TIRANE -Kryetari i Partise Republikane, Fatmir Mediu në një intervistë për gazetën “Mapo”, Mediu shprehet se ka degjuar zera ne PD per nje koalicion te ri PD-LSI. Sipas tij kjo eshte e turpshme dhe e palogjikshme.
“Gjatë dy fushatave të fundit kam dëgjuar eksponentë të PD-së, që të jemi të kujdesshëm me LSI-në, se ata mund të bëhen prapë me Ne. Kjo është e palogjikshme dhe e turpshme. Do të ishte më mirë një koalicion me PS-në, sesa një pazar në kurriz të shqiptarëve me LSI-në. Nëse ne mendojmë se mund të bëjmë politikë pazaresh, atëherë njerëzit do ta bëjnë atë pazar në mënyrë pragmatike me pushtetin. Një koalicion parlamentar me PS-në jo detyrimisht me pjesëmarrje në qeveri, por në mundësimin e reformave konsensuale si ajo kushtetuese, e drejtësisë, reforma zgjedhore…etj., mendoj do jetë një gjë pozitive…”.
Po keshtu Mediu nënvizon se PR-ja arriti një rezultat më të mirë se më 2013 në numër votash, një konkluzion ky që nuk mund të thuhet për opozitën në tërësi.
“Ato ç’ka po thekson Basha dhe opozita janë një realitet fatkeq i zgjedhjeve të 21 qershorit. Në këto zgjedhje, Partia Republikane si pjesë e opozitës, arriti një rezultat më të mirë se 2013 në numër votash dhe në total u rikonfirmua forca e katërt në numër këshilltarësh. Opozita dhe PD-ja veçanërisht nuk mori atë rezultat që priste, dhe kjo padyshim kërkon një analizë të thelluar të organizimit të saj politik dhe elektoral, funksionimit të trupës parlamentare, mënyrës së qasjes politike me shoqërinë, përcaktimit të kandidatëve, kohës së përzgjedhjes së tyre, ndërtimit të koalicionit, funksionimit të tij, si dhe angazhimit të trupës së këshilltarëve të partive të koalicionit si pjesë aktive në mbështetje të kandidatëve. Se sa kanë ndikuar problemet në rezultatin e zgjedhjeve, ne mund të debatojmë gjatë rreth kësaj dhe do jemi sa larg edhe afër të vërtetës”.
Komentet