FAMILJA GËRXHALIU
Në mëngjesin e datës 31 maj 1999, forcat sërbe hynë shtëpinë e Selatin Gërxhaliut (49) në fshatin Studime të Vushtrrisë, me ç’rast vranë nënën e Selatinit, Salihen (74), bashkëshorten Fexhrijen (39), pesë fëmijët (Sabahudinin, Myberanë, Abdurrahmanin, Mexhitin e Muharremin), si dhe kunatën Sofijen (35), me të birin, Saferin. Më pas pjesëtarët e këtyre forcave e nxorën Selatinin me djalin e madh, Shabanin (16), dhe djalin e axhës së tij, Xhemailin (62) dhe i ekzekutuan rreth një kilometër larg shtëpisë.
Salih Gërxhaliu, me të dëgjuar se të afërmit i ishin vra, kishte shkuar në vendin e ngjarjes. Në dëshminë e dhënë fill pas luftës, thotë:
«Kur hyna në shpi, nantë të vramë i gjeta në dhomë. Prej dere e pashë Salihen të shtrime me duer para kresë. Dy djem e dy gra ishin afër Salihes. U dukshin si me konë tue fjetë. Djemtë ishin të ulun me kambë teposhtë. Thashë me veti: ‘Allah, Allah, krejt i paskan vra, të nantit.’… Thashë ma mirë me pritë, e me thirrë ndoj polici… Erdhën policia me nji gjyqtare hetuese edhe fotografuen… Kur erdhën, ajo gjyqtarja hetuese, prej Malit të Zi ish, nisi me kajtë. Nji polic e pyeti çka ka që po kan. I tha: ‘Çka kanë ba këta fëmijë?’. Po njani prej policëve, Dragan Petrović, tha: ‘Luftë asht, shoq.’ Ia ktheva: ‘Në luftë zakonisht janë burrat kundër burrave, kështu që shko në mal, lufto me UÇK-në. Këta janë fëmijë që janë konë tue fjetë.’ Po Petrović-i veç më kqyri. Mbasi fotografuen, na thanë mos me i varrosë, se dojshin me pru njerëz prej Mitrovice. U nisën me kerr për Vushtrri, po mandej prap u kthyen, e na thanë me i varrosë prapseprap».
Për këtë masakër deri më sot nuk është dënuar, e madje as gjykuar, askush.
Në foto: Selatin Gërxhaliu me fëmijët e vet. Të gjithë të vrarë nga forcat sërbe.
© Familja Gërxhaliu
Marrë nga libri “Masakrat në Kosovë 1998-99” me autor Shkëlzen Gashin