Ka zgjatur pak më shumë se dy orë protesta e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve. Protestuesit deklaruan se do të jenë çdo pasdite para kryeministrisë dhe lanë takim nesër në orën 17:00 para Kryeministrisë. Por nesër në mbrëmje është parashikuar një koncert i këngëtarit të njohur kolumbian, Maluma.
Protesta e pestë e thirrur nga shoqëria civile kundër rritjes së çmimeve, të naftës dhe të produkteve bazë të shportës është mbajtur sot para Kryeministrisë. Protesta ka nisur në sheshin “Skënderbej” dhe më pas qytetarët kanë marshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur para Kryeministrisë. Dje Bordi i Administrimit të Karburanteve vendosi që nafta do të jetë 217 lekë/litër, por sërish protestuesit që mbushën sot për herë të pestë bulevardin, iu bënë thirrje qytetarëve t’iu bashkohen dhe deklaruan se protestat do të vijojnë dhe nesër në orën 17:00.
“Po nuk ranë çmimet, do bjerë qeveria”, “Ju jeni milionera, me vila e makina, s’paguaj më për ju, as unë dhe as familja!”, ishin disa nga thirrjet njëzëri në protestë.
Pedagogu: Rama propagandë me luftën në Ukrainë
Pedagogu Ervin Goci deklaroi se kryeministri Edi Rama po përdor luftën në Ukrainë për propagandë. Ai i bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës me fatura në duar.
“Hedh foto nga Ukraina për të shfrytëzuar në mënyrë banale, për te justifikuar vendimmarrje të qelbura që merr, tallje kolosale e interesave e vullnetit te njerëzve, e pafalshme se emergjenca jonë është të zgjidhen çështjet e çmimeve. Maqedonia hoqi fare TVSH për çmimet. Nafta nuk hyn nga gypi i x5 dhe llambat e iphone, x5 i kane ata ne s’kemi gjë. Nëse e shikon botën nga gypi i X5 bota të duket mirë por kur e sheh nga perspektiva e atyre që u janë kalbur dyert e shtëpisë e s’kanë mundësi të shtyjnë ditën bota duket ndryshe.
Kryeministri po përpiqet të ndërtojë një shoqëri me kasta. Te varfrit i kame unë ne xhep e me 30 mije lek…ju të tjerët çfarë kërkoni ju? Ju jeni mëkatarë se jeni miliarderë, pse kështu ndahet shoqëria? Nafta hyn në çdo qelizë të shoqërisë”, tha pedagogu.
“Ka 9 vite që më vjen turp që je kryeministri im. Duhet ta kalojmë përtej bindjeve politike”, tha një tjetër protestues duke iu përgjigjur kryeministrit Rama i cili e quajti turp protestën.
Ditën e djeshme pati një pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në protestë të cilët kërkuan masa për rritjen e çmimeve, disa dhe largimin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë katër ditëve protestë ka pasur disa protestues të shoqëruar dhe arrestuar. Pas protestës së djeshme para Kryeministrisë, protestuesit iu drejtuan Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku kërkuan lirimin e protestuesve të arrestuar.
VENDIMI I QEVERISË
Në mbledhjen e tij të datës 12 Mars 2022 Këshilli i Ministrave, miratoi Aktin Normativ
“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN 8450, DATË 24.2.1999 “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”.
Nëpërmjet këtij akti normativ normohen dhe monitorohen çmimet e shitjes së nënprodukteve të naftës për konsumatorët.
Në zbatim të këtij Akti Normativ u mblodh menjëherë Bordi i Transparencës dhe kufizimit të përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit,.
Në mbledhjen e tij të parë, dhe bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ vendosi:
1.Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.
2. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.
3.Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 93 lekë/litri.
Bordi i Transparencës do mblidhet përsëri ditën e martë, datë 15.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Normativ. bw
Komentet