Kryetari i Partisë Republikane, njëkohësisht deputeti Fatmir Mediu, teksa po zhvillon një vizitë të radhës në SHBA, foli edhe për zhvillimet më të fundit politike dhe të sigurisë në Shqipëri.
Ai u shfaq kritik me opozitën aktuale, duke kërkuar një analizë të thellë të saj dhe lëvizje më të gjerë opozitare sesa foltoret në Tiranë.
Ai kërkoi që strukturat të dalin në bazë me takime me qytetarët, si dhe vuri theksin te bashkimi i opozitës për t’u përballur me këtë pushtet, pasi me sistemin zgjedhor aktual nuk ia dalin dot pa u bashkuar. Mediu tha se edhe lëvizja e Ervin Salianjit nuk përbënte rrezik për përçarje, por i shërben këtij riorganizimi.
“Nuk mendoj se takimet e Ervin Salianjit do krijojnë fraksione brenda PD-së apo ndarje të saj. Opozita duhet të bëhet në çdo skaj të vendit dhe jo vetëm në Tiranë, me qëllim që të ngrihet niveli i opozitës në politikbërjen shqiptare. Opozita shqiptare mendoj se në fillim duhet të bëjë një analizë të thellë të saj. Opozita shqiptare duhet të ngrihet në nivel tjetër, të organizohet dhe të shprehi vlerat e saj sepse nuk mendoj se Serbia apo Bullgaria të bëjnë protesta më të forta se këtu. Sepse Serbia nuk është më mirë nga ne në këtë aspekt”, u shpreh Mediu për “Neës 24”.
Mediu kërkoi që lëvizja opozitare të zhvillohet në të gjitha qytetet, duke dëgjuar qytetarët dhe madje duke protestuar.
“Opozita duket se ka mbetur vetëm në Kuvend. Qytetarët duhen dëgjuar, duhen takuar dhe më pas të bëhet një analizë dhe të veprohet. Qytetarët shqiptarë duhen dëgjuar dhe kuptuar për problemet, ekonominë, krimin, korrupsionin. Opozita duhet të hapur, duhet një reflektim. Me këtë sistem zgjedhor dhe pa bashkim të opozitës është e pamundur, ndaj edhe opozita duhet të jetë e bashkuar për të fituar. Mirëkuptimin e parë PD duhet ta kërkojë me qytetarët shqiptarë dhe jo me PS”, vijoi deputeti.
Duke iu referuar edhe raportit të ODIHR për zgjedhjet, ai theksoi se duhet punuar më shumë edhe me faktorin ndërkombëtar që të ndërgjegjësohen për situatën në Shqipëri dhe për zgjedhjet e deformuara.
“Raporti i ODIHR për zgjedhjet e fundit e thotë qartë problematikën e zgjedhjeve. Duhet punuar edhe me faktorin ndërkombëtar dhe duhet thënë se për zgjedhjet, OSBE-ODIHR e patën raportin më kritik, kurse qytetarët shqiptarë ishin hapa para opozitës në interesin për ndryshim. Lëvizja opozitare nuk u lidh me interesin qytetar, nuk pati mesazhe të opozitës tek votuesit. Protestat nuk duhet të përqendrohen vetëm te kryeministria, por në çdo qytet dhe bashki, të jenë non-stop në diskutime apo foltore, sido që duan t’i quajnë. Foltoret të jenë aksion i përditshëm në të gjithë vendin”, nënvizoi ligjvënësi opozitar.
Në lidhje me çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, ai bëri një koment të shkurtër duke deklaruar se standardet e kryeministrit Rama me drejtësinë janë të dyfishta, teksa vuri theksin te proceset e drejta penale, pasi edhe vetë po e vuan me gjyqin që po i bëhet me pa të drejtë për dosjen “Gërdeci”.
“Rama ndjek standarde të dyfishta në raport me gjyqësorin. Nuk merrem me çështje konkrete sepse e kam në kurriz rastin tim. Po veprohet si në kohën e diktaturës, ushtria është e pavarur. Parimi i kontrollit është i ndarë në përgjegjësi dhe ndërhyrja e ministrit të Mbrojtjes tek ushtria është e ndaluar rreptësisht i ndaluar. Dhe nëse sot jam unë në proces gjyqësor, SPAK e GJKKO po gjykon sot anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Unë nuk e shoh në interesin e momentit, si palë kundërshtare, por rëndësi ka që të ketë një proces të drejtë, mbi Kushtetutën dhe procedurën penale. Por ajo që dua të them është se qeveri më të korruptuar se kjo e Ramës nuk ka pasur kurrë Shqipëria”, përfundoi Mediu. gsh