorët fondamentale: Aristotelin, Virgjilin, Horacin, etj.
Kryeredaktor i revistës shkencore “Dardania Sacra”.
Veprimtaria politike
Prof. Sedaj është marrë edhe me veprimtari politike, duke qënë një ndër themeluesit e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK).
Vepra
Etnokultura në Peshojë (2001), Ndërmarrja Botuese “Gjon Buzuku”
Bibla & Përkthimet e saj në gjuhën shqipe, (1999), Prishtinë
Papa shqiptar Klementi XI-Albani & Kuvendi i Arbenit, (1998), Ndërmarrja Botuese “Gjon Buzuku”
Ndërroi jetë më 3 qershor 2006.
Komentet